Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
LOJËRAT ME LUFTË…
 
Pas luftës filluam lojërat me luftë dhe lexonim romanet e ‘Brezit të humbur’
Paqja na përgjonte në llogoret e vjetra, si infermiere spitali duke u lutur.
Pas luftës ne quheshim fitimtarë dhe ‘të padukshmit’ qenë të mundur
Infermierja Paqe numëronte të vrarët dhe të plagosurit hiqeshin të lumtur.
Tani në Botë janë shtuar lojërat me luftë, luftëra me përgjakje virtuale
Të plagosurit e djeshëm shohin bijtë dhe u luten plagëve të mos ringjallen.
Eshtë mplakur Paqja, disa thonë: vuan prej sklerozës
Me sytë ngulur në ekrane sheh si luajnë luftëtarët e rinj të Botës…
 
 
 
NDJEK VETEN
 
Gjithnjë ndjek veten që ta njohë e ajo gjithnjë kthen rrugë
Orakulli i Delfit – neurolog – qëndro, më thotë, kthehu në murg
Ti veten s’e njeh dot…. ti veten s’e njeh dot.
 
Dhe ndal: rreze në lupë
Lupë më bëhet çdo lot.
 
Vendos çipe te syri im diku nën qepallën e lagur nga lotët
përgjoj ditën, klithmën e hijes sime, ngjitjen, rrëzimin
një mikrokamera vendos diku në vesh: vëth zbavitës
filmoj gjithçka: si rend pa njolla hapash,
si godas në ajër
si pyes dikë që as hijen s’ma shfaq
e me lulëkuqe ferri ma dekoron parajsën…
 
Dikushi – vetja ime
përgatitet të më ndjek
e mbase… të më vrasë…
 
 
 
SHTËPIA DIMËRORE
 
Në borë një dhelpër e kuqe: flakë që ka humbur kujtesën
Lavjerësi i sahatit: temjanicë mbi kokën e kohës së vdekur.
 
Po pres ardhjen tënde në shtëpinë dimërore
Temjanica në mur lëkundet. Nata nën rraso ka fshehur dorën.
Dhelpra e kuqe: flakëz në borë.
 
Ti vjen me bujë: saja tërhiqet nga katër drerë dihatës
Dhelpra e kuqe lëviz ngadalë
Në trupin e borës duket plagë.
 
Tërhiqem nga ëndrra natyrisht i mundur
Si të gjithë pritësit pa shpresë
Dëbora e bardhë: flamur i vjetër dorëzimi
Harruar në fushën e betejës.
 
Matanë dhelpra e kuqe loz e shkujdesur…
 
 
 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s