Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
 
Bijë…!
 
Bija ime,
do të doja të banoja brenda syve të tu
vështrimit tënd me flatra drite
gurgullimës që shpirtin më njom,
si shiu tokën e etur,
…sa të kam pritur!
 
Frymë e frymës sime
 
Shtrij krahët në një përqafim
kur shputat të të digjen prej mallit,
si një ylber shumëngjyrësh,
ngazëllimthi vrapo lëndinës jetë
pa frikë,
gjurmëve të së nesërmes,
lundro oqeaneve, qiejve të ri
e me duart e buta,
eja,
eja e flokët prekmi përsëri.
 
O bijë,
vështromë me sytë e tu të kthjellët
e dashurinë falma të mëndafshtë
me ty gjithë botën kam
s’më duhen fjalë,
qëndro si Dielli në shkëlqim
jepmë dritë
si rrezja që çel në agim
e me flakërimën e buzëqeshjes tënde ndizmë,
o lulja ime,
o lumturia e çdo stine!
 
Merrmë përdore pranverë e shpirtit tim
pasqyrim i mijëra diejve,
psalti im,
e kur shpirti të më jetë lodhur
lërmë të shkoj,
dhe ti shko udhës tënde
me mallin ruajtur në shteg qerpikësh…!
 
 
 
Prag festash
 
Mbrëmjet daraviten ngadalë përreth
errin gjithçka, tjetërsojnë vështrimin
plogështisë së mbledhur,
zbritur ngadalë shpirtit tim…
 
Kafshuar rrënqethjes së një pritje
ndez dritat e Krishtlindjeve,
me të tjera vezullime
për të thyer një heshtje
që udhëton durimit,
e për të krijuar atmosferë
ndërrimit të viteve…
 
Por trishtimi duart i ka të gjata
e si ndrizat djepin sakaq më mbështjell
frymën ngre pezull një nyjë lidh në fyt
teksa një lot,
tinëz rrokullis dhembjen nën qerpik …
 
Oh, sa drithëron ky shpirt
shkrepëtima e një regëtime malli kur e kall
jehona ndihet përtej mureve
përtej pyjeve e maleve vijëzim
përtej deteve e liqeneve të zbrazur,
këtu afër, jo gjithësesi…!
 
Mundem të shoh sytë e zbehtë të nënave
ndjej ushtën e mallit që ashtin ia shpon,
kujën e sofrës së varfër
brengën e vatrës bosh
e lëngimin e gjatë të pragjeve
peng i dashurive…
 
Eh!
Duart e mpira zgjas në lutje,
si degë që prekin kurmin e qiellit
klith krejt dhimbjen që gjoksin ma shkel …
 
O qiej të lartë e të ftohtë
shpuar prej kreshtave të zbardhura të maleve,
ti Hënë që dukesh e zhdukesh
Ju yj që natën s’e çelni si dikur,
mos e fshehni shkëlqimin e dritës,
rrëmoni brenda tyre,
zhburgoseni dashurinë pa ngurim
ngrohni zemrën këtë fundviti
e një ëndërr faljani shpirtit tim…!
 
 
 
Në kërkim
 
Me majë të gishtërinjsh shkel mbi livadhin e ëndrrave
mbrujtur dëshirave të heshtura
udhëtimit mes krahëve të muzave,
pa busull,
vorbullës së fuqishme të ndjesive,
që nganjëherë më përhumb thellësive
shtjellave gri
e nganjëherë zbardhëllimit të vesuar të agimeve,
herë horizonteve në perëndime
e herë përtej vezullimave
territ të përflakur të yjeve
ku labirintet dhe meridianët e ngurtë
fshehin udhëkryqe,
vetvetes gjithmonë në kërkim… !
 
 
 
Malli im
 
Malli im,
mos vallë kthehesh në fëshfërimë
erashkave të pemëve
që kyçin trishtimin e dimrave,
apo hapave hedhur udhëve të kalldrëmta
që memoriet të gjalla mbartin brënda?
 
Ku strukesh ti malli im
që zemrën ma mbush me mungesë?!
 
Mos vallë tek ata njerëz të hajthëm,
që vështrojnë e ndezin flakën e buzëqeshjes
pamjes së tyre të hijshme
vizatatuar ëmbëlsisht në magjepsje,
apo oborreve ku mbeten gjurmët e ecjes
ku ende zogjtë me cicërima të pareshtura
duetojnë me valët?
 
Malli im,
përhumbem madhështisë së atyre perëndimeve,
ku ende flladiten kujtimet
e ku një mjellmë e bardhë
mori me vete një fjollë shprese
e përplasi flatrat
për të shtegëtuar liqenit të akullt…!
 
 
 
***
 
Ëndrrat,
ashtu si valët,
ngarkojnë flatrat me dëshira të pafajshme
ngjyra të mrekullueshme
parfume dehëse,
e mërmërimave të përhershme
vrapojnë pareshtur,
ndoshta për t’u thërrmuar shkëmbijve…!
 
 
 
Shpresë
 
Në këtë kohë të trazuar
korbi s’e reshti për asnjë çast kokrramën
e ditët thelluan gjurmët e trishtimit
vitit që rrodhi i pa përsëritshëm
mbështjellë me frikën vdekjes:
Ah, sa njerëz mbetën vetëm…!
 
Le të shkojë! Ta harrojmë!
Me vete le ta marrë këtë flamë të çmendur
bashkë me zërat ulëritës të hijeve
çikërrimat e marrëzitë
që shpirtrat trazojnë, frymët
e lotin ngrijnë mbi qepallë
perandorisë së tyre të akullt.
 
Pa u shqetësuar për retë kalimtare,
as për zukatjen e mizave,
le të udhëtojmë planetit,
sërish kurthit të jetës…,
si dëshmitarë të një drite të brishtë,
që diellin nxjerrin prej vetes.
 
Le të hedhim hapin e radhës,
me shpirtin mbushur me kujtime të vjetra
e flatrat me shpresa të reja
nën të njëjtin qiell,
për të lënë një gjurmë përjetësie
zemrën tok me mendjen
mbështjellë në frymë mirësie,
që vërtitja e erës të fryjë e lirë
ashtu si lundron qiellit me gjethet…!
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s