Irena GJONI (Albania) – Poetë të takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

 
 
Irena GJONI (Albania)
 
International Poetry Meeting Saranda 2020 (Albania)
Takimi Ndërkombëtar Poetik, Sarandë 2020
 
Irena Gjoni ka lindur në Sarandë. Doktore e shkencave në letërsi. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, mësuese në gjimnazin “Hasan Tahsini” si dhe anëtare e Këshillit Artistik të Bashkisë së Sarandës.
Ka punuar si gazetare në median e shkruar dhe audio- vizive. Pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, nënkryetare e shoqatës “Klubi i krijuesve jonianë”,
Ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm në gjuhë shqipe e në gjuhë të huaj. Është pjesëmarrëse në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit. Po kështu dhe në shumë manifestime poetike në vende të ndryshme të Evropës ku ka fituar disa çmime. Është pjesëmarrëse në disa antologji poetike në shqip e në gjuhë të huaja. Ka botuar tre vëllime me poezi. Një libër studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” 2008, dhe “Gjysma dashurish” vëllim me fiksione 2010,
Po kështu kjo autore është përkthyer në disa gjuhë të huaja me cikle poetike (anglisht, frëngjisht, kroatisht, rumanisht, greqisht, turqisht, suedisht, italisht etj.).
 
 
I PAUDHI I PA UDHË
 
Sonte i paudhi ngeli i pa udhë
E këtu u lëkundën
rrënjët mijëravjeçare të Olimpit
 
Vetëm hija e tij me sytë e mbyllur
skalitur në frymëmarrje Nimfe,
di nga i shkojnë e i vijnë . . .
 
E bartin në lutje ikonostasësh
Si një statujë pa formë,
Si një fjalë somnambul.
 
Po drita mungon të bëjë hije…
E Ipaudhi sonte ngeli i pa udhë …
Duke e rrëzuar Olimpin …
 
 
 
DASHURI BUZË GREMINE
 
Bëmë dashuri buzë një gremine.
Në mollëzat e gishtave të tu,
një cermë hëne të prek.
 
Me ty engjëll jam dashuruar unë,
nata e greminës,
dhe hëna e njohur si hajdute zemrash.
 
S’di kujt t’ia prishësh!
 
Gremina të josh me fundin e mistershëm;
gëlltit një copë prej saj.
Hëna të josh me cermën e saj;
gëlltit edhe një copë hëne.
Thua se unë të josh me sekretet e pathëna;
gëlltit një sekret timin.
 
Më duhet të të shpëtoj;
prej vetes, greminës dhe hënës,
duke të futur në një akuarium shpirti,
të padepërtueshëm prej shumë palë sysh,
 
se dashuria ha koka…
 
 
 
ANA UHIBB , JI GJALLË PËR MUA!
 
Nën ritmin e frymëmarrjes së shiut të ftohtë të vjeshtës,
prek në përkëdhelje lëkurën e qiellit të natës.
Është i vetmi shteg që më bie te ti sonte,
aty në shkretëtirë
ku vrapon mes dashurisë dhe vdekjes.
 
Unë bëhem frymë malli,
aty, në hapësirën e ngushtë të një makine të blinduar lufte,
e vetmja oazë për të dhënë e marrë puthjen e shpirtit.
Aty ku rrotull teje
vallzojnë hije të çmendura të kufomave të të vrarëve.
 
Ti ikën prej tyre mes jehonës së makthit,
ku nuk të tremb vdekja rrotull teje,
po tmerri i humbjes së dashurisë
qe e ke në kufijtë e fundit të botës.
Me tingullin e së pamundurës,
më thua se të dashuroj si i marrë.
 
Zëmekur si një psalm të përshpirtshëm,
pëshpërit dhe në gjuhën vendase,
si të duash të marrësh me të mirë shkretëtirën e luftën,
që të të lenë gjallë shpirtin e dashurisë:
“Ana uhibb!” (Të dua në gj.arabe)
 
Përtej jehonës së kësaj bote,
Gjithësia rri pezull në pritje të një fjale.
Lufta jashtë blindit rri si shpat Demokleu.
Hijet rrinë pezull, në pritje për t’u ringjallur,
duke dashur të vjedhin frymën tënde.
Një “Pezullt” përbindëshash gati për sulm
në dilemat e humbjes së dashurisë.
 
Dhe përtej kufijve të fundit të botës,
këtu në stuhitë e shiut tim të pëshpëris:
“Të dua sa qielli zemra ime,
Ndaj, ji gjallë për mua engjëlli im! “…
 
*1 Të dua në gjuhën arabe
 
 

Antologji e takimit Trirema e Poezisë Joniane, Sarandë, Albania 2020

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s