Udhëkryqi letrar i përkimeve dhe i ndryshimeve. / Nga Dr. Albana Alia

Udhëkryqi letrar i përkimeve dhe i ndryshimeve.

D’où venons-nous? Que sommes-nous? Où allons-nous?

 

 

Albana Alia

Nga Dr. Albana Alia

 

 

 

Rreth veprës së studiuesit Dr. Labinot Berisha “ Këngët kreshnike shqiptare dhe epet e lashta”, Tiranë, Argeta-LMG, 2013.

Studimi shkencor i Labinot Berishës paraqitet tepër i veçantë për faktin se në procesin e krahasimit të këngëve tona kreshnike me disa nga epet e lashta e më kryesore të traditës letrare evropiane dhe të vënies në dukje të elementeve të përbashkëta apo ndryshimeve mes tyre, ai u referohet strukturës së tekstit, tematikës dhe mesazhit poetik të një lloji të veçantë letrar, siç është epika, duke iu shmangur pozicionimit në koordinata të caktuara kohe, hapësire e kulture. Epika paraqitet ambivalente: si individuale dhe kolektive. Në skemën hegeliane epika do të zërë vend të parë si shprehje kolektive e shpirtit të një populli, e ndjekur nga poezia lirike dhe drama. Për më tepër, ishte pikërisht epika gojore nëpërmjet forcës së imagjinatës krijuese të këngëtarit që ndikoi në zhvillimin e llojeve të tjera të letërsisë së shkruar.

Pa u kufizuar në matricën e një lloji letrar të mirëfilltë, autori trajton çështjen e epikës si një fenomen më vete, si një dukuri që përfshin popuj me kultura e tradita të ndryshme që jetuan larg njëri-tjetrit e ku ndikimi reciprok do të ishte thuajse i pamundur. Gjatë analizës së teksteve të ndryshme duhen marrë parasysh, mbi të gjitha, vështirësitë që përfaqëson gjuha në të cilën janë shkruar këto këngë dhe veçantitë prozodike të lidhura me të. Nga një këndvështrim tjetër, edhe përkthimi nga gjuhët: greke, spanjolle, franceze, gjermane, etj., do të krijonte probleme të mëtejshme për krahasimin.

Autori vendos të hulumtojë nëpër gjurmët e epeve të lashta duke përligjur një lloj përkufizimi që J. Gracq e ka formuluar për studiuesit e letërsisë së krahasuar “[…] klandestinë ndërmjet kufijve, ndërtues urash për lidhjen e atyre brigjeve që kanë qenë të injoruara prej shekujsh”. Ata marrin parasysh dhe përballojnë me guxim rrezikun që implikon një këndvështrim i ri, por edhe vënien në diskutim të opinionit tradicional. Veç kesaj, i shtrojnë vetes pyetje nga më të ndryshmet duke u nisur nga trashëgimia personale e kolektive kulturore me qëllim të fundit: njohjen dhe vlerësimin e kulturës tjetër dhe, në të njëjtën kohë,  rivlerësimin me sy kritik të rrënjëve të veta. Siç do të shprehej studiuesi i njohur francez Yves Chevrel “njohja e thelluar e një faktiletrar mund të realizohet vetëm nëpërmjet kërkimit të së panjohurës dhe vënien e saj në raport me atë që njihet”.

Studiuesit e letërsisë së krahasuar preferojnë të flasin për një metodë pune, jo për teori krahasimi, prandaj edhe Labinot Berisha që në fillim të veprës së tij shpjegon me hollësi metodën që ka ndjekur nëpërmjet një zgjedhjeje të lirë, pra mbështetjen mbi tekstin që paraqitet si një textum ku studiohen marrëdhëniet strukturore mes elementeve të ndryshme që e përbëjnë atë. Për më tepër, realizohet një ballafaqim e krahasim i vazhdueshëm i fakteve dhe teksteve letrare duke zbuluar me kënaqësi intelektuale gjurmë të përbashkëta mes nesh dhe te tjerëve nëpërmjet një vullneti e mentaliteti të hapur për tejkalimin e kufizimeve politike e ideologjike, për nderimin e lashtësisë së letërsisë shqiptare dhe disa letërsive të tjera, për hir të artit të fjalës dhe mesazhit universal që ai komunikon.

Këngët tona kreshnike, që flasin për forcën, veprimet, bëmat, trimëritë dhe famën e Mujit e Halilit, Gjergj Elez Alisë, tridhjetë agët e Jutbinës e Klladushës, por edhe të kundërshtarëve të tyre, krahasohen nga studiuesi me epet e popujve të ndryshëm si: “Epi i Gilgameshit”i traditës së lashtë sumere-babilonase, epet e Homerit në Greqinë e lashtë “Iliada” dhe “Odiseja”, epi francez “Kënga e Rolandit” dhe tri epet e tjera “Digenis Akritas”, “Kënga e Sidit”, e “Kënga e Nibelungëve”, të cilat përfaqësojnë vlera të larta letrare e artistike të traditave të ndryshme.

Përkimet, ngjashmëria apo ndryshimet vërehen dhe analizohen nga një pozicion i veçantë i studiuesit, nga një location i de-politizuar në planin e mërisë në favor të një politike miqësore siçdo të thoshte Gayatri C. Spivak, prej nga kritikohen rreptësisht stereotipitë e mistifikimet ideologjike duke u bazuar më tepër në kërkimin e thellë gjuhësor e kulturor, duke pyetur tekstin nëpërmjet një close reading (lexim kritik e analizë tekstore e gjuhësore), duke vënë gjithmonë në diskutim studimet e hershme. Pikërisht këtu qëndron dhe veçantia e këtij studimi dhe niveli shkencor i trajtimit të fakteve letrare; autori eviton opinionet e pafrytshme pozitive apo negative; përjashton një lloj doxa të përbashkët të pabazuar në kritere shkencore.

Në një kontekst të theksuar kulture heterogjenike, krahasimi i epeve të ndryshme bëhet më kompleks duke rrezikuar ndonjëherë përfundime banale nga ana e studiuesve të ndryshëm, si p.sh. vendosjen në një plan të dytë të këngëve kreshnike shqiptare në krahasim me ato serbe. Në shumë raste  autori thekson se përkimet e ngjashmëritë e shumta nuk janë vetëm rrjedhojë e një ndikimi reciprok, por më tepër kemi të bëjmë me një lloj poligjenizmi të natyrshëm. Në një studim të veçantë, Claudio Guillén pohon që letërsia e krahasuar është tension mes lokales e universales, dëshirë për të shkuar përtej kufijve të nacionalizmit kulturor. Të ashtuquajturat topoi, “vende, formula, struktura tradicionale, imazhe apo skena të veçanta”, përfaqësojnë zakonisht “tradita të qëndrueshme, longues durées”. Esenca e këngës mbetet po ajo, forma ndryshon sepse asnjëherë këngëtari nuk e këndoi këngën dy herë në të njëjtën mënyrë. Kështu, autori shkon përtej kufijve të kohës dhe të hapësirës, duke realizuar një interpretim të veçantë e të thellë nëpërmjet një dialogu të vazhdueshëm me epikën si tekst letrar me një strukturë të veçantë dhe si mesazh poetik të rilexuar me sytë e të sotmes.

Në analizën e tij studiuesi zgjeron kufijtë e këngëve duke njësuar me to edhe format e tjera të folklorit: përrallën, legjendën, mitin, të përfshira në një mjedis onirik të mrekullueshëm ku ëndrra do të paralajmërojë veprimin mbi bazën e kodit kalorësiak me ndihmën e perëndive apo të qenieve të mbinatyrshme.

Studiuesi vë në dukje elemente të përbashkëta që u referohen një periudhe të lashtë, shpesh edhe ngjarjeve konkrete historike në to. Kështu, ai do të zbulojë përkime në jetën matriarkale, qenie mitike, përleshje e dyluftime, pra në veprimet e personazheve dhe bëmat e tyre. Përsa i përket “Epit të Gilgameshit”, ngjashmëritë qëndrojnë te: kodi i trimërisë, mënyra e dyluftimit, mënyra e tejkalimit të pengesave, sistemi i përsëritjeve apo i formulave në strukturimin kompozicional të tekstit, kënga dhe vaji, mallkimet e urimet, etj.

Te epet e Homerit, studiuesi do të përqendrohet më tepër në dy çështje tepër të rëndësishme: qytetërimi grek dhe estetika e tij e veçantë; ndikimi i ndërsjelltë e i natyrshëm mes dy popujve në kushte fqinjësie. Tek “Iliada” e këngët kreshnike, përsëri kemi të bëjmë me një botë përleshjesh, aventurash, marrje vendimesh në kuvend, trimash ku kali, kalorësi dhe armët janë të pandashëm, por edhe me kultin kalorësiak, përshkrime ngjarjesh e personazhesh, veçanërisht të bukurisë së grave e të vashave, apo të tipareve të trimave, në realizimin e discordia concours mes botës konkrete dhe asaj imagjinative në një shumësi figurash retorike, formash dialogjike, përsëritjesh e formulash. Perënditë, ashtu si në tragjeditë greke, janë të pranishme e për më tepër, paracaktojnë fatin e personazheve, në ndihmë apo kundër tyre. Përkundrazi, orët e zanat e kreshnikëve zhvillojnë një veprim mbrojtjeje e ndihme e ndjekin nga afër zhvillimin e ngjarjeve. Shkas dhe qëllim i aventurave, i përleshjeve luftarake dhe i dyluftimeve të trimave […] janë gratë dhe vajzat e bukura. Ndryshimet më të dukshme qëndrojnë tek përmasat e këngëve dhe në rrafshin e prozodisë. Te “Odisea” dhe këngët kreshnike, studiuesi flet për kodin moral e zakonor, atë trimëror e të flijimit për familje, kultin për këngën e vajin, ëndrra, përshkrime, formula e shprehje.

Një rëndësi të veçantë merr epi francez “Kënga e Rolandit” që, përveç përkimeve në kodin kalorësiak, aventurave, kultin ndaj armëve, përsëritjeve e formës dialogjike, përshkrimeve e disa toponimeve, paraqet njëndikim nga epika latine e tekstet fetare.

Në fund të veprës, studiuesi analizon përkime e ndryshime të tjera mes poemës bizantine  “Digenis Akritas”, asaj spanjolle “Cantar de mio Cid”  dhe “ Këngës së Nibelungëve” gjermane.

Pra, autori e përqendron studimin e tij në bazën e hershme të epikës duke vënë në dukje lashtësinë e këngëve tona epike, kompleksitetin e fenomenit epik dhe zhvillimin e epikës si lloj letrar i veçantë i pahuazuar nga popujt e ndryshëm, por si perceptim e shprehje estetike dhe artistike e jetës por edhe e dukurive të saj madje në disa raste me ndikime të veçanta të ndërsjellta.

Për Labinot Berishën, një studim i tillë serioz dhe i thelluar duhet të realizohet:

[…] edhe në krahasimin e këngëve tona kreshnike me këngët e veçanta të traditës epike të myslimanëve të Bosnjës e Hercegovinës, të këngëve serbe, të këngëve kroate, po dhe të popujve të tjerë të Siujdhesës Ballkanike, pa paragjykime e anime aprioristike e politike, por duke zbatuar kritere të mirëfillta shkencore, e jo siç ndodhi shpesh për më se një shekull […].

Veç kësaj, një krahasim i mëtejshëm duhet të përfshijë edhe traditat e popujve të Lindjes së Mesme dhe të Largët.

Pra, autori realizon një zbulim gjurmësh të përbashkëta në rrugën e shumëllojshmërisë, drejt një udhëkryqi letrar (cit. Didier Souiller e Wladimir Troubetzkoy) të përkimeve dhe të ndryshimeve.

Letërsia e krahasuar është në të njëjtën kohë e domosdoshme dhe utopike, prandaj U. Weisstein me të drejtë flet për krizën e saj të vazhdueshme në artikullin “The Permanent Crisis of Comparative Literature”. Labinot Berisha pas një hulumtimi të gjatë e të kujdeshëm, me mprehtësi intelektuale të natyrshme do tëhapë një shteg të ri në letërsinëe krahasuar (duke konsideruar si pikënisje traditën shqiptare) duke paraqitur një tekst referimi të rëndësishëm për studiuesit e tjerë qëme një punë të kujdesshme krahasuese dhe me një metodë shkencore të zgjedhur me përpikëri do të ndihmonin shumë në plotësimin e mozaikut të traditës sonë të lashtë dhe do t’u jepnin një përgjigje të thellë e të reflektuar çështjeve që shtron Weisstein mbi identitetin kolektiv të një kombi: D’où venons-nous? Que sommes-nous? Où allons-nous?

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s