UNË BESOJ NË ZËRIN TËND, Ó ATË! / Poemë nga Bardhyl Maliqi

 

Bardhyl Maliqi

Poemë nga Bardhyl Maliqi

 

 

UNË BESOJ NË ZËRIN TËND, Ó ATË!

 

Unë besoj në zërin tënd, o Atë!

Në emër të vetëdijes, të qenies sime humane,

në emër të emocioneve të brishta,

në klithjen e instiktit njerëzor,

në intuitën që e përçart arsyen,

por përvojës së mëparshme i beson.

Dëgjoj zëra  betejash  legjendare

ku bulërimë kuajsh jelefluturues

kreshpëruar kurmit rendin me galop

besoj në zërin tënd  me arsye historike,

me biografinë e kallur të genit që s’venitet,

me bindjen e mosbindjes, unë besoj!

Nuk di nëse je Natyra që më flet,

Dhe praninë e bukur ma dëshmon,

nuk di nëse je Perëndia vetë,

Zot, që universin zotëron!

Por përderisa  gjashtë herë më shumë,

Zëri rreh timpanin dhe kurrë ti s’e harron,

E ngjyra e lules pa të s’ka kuptim,

pasi gjashtë herë vdes brenda në retinë.

 

Unë besoj në zërin tënd, o Atë!

A i keni dëgjuar vallë bubullimat,

kur qielli çurgon me rrjedhje lotësh?

Oh, s’është shi ai që bie,

janë të qarat e femiijërisë së botës,

kur djepi e shtërngon dhe përpëlitet

nën pushtetin e diktuar të litarit,

nën muret e izolimit të dërrasës,

që ka vrarë fëshfërimat e gjelbra të gjetheve

dhe cicërimën e trishtilit në majën e bajames

së porsaçelur, që dimrit i bën karshillëk.

 

Unë besoj në zërin tënd, o Atë!

A e keni dëgjuar gjëmimin e rrufesë,

kur bie me rropamë e ulërimë,

kur djeg e shkallmon lisa,

kur për pengesa s’pyet që ta vendosë

qoftë edhe me dhunë drejtësinë?

Dhe veten pyes pse këto avuj vere,

dendësohen lart në atmosferë

dhe me grushte shteti, me gjak e krime

vendosin fatet tona përmbi dhe?

Dhe ne vazhdojmë me naivitetin tonë

në çdo verë të thekemi në plazhe,

t’i gëzohemi  dallgës lozonjare

dhe diellit të shndritshëm mbi çatinë e botës.

Natyrisht, ne nuk mundemi ta besojmë

se këto avuj ujrash pasqyrëkthjellët,

do të na zgjojnë hutimin e përgjumur,

me pasqyra të zjarrta vetëtimash,

do të na vijnë si krismë breshëri në dritare.

 

Unë besoj në zërin  tënd, o Atë!

Mbase besoj se  kur fle në dhomën e gjumit

dhe pëshpërimë e gruas si mëndafsh

nëpër endrra zgjon dramat e ditës,

pastaj e ul krahët edhe prehet

për të filluar sërish me të bukurat emocione

dhe mua ma mësoi këtë muzikë të çmendur

sa nuk ndihem mirë dhe s’mund  të fle

po s’ ushtuan dallgët prej kënaqësive trupore.

Ndërsa kur në divan më zë gjumi

duke ndjekur filma të mërzitshëm,

ku aksioni nderet si rrobat në ballkon

dhe presin t’ua shkundë piklat flladi i lehtë i erës.

Gjumin ma dëbojnë zërat e makinave,

me bori, me skopime, me harbim

motorrash ku adolishentët varin fatin

e jetës, në klithje fluturuese nëpër rrugë,

dhe ku kërkush s’i sheh dot dy herë,

se gjetiu kanë shkuar që përdhunshëm

ta zgjojnë qytetit, sikur është krim të flejë.

 

Unë besoj në zërin  tënd, o Atë!

Mbase se pranë pyllit kam shëpinë dhe

çurçurima zogjsh kuvendojnë me qiellin,

flasin me kompanitë e tyre celulare

si gratë llafazane në kuzhinë.

Dhe drurët thellë dihasin sikur marrin frymë,

por nuk harrojnë kurrë të ngjiten,

lartësish për të kapur diellin,

që me rrezet e para të agzholit

paralajmëron se vera po mbaron.

Por mua më pëlqen kënga e zogjve,

gugatjet e pëllumbave, pingërim i qukapikut,

zëri sol-maxhor i thëllëncës lozonjare,

dhe mjaullima e maçokut poshtë ballkonit,

fatlutës, që nga çerdhja të bjerë e bija e laureshës

direkt në tavën e tij mëngjesore.

 

Unë besoj në zërin  tënd, o Atë!

Siç beson te dashuria vasha virgjëreshë,

te zëri mashkullor, që ja çon peshë

ndjesitë femërore aty tek fërfëllin

fshahur pas perdes ku kukafshehti loz

me djaloshin pa përvojë që serenatat

e magjishme veç për të këndon.

Dalin komshijet dhe pa pkë mëshire

lagin djalin me kovat qaramane

dhe mallkojnë dashurinë si shtrigane,

tani që monopauza i pushton.

Dhe vasha e trishtuar nga komshijet,

që respektin njerëzor e kanë harruar

si rrobë të palarë në lavatriçe,

thyen një tufë pjatash nga ballkoni

mbi kalldrëm të rrugës që zvarritet

nëpër natën e tetorit si lehonë.

 

Unë besoj në zërin  tënd, o Atë!

Ritmit të muzikës që lavjerësin e botës

e tund në mes shalëve të bukura të çdo gruje;

një muzikë e përhershme dhe universale

si rrotullim i përjetshë i planetëve,

që veç perimetri dhe largësia nga dielli

bën të jenë të ndryshëm në ngarendjen e tyre.

Këto klithje epshi janë muzikë e bukur,

jo më kot pornografia përçartet pas tyre

dhe dimansionet e pavetëdijes me dashje i ndryshon,

kur t’i pret të vdesësh në krahët e një femre,

në çastin kur kohën ajo e çvirgjëron.

Po a ka gjë më të bukur vallë

prej krijesës që lind nga naurisja e epshit

dhe hap perden e mëndafshtë të mëngjesit

dhe me zërin që gugat si pëllumb i bardhë

e përqafon dritën në sytë e së ëmës

dhe zërin e ashpër të babait

si me magji e zbut, e ëmbëlson?!

 

Unë besoj në zërin  tënd, o Atë!

Unë besoj te kokërrza e grurit,

që brenda tokës pret ardhjen e pranverës,

të çajë plisin e butë e të ngrohtë të dheut,

barkun pjellor të tokës, ku njeriu

lind e vdes si gjallesë humane,

e vetmja që e ka vetëdijen e besimit

dhe barkun e begatë e falemnderon.

Një këmbë e hutuar mjafton ta shkelë

shkarpën e tharë që toka mban mbi vete

dhe ajo si gjëmim orteku

vrasjen e ndërgjegjes së trazuar zgjon.

A ka veshë përgjimi apo sigurimsi

që shkeli shkarpën në kopshtin e punuar

për t’i bërë me veshë muret e shtëpisë,

dhe besimin ta lëkundë gjer në vdekje?!

 

Unë besoj në zërin  tënd, o Atë!

Siç beson udhëtari i etur në gurgullimën

e ujit të një burimi fshehur nga syri,

mes gjethesh i trembur nga pushtimi i etjes,

i lodhjes së vapës dhe djersës që çurgon.

Udhëtari këmbët ndal dhe veshi s’e tradhëton,

kur kokën anash vë mbi zemrën e dheut

dhe gurgullimën më fort e më bukur e dëgjon.

Ky ujë është mbase vetë magjiia e jetës

ndaj falja shiut që i përmbyti fushat

duke i nxjerrë vetë lumenjtë nga shtrati,

duke i shkallmuar digat dhe argjinaturat,

me shpresën se shurdhimin e pushtetit

e çon te mjeku për operacion!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s