VIZIONE POETIKE TË ETJES PËR DRITË DHE TË DASHURISË SË PËRJETSHME / Nga Albana Alia

 

anton-nike-berisha

Anton Nikë Berisha

 

VIZIONE POETIKE TË ETJES PËR DRITË DHE TË DASHURISË SË PËRJETSHME

 

Anton Nikë Berisha, Ujëvarë drite në zemër. Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agnes Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze. Botimi i dytë. “Argeta-LMG”, Tiranë 2010.

 

 

Albana Alia

          Nga  Albana Alia

 

 

Vepra poetike Ujëvarë drite në zemër e Anton Nikë Berishës shqipton udhëtimin shpirtëror të Nënës Tereze, e cila në qytetin e Kalkutës (Indi) pati themeluar bashkësinë “Misionaret e Dashurisë”. Për përkushtimin dhe dashurinë që ajo tregoi sidomos për të më të varfërit e të varfërve, për të braktisurit, mori çmimin Nobel (1979) për paqe, ndërsa në vitin 2003 papa Papa Gjon Pali II e shpalli të lumtur.

Jeta e Nënës Tereze dhe dashuria e saj u shndërrua në një lutje të vazhdueshme, ushqim shpirti, ku njeriu flet me Hyjin, ia ndien Zërin edhe Fjalën / dhe praninë e Tij të ngrohtë; në një meditim të thellë, ku ngjet një bashkëbisedim e njësim i ngrohtë midis Krijuesit dhe krijesës. Me një përkushtim tërësor të qenies e të jetës së vet Nëna Tereze e gjeti shtegun e dashurisë së Hyjit:

[…] e unë –

viktimë e dashurisë Sate –

e ndjej në mishin tim,

si hej akulli,

sharrimin e gozhdëve të kryqëzimit tënd

dhe fillimin e zhbërjes sime të heshtur.

[…]e hirin Tënd

dhe atë ta bart

tek të tjerët.

Shtegtimi poetik shpirtëror i Nënës Tereze hapet me një përshkrim onirik retrospektiv të fëmijërisë së saj. E vogël, mes maleve, luginave, nën dritën e Hënës, të yjeve apo të Diellit, mes erës e shiut,  mes gjelbërimit, në këmbimin e stinëve, mes vezullimesh e ujëvarash dashurie, ajo arrin të perceptojë (në mënyrën e saj) kozmogoninë, frytin e dashurisë së Hyjit krijues. Me çiltërsi e pasuri shpirti arrin të shquajë anët pozitive të jetës, pa menduar për dhimbjet e vuajtjet, për errësirën.

Prania e figurës së nënës Drane dhe njësimi me të do të bëhet projektim gjatë udhëtimit jetësor e shpirtëror të saj, që pastaj, në qenësinë, do të përligjet në figurën e Shën Mërisë në dhimbje, në plagët e të birit, Krishtit të gozhduar në kryq e të flijuar për të mirën e njerëzimit.

Udhëtimi i saj shpirtëror fillon pikërisht nga dashuria në familje, në botën e çiltër fëmijërore që do të mbruhet kohë pas kohe me rrëfimet, me legjendat, me histori, me dallimin mes të mirës e të keqes. Ky udhëtim do të shprehet në katërmbëdhjetë ndalesat (stacionet) e të ashtuquajturës Via Crucis, rruga e vuajtjes që çon drejt kryqëzimit të Krishtit, drejt dashurisë; ajo (Via Crucis) përfaqëson edhe çaste të lutjes, të meditimit, të reflektimit, të pendimit e të pastrimit.

Udhëheqësit shpirtërorë të Nënës Terezes do të jenë zërat e së kaluarës që marrin formë në citatet e çdo ndalese/hapi të shtegtimit shpirtëror, zërat që e gozhdojnë si Krishtin, dialogu imagjinar me Atin, vizioni i Krishtit, fryma e Shpirtit të Shenjtë.

Më vonë, ajo vetë do të trasformohet në Shenjtore të gjallë, në ëngjëll udhëheqës në Kopshtin e Edenit ku mes trëndafilave do të takojë Shën Françeskun që fliste me zogjtë që fluturonin drejt dritës – folé e hirit të Hyjit e që këshillonte për vëllazërim, ndihmë e varfëri, çlirim nga të mirat materiale tokësore; Tereza Lisieux – shenjtoren karmelitane (në kuvendin e Loretos, Nëna Tereze mori emrin e saj); shenjtoren Tereza D’Avila që lexonte e frymëzohej nga Rrëfimet e Shën Agustinit… Si Nëna Tereze, ata iu përkushtuan mbrojtjes së dinjitetit të të pastrehëve, të më të varfërve, të gërbulurve, duke zbuluar kuptimin e vërtetë të jetës.

Në kishën e Letnicës (në Kosovë) drita e Hyjit zbriti në shpirtin e Nëna Terezes në mënyrë të vetvetishme, në një lloj trans verberatio, ashtu si eksperienca sensuale trupore e shpirtërore, e mbrujtur me dhimbje dhe dashuri, e mistikes spanjolle Shën Tereza D’Avila kur një ëngjëll e plagosi duke i shpuar zemrën me një shtizë me majë të hekurt të ndezur flakë deri në ekstazën përfundimtare të kotemplimit. Sipas saj, faza e ekstazës është vetëm një nga fazat fillestare të udhëtimit/kërkimit shpirtëror të brendshëm; prania e Shpirtit të Shenjtë tërheq vullnetin dhe intelektin në një lloj këmbimi të ndërsjelltë, të ndërgjegjshëm e të pjekur mes njeriut besimtar e Hyjit. Në fjalët e epigrafit Nëna Tereze do të përdorë një varg foljesh/veprimesh që nënkuptojnë dinamizmin e dashurisë hyjnor: vepro në mua, hape zemrën, të dua, më forco, më ruaj, të jetoj në shenjtëri.

Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, në skulpturën e artit barok të Gian Lorenzo Bernini-t, nëpërmjet iluzionit dramatik apo vizionit, fytyra në ekstazë e shenjtores Tereza D’Avila ndriçohet nga drita (e ujëvarës së amshuar), duket si metamorfozë e dyfishtë e mermerit të trupëzuar dhe e trupit të shndërruar në dashuri qiellore të përjetshme. Edhe Nëna Tereze ndien se frymon brenda dritës së Hyjit:

[…]vrushkuj të përdëllimit të Tij

dhe dallgëzime hareje

vërshuan qenien time […]

Kështu

jetën e ngjiza

me dashurinë e Hyjit

e Ai u bë gjakimi –

shpëtimi im;

u bë

njohja

urtësia

dhe vuajtja ime.

Nëpërmjet vizioneve metaforike, nëpërmjet alternimit të dialogëve me Hyjin me monologët e drejtuesve shpirtërorë të Nëna Terezes, nëpërmjet rrëfimit poetik në vetën e parë dhe një gjuhe fort të pasur e të rrjedhshme, në ciklin poetik “Ujëvarë drite në zemër” autori arrin mrekullisht të krijojë sintezën mes formave të ndryshme të artit: skulpturë, muzikë, këngë, pikturë, ndërthurje e intertekstualitet mes traditës, historisë, mitologjisë, artit e teologjisë.

Shprehja poetike merr jetë në ujëvarën e dritës së Hyjit të përnjësuar me atë të zemrës së Nënës Tereze. Vargu është i lirë si mendimi e thyhet, shumëfishohet si uji që shpërndahet nëpër gurë nën rrezet e shkëlqimit duke lënë pas errësirën.

Deti i vuajtjes e i dhembjes, lumi që rrjedh si jeta, dallgëzimi, suvala, vesa, shiu, lotët, ujëvara, me fjalë të tjera, epifania ujore në të gjitha përfaqësimet e veta, konceptohet nga poeti si një element ambivalent i jetës dhe i vdekjes, i gëzimit dhe i dhimbjes.

Autori e shtjellon në një crescendo të vazhdueshme dhimbjen, ngrohtësinë, ëndërrimin, gjakimin dhe dashurinë, duke zhvilluar një sistem të zgjeruar e të pasur figurash retorike dhe duke ndërthurur një seri metaforash, osimorësh (prushi i errësirës), aliteracionesh (veçanërisht në bashkëtingëlloret rr/sh/zh/dh në vizionin e njëmbëdhjetë), krahasimesh, epitetesh e personifikimesh. Çdo vizion e përshkruan me një elokuencë të rrjedhshme si ujëvarë drite. Shpesh e ndërron mënyrën e ndërtimit të vargut për t’u lënë mundësi metaforave të bashkëngjitura të marrin frymë lirisht ose të ballafaqohen në mënyrë sa më të veçantë. Herë të tjera sforcon artistikisht fjalën deri në konotime të pafundme të dimensionit tokësor:

Ti je ngrohtësia e diellit

që s’ka të shuar;

nga trupi yt i mbërthyer në kryq

t’i nxjerr gozhdat me rënkimin e dhembjeve

e zemrën e mbështjell

me gjëmbat e kurorës sate

si me petale lulesh.

Një lloj kulmi intensiteti arrihet në vizionin e nëntë, që për sistemin tepër të zhvilluar metaforik (vuajtje e qepalla të gurëzuara, lumi i dhembjeve, lumë telash me gjemba, heshtja e akullt, ankthi bredharak, rrugët lot-tharë, shurdhësia e kohës, bebëzat vjeshtake, rënkimi i buzërrugëve, ferri i gjallë i statujave dimërore), për praninë e trefishtë: unë/ju/ata, për ndërrim  të vazhdueshëm të perspektivës, shndërrohet në shprehje të pasura e sublime. Në vepër ndihet dinamizmi i dhimbjes, por edhe i misionit dhe qenësia e dashurisë. Vargjet shprehin shpirtin në një dimension qiellor dhe të nxitin ndjeshmërinë dhe mundësinë e pendimit e të pastrimit.

Mes vargjeve ndihet bashkëjetesa e të kundërtave, coicidentia oppositorum, që synon drejt unitetit primordial: sinkroni/diakroni, lart/poshtë, brenda/jashtë. Në një pozitë të ndërmjeme, in between, ku rreziku bëhet më i afërt, mes tokës dhe qiellit, mes dritës dhe errësirës, mes ujit dhe prushit, mes fluiditetit të shpirtit dhe lëndësimit (materialitetit) të trupit, mes besimit dhe tundimit, mes të thënës dhe të pathënës, mes qenies dhe mosqenies, mes realitetit dhe vegimit, poeti e nxit lexuesin të shtegtojë si Nëna Tereze  në një gjendje fillestare paqartësie, në një lojë të shqisave: (nuk) shikoj, (nuk) dëgjoj, (nuk) prek, (nuk) nuhas, (nuk) thith nektarin e dashurisë. Ngjitja zë fill vetëm kur mbyllen shqisat e arsyes dhe imagjinata e besimi marrin jetë.

Çdo vepër letrare e një niveli të lartë përcjell një mesazh artistik të veçantë e të shumëfishtë, siç ndodh në çdo varg të kësaj poeme unike me katërmbëdhjetë pamje metamorfike të dashurisë së Hyjit të përnjësuar me Nëna Terezen. Me sytë e mendjes, me lutje, me etje për kryqëzim, me etje për dashuri duhet ëndërruar e gjakuar për të kërkuar e për të gjetur dritën e Hyjit, dritën e jetës, për t’u lutur me/në/për Të, derisa të arrijë mes Tyre, të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve e të gërbulurve. Nëpërmjet përkushtimit ndaj Hyjit, Birit të tij, Krishtit dhe Shën Marisë, Nëna Tereze dëshmon dashurinë e vërtetë, që konkretizohet me shtëpitë “Shishu Bhavan”, “Nirman Hridey” (në qytetin e Kalkutës) dhe me “Shanti Nagar” (Qytetin e Paqes, në krahinën e Bengalës), për t’u degëzuar këto vatra pastaj në shumë shtete të botës. Kjo dashuri dyfishohet ose shumëfishohet njësoj si zemra e plotë, e ndarë më dysh, e ndarë në copa që ka etje e flet me misterin e heshtjes. Kjo dashuri kërkohet në dritë e gjendet në errësirë, takohet me dhimbjen dhe e shëron; dashuria e këtillë të detyron të shprehesh në vete të parë: Ti je…, Ai është…, në një formë dialogjike te brendshme shpirtërore apo në një monolog të mirënjohjes, të ndjenjave më të thella. Duajeni njeri tjetrin sikundër unë ju desha juve.

Besoni në Hyjin!

Mos keni frikë!

Drita e hirit të tij

është

me ne

e në ne

përgjithmonë.

Vizionet që ofrojnë këto pamje poetike ndihmojnë të ravijëzohet imazhi i Atit, i Birit të tij, Krishtit dhe nënës së tij, Marisë, nëpërmjet një përshtatjeje, një metamorfoze të vazhdueshme njësimi/përnjësimi/shndërrimi mes elementeve tokësore e qiellore, por edhe nëpërmjet rezultatit të një ngjitjeje të vështirë, udhëtim drejt harmonisë qiellore, drejt së vërtetës, drejt dashurisë së përjetshme. Kjo pra eshte esenza e Hyjit:

Ti je

me ne

e në ne

në jetë

e në vdekje.

Poeti na jep mundësinë të kuptojmë që simbolizmi i udhëtimit lidhet me kërkimin e paqes e të pavdekësisë, në mënyrë të veçantë, me zbulimin e një qendre shpirtërore, të një kopshti edenik vetëm pas një përgatitjeje shpirtërore që lejon ngjitjen në Qiell. Në realitet, udhëtimi përmbushet vetëm në brendësi të qenies nëpërmjet shtegtimit personal dhe shpreh një dëshirë të fortë për ndryshim të brendshëm, një dëshirë për përvoja të reja, sipas Jung-ut, një kërkim për zbulim horizontesh.

Nëna Tereze e gjeti dritën e jetës dhe kacavaret pas ylberit magjepsës.

Miku i saj, papa Gjon Pali II, kalorësi i fesë së gjallë, përshkohet nga rrezja e shenjtërimit nisur drejt shpirtit të tij. Drita është njohja e së vërtetës, është Fjala e Hyjit që ajo e percepton drejtpërsëdrejti në formën e një ndriçimi nismëtar. Ballafaqimi dritë/errësirë shpreh marrëdhënien epistemologjike shpirt/trup që lejon bashkëjetesën e parimeve të ndara në realitet. Zgjidhja e kësaj dysie, siç shprehet në thellësinë e kumtit poetik, do të na udhëheqë drejt unitetit primordial. Shpirti, zemra, trupi, drita e Nëna Terezes do të njësohen me dritën dhe dashurinë e Hyjit.

Ishte epifania e Hyjit që mundësoi dritën të përshkonte zemrën e krijesës së pëlqyer të tij. Kratofania e dritës hyjnore e pushtoi Nënën Terezen dhe rrezatimi dhe ngrohtësia e saj na përshkon me akte dashurie, sepse ajo vetë mbeti dashuri e gjallë që rrezaton e përhapet përherë mbi veprimet tona:

Të përulem,

Nënë e Dritës-

Dashuri e përligjur me dhembje.

Kjo vepër shkakton një katarsë të veçantë poetike e shpirtërore.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s