PËR STUDIMIN “PJETËR BUDI POET DHE PROZATOR” TË ANTON NIKË BERISHËS (Botoi Pellegrini Editore, Kosenza 2015) / Nga (Hamdi) Erjon Muça

11080720_915848005124425_5373063393233030151_o

 

PËR STUDIMIN “PJETËR BUDI POET DHE PROZATOR”
TË ANTON NIKË BERISHËS

(Botoi Pellegrini Editore, Kosenza 2015)

 

 

erjon

Nga (Hamdi) Erjon Muça

 

 

Kur mora në dorë librin studimor të profesor Anton Nikë Berishës, “Pjetër Budi Poet dhe prozator”, u gëzova mjaft. Më tepër se për studimin u gëzova për pjesët nga poezia dhe proza e Budit që profesori i kish përfshirë në studimin e vet. Pjetër Budin e njoh vetëm si emër, si një nga shkrimtarët tanë më të vjetër: vetëm kaq.
Përpos dëshirës sime të flaktë për të lexuar, ndofta, poetin tonë të parë të mirëfilltë (para tij në studim përmenden katër poezi të Gjon Buzukut të botuara më 1555 në veprën “Meshari”) , studimin e lexova pa kërkuar më parë pjesët burimore të Pjetër Budit. Kur e përfundova u binda se studimi kishte po të njëjtën vlerë sa edhe vetë poezia dhe proza e Budit.
Nuk dua që askush të ma marrë këtë vlerësim si kompliment të tepruar, prandaj po e parashtroj këndvështrimin tim.
Duke lexuar studimin lexova edhe mjaft mendime të studiuesve të tjerë që kanë shkruar për Budin. Përpos studiuesve seriozë gjeta edhe disa mendime që është pak t’i quaj sharlatane. Bie fjala, njërit prej tyre Budin poet e quan revolucionar, prometheik.
Prite Zot rrezikun: siç thonë Shkodranët. Sikur ndonjë piktor apo skulptor të frymëzohet nga ndonjë studiues si puna e këtij që përmenda më sipër, që nuk janë të pakët në Atdheun tonë, ndoshta do bëheshim spektatorë të ndonjë skulpture apo pikture, për shembull, të Nënës Tereze, me përkrenare, parzmore, mburojë dhe heshtë. Ose më keq akoma: me përkrenare me mburojë e me heshtë, por gjinj përjashta si Teuta mbi baknën e Durrësit!
Këta jo vetëm që bëhen qesharakë, por rrezikojnë që edhe personat me të cilët merren t’i ulin në gradën e burleskut.
Këta lloj studiuesish shkruajnë libra për të treguar se sa shumë dinë dhe jo për të hedhur dritë mbi një krijues, personazh ose periudhë historike. Si thonë italianët: mundohen të gjejnë qimen në vezë. Nuk e kuptoj përse mundohen të interpretojnë kur ka një akt më të thjeshtë, siç është leximi. Të lexosh është më e mirë dhe objektive, kurse interpretimi të bën të shohësh si vigan, mullinjtë e erës. Secili është i lirë t’i shohë si të dojë, e ata sërish mullinj ere mbesin.
Ka edhe të tjerë të cilët për koherencë shprehen kundër prozës dhe poezisë së Budit. Çdo njëri është i lirë të shprehet si do, por nuk është mirë të bësh krahasime pa u thelluar mirë në dukurinë. Madje mendoj se letërsisë, më shumë se cilido arti tjetër, krahasimi i pastudiuar thellësisht i sjell dëme të mëdha. Sidomos Budin, atë nuk mund ta krahasosh me asnjë bashkëkohës të vetin, evropian, katolik: As poezinë e tij. Po të sillemi në këtë mënyrë, hiq vetëm më pak se dhjetë autorë, librat e tyre, digj librat e të tjerëve pasi nuk duhen.
Kur merr në dorë një studim të mirëfilltë, kupton lodhjen dhe përkushtimin që i duhet një autori për të arritur diçka me të vërtetë të vlefshme dhe serioze. Vështirësitë nisin që nga stisja e mendimeve, tek zgjedhja e literaturës s konsultuar, e deri tek përqendrimi për të mos harruar as edhe një presje. Me përkushtimin dhe seriozitetin më të lartë, profesor Anton Nikë Berisha nuk lë pa përmendur studiuesit e tjerë që janë marrë me figurën e Budit, seriozisht apo jo. Më tepër se sa studim unë do e quaja këtë libër pastrues, pasi pastron figurën e Budit nga të gjitha mangësitë dhe shpërfilljet që vetëm ne shqiptarët dimë t’u ngjesim heronjve tanë. Ata, heronjtë, kanë qenë mbi të gjitha njerëz, me virtytet dhe të metat e tyre, e figurave të tyre u bën më mirë kur trajtohen në këtë mënyrë.
Profesor Anton Nikë Berisha duke shëtitur nëpër liturgjinë e krishterë na jep një këndvështrim njerëzor të Poetit. Pjetër Budi ishte prift dhe jeta e tij ishte rrethuar nga librat e shenjtë. Ai i njihte liturgjinë katolike po ashtu siç njihte vendin dhe popullin e vet. Jetoi në një epokë muzgore, fillimi i errësirës së madhe otomane që mbështolli për pesë shekuj qytetërimin arbëresh. Në këtë muzg historik Arbrit rrezikonin të humbnin besimin e para së gjithash gjuhën. Këtu del në pa Budi patriot e besimtar. Ai mendon dhe mundohet me të gjitha forca, siç thekson edhe ai vetë: duke i pëlqyer edhe Perëndisë, që me një lëvizje të mundohet të shpëtojë dy aspekte të shpirtit Arbër: gjuhën dhe besimin. Besimin e krishterë ai e fut në krijimet e veta poetike, duke përdorur mënyrën më të mirë për të qenë i kuptueshëm nga populli i vet. Nuk mëton të jetë origjinal, nuk do të jetë i tillë, ai ka një tjetër detyrë: të jetë shpëtimtar, jo vetëm në rrafshin shpirtëror. Ashtu siç e thekson edhe Anton Nikë Berisha, ai përdor tetë rrokeshin sepse ishte edhe vargu më i përdorur nga Arbrit në këngët e tyre. Pra, Budi mungesën e “origjinalitetit” e kompenson me një përmasë aftësie dhe përkushtimi. Në poezitë e tij ai i këndon Hyjit shpëtimtar për shqiptarët, në gjuhën e tyre dhe në mënyrën e tyre. Budi nuk ka vetëm krijime origjinale, në poezi dhe në prozë, por me punë të palodhur përkthen në gjuhën tonë disa libra të besimit të krishterë të cilit ai i përkite. Sipas meje, për atë që mësova për Budin nga ky libri i profesor Antonit, ishte një njeri i madh që i vuri vetes dy objektiva që, mesa pati mundësi, ia doli t’i përmbushë.
Ky studim për mua është tepër objektiv. E është ky aspekti i parë pozitiv i këtij libri. Ai nuk merret, siç kanë bërë disa studiues të tjerë, me vlerësimin e poezive të veçanta të Budit. Profesor Antoni e di dhe dëshiron që edhe të tjerët ta kuptojnë se jo vetëm për këtë poet, por ndoshta për të gjithë, askush nuk bën mirë të japë vlerësime për poezitë e tyre veç e veç, por të vlerësohen si tërësi e pandarë. Se e gjeta edhe në faqet e këtij libri një studiues që i bënte njëra më të mirë se tjetrën mbi pesë poezi të Budit. E kjo përpos që nuk është serioze dhe objektive, është qesharake. Më vjen t’i them atij studiuesit: tani zgjidh kush është më e mira se je kundërshtues me vet-veten.
Aspekti i tretë i rëndësishëm i këtij studimi ka të bëjë me gjuhën që përdor profesori. Në fakt unë nuk jam marrë kurrë me temat teknike të një shkrimi e për më shumë të një studimi. Kam pasur një lloj frike të vlerësoj punën e studiuesve, por siç thashë për heronjtë, edhe profesorët dhe studiuesit kanë nevojë të trajtohen si njerëz, sepse mbi të gjitha ata janë njerëz. Në këtë Studim nuk kam gjetur fjalë të huaja, në kundërshtim me rrugëtimin që ka marrë libri shqiptar, në të cilat jo vetëm që gjen një dyndje me fjalë të huaja, por gjejmë edhe fjalë që nuk kanë asnjë lloj kuptimi, jo vetëm për tërësinë e librit por as brenda fjalisë. Kur lexon kritika, studime apo ese sot në Shqipëri, për ndonjë libër, të duket sikur studiuesi kërkon jo t’i bëjë kritikë apo zbërthim librit në fjalë, por të dalë më i ditur se hartuesi i librit.
Kur thashë në fillim që ky studim ka po të njëjtën vlerë me vetë prozën dhe poezinë e Budit, nuk e teprova. Budi u mundua të shpëtonte gjuhën shqipe nga barbarizmat e Otomanëve, kurse profesor Anton Nikë Berisha nga mos serioziteti dhe përbuzja shqiptare ndaj këtij krijuesi tonë të fillimit të letërsisë sonë.
Ju do të thoni: po aspekti i parë cili është?
Aspekti i parë është, humanizmi që përdor profesor Anton Nikë Berisha kur trajton një figurë të rëndësishme siç është Pjetër Budi, para së gjithash si poet dhe prozator.

30-03-2015
Pisa Itali

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s