HISTORIA DHE AKTUALITETI NË NGJYRIMET POETIKE / Nga Xheladin A. Çitaku

HISTORIA DHE AKTUALITETI NË NGJYRIMET POETIKE

 

 

 

Xheladin

Nga Xheladin A. Çitaku

 

 

“ – Puna e një poeti nuk është ta tregojë atë që ka ndodhur, por atë që do mund të ndodhte” (Aristoteli, “Poetika”).

 

– Arti poetik shpreh përjetimet dhe depërton në ndjesitë e etapave të caktuara historike, në kontekst të përfytyrimit të ngjarjeve të veçanta apo rrjedhës së përgjithëshme historike, duke shfrytëzuar informatat relevante por, tani, të ngjyruara emocionalisht; për të paraqitur, kështu, raportin e poezisë me historinë apo edhe mitologjinë, pa përfillur ngurtësinë e fakteve, në të cilat mbështetet shkenca e historisë. Kjo qasje shpreh relacionet e artit me faktografinë historike, shpreh ndërlidhjen e reflektimit atistik me mitin dhe ngjyrimet mitologjike, për të trasuar permanencën transformuese; ndërthurjen mes reales dhe sajimit imagjinar.

“ – Sa here që poetët futen në epoka të hershme historike, e ndjejnë të nevojshme të aktivizojnë motive, figura dhe elemente të tjera mitologjike” (Alfred Uçi, “Mardhëniet midis mitit, folklorit dhe letërsisë”)

– Gjithësesi, periudhat e ndryshme të historisë përfaqësohen me figuracion përkatës, elemente letrare-artistike, madje edhe mitike, të cilat janë karakteristikë e etapës kohore që pasqyrohet në poezi, gjithnjë në funksion të zhvillimit tematik, shtruarjes së idesë, veprimit të subjektit poetik dhe hapërimit frymëzues në terrenin e rrjedhave të kohës; të gjitha këto paraqesin konfiguracionin e hapësirës poetike, në të cilën gjejnë shtrirje interpretimet dhe shprehjet artistike që i përkasin kësaj fushe; transponimi artistik i ngjarjeve historike, “inkarnimi” i të dhënave mitologjike, duke rikonstruktuar skemat sipas kërkesës së poetizimeve të botkuptimit të sotëm.
– Cytja për udhëtim në të kaluarën vjen nga nevoja e spostimit të përqëndrimit drejt elementeve përcaktuese të identitetit kolektiv ( atij kulturor e të tjerë ) dhe identifikimit të qasjes individuale në këtë bredhje imagjinare; si domosdoshmëri e sforcimit të këtij identiteti në raportet aktuale. Udhëpërshkimet e tilla mëtojnë ta krijojnë atmosferën për disponimin e lexuesit për ta absorbuar variantin poetik të ndodhive, në të kaluarën.
– Përshkrimet sugjestive krijojnë asociacionin kuptimor për një ngjarje historike, për një kohë, në të cilën diçka ka ndodhur, për një kohë, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të një identiteti (grupimi).
– Personifikimi i forcave vepruese të kohës përmes figurave stilistike, është karakteristikë e veçantë e këtij aspekti poetik, sepse kjo paraqet strukturën tematike dhe motivuese, kohore të poezisë. Poetët që bredhin në këtë trase përmbushin krijimet e tyre me tërësinë përfaqësuese të kohës, për të cilën shkruajnë; simbolikën adekuate, mjetet letrare artistike, figurat, shprehjet gjuhësore efektet emocionale.
“ – Historia na ofron ngjarje të njohura së jashtmi. Por mendimet e njerëzve, ndjenjat që i kanë shoqëruar mendimet dhe planet e tyre, fjalët me të cilat janë përpjekur që ndjenjat dhe vullnetin e tyre ta shprehin përkundër ndjenjave dhe vullnetit të të tjerëve, me të cilat kanë shprehur zemërimin e tyre, me të cilat kanë shprehur dhimbjen e tyre, nëpërmjet të të cilave, shkurt, kanë shprehur individualitetin e tyre, për të gjitha këto gati nuk thot asgjë historia. Kjo është, në të vërtetë, fushë e poezisë”, (Aleksandër Manconi).

&&&

– Transformimet strukturore të poezisë përfshijnë kontekstin kohor dhe manifestimet brënda këtij konteksti; zhvillimet shoqërore, fenomenet konceptuale dhe pasqyrimi i realitetit, në përgjithësi. Raporti i poetit ndaj këtyre rrjedhave krijon terrenin për reflektimin e dukurive, kornizimin e tyre tematik dhe stilistik. Kështu, observimet poetike për realitetin janë, gjithnjë në veprim, sepse ato akomodojnë qëndrimet e autorit për problemet e aktualitetit dhe manifestimeve në rrjedhat shoqërore, në ambient të caktuar dhe brënda intervalit të caktuar, duke shënuar kohën.
Faktori kohë duhet ta përshkojë poezinë e aktualitetit, shprehjet letrare që karakterizojnë rrjedhën e saj, dhe tabloizojnë këtë tërësi me problemet dhe zhvillimet që ndodhin, sepse koha ecën dhe atë s`mund ta kthesh prap, s`mund ta kompenzosh atë. Prandaj do kornizuar atë në ngjyrat e vargut. Mosvlerësimi i duhur i këij elementi do ishte një rast i humbur për shënimin e kronikës poetike.
Prandaj, përshkrimi i realitetit poetikisht, është detyrë e poetit, është detyrë e tij të jetë brënda kohës dhe ta pikturojë atë, të gjitha aspektet e saj; shfaqjet vrragëlënëse të kahjes pozitive apo negative, qofshin, “gjuhën e zjarrtë” apo “degën e dafinës”. Poezia qëndisë artistikisht buqetën e ndjenjave, duke stërholluar atë, gjithnjë me gjuhën e kontekstit..
– Sferat e ndryshme të jetës pasqyrohen në letërsi, në këtë rast në poezi, barten në varg për të ravijëzuar karaktere të ndryshme të subjektivitetit, veprime dhe vese të veçanta. Këto përbëjnë aktualitetin poetik dhe identifikojnë momentin aktual të jetës, të personifikuar në figuracion stilistik, në shprehje artistike apo në forma tjera relevante të poetizimit. Duke lexuar këtë poezi hasim përshkrimin e përjetimit të reflektimeve jetësore; pozitivitetin, kontradiktën, pastaj këtu takojmë edhe protestën, nganjëherë revoltën, për dukuri konkrete, për fenomene, të cilat përshkojnë realitetin dhe, si të tilla, zhvendosen edhe në strukturën ideotematike të poezisë dhe përfaqësojnë një çast kohor, veç tjerash.
– Bëmat e përditshmërisë frymzojnë vargje e strofa, frymëzojnë përmbajtje e refleksione poetike, të cilat sistemohen, pastaj, në një tërësi, për ta skicuar poetikisht vijimësinë kohore. Preokupimet krijuese janë të ndryshme. Të ndryshme janë edhe këndvështrimet e realitetit, realitetit historik dhe aktual. Ndërkaq i përbashkët është synimi i konstruktimit të realitetit poetik në vijimësi dhe në kompozimin e kontinuitetit të poetizuar, si formë dhe si përmbajtje.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s