Një roman për Kosovën që ia vlen ta lexosh / Nga Bardhyl Selimi

Një roman për Kosovën që ia vlen ta lexosh

 

 

Bardhyl Selimi

Nga Bardhyl Selimi

 

 

f.5-6

 

Disa sqarime të vetë autorit: 

 

Libri zë fill në dimrin e vitit 1957, kur unë isha nxënës në Shkollën Normale të Prishtinës. Atëhere qendrova ca kohë në një fshat të Kosovës dhe gjatë darkës mësova për dhunën që kishte përdorur UDB-ja gjatë aksionit për mbledhjen e armëve.

Pas kryengritjes së Drenicës dhe ikjes së turpshme të partizanëve shqiptarë nga territori jugosllav, “Borëbardha” e Gadishullit Ballkanik, ishet alivanosur për vdekje. Njerka e saj, Jugosllavia Titiste, që donte të jetë më e forta dhe më e bukura e dheut, me miratimin e bijve serbë, kroatë e maqedonas, edhe një herë e nxori nga labirinti i saj ellaborarin e shovinistit serb Vaso Çubrilloviç, me shpresë se këtë herë do ta zgjidhte përfundimisht çështjen e popullsisë shqiptare.

Mjerisht, edhe pse e konsideronin veten largpamës, arkitektët e Jugosllavisë Federative, bashkë me ndonjë shërbëtor të vogël shqiptar, e dëshmuan veten dritëshkurtër dhe harruan se Kosova ka qenë e do të mbetet djep i Shqiptarizmës. Të trimëruar nga plaçka që morën gjatë luftës dhe të llastuar nga përkrahja që i vinte nga Bashkimi Sovjetik, çetnikët serbë, tani të veshur si partizanë, rishtaz u hodhën në një fushatë të egër kundër popullatës duarthatë shqiptare, e cila ushqehej me hithra e bukë të mykur.

..Djalëria e Kosovës, e privuar nga të drejtat e saj kombëtare, nisi një ndërmarrje për ta rizgjuar “Borëbardhën” e shtrirë për vdekje, duke e sakrifikuar vetveten.. Edhe pse të paarmatosur, këta poetë, shkrimtarë, mësues e nxënës të shkollave gjimnaziale, të pajiusr me atdhedashuri që shkonte deri te Lidhja e Prizrenit, e sfiduan fuqinë e katërt ushtarake të Evropës dhe dhanë një ndihmesë të rëndësishme për çlirimin e popujve të tjerë që jetonin në Jugosllavi. Janë këta luanë, që me shembullin e tyre personal, e mësuan vegjëlinë e Kosovës se një popull që s’është i pavarur, ai jeton kot mbi faqen e Dheut.

Gjatë shërbimit të tij arsimtar, autori pati nderin të rrinte e të kuvendonte me shumë të burgosur politikë, të majtë e të djathtë, që provuan mbi trupin e tyre dhunën që praktikohej nga gardianët serbë e maqedonas.

…Fatlumësisht, ajo epokë e ankthit dhe traumës iku një herë e përgjithmonë dhe sot mundemi të flasim, lexojmë, këndojmë e krijojmë në një gjuhë, të cilën e kanë folur jo vetëm prindërit, por edhe stërgjyshërit tanë dardanë.

 

r 1r 2

Ballina e librit

 

 

Pëmbajtja shkurt :

 

Heroi i librit është një djalosh, Ilir Kelmendi, i sapo liruar nga një burg politik. Përpjekjet e tij për të gjetur punë në arsim, apo gjetkë shkuan kot sepse dyert i mbylleshin sapo merrni vesh se kishte qene i burgosur politik. Atëhere ai vendos të shkojë në shtëpi, në Ranisht, (trevat shqiptare në Maqedoni) nga ku mandej të kërkojë punë në vise të tjera të ish Jugosllavisë, në Banat, Slloveni etj. Rrugës njihet me një burrë të moshur nga fshati Shëngjergj, i cili ngulmon që ai të vizitojë në fillim shtëpinë e tij. Aty Iliri njihet me një grua të re, Shegën, të sapo lëshuar nga i shoqi, që ishte një aventurier dhe njeri me karakter të dobët. Të dy pëlqehen dhe vendosin të bashkojnë jetët e tyre. Iliri vjen edhe herë të tjera në Shëngjergj, duke e thelluar marrëdhënien me Shegën. Por, kur po vinte për ta kërkuar dorën e saj të prindët, arrestohet në hyrje të fshatit dhe kallëzohet si pjesëtar në vrasjen e një deputeti vlleh, dashamir ndaj shqiptarëve, vrasje që ishte bërë nga njerëzit e UDB, qëllimisht për të zhdukur çdo kundërshtar të shovinizmit serb por edhe për të armiqësuar sllavomaqedonasit me shqiptarët etnikë.

Në ndihmë të Ilirit vjen djalëria shqiptare sikurse e sqaron autori në hyrje të librit të tij.

Në roman përshkruhen shumë skena interesante nga jeta e zymtë, e vështirë në ato vite në trevat shqiptare, që i detyronte qindra mijëra shqiptarë të merrnin udhën e mërgimit në Turqi e gjetkë, por edhe psikologjia dhe zakonet tradicionale shqiptare, po ashtu natyra e bukur dhe begatia e trojeve të tyre.

E gjitha kjo jepet aq bukur artistikisht sa mendoj të paraqes këtu të paktën disa pasazhe plot figura letrare dhe ndjenja poetike.

 

 fq. 7

 

Ishte pasdite e vonë dhe dielli, si një lejlek madhështor, kur ulet mbi çerdhen e tij, kujdes-kujdes u rrëzua mbi degët e akacieve të qytetit. Tërë ditën kishte përcëlluar si saç dhe, duke gjuajtur me rreze ngjyrë shafrani, sikur donte t’i hynte tokës në palcë e t’ia thithte çdo kokërr lagështie. Pullazët e shtëpive dykatëshe, dritaret e veshura me pluhur, kalldrëmi i shtruar me gurë dhe sokaqet e ngushta ishin pështjellë me një afsh të kaltër dhe vezullonin si shtroje të dëndura të prushit. Të mos vinin ca pupla të bardha resh, të cilat e shtruan hapësirën nën hije, Prishtina do të përkotej edhe më tutje në gjumë dhe s’do t’ia dinte as për punëtorët që ktheheshin nga puna, as për zhurmën e galave që përziheshin nën qiellin e saj.

 

f.49

 

Kur doli nga qyteti, mëngjesi kishte veshur petkun e një guaske të shplarë. Misrishtet, të këndellura nga puthjet e natës, fëshfërinin butë dhe sikur ankoheshin që toka ishte bërë shkrumb e s’i ushqente me vlagë. Rreth e përqark tyre mbretëronte një heshtje e madhe. Gjithçka, që nga kupa e qiellit e deri në tokë, ishte në pritje të agimit: kalaveshët e rrushit, kungujt e strukur nën gjethe, kallinjtë e drithit dhe kordheli i xhadesë së bardhë. Papandehur, një lepurush ia preu rrugën, i curroi veshët e gjatë dhe, sapo ndjeu hapat e tij, kërceu në detin e grunajave. Ajri kundërmonte vesë e lulekuqe.

Sa madhështore që ishte vendlindja e tij!…Kush e di se ku fillonin krojete asaj urtie magjiplotë, por ai e ndjente zhaurimën e tyre në çdo pore të trupit, në çdo damar dhe në çdo frymëmarrje të gjoksit. Si hëna që del në maje të malit dhe me një grusht rrezesh e shndërriti Dheun, ashtu edhe rrafshi i Kosovës, i shtrirë nën shuplakat e muzgut, e stërpikte qënien e tij në paqe. Të gjitha shqetësimet, travajet dhe brengat që kishin rënduar mbi supet e tij tani fluturuan si dallëndyshe drejt kaltërisë së qiellit dhe ai e ndjeu veten të lirë e të patundur, si toka ku ishte rritur.

 

f.203-204

 

Liridona ishte si ftoi dhe bukuria e saj vetoi si inxhia e saposhplarë nga dromcat e dheut: e bukur, e hirshme dhe shtathedhur si selvia kur shndrrit në diell. Atë e kishin veshur me rroba të lehta dhe, tek po priste te pragu, kokulur, me një krëhër të kuq në kokë, i përngjante flamurit të valëzuar në erë. Apo s’i kishin hije ato tesha të reja? Apo s’ia shtonte nurin ai duvak i kuqrremtë? Në kokë, një lidhëze tringjyrash. Pakëz më poshtë, shi te mjedisi i vetullave, vezullonte nja salman i qëndrisur me tertil e lahyxherë. Përmbi salman ia kishin vënë kumashin dhe sipër tij një degërmi të mbërthyer me gjilpëra të argjendëta. Ato ruaza që shndërritnin mbi këmishën harkatë, jeleku, brezi i qëndisur me cohë, armaçi, benavrekët, këpucët me vegëza, vjerrca e brezit dhe pështjellaku i zi e dëftonin si një shqipe të ulur majë shkëmbit.

 

f.223

 

Ka kohë që muzgu e ka ndezur cicërrimën e zogjve. Përmbi smeraldin e gjetheve të rrushit ka rënë një vesë e trashë dhe tisi i saj, si maja e qumështit, me padurim e pret ditën. Pastaj agon dielli dhe rrezet e tij e gozhdojnë hapësirën në vend. Ajri bie erë eshke dhe shëngjergjasit, të përgumur e të pështirosur nga era e duhanit, symbyllurazi dalin nëpër ara.

 

f.262

 

Dikur doli edhe dielli. Si një peshkatar i ulur mbi postiqen e reve të bardha dhe i pajisur me një shportë rrezesh jetëdhënëse. Qielli, i lartë dhe i druajtur si suta që ka nuhatur rrezikun, mori flakë dhe u largua nga bregoret e Anabjeshkës. Dikur, pasi u zgjuan edhe mëllenjat, dielli e hapi shportën dhe rrezet e tij, të ndritshme si farfuria e një vazoje mbretërore, ranë mbi ngastrat dhe kopshtet e fshatit. Diku kërciti një derë dhe stërqokat, si një fishekzjarr i buhishëm, u çuan nga Mani i Kajallarëve. Vetëm Karadaku që s’luante nga vendi. i largët ishte, i mavijosur dhe i mbështjellë në tisin e dritës.

 

f.297

 

Kjo ishte e kushedisata javë që e mbanin në terr. Javët e para i kishin dhëmbur veshët, nofullat dhe kokëzallat. Ata e rrihnin me gjithë shpirt dhe ky, pasi e fërfëllonin në qeli, villte gjak, edhe vrer në të njëjtën kohë.

Ç’ka se pyesnin. A ishte shqiptar?! Po, ishte. Gabim, në Maqedoni s’kishte shqiptarë. E rrihnin që ishte shqiptar.

A ishte socialist apo komunist? Po, pra, ai ishte socialist si të gjithë qytetarët e asaj republike të lumtur e socialiste. E rrihnin që ishte socialist.

E pyesnin në se donte Maqedoninë?! S’do mend që e donte, ai ishte lindur dhe rritur në atë vend. Gabim. Ai s’kishte të drejtë ta donte Maqedoninë. E rrihnin se e donte Maqedoninë. Për këtë e rrihnin pak më shumë, sepse si shqiptar që ishte, nuk e kishte të qartë që Maqedonia s’ishte vendlindje e tij. Ai duhej të mbante mend se, në se eventualisht kishte një vendlindje, ajo gjendej përtej Bjeshkëve të Nemuna.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s