Poezi nga Teuta Sadiku

Teuta

Poezi nga Teuta Sadiku

 

 

 

The stage of smile

 

U shtri në kanavacën e piktorit lakuriq

dhe kjo zgjati jo më shumë se disa çaste

aq sa lëngu i tij plasmë e trashë të futej brazdave të saj hapur kohëve,

nga balli i saj zhubrosur fizarmonikë

rrudhave të fytyrës ,këmbë rose ,në fund të syve

në duart thela – thela, gjithë kallo të panxjerra

deri në thundrat e këmbëve të ashpra, kothere.

Pastaj iu afrua shpirtit të femrës

ku ajo kishte fshehur me dorën e saj,

frikërat, dashuritë,dhimbjet dhe misteret.

Aty ishin dhe stemat, kurorat, emblemat dhe simbolet e vajzërisë

që prisnin princin ta nxirrte prej kësaj bote prejkoti

ku thyhen zemrat si vezët e pashkëve nga të dyja anët.

Mbarova punë ,

kaq për sonte, tha piktori

dhe la pinelin duke u fshirë me një pecetë

dhe u kthye nga krahu tjetër , i lodhur.

Ajo e shtrirë lakuriq pas shpinës së tij ,hodhi sytë rreth e rrotull

mendimet si zogjtë me cep filluan ti çukisnin trurin

dhe më pas u rreshtuan në kortezhin e tyre si milingonat e dheut.

Bënte shumë ftohtë atje brënda

edhe pse ndezi një nga një fijet e kutisë së shkrepses

prapë nuk mundi të dilte prej asaj çgjëndre.

Në të gdhirë piktori i hodhi një sy portretit.

Ajo që tutje vezullonte dhe buzëqeshi.

Piktori u shtang,iu afrua dhe me përgjërim i tha :

Të lutem Monaliza më thuaj,

çfarë fshihet pas asaj buzëqeshjes suaj?!

Ajo lakuriq siç ishte nga kanavaca I hodhi një sy portretit .

Ajo që pikturove mbrëmë nuk është e mjaftë për asnjë femër

edhe pse yjet binin rrebesh gjatë intimitetit

të gjitha Monalizat në darkën sublime shtruar për to enkas

të panginjura në shtratin erotik fjetën.

 

 

 

Zeshkania

 

u ngrit me cifla ëndrre  në sy

prej përdheses tutje në periferi të qytetit

Ishte fillim Tetori

klithma e fëmijës nga dysheku i  kartoneve

shqyente mure e  çati me plasmase ngrehur.

 

Flladi i mëngjesit nën mjekrën që dridhej

një melodi të trishtë fërshëllente

pas një perde shpreseje.

 

Gruaja doli në rrugë

të  luante në skenën e jetës.

Pasi vuri fëmijën në gji

ulur në shesh tek super marketi

u zgjat në hapësirën e pafundme një dorë…

ishte dora e saj  e reshkur:

-Zonjë më falni diçka,

Të faltë shëndet zoti.

Spektatorët hynin  e dilnin nga porta e qelqtë

pa i hedhur sytë aktores së skenës.

Xhami tjetër ishte pasqyrë

ku gruaja aktore  rregullonte tualetin

teksa  lajmet e  nxehta të botës,nga ndryshimi i klimës ,

herë tkureshin e herë bymeheshin.

 

Në të ngrysur

super -marketi , plot përplot

një nga  amfiteatret  më të vjetër

boshatisej.

Prej andej ,

zeshkania me fëmijën në gji do të largohej e fundit

duke zbritur një nga një shkallët e mermerit

pasi të kish luajtur pothuajse pa ndryshim  të gjitha aktet

e   tragji-komedive  më të lashta të jetës .

Fëmija ende flinte .

Një ditë do të zgjohej..

ishte fillim Tetori

 

 

 

 Kamarierja e huaj

 

Sa dashuri të vërtet provove

sa miqesi të freskët e të vjetër mban mend

sa ndjenjë të pastër ke servirur

me tabaka në dorë

në çdo tryezë shoqëruar

gotën e ujit, një biskotë dhe filxhanët e kafesë.

 

Në Nes- kafe mbyll dhe përzjen lotët

dy -tre flert, një lugë buzeqeshje sheqer

kupës plot me fjalët ofenduese

ju vë kapakun ,

i tund  të bëhen shkumë me krem .

 

Në kafe turke shqeto hidhërimi bie vetë

lodhja ajkë derdhet nga xhezveja e  kafesë.

ëndrrat e rinisë , alkoli në dopjot dhe teket  i tret

të paktat ,momentet e lumtura i ruan me kujdes.

 

Ah,ato çastet plumb të rënda

që supet e tua më dot nuk i ngrenë

zhyten dhe mbeten në llumin e kafesë.

 

Më në fund  vjen llogaria

ditët  e lodhshme , netët e vetmuara

i  numëron , i mbledh , i zbret

në një shumë  shkruar kujtim

në një copë letër

që e vendos

diku pranë gotës së ujit dhe filxhanit të kafesë.

 

 

 

 Manifestimi

 

Parakalova dhe unë

në bulevardin ku shëtisin çiftet e dashuruara

me  mendimet çadër.

Pashë nënën që u shërbente të gjithëve atje

si skllave,

takova motrën

me lotët e saj lante shkallën.

Përshëndeta  shoqen  që u rëzua tek cepi i lagjes

i dhashë dorën një vajze

me sy të nxirrë nga të qarët.

Të paktën kështu mu prezantuan

sishte e nevojshme të flisnin shumë,

flisnin vetë plagët

në trupin dhe shpirtin e vrarë,

të Femrës brenda meje  .

Një jetë marrim poza  pacarelës së jetës

me një gisht Make Up

dhe një shtresë pudre mbi vete.

Parakalova dhe unë drejt jetës

ateliet dhe manekenet dolën  jashtë mode.

 

 

 

Syllambyllazi

 

Ne hymë në kështjellën e martesës

sipas zakonit me çdo imtësi ,

lule në kokë  , fustan të bardhë unë

kullaro, shami në xhepin e kostumit ti.

Por nuk vonoi dhe  jeta e vërtetoi

se ne nuk ishim veçse dy fëmijë

edhe pse në dhjetvetorin e martesës ne prisnim

të bëheshim prindër për herën e dytë.

Luanim shpesh me njeri – tjetrin

me të pafajshme gënjeshtra dhe me pak hile

me radhë pa radhë i mbyllnim sytë

ashtu siç bënim  dikur fëmijë.

 

Kur mbylle ti sytë

unë u fsheha diku , po jo larg

tek vendi ynë dhe të ndiqja me sy

ashtu si dikur kur ishim fëmijë

doja të kapesha e para prej teje

dhe  ti të bërtisje gjithë gëzim:

<dil nga loja,u dogje,dil>

dhe do më  shtrëngoje  fort në gji .

Kështu kujtoja se do të ndodhte dhe atë ditë

si atëherë kur ishim fëmijë

robinja jote doja të bëhesha

pa le të digjesha, të bëhesha shkrumb.

Kur erdhi radha ime dhe unë mbylla sytë

ti u zhduke nga faqja e dheut sa hap e mbyll sytë

unë akoma symbyllurazi numëroj tek porta

po ti akoma nuk po thua :<hap>

kurse unë akoma vazhdoj numërimin pas ritit:

<hapa  dollapa ,kush është nga mbrapa , se unë sytë I hapa>

E di se nuk je më aty, tek vendi ynë

në qindra milionë ka arritur numërimi im,

se si , se qysh as vetë nuk  e di

në je kapur rrob prej dikujt tjetër

apo po digjesh si në lojën e fëminisë.

 

 

 

 

Gratë e vendit tim

 

edhe gratë e vendit tim

përveçse të mjelin e të shesin qumësht në bidon

dinë të dashurojnë,

të përkëdhelin me duart e pjekura nga çapa e djersa,

të puthin me zjarrm

buzë që nuk mund të  thonë dot:

Të dua , e dashur.

 

edhe gratë e vendit tim

përveç se të shesin prodhime në treg

dinë të flertojnë

me sytë e  zhytur në liqenin e lotëve

të ngrejnë

e të mbajnë në pëllëmbë një shpirt të rënë përtokë

edhe me  zemrën   bërë  copë -copë.

 

Gratë e vendit tim

nuk janë vetëm amvisa ,

as  vetëm nëna ,që rrisin në djepe  fëmijë

janë eros i lashtë  ,

janë diellzana

që me një shkëndijë sysh

të ndezin  të hatashme zjarre.

 

 

 

 

QYTETI IM

 

Më kot mundohej pjergulla e vjetër

mbahej pas hekurave të ngjitur të ballkonit

një tym i bardhë në rrathë shtëllungash

del nga koka e shtëpisë së zotit,

akrobacira bën heshtja në ylber

pas rreshjeve sporadike mbi dhe.

Era e palëvizshme ia mban shtrënguar nofullat

kohë e keqe.

Pëlhurën e pritjes së padurueshme

shqep Pinelopi,

antena e televizorit ,

mat tensionin e jetës

duke ia xhvokshur lëkurën së djeshmes.

 

 

 

 

FOTO PA NGJYRA

 

dhe kur u përmbyt qielli,

njeriu i reflektoi mendimet e qullura të shekullit,

i vari në fijen e telit tek shtylla

të thaheshin në diell,

në retë më të vdekura të ndërgjegjes.

Tani i hidh pleh pemës,

rrugës së kthimit të endacakëve

vetëm një katror fjale

në qendër të jetës votuam.

Shumica presin dy segmentet :

trungu dhe teli të krijojnë rrethin.

kurreshtarë të provojmë vorbullat e Ferrit të Aligerit ,

ngihini sytë të shihni retë e mërguara,

mbi kokë i kemi.

 

 

 

 

FORMA E JETËS

 

E provuam shijen e jetës

me majën e gjuhës

dhe i mblodhëm shpesh buzët.

U ëmbëlsuam, u hidhëruam

në dreka e në darka ku ishim mysafirë të ftuar.

Kur shkuam në vatrat tona

për të mbledhur kockat për një moment

u kujtuam të pyesnim :

Po mirë, jeta ishte e shumëngjyrshme

sipas dëshirës ngjyrën ia ndryshuam,

i dhamë secili sipas midesë

cilën shije kërkuam.

E provuam pak a shumë të gjithë,

kush me lugë,

kush me gishta ,

kush me grushta.

Po tani një gjë nuk mbajmë mend,

Jeta ,çfarë forme kishte, e harruam.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s