Shkrimtari Kadri Ali befason me një roman të ri.
(Shënime kritike për romanin “Ardhacakët e Dyrrahut”të shkrimtarit durrsak Kadri Lutfi Ali)
Nga Fatmir Minguli
Ka pak kohë që shkrimtari Kadri Ali po befason publikun me botimin e tij më të fundit, romanin e titulluar “Ardhacakët e Dyrrahut”. Ky roman ndryshe nga romanet e mëparëshëm të këtij shkrimtari jo vetëm që është krejt i veçantë në subjektin e tij, por përforcon akoma faktin që Kadri Ali nuk shkruan vetëm për Çamërinë, për historinë dhe dhimbjet e saj.
Romani “ Ardhacakët e Dyrrahut” trajton një subjekt shumë ngacmues, shumë interesant. Ai flet për një nga ngjarjet më të mëdha të botës ilire, krijimin e qytetit të Durrësit. Ndonëse i ngarkuar me aparatin e vështirë historik, romani ngërthen ngjarjet më madhore në krijimin e qytetit të Durrësit. E quajta aparatin historik të vështirë, sepse këtu qëndron dhe artifica, mjeshtria, tharmi i realizimit të subjektit të romanit.
Në librat e historisë të shkruara deri tani pak pamje njeh lexuesi shqiptar dhe ai i huaj për Durrësin në historitë e tij, në një kohë që akoma nuk njihet romani i kroatit Milan Shuflai që ka shkruar romanin “Konstantin Balsha” ku sillen skena të gjalla të qytetit të Durrësit në shekullin e trembëdhjetë. Në atë roman sillen pamje të ndryshme të katedrales madhështore të qytetit, godinat e Universitetit, Biblotekat, tregut më të madh adriatikas, vilat e të pasurve që vargonin kodrave mbas Currilave etj.
Vlen të përmendet se Kadri Ali me këtë roman sjell krejt ndryshe nga Milan Shuflai, Durrësin, Dyrrahun e para erës së re, Dyrrahun e sapo krijuar dhe bëmat e të ardhurve, ardhacakëve nga Korinthi. Me këtë subjekt romani i Kadri Aliut futet në librat e guximshëm, libra që tentojnë të qartësojnë njolla apo vende të errta në historinë e popullit tonë. Ndryshe nga studjues të mirfilltë të problemit iliro – pellazg si Hahn,Dorza, Finaly, De Rada, Shnaider, Benlou, Green, Majani, Konda, d’Angely, Zhak, Falaski, Korkuti, Kocaqi etj, shkrimtari Kadri Ali në kostumin e shkrimtarit, nëpërmjet trillerit krijon një rrugë të vetën të historisë së qytetit të Durrësit.
Ashtu si amerikani Dan Braun krijoi romanin “Kodi i da Vinçit “ duke dalë në drejtim të kundërt të rrymës historike, edhe Kadri Ali, me bindjen e tij si shkrimtar por edhe si publicist, si njeri i veprimit, jep një histori tjetër. Ja se si shkruan në një paragraf autori :
“… u zgjonte shpresat e vënies në jetë të qëllimit të vërtëtë që i kishte sjellë në dyrrah… Atë qëllim që ua kish bërë të qartë Fali, i dërguari i mbretit Eraktolid të Korinthit, i cili para se t’i hypte në anijet që do t’i shpinin në Dyrrah, u kish kujtur se kalimin i tyre nga Korkyra në Dyrrah bëhej më qëllimin e vetëm për t’i hapur terren të mundshëm, venies fre, dyndjes së fiseve ilire drejt Jugut…”
Në kohën kur e ndërton autori subjektin e tij mbert i Epidamnit ishte Syr Çeleri me tre bijtë e tij Boiken, Mytil, Monun. Grekë protagonist të romanit janë personazhet Filomatis, Minelaos, Sokratis, Herionis.
Natyrisht në roman veprojnë dhe shumë personazhe të tjerë që i japin romanit ngjyrat e vërteta të trillerit, një trilleri të besueshëm, një trilleri të pandeshur në historinë e letërsisë shqipe.
Duhet theksuar se krijimtaria e shkrimtarit durrsak Kadri Ali është në një ngjitje të habitshme. Romani i tij në trilogji “Çamëria…klithmë e mbytur” i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe është pjesë e blogjeve elektronikë në shumë vende të Europës dhe Amerikës të gjuhës shqipe. Po kështu ky roman tani njihet nga lexuesi i Prishtinës e qytete të tjera shqiptare. Jo pa u vënë re kanë kaluar dhe romani “Labitinthi i një tranzicioni” dhe libri me tregime “Qorrollepsja e të shtirurve”.
Drama e botuar vetëm dy muaj më parë “Trimat .. që ju tremben shtriganët “ prek një temë të kohës sonë, problemet e qytetarëve të Durrësit në shtjellat e një tranzicioni të tejzgjatur drejt infinitit dhe pakuptueshmërisë së ngjarjeve me aspect politik apo jo politik.
Shkurt duhet thënë se shkrimtari Kadri Ali ka kaluar në stade të reja, duke u bërë zëdhënës i një letërsie tipike shqiptare, një letërsie krejt origjinale të pandikuar nga askush. Në këtë sens guximtar shkrimtari ka kapur një detaj të historisë së Durrësit ilir, atë të përpunimit të qeramikës dhe të punimit të mozaikëve të asaj kohe.
Në këtë rrjedhë të kombinimit të ngjarjeve me traditat e punimit është dhe studjuesi durrsak, arkeologu i njohur Fatos Tartari i cili ka shkruar veprën e tij mbi punimin e qelqit në zonën e Dyrrahut. Eshtë një fakt ky që e përforcon idenë e ndërtimit të subjektit të romanit “Ardhacakët e Dyrrahut”, fakt që i jep krahë jo fantazisë së shfrenuar të një trilleri fantastiko shkencor por të një trilleri të bazuar jo vetëm në teori historie apo hamëndje të ndryshme.
Romani “Ardhacakët e Dyrrahut” ka një gjuhë të pasur, ka një ndërtim që të kujton teatrin antik, që të duket sikur amfiteatri i Durrësit ka patur fatin të ndërtohej në këtë qytet, qytet për të cilin kanë shkruar disa nga historianët më të mëdhej të antikitetit.
Skenat e festimit të ditës së verës në datën 6 maj nga vajzat e reja të Dyrrahut në kodrat e currilave, përshkrimet e anijeve liburne, traditat e luftrave të ndryshme midis mbretërive të asjaj kohe janë vetëm disa nga pjesët e subjekteve të këtij romani sa befasues aq dhe të këndshëm në lexim.
Shkrimtari Kadri Lutfi Ali i dha shoqërisë shqipatre një libër me vlera jo vetëm në letërsinë shqipe por dhe një tendencë për të cilën historianët mund të hulumutojnë.