L’AMERIKA / Nga Hamit Taka

 

 

 

L’AMERIKA

 

 

Hamit Taka

Nga Hamit Taka

 

 

Kushdo që e dëgjon titullin e këtij shkrimi, me siguri, do t’i shkojë mendja dhe do të presë një paralelizëm midis eksodit të rinisë shqiptare në fillimin e viteve ’90 drejt Perëndimit kapitalist, si shkëmbim i zinxhirëve të skllavërisë me një liri ideale dhe eksodit të sotëm të familjeve shqiptare në këbim të varfërisë dhe pasigurisë me një reze shprese për bukën e gojës dhe një të ardhme më dinjitoze për fëmijët. Në të vërtetë fjala është për një paralelizën me kahe krejt të kundërt për nga rrethanat dhe motivet me ato të eksodeve të viteve ’91, ’97 e këto të fundit 2014-2015.

Filmin L’AMERIKA të gjithë shqiptarët e kanë parë. Edhe i pëlqyer edhe i anatemuar, sidomos nga nobelisti latino-amerikan, Ernesto Sabato, i cili i akuzoi realizuesit e filmit, se i trajtonte njerëzit si insektet. Në atë film regjizorët dhe aktorët e huaj përtej detit, janë përpjekur të pasqyrojnë dramacitetin dhe tragjedinë e eksodit më të madh shqiptar drejt vendeve perëndimore, për një jetë më të mirë, diametralisht të kundërt me atë që kishin bërë në vendin e tyre. Në bazë të filmit janë filmimet dokumentare të anijeve të ankoruara në portet shqiptare, ca anije të vjetra e të ndryshkura për transporte mallrash, ku të rinjtë shqiptarë, të varfër e të drobitur nga puna skllavëruese nëpër kooperativa e kantiere apo në zbore, për ndërtimit të bunkerëve, tentojnë me çdo mjet, me çdo metodë e me çdo sakrificë t’u ngjiten si milingonat anijeve të shpëtimit nga kolera komuniste.

Ndërsa ky shkrim me titull metaforik L’AMERIKA ka në thelb  “eksodin” e partive dhe partiçkave të vogla shqiptare në prag  të zgjedhjeve vendore, që, për një vend demokratik, janë një rutinë kushtetuese, për rrotacionin e rikompozimin e pushtetit lokal. Të gjithë shqiptarët e kanë parë turravrapin e çmendur të krerëve të partive pa ngjyrë në spektrin shumëpartiak shqiptar drejt koalicionit qeveritar, sikur ai të jetë anija që do t’i çojë në ishullin e thesarit. Çdo shqiptar i ka parë, bile ka bërë humor me përpjekjet mbinjerëzore të bejlurçinave të partizave e partiçkave, të cilët u përpoqën me thonjë e me dhëmbë, me çdo mjet e me çdo metodë, t’i ngjiten anijes së koalicionit të maxhorancës, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, në udhëtimin virtual drejt pushtetit. Siç thonë ata, që e kanë provuar, ishulli i pushtetit është më i ëmbël e më i dhimbshur se ishulli i floririt. Me sa duket mbetet aktuale edhe në shekullin XXI thënia e Nolit, se shqiptari i ngjitet karriges së pushtetit më fort se shushunjat trupit të gjallesave me gjak të ngrohtë, të cilave, për t’i shqitur nga trupi ku thithin gjak, duhet t’u presësh jo vetëm kokën, por edhe këmbët. E lakmojnë pushtetin, i vetmi oaz mirëqënije sot në vendin tonë të varfër e të masakruar nga politikanë të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm, për rehatinë e përfitimet e pamerituara personale, për privilegjet e familjeve të tyre, por edhe për t’u hedhur ca thërrime sejmenëve të tyre të numëruar me gishtat e njërës dorë, funksioni i vetëm i të cilëve është të duken para kamerave në ndonjë mikrosallë apo mikrolokal, të habitur, se nuk e kuptojnë as vetë ku ndodhen e pse ndodhen atje. Me këto marifete kryetarët justikojnë ekzistencën e partive të tyre inekzistente dhe kryetarllëkun e vet.

Unë personalisht e kuptoj frikën e vetëdijshme të shtabit të koalicionit qeveritar për humbjen në zgjedhjet e 21 qershorit, aq më tepër panikun e tanishëm, pas analizës rëntgenografike të zotit Blushi në shkrimin, “Fjalimi im në funeralin e Rilindjes”.  Por nuk kam arsye ta akuzoj zotin Rama për diversion, për premtime e mashtrime ndaj agallarëve të partive të vogla, se e kam parë me sytë e mi si zvarriseshin e jargaviteshin pas tij, për t’i mëshiruar, duke i marrë për dore në sofrën e pashtruar. Do të mbetet historik historiani Milo, me historinë e vet karikaturale të shfaqjes nëpër ekrane, duke deklaruar këmbënguljen e tij deri në sekontën e fundit të mbarimit të afatit, për t’iu bashkuar koalicionit të majtë. I paharrueshëm do të mbetet ish-Presidenti Topi  si grehosej e servilosej pranë kryeministrit për “shërbimin qytetar” ndaj popullit, që pastaj, nga anija e ndryshkur e koalicionit të majtë, të godasë me top Partinë Demokratike, e cila e bëri President. Proverbiali Ndoka për anekdotat para publikut, duke zëvendësuar “Kapelen ekologjike” të Namik Hotit, nuk la pretekste pa shpikur, për të bërë “kompromise” pa kushte me zotin Rama. Dhe jo pa qëllim Rama i sorollaste, siç sorollatin hallexhinjtë e shkretë ca administratorë burokratë e të korruptuar. Këta krerë-bejlurçina të partive të vogla, janë të paskrupuj dhe nuk duan t’ia dinë as për parime, as për moral e as për integritet politik, veç parimit të përfitimeve vetiake, duke ia thithur gjakun popullit të tyre të dashur për mbijetesën e partiçkave dhe kryetarllëkut të tyre.

Por këta kryetarucër e diktatorucër, para se të mendojnë fillimin, duhet të gjykojnë fundin. Si të mos fitojë, si të fitojë koalicioni i majtë, ata do të jenë të humbur. Rama do t’ua bëjë siç ua bëjnë gomarëve fshatarët e Siçilisë, të cilët u vënë para syve me dy shkopinj të gjatë një tufë çair, për t’i joshur të rendin pas tij, por që nuk e arrijnë dot kurrë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s