Cikël poetik nga Adem Zaplluzha

adem

Cikël poetik nga  Adem Zaplluzha

 

 

  MË FAL NËNA IME

Sa shumë po i përngjan ky lejlek

Ëndrrës sime prej sfinksi

Për çdo menatë

Me krahët e bardha të erës

I mbështjell si nëna foshnjën

Plagët e një dune të përlotur

 

Më fal nëna ime

Më fal

Edhe burrat qajnë

Qajnë

Më shumë se gurtë e atdheut

Çdo lot i ngrohtë njeriu

Në vete paska një trishtim

 

Më fal nëna ime

Më fal për herë të njëqind

Por nuk mund të duroj

Nuk më ka mbetur asnjë pikë durimi

Mbase edhe unë po u përngjaj

Këtyre gurëve

Që asnjëherë nuk i ndalin vajet

 

Më trembin

Si enigmat e trishtuara

Me trembin këto hije

Që zvarriten shpirtrave të ngrirë

Kjo natë e stërgjatë

Paska ngecur diku mes baladave

 

 

 

PASKAM MBETUR

 

O ju përgjëroj njerëz

Më nxirrni

Nga ky boshllëk i pafund

Duart dhe shpirti im

Po fundosen

Pashmangshëm po fundosen në mjerim

 

Kam mbetur si kallkanët

Mes këtyre netëve

të gjata të dimrit

Asnjë ledhatim të ngrohtë dore

Nuk ndjen lëkura ime

 

Si të dal nga kjo zbrazëtirë

E pashpirt

O ju lutem

M’i zgjatni duart e mishta

 

Nga vetullat e mia të thinjura

Pikojnë si lotët

Shtreza të ngrira prej dhembjeve

 

Kah më qon kjo udhë

E kah ajo tjetra

Kam mbetur si kërcu

Mes kësaj shkretëtire të urisë

Paskam mbetur

Si një kallkan i ngrirë dimri.

 

 

 

NËPËR TË CILIN VEND

 

Nëno kjo kanjushë

Paska një tatuazh të verdhë në sy

Nëpër të cilin vend

Kaluan lukunitë e ujqve

Duke i shkretuar kullosat e bletëve

 

O ju lutem më tregoni

Pse ikën mbrëmë mjellmat e bardha

Ne nuk kishim ndërmend

T’i zëmë zogjtë

Moti e kemi lënë fëmijërinë prapa shpine

 

Te çezma e plakave një lejlek i vetmuar

Piu ujë

Dhe iku përtej mjegullave

Zogjtë që erdhën nga mërgimi

Kishin nga një plagë në shpirt

 

Ky shi sonte paska një tjetër trajtë

Nga sqepi i plagosur i lejlekut

Pikon dhembja e ditës

Kush i vrau zogjtë te një stinë

Kur dëneste

Me ngashërim qielli im i vjedhur.

ME GJASË NJË KORB I ZI

Në fluturimin e parë

Një zog kaloi nëpër ëndrrën e mishtë

Të erës

Aroma e mishit të pjekur

Kishte marr me vete të gjitha fushat

 

Me gjasa një korb i zi

Kishte mbetur te përrenjtë

Kishte mbetur dhe ëndërronte

Një fluturim salto mortare

Deri në rrënjën e rrapit kryeneç

 

Një shungullimë gjethesh zbrite

Nga Lugu i Zanave

Nëpër qiellin katran një fluturim i paparë

Dolën nga nëntoka

Kalorësit e bardhë të rrufeve.

 

 

 

TI ASNJËHERË NUK ERDHE

 

Mund të mos kthehesh sonte

I kam mbyllur të gjitha shtigjet

E fluturimeve

Më lërë të lutem

Mos e ngacmo vetminë time

 

Nuk është hera e parë

Që po përsëritet kjo uverturë

Edhe herëve të tjera

Kam pritur një fluturim lejlekësh

Nuk di se sa mëngjese kanë gdhi

Në pasqyrën e akullt të kujtesës

 

Ti asnjëherë nuk erdhe

As nuk ma mësove

Mjeshtrin e fluturimit

Kjo natë qenka tepër e gjatë

Kur i shtri duart kah kotësia

 

Të thash më

Nuk ke nevojë të kthehesh

Në çerdhen tënde çelën zogj të tjerë

Edhe ashtu mjegullat

Më kanë zbërthyer

Në qindra cifla gurësh

 

U bëra një pjesë e pandashme

E kësaj xhadeje

Duke pritur

Të lulëzojnë ftonjtë e ngrirë të fluturimeve.

 

 

adem

 

Disa nga veprat të autorit

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s