SEZONI I FIQVE / Tregim nga ( Hamdi) Erjon Muça

SEZONI I FIQVE

 

 

Erjon Muça

Tregim nga ( Hamdi) Erjon Muça

 

 

Sa herë vjen vera më merr malli për shtëpinë e gjyshes sime te Kodrat e Durrësit. Ajo ndodhet te kodra që në qytet njihet si stani ose Kodra e Moisiut. Sa herë më jepej rasti (thuajse çdo ditë) shkoja atje për të shijuar fiqtë e kopshtit të gjyshit tim. Atë fik e kishte zili e gjithë lagjja, pasi deri në vjeshtë të vonë nuk i lëshonte kokrrat përtokë. Kjo ngaqë ngjitur me të ishte një fik i egër. Nuk e di në ishte rastësi që ai fik kish mbirë aty, apo gjyshi im, ndjesë pastë, e kish mbjellë vetë: sepse thuhej që fiqtë nuk e hedhin kokrrën po të martohen, fiku i butë me atë të egrin.
Unë hipja në pemë si ketër dhe shijoja kokrrat e ëmbla ngjyrë të kuqe. Hera-herës gjyshja ime shfaqej në dritare për të më qortuar, por unë nuk ia varja shumë fjalëve të saj.
Fiku ishte fare pranë gardhit që ndante kopshtin e shtëpisë me depon e armatimeve.
Depo e armatimeve ishte poshtë platformës te kundra ajrorëve. Në majë të Kodrës së Moisiut, mu në mes të lagjes partia jonë heroike kish vendosur tre kundra ajrorë (12.7) që lidheshin mes tyre me tunele të nëndheshme. Aty qëndronin, gjithnjë në gatishmëri, tre ushtarë dhe një kapter, gati të qëllonin çdo objekt fluturues armik, që do tentonte të shkelte qiellin tonë socialist. Edhe depo e armatimit kishte roje, tre për të qenë më i saktë dhe në ndryshim me platformën, që ushtarët ndërroheshin tre herë në ditë, këta ishin po të njëjtët dhe ne i njihnim.
Atë ditë unë qesh ngjitur në pemë dhe po këpusja frutat, roja me emrin A, ishte ulur tek një stol i drunjtë dhe po ushtrohej në kitarë. Pranë tij ishte qeni i zi, shtrirë me sy mbyllur sikur po shijonte tingujt e ëmbël të kitarës. Në atë kohë dëgjova zërin e kapterit që nga larg thirri emrin e rojës dhe me libër në dorë iu afruar.
– Dëgjoje pak këtë, dëgjoje!- Ai nisi të recitonte dhe mua më erdhi inat sepse ai po recitonte rusisht dhe unë në atë gjuhë njihja dhe njoh vetëm dy fjalë: fjalën shkrepëse dhe laps. Qeni i zi, sikur të kish ndjerë inatin tim, nisi të kuiste në mënyrë të çuditshme duke ia ndërprerë recitimin kapterit. Ai u mërzit shumë dhe, si një grua në meno pauzë, iu kthye qenit.
– Po mbylle moj qelbësirë kafshë. Je i zi si imperialist, revizionist, hrushovian. Zhduku që këtej se ta zbraza gjithë karikatorin e pistoletës.
Kafsha e ndjeu sklerozën e kapterit dhe pa një e pa dy ia mbathi nga krahu tjetër i depos. Kapteri e nisi edhe një herë nga fillimi.
Mua më vinte për të qeshur me mënyrën se si recitonte. Jam i vetëdijshëm që ai nuk ishte aktor i teatrit të Durrësit, por edhe ashtu as një nxënës i klasës së tretë do të nuk recitonte.
Pasi e mbaroi, roja A i tha.
– E çfarë do të thotë në shqip?
– Pse nuk di ti rusisht?
– Po të dija rusisht unë nuk do punoja roje.
– Ja sa po ta përkthej unë – i tha ai. Pas një pauze të shkurtër Kapteri rinisi të recitonte, në po të njëjtën mënyrë, por kësaj here në shqip. Pasi mbaroi, roja A ia ktheu.
– Pak a shumë më ngjan me një këngë popullore tonën.
– Me cilën këngë? – e pyeti kapteri i habitur. Ai nisi t’i binte kitarës dhe të këndonte me zë melodik, të mrekullueshëm.
– Të më ngrehesh, moj nënë, me yllin e karvanit.
– Kapteri e ndali para se ai të këndonte refrenin.
– Apo ç’e ke gjetur se! Ja ke fut tamam si kau pelës!
– Pse nuk të pëlqen? – e pyeti roja gati naivisht.
– Po çfarë flet ti, more?! Unë të recitoj Eseninin e ti më del tek të më ngrehesh moj nënë. Mjerë çfarë ka lënë Turqia pas! – tha kapteri dhe u largua i mërzitur (gati i ofenduar), duke tundur kokën me pezëm.
Roja e ndoqi me sy deri sa ai u largua dhe kur kuptoi se askush nuk po e përgjonte (mua nuk kishte se si të më shihte për dy arsye, e para ngaqë gjyshja ime nuk kish dalë asnjëherë për të më qortuar dhe e dyta ngaqë gjethet e fikut më fshihnin plotësisht) nisi të luante një melodi. Në atë kohë nuk e dija se ç’ rryme i përkiste, këtë e mësova kohë më pas. Ishte Bluz dhe luhet duke e mbytur paksa tingullin e kitarës. Qeni i zi me të dëgjuar tingujt u afrua, u shtri dhe mbylli sytë.
Kënga ishte italiane, e Lucio Battisti-it, në atë kohë as që e njihja si këngë, por ishte kënga, “Koha për të vdekur”.
Qeni i zi, imperialist qëndronte i qetë, symbyllur duke shijuar tingujt e ëmbël të kitarës. Tashmë kapteri dhe poezitë qenë larguar. Roja vazhdonte të luante dhe të këndonte me sy vrojtues. Kurse unë?
Unë kisha frutat e ëmbla për të shijuar. S’kisha arsye tjetër, ishte mesi i sezonit të fiqve.

14-05-2014

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s