At Nikollë Marku- një burrë trim dhe atdhetar / Nga Bardhyl Selimi

 

At Nikollë Marku- një burrë trim dhe atdhetar

 

 

Bardhyl Selimi

Nga Bardhyl Selimi

 

Kisha dëgjuar për At Nikollën vetëm nga shtypi, por e takova për herë të parë në avion, gjatë një udhëtimi për Prishtinë, shumë vite më parë. Ishte vërtet një burrë tërheqës, i thjeshtë dhe i lirshëm si bashkëbisedues. M’u bë qejfi, atëhere, që ai po vizitonte Kosovën ku ortodoksia shihet si sinonim i sllavofilisë. Prania e tij do dëshmonte se ekzistojnë ortodoksët shqiptarë dhe jo “ortodoksët e Shqipërisë” sikurse shprehet hirësia e tij, Janullatosi.

 

largea_at-nikolla-marku1378025141

             At Nikollë Marku

 

Isha i lumtur që e takova atë sërish në Tiranë dhe Elbasan vitin e kaluar, në shoqërinë e bacës Adem Demaçi, biseduam me orë të tëra, madje edhe drekuam. Ai na tregoi jetën e tij, sidomos përiudhën pas 1990, kur vendosi të shugurohej prift. Në seminarin, ku ai studioi në Athinë, u ndesh me qendrimet shoviniste të drejtuesve grekë, të cilat e bënë të ngrinte krye dhe të shkëputej përfundimisht nga Kisha jo autoqefale që u vendos në Shqipëri nën kryesimin e hirësisë së tij Janullatos.

20 vjet më parë ai mundi të shugurohej prift në Maqedoni dhe të marrë nën kujdestari një nga kishat ortodokse më të vjetra të vendit, atë të Shën Mërisë në Elbasan ku mesha dhe gjithça kryehet në gjuhën shqipe.

Që atëhere, përkundër pengesave të panumurta, sulmeve, kërcënimeve dhe poshtërimeve që i bëhen nga drejtuesit e Sinodhit Ortodoks Shqiptar, por edhe të emisarëve të dërguar nga Greqia, At Nikollë Marku ka mundur ta mbajë gjallë idealin e Kishës Autoqefale Shqiptare të themeluar nga Imzot Theofan Stilian Noli. Më pak se një vit më parë, busti i themeluesit të kësaj Kishe nuk u qas në Kishën Ortodokse të Durrësit, por u pranua bujarisht dhe me gjithë zemër nga Kisha e Shën Mërisë në Elbasan, që ndodhet pranë ish Normales  dhe varrit të rilindasit Kostandin Kristoforidhi.

Jo shumë kohë më parë, një djalosh shqiptar, që hyri në një kishë në Tiranë duke mbajtur me vete një bust të vogël të Nolit, u nxuar përdhunisht jashtë nga katër priftërinj të asaj kishe. Përse?  Sepse Hirësia e tij Janullatos nuk mund ta honepsë themeluesin e Autoqefalisë ortodokse shqiptare.

E takova sërish At Nikollën disa ditë më parë në Elbasan, në kishën që ai drejton dhe biseduam bashkë për shumë probleme kishëtare, sociale dhe kulturore. Ai vuan, qe disa vjet, nga sëmundja e Parkinsonit që ja vështirëson shumë lëvizjen, por ka ende një vullnet të paepur për punë. Meraku i tij i madh është e ardhmja e Kishës sonë Ortodokse, mezi pret që atë ta drejtojnë shqiptarët, sikurse e kërkonte Statuti i saj themeltar dhe jo sikur thonë amendamentet që po i fusin tani përdhunisht, ku thuhet se atë mund ta drejtojnë edhe të huajt.

Kisha, sipas At Nikollës, ka qenë kurdoherë një mbështetëse e kulturës dhe e traditës shqiptare, e atdhetarizmit dhe e përparimit kombëtar të shqiptarëve. E tillë ajo duhet të mbetet edhe në të ardhmen. Për këtë ai ka nevojë për përkrahje sa më të gjerë, jo vetëm nga shteti, por edhe nga Shoqëria Civile, nga mbarë ortodoksët dhe populli shqiptar.

Prill 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s