Ese mbi romanin “Koha e ngrirë” të shkrimtares austriake Anne Kim / Ylljet Aliçka : Komunikimi dhe Kultura: Imazhi në veprim

220px-Ylljet_Aliçka_2012GE_close

Ylljet Aliçka : Komunikimi dhe Kultura: Imazhi në veprim

Botim i UET Press, Tiranë 2016

 

 

Ese mbi romanin “Koha e ngrirë” të shkrimtares austriake Anne Kim

 

 

Në roman pasqyrohet historia e trishtë e një burri kosovar, emigrant ekonomik në Austri, i cili sapo zbulon zhdukjen e gruas në Kosovën e vitit 1999, ngrin në një kohë të ngrirë apo ekzistencë të ngrirë, mbase në një përjetim minutash, ditësh, muajsh të caktuar, në një lakore të pafundme.

Burri përpiqet të rifitojë ndjesinë se po jeton duke kundërshtuar botën, por e kaluara nuk pranon të ketë të bëjë me të tashmen. Ai përpiqet t’i japë jetës së tij një histori të re, por shpejt kupton se është i paaftë t’i kontrollojë, depozitojë e t’i shprehë kujtimet e tij. Sepse kujtimi është ndjenjë dhe si çdo ndjenjë është i vështirë për t’u shprehur edhe ashtu i terrorizuar nga pamje të pamëshirshme, teksa përfytyron gjera të panjohura apo fantazma me syze dielli, i dobësuar nga pritja, burri vret veten nga padurimi i dhembjes.

Më shumë se një rrugëtim psikik, romani duket si një përrua i ndërgjegjes rrotull vdekjes dhe pavdekësisë, një përshkrim gjuhësor të frikës, një kolovitje mes kujtimeve dhe humbjes  së kujtimeve, mes përpjekjeve për të ruajtur dinjitetin e burrit dhe gërryerjes  së brendshme të vetëdijes dhe pavetëdijes, mes kohës së ngrirë…

Thënë ndryshe, fjala është për një histori vdekjeje, trajtuar sipas parimit: më trego mënyrën e vdekjes e të them se kush je, apo të të tregoj identitetin e qenies njerëzore. Sipas Kim, për të fituar lirinë, më parë duhet të mësosh se si të vdesësh.

Shkruar me një stil e frymë lirike, autorja përpiqet maksimalisht të jetë e paanshme, pa shprehur hapur asnjë indinjatë apo zemërim moral, sipas parimit: shmangiu ndjenjave, kërko vetëm fakte, bjeri rrotull dhembjes, i vdekuri ekziston për të tjerët.

Shkrimtarja e re, e cila s’i ka mbushur ende të dyzetat, ka punuar si punonjëse sociale në projektin humanitar Ante mortem data– projekt që merret me identifikimin e mbetjeve humane dhe individualitetin e kufomave pas lufte.

Me intuitën e spikatur femërore ndaj të padukshmes, si dhe falë një ndjeshmërie supreme ndaj së drejtës, autorja e shkruan këtë roman në një kohë kur e vërteta e katastrofës masive kosovare ende nuk është shpalosur në tërë dimensionin e saj të vërtetë dhe kur, jo rrallë, kujtimi dhe harresa shndërrohen në institucione manipulimi të së vërtetës, për ta mbuluar atë me tisin e harresës apo veshur me ngjyrat e virtutit. Asaj të vërtete të cilën ndërgjegjia njerëzore, të paktën pas Luftës ë Dytë Botërore, duket nuk po ka ende fuqi ta përceptojë realisht.

Ashtu sikurse dhe truri i njeriut është i paaftë të rrokë konceptin e hapësirës kozmike në pafundësinë e saj, ashtu edhe Kim zbulon pafuqinë e gjuhës dhe arsyes për të realizuar se si dikush nga një aksh etni i çan barkun një gruaje shtatzënë nga një tjetër etni dhe para se ta therë e përdhunon, e bën film erotik dhe i skalit mbi mishin e gjinjëve nga një kryq; apo se si theret një fëmijë dyvjeçar dhe i pihet gjaku në sy të nënës së tij, se si detyrohet babai të përdhunojë vajzën e tij, apo vëllai motrën në prani të pjesëtarëve të familjes…

Këto nuk janë fantazi, por realitete dhe dëshmi që, qoftë për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të drojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet (…kur zëri i dhembjes përpiqet të krehë me ngurim heshtjen…shkruan Kim) ti bindesh se ende nuk ka dalë krejtësisht në vëmëndje të opinionit publik ndërkombëtar tërë ai krim masiv, polimorf dhe i shumëfishtë, në një kohë kur me qëllim apo kinse spontanisht, me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë përpiqet të fshihet, qoftë dhe duke i kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik.

Të asaj mjeshtërie instrumentalizuese që ia doli mbanë  të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë “armikun objektiv” të kombit serb, nëpërmjet “vizioneve periferike” në lidhje me të ardhmen e ndritur të popullit serb në Ballkan.

Kim e shkruan këtë roman- akuzë në të njëjtën kohë dhe vend kur kolegu i saj austriak Peter Handke, në tallazin e betejave të përceptimeve të opinionit publik, tek sodiste nga një distancë komode stivosjen e pasforcuar të maleve me kufoma, fillimisht u përpoq të vinte shenjën e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës  për dinjitet dhe mbijetesë të viktimave kosovare, për të kaluar më pas në një përqasje kokësëprapthi të atij që ai e quan “Universi serb i dhembjes”.

” Serbia është viktima e vërtetë e luftërave ballkanike”, deklaron hapur Handke dhe “Shekulli 21 nuk duhet të pranojë lemerinë që u bëhet serbëve nga shqiptarët e Kosovës”.

Paradoksalisht, këtyre deklaratave u doli në mbrojtje dhe nobelistja Elfriede Jelinek.

Por fatmirësisht, Handke u bë më transparent në keqardhjen e tij të mbrapsht ndaj dhembjes  së kombit serb, atëhere kur mori rrugën për të përcjellë arkivolin e diktatorit Millosheviç, drejt banesës së tij të fundit, duke i vendosur përsipër një trëndafil të kuq (sa shpesh është keqpërdorur e kuqja nga njerëzimi…! Y.A.) dhe deklaroi: “Jam i lumtur që përkulem para këtij burri që mbrojti popullin e tij”.

Më kujtohet se pas kësaj deklarate, po atë vit, Marcel Bozonnet, drejtor i Teatrit të njohur parisian “Vieux- Colombier”, në lagjen e njohur Quartier Latin, hoqi përfundimisht nga repertori i teatrit të tij pjesët e shkrimtarit Handke, vendim ky që i çau më dysh intelektualët francezë në interpretimet e tyre morale, intelektuale dhe juridike ndaj së drejtës dhe dhembjes ballkanike. “Do të ishte një fyerje për viktimat e Kosovës”, deklaroi Bozonnet në vitin 2007 për të përditshmen “Le Monde.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s