Rreth përmbledhjes me poezi “Ëndërr e mërguar” të poetes Manushaqe Toromani – Poezia që përcjell aromë lirie, trazim dhe etje. / Nga : Hyqmet B Hasko

Rreth përmbledhjes me poezi “Ëndërr e mërguar” të poetes Manushaqe Toromani

– Poezia që përcjell aromë lirie, trazim dhe etje.

 

 

Hyqmet Hasko- 2

Nga : Hyqmet B Hasko

 

 

Dalja në rrugë e një poeti me vëllimin e tij të parë mund të jetë një rastësi, me librin e dytë mund të jetë një rast në vijimin e sprovës krijuese, por kur i përcjell lexuesit përmbledhjen e tretë poetike, aq më tepër kur nga libri në libër ndihet plazmimi i një rritje të dukshme, qoftë në formë qoftë në përmbajtje, kemi të bëjmë me ardhjen e një poeti. Dhe ardhja e një poeti, siç thotë Uollt Uitman, është si ardhja e ujëvarës, rrjedh pavarësisht gjithçkaje e në harmoni me gjithçka.

Këtë përjetim po bluaja me vete, ashtu në heshtjen apostolike të leximit, ndërsa i kthehesha për herë të dytë librit me poezi “Ëndërr e mërguar” të Manushaqe Toromanit. Është libri i saj i tretë, një libër ku kurbat e figurës dhe mendimit poetik janë ngjitur, ku shqetësimi i poetes është bërë më kompleks, më ankthioz dhe më human në të njëjtën kohë.

Nata, shiu, idili, mungesa, malli, erosi, brenga, trishtimi, ankthi, lagia (shiu ka lagur gjithçka), drita e akullt, zhveshja (më zhvesh me sy), këmbimi i pamjeve, imazheve, trajtave, kohëve, në një karsul ndjesishë të befta, e bëjnë poezinë e Toromanit të lexueshme me një frymë dhe nxisin reflektimin e thellë rreth aktit të saj poetik.

Toromani bredh cep më cep me ditën e saj (unë dhe dita ime) dhe vështron në thellësi të gjërave, brenda vetes dhe jashtë saj, në thellësi të unit dhe në raportet humane të atyre që e rrethojnë në përditshmërinë e saj. Ajo zbulon pas ngjarjeve, tablove jetësore, kumteve lirike, ndjesive të trillit, aventurës, kërkimit të lirisë si qenie humane, diçka që mezi kapet në eterin e pritjes, zbulon magjitë e fshehta të një minibote që shtyhet pambarimisht në kërkimin e iluzionit dhe të plotërisë së qenies. Ky makth ekzistencial, që frymon në çdo varg e strofë të poezive të saj, e mbart mesazhin si një shtytje dhe dielmë hamletiane, në luftën e përçdoçastshme të poetes për të qenë vetvetja, në një shoqëri të dyzuar e të trazuar nga ankthi dhe paranojat.

 

 

Manushaqe Toromani

Manushaqe Toromani

 

Autorja e vështron metropolin në kontrastet e tij, sipas gjendjes së saj shpirtërore, ku në të njëjtën kohë ballafaqohet me vetminë dhe shoqërinë, me një jetë aktive në punë dhe në përditshmëri dhe me një jetë të zbrazët, të cilën poetja e vështron me dyshimin e saj të natyrshëm, dyshim që përbën esencën e filozofisë së saj poetike.

Poetja nuk moralizon, nuk mban anë, e mira dhe e keqja këmbehen në vargjet e saj dhe bartin filozofinë e një kohe të sëmurë, ku individi lëngon në pamundësinë e tij për të gjetur vetveten, në luftë me vetminë, zvetënimin dhe paranojat e gjithëfarëshme.

Në poezinë “Paradoks”, poetja vizaton një tablo të trishtë sociale e më gjërë të shoqërisë shqiptare në këtë tranzicion:

Vishemi bukur

Para në xhep nuk kemi.

Kafenë e pimë në vende luksi

Pa punë jemi.

Telefonin tip i fundit

(ai që kishin ngjitur, na e pa?)

Dhe pse në të brenda

Zero lekë s’ka.

Heroina e aktit poetik të poetes është vetë uni i saj, ajo vevete e trazuar, e pjesëtuar me kohën dhe bashkëkohësin, me kujtimet, mbresat, emocionet, të ndodhurat. Kjo heroinë vuan, qan, qesh, ëndërron, mëkaton, ndjen “rrezen e parë të diellit”, harron të djeshmen që duhet harruar dhe ëndërron çaste e kohë që ende s’kanë ardhur.

Autorja ruan ekulibrin mes ndjenjes dhe mendimit, mes figurës dhe imazhit, mes gjendjes dhe mesazheve që burojnë nga materia poetike. Herë herë në poezinë e saj sundon mendimi, thellësia e mendimit dhe qasjeve, guximi poetik për të vështruar përtej fasadave, në thelbin e gjësë, aty ku një mendje e zakonshme nuk troket kurrë.

“Me copëza akulli/ zjarrin do ta ndez, thotë poetja, masat e eshkë/ do të jemë vetë” duke shfaqur thelbin e poezisë së saj, kontrapuntin dhe antitezën, metaforën si njësi lëvizese dhe operuese të imazhit dhe gjendjes poetike, nga vija horizontale në vertikalitetin e ndjesive, që nga trazimi e dyzimi kalojnë në vrullin e emocioneve të befta.

 

 

12301678_10205009112696435_6685973636900590581_n

Ëndërr e mërguar

 

Poezia e Toromanit është një poezi e iluzionit, dhimbjes, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale.

Siç e thamë, protagonist i aktit poetik të poetes është uni i brendshëm, raportet e këtij uni me jashtësinë, me mungesat dhe shpresën e botës, me të mundurën dhe të pamundurën.

Duket se Manushaqja nuk merr penën në dorë se duhet shkruar, por shkruan se nuk mundet të bëjë ndryshe, pasi shtytjet e poezisë nga brenda qenies së saj janë të vrullshme, të papërballueshme, të pamundura për t’u bërë zap.

Në poezitë e kësaj përmbledhje vihet re ritheksimi i prirjes së poetes edhe në dy librat e saj të parë “Eja të pres” dhe “Ishte koha për dashuri”, ku thellimi i orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, konturohen si një cilësi e artit të saj estetik. Këto “imazhe të vrara”, ku zhytet fiksacioni i saj poetik, ruajnë si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka pak diell e dritë, por aq mjafton sa për të kuptuar tisin e trashë e të rëndë të mungesës, vetmisë, pa plotërisë, të cilat duket se e rrethojnë poeten dhe janë pjesë e udhëtimit të saj metafizik.

Poezia e Manushaqes është një poezi e gjendjeve impresioniste dhe moderniste, me një fantazi të vrullshme, me një kompleks figurash dhe trajtash që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe universale.

Gjendjet e saj janë kujtesat, emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia që poetja i ka marrë nga përjetimet vetjake dhe i mbart si një kredo e anatemuar e brezit të saj, e kohës dhe bashkëkohësit të saj.

Një thelb, poezia e saj është një poezi e trazimeve dhe dyshimeve ekzistenciale, e mungesave dhe përjetimeve moderne, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij.

Poezia e Toromanit gjallon aromë lirie, aromë ndjeshmërie, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim dhe etje. Ajo është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet dhe lexohet, në lumin e madh të poezisë së vërtetë mbarëshqiptare.

 

 

One thought on “Rreth përmbledhjes me poezi “Ëndërr e mërguar” të poetes Manushaqe Toromani – Poezia që përcjell aromë lirie, trazim dhe etje. / Nga : Hyqmet B Hasko

  1. Z Hyqmet Hasko! Ajo qe dua te nenvizoj eshte se keto libra, vellime poetike, i nje njerit apo tjetrit, nuk kane asnje gabim? Jane te gjithe kaq perfekt, jane te gjithe poezi kaq te bukura sa vetem lavde i thur!? E keqja eshte institucioni i kritikes ne Shqiperi nuk ekziston dhe ju keni marr rol si kritizer kur ata qe ju njohin shprehen dhe i pohojne thashethemet e perditshme te kafeneve me pseudo krijues qe i shkruajne per ju me para.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s