NEMESIS (MALLKIM) – Cikël poetik nga Arshi Pipa / Pjesë nga libri “Moderniteti në letrat shqipe” i autorit Flori Bruqi.

Arshi_Pipa

Cikël poetik  nga Arshi Pipa

 

 

NEMESIS (MALLKIM)

 

Ndër gropa burgjesh shkrye për gur e baltë,

mbërthye qelash ndër pranga,

nga gjoksi i shtypun sungullon mâ e naltë

kur del prej s’thelli kanga.

Na shajnë e na poshtnojnë, na plasin gjamën:

anmiq t’adheut! Tradhtarë!

pse duem Shqipnin e plotë, pse urrejmë na namën

e huej, pse jem, shqiptarë.

E ata qi e shitën tue ja lidhun qerit

t’anmikut për trofe,

ata qi flamurin, heu, i’Iskanderit

e zhyen me tjetër fè,

ata qi deri dje mbajshin kapistra,

teneqexhinj, shollarë,

gjysmakë, t’falimentuem, e sot ministra:

ata janë atdhetarë!

Na zhgulin thonjt me danë, ndër plagët krypë

na këllasin, na e shtyjnë

n’gërmaz me grushta, e uj kur bâjmë me lypë

qeshin e na pështyjnë.

Na lagin dimnit qelat, elektrikun

na e venë ndër veshë e n’gojë

e ndër trupa… E qeshin tue fikun

cigaret n’sy për lojë.

Na vene jelekun sa me u thye kërbishtnash,

na lanë me ditë e netë

varun për shpatullash mbi maje gishtash,

pa ngrënë, pa pi, pa fjetë.

Mandej po ngelëm prapseprap na gjallë

me shkelma na mbarojnë,

na hjedhin prej dritores, e veç rrallë

me nji plumb na nderojnë.

Pa gur, pa shenj, ndër gropa plehu hjedhun

si coftina na kallin,

ku grat e foshnjet tona s’vinë me rrjedhun

lotët që zbusin mallin.

Po e fortë asht zemra jonë, ma e fortë, o vllazën,

se tortura qi e sosë.

E zjarrmi i anmikut veç mâ keq na ndezën

urrejtjen qi rroposë.

Heu e tmerrshme ajo ditë tri herë fatore

kur shokët qi nuk ranë,

me shpirtin dalldisur për fitore,

do t’thrrasin gjakun tonë.

Dridhnju tiranë mbi frona e ju xhelatë

qi vegla u bâh’ ni qorre.

E zezë asht nata, por s’ashtë veç një natë.

Dielli i liris, ti shporre!

E n’se lypet durim e besë qi s’vdaret.

aq sa më dhambë me bre

hekurin që kryqzon dyert e dritaret,

qoftë ajo ligjë për né.

Nga gropa burgjesh me njeni-tjetrin rrokë

me besën e dëshmorit,

nga shpirti i bamë thëngjill qyshkur, o shokë,

pa shfrim mbrenda kraharorit,

ushton kanga e kushtrimit. Then çelikun,

shpartallon ledh e strehë,

dhe si shqiponja e flamurit vërtikun

ndër qiellna t’lira zhgrehë.

Përpëlitet Shqipnija nën mizoren

thundër si krymb n’handrak.

Heu, deri kur ma do puthim dorën

qi syt na i plasi gjak?

Kushtrim, o male, o fusha! Qitni bén

ksaj zgjedhe fund me i dhanë!

Ta zhbijmë krajtën qi na e bani atdhen

veç burg e kasaphanë.

 

 

modernitetiball

Pjesë nga libri “Moderniteti në letrat shqipe”  i autorit Flori Bruqi.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s