Poezi nga Fatbardha Xhani Myslimaj
TAGORE
Prej shekujsh nisur për tek unë
nën hije pemësh vallëzuan
ëndrrat më të nurshme të rinisjes
gazmore,
çdo çast nga e para…
Por… ti nuk kishe si ta dije:
Tagore…!!
Tani është vonë…
Kush të tha që jam zgjuar e të pres,
mes mijëra zgjimesh të një bote që s’e njoh,
që më ngjall pasi me vdes,
që me sheh e unë vetë s’e shoh…
Është vonë
nata është e gjatë
rruga e lumturisë kaq e shkurtër
dhe drita e kujtimit kaq jetësore…
Është vonë tani
me hapa të ngadaltë nuk vihet tek unë
pse s’ më zure fort
për dore…
Është vonë
ështe vonë për Ne Tagore:
(“dhe dije, se ç’ fllad fërfëllin në korije,
kur hije e drurëve bie
s’ janë hije
por fije ëndrrash fantazie…”)