Poezi nga Mirvete Mehmeti
KALORËSE E LODHUR
U rrita me ngrohtësin e atdheut
me dashurine për të jetuar ku linda
por s’më lan ata,
më përplasen…
Jam kthesave të jetës,
rrugëve të pa dëshiruara
kalorëse e lodhur
ardhjesh e kthimesh
me kujtime të thinjura
e gravura lotësh
në fytyrën e nënës.
SI DRU TË PRERA
(1991 dhe 1993)
Ti qershor më kujton
këngën e Mine Pezës,
“Ku kam vajzën,ku kam djalin”
Maratonë…
spital,morg dhe anasjelltas
britmë nënash sillnin shiun
as ombrella s’e priste
e xhelatët
me rimorkio dore
bartnin bebet një mbi një
si dru të prera
me gjysëm gëzimi
në heshtje thonim
E gjeta!…
BUZË LIQENIT MJOSA
Çdo ditë
valët e tua të bardha
më bëjnë me lot
a thua kur do shterret ky mall ?
asnjë pulëbardhë
nuk sillet këtu
me një dorë mbaj një letër
me tjetrën
mbaj kopsat e këmishës
të mos zbërthehet nga
britmë e zemrës
me zërin trishtues
prej emigranti
buzë liqenit Mjosa
(Mjosa është liqeni më i gjatë në Norvegji )