Poezi nga Myrteza Mara

Myrteza-Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

 

MOS MË LER TË SHLODHEM

 

Mos më ler të shlodhem kurrë
Nga përkëdheljet dhe fjalët e ëmbla
Për ty, çdo fjalë që më çel në buzë
Është notë e shkëputur nga zemra!

Është pasthirma e shpirtit binjak
Mbi krahët e mallit të përlotur
S’t’i pashë një herë sytë me natë
Veç diell mbi diellin e botës!

Nëse bëhem zog në sy të dritares
Dhe trokas në ëndrrat e tua të blerta,
Aty gjej të ndezur mijëra zjarre
Aty më presin ato buzët e nxehta!

Ti je e urtë, si një urë guri
Të ndrisin yje në gushë e në ballë
Dhe unë mar zjarr, zjarr prej burri
Dhe ti bashkë me mua në atë zjarrë!

Të përkëdhel si fëmijë, ti je mësuar
Më dhuron jetë vetëm me buzëqeshje
Unë, ”adoleshenti yt i pandryshuar”
Me jetën tënde nuk e njoh vdekjen!

Kurr nuk lodhem, përse të lodhem?
Përherë gërmoj në fjalorin e shpirtit
Nga fryma jote dehem e shlodhem
Dhe s’dua të di për vitet që ikin!

Mos më ler të shlodhem, të lutem
Edhe ti mos u lodh nga ledhatimet
Si gamile e heshtur eci, nuk ngutem
Po u lodha, vdeksha pa ditëlindje!

 

 

 

GJYSMA IME E MUNGUAR

 

Ti nuk je dashuria me shikim të parë.
as mbles tek ti nuk erdhi;
Je syri i agimeve prushëruar me zjarr,
puthja e ëmbël e diellit.

Ti nuk je dita ime e parë e jetës,
as dita e fundit nuk je;
Je më e vërteta e së vërtetës
siç janë dhe yjet mbi re!

Ti je gjysma ime e munguar
unë gjysma jote e gjetur.
Si dy gjysmahëne mërguar
për ne s’ka qiell tjetër!

Ti nuk je ëndrra e një nate vjeshte,
as prushi i një dimri të gjatë;
Ditëjeta e ime e jetës
në librin yjeve je shkruar fat.

 

 

ASKUSH VEÇ TEJE S’E DI…

 

Në ëndërr, mbrëmë, kam parë një varr
Pllaka e mermerit kishte emrin tim.
Çudi-thashë me vete, ndihem i gjallë
Ndoshta, ndoshta e lexova gabim.

Dhe fshiva syzet e u largova pak,
Gabimi uli kokën i turpëruar
Emër e mbiemër mbi atë pllakë
S’ishte nevoja për ta rilexuar.

U hoqa mënjanë, doja të shihja
Kush do të afrohej me përmallim
Prita gjatë ku bënte hijen selvia
Kënga e një zogu erdhi në ndihmë.

Tek buza e varrit u afrove në heshtje
Një karafil të verdhë në dorë mbaje
Fotos së mermerit i fale buzëqeshje
Por unë e dija që nuk do të qaje.

Pasi u binde që vërtet kisha vdekur,
U përkule të hedhësh një dorë dhe’
Siç e hodhe ashtu edhe ka mbetur
Askush, veç teje, s’e di që jam atje.

Dorës së fatit kurrë s’i kam besuar
Sepse edhe fati-thonë-është i verbër
Kur mendova se kam për të jetuar
Atëhere m’i rrëzuan gjithë urat e jetës.

Ike e qetë, hija të ndiqte pas
Kokën nuk e ktheve më kurrë
Ndenjta tek pema sa u bë natë
Hapa sytë…Kisha qenë në gjumë!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s