DARDANIA E PAZBULUAR / Nga : Fatbardha Demi

DARDANIA  E  PAZBULUAR

 

 

Fatbardha Demi

Nga : Fatbardha Demi

 

 

E vërteta asnjëherë nuk mund të zbresë në nivelin e atij që e kërkon, përkundrazi për ta marrë,i takon kërkuesit të ngjitet në nivelin që ajo gjëndet. Rruga më e mirë për të përcjellë një të vërtetë është një lloj komunikimi që i kapercen kufijt e fjales : është të kuptuarit intuitiv.

 

Helena Balvatsky

 

 

Për Shqipërinë veri-lindore natyrale, nuk dihet ndonjë emërtim gjeografik më i lashtë se sa toponimi Dardania, origjinën e të cilit janë përpjekur ta zbulojnë pothuaj të gjithë emrat e shquar të historisë dhe gjuhësisë albanologjike dhe botërore. Libri i parë që ka folur për popujt e lashtësisë ka qenë edhe libri i parë i historisë europiane, Iliada e Homerit :“Dardanët i drejton Enea i shquar…” ( Omero, Iliade II, 816-823) (1) dhe më vonë Straboni (64 pK – 19 pas K) “people of the Dardaniatae…”(fis i Dardanisë) në librin e tij (Descriptive Ethnology: Europe, Africa, India).(2)

 

Ndërsa Edith Durham (Prejardhja e disa fiseve dhe disa kanune e zakone të Ballkanit) pohon se  në hartat e vitit 140, të astronomit dhe gjeografit Claude Ptolémée ( 90 – 168 pas K) gjejmë toponimin Dardani dhe vetëm kohët e fundit, emri i saj është fshirë nga hartat tona: “ Mendoj se emri i saj nuk është shkruar në hartat e shekullit të nëntëmbëdhjetë ”.(3)

 

f 1

 

Faqja e parë e librit XXVII të Strabonit  Rerum geographicarum libri XVII. (1620) (4)

Që nga shekulli i 18-19, kur studiuesit filluan të gjurmojnë origjinën e gjuhëve dhe rrjedhimisht edhe të shumë toponimeve, e deri në ditët e sotme, për emrin Dardania (europiane), të gjithë kanë qënë të një mendimi se e ka origjinën nga emri “dardhë”.

Johann Georg von Hahn (Albanische Studien, I,1854) qe nga të parët që emrin e dardanëve e lidhi më fjalën shqipe “dardhë”. Duke parë, përveç afërsise në shqiptim edhe faktin se,              ”Sidomos shpati i saj lindor (i Dardanisë) ishte i veshur plot me dardha të egra (…) për rrjedhim kuptimi i emrit Dardania në zanafillë gjan të jetë “vënd dardhash.” (5)

– Edith Durhami, duke e mbështetur mendimin e Hahnit, vëren se në gjuhën serbe në tokat fushore përtej Drinit, që u serbizuan në fillim të Mesjetës, ndodhen toponime Krushevo, Krushevas dhe Krushenica. Në gjuhën serbo-kroate këto emërtime kanë kuptimin dardhë (kruška).

– Sipas Eqerem Çabejit (Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte), shpjegimin që dha G.Hahni “ është i mbështetur mirë si materialisht, si gjuhësisht (…)

Ky emër del ndër të tjera në Veri në anët e Iballës e të Mirditës, në krahinën e Lezhës, në Shqipëri të Mesme, në anët e Elbasanit, në Skrapar, në rrethin e Korçës e të Leskovikut, si emër krahine Reç-e-Dardhë në Shqipërinë Verilindore, si kompozitë Dardhëzeza në Mollas afër Gramshit”.

Pas trajtimit të një vargu emrash të drurëve dhe të bimëve, në gjuhën kelte dhe shqipe, E.Çabeji mendon se origjina e fjalës “dardhë” mund të jetë nga gjuhët e fiseve kelte të lashtësisë, që kishin hyrë në Ballkan në shkV. (6)

– Idriz Ajeti (Studime gjuhësore në fushët të shqipes) e lidh origjinën e emrit Dardania nga “dardhë”, duke u nisur nga emri i fisit dardan Pirustë (Pirustae) të ngjashëm me emrin latin të dardhës “pyrrus” (7)

– Skënder Rizaj (Pellazgët Hyjnorë) pohon se : Toponimi dhe antroponimi Dardan është fjalë pellgazgjishte – dardanishte – shqipe: Dard (h) + An (ë)= ana e dardhave. Dhe vërtet, në Pellgun e Dardanisë sot e kësaj dite ka shumë dardha, madje të llojeve të ndryshme dhe me shije dhe ere të lloj-llojshme. (8)

Nuk po zgjatem më tej, meqënëse ky mendim qëndron edhe sot në çdo botim historik mbi këtë toponim. Pra, pavarësisht se emri “Dardania” është nxjerrë, nga studiuesit, me origjinë nga gjuhë të ndryshme, të gjithë bashkohen tek mendimi se e ka burimin nga emri i pemës së dardhës. Ky përfundim nuk është bindës nga fakti, se emrat e figurave të lashtësisë  shprehin simbole të bësimit dhe emri i dardhës nuk njihet si i tillë.

Për të njejtin toponim, (bëhet fjalë për Dardaninë e Azisë së Afërme) historianët e huaj pohojnë se e ka origjinën nga emri i Dardanit, i njohur në mitollogji nga veprat e Homerit e të shumë shkruesve të tjerë të lashtësisë.  Në rast se Straboni dhe autorët e tjerë, e kanë gjetur në popull  emërtimin Dardania (europiane) dhe me qënëse deri në kohët moderne nuk ka ndryshuar, kjo dëshmon se ky emërtim është zanafillor dmth i trashëguar brez pas brezi, që nga koha kur bashkësitë fisnore kishin një identitët tashmë të formuar.

Për rrjedhojë, ky emër ka një origjinë parahistorike dhe rruga e parë që do të ndjëkim, do të jenë burimet shkrimore  ku pëmëndet emri Dardan.

Për të vijuar qetësisht kërkimin tonë, duhet t’i japim në fillim përgjigje pyetjes, që shumë studiues modernë e shikojnë te dyshimtë për popujt europianë: A janë shqipetarët e sotëm të Kosovës, pasardhës të fiseve Dardane të Strabonit?  Dr. Arif Mati (Odisea e pabesueshme e një populli parahelen “(f21, 2007) shkruan se “Është  rast unik në Europë, fakti se shqipetarët e sotëm kanë rrjedhur prej një popullsie autoktone”.

I pari që e pohoi këtë fakt në vitin 1774 ishte gjuhëtari suedez Johann Erich Thunmann (17461778). (Über die Geschichte und Sprache der Albaner und der Wlachen) (9) por edhe studiuesit arbëreshë të Italisë.

Që nga shekulli i 18-të e deri në ditët tona, kjo tezë është pasuruar me dëshmi shkencore historike, gjuhësore, arkeologjike, të besimit dhe të traditës, nga studiues shqipetarë dhe të huaj, prandaj do të mjaftohem duke sjellë provën e një shkence të kohëve të fundit – të gjenetikës – sistemin HLA. Sipas përfundimeve të studimeve botërore të zhvilluara në këtë fushë, Pr. Genc Sulçebe (Fakte gjenetike që hedhin dritë mbi lashtësinë dhe autoktoninë e popullit shqipetar ) pohon se rivërtetohet  autoktonia e popullit shqipetar në trojet e tij.(10)

***

Sipas shkruesve të lashtë, njihen katër figura mitike me emrin Dardan. (Hom. Il. xx. 459; Eustath. ad Il. pp. 380, 1697; Paus. viii. 24. § 2.) (11), por tre prej tyre nuk përmënden që të kenë emërtuar ndonjë qytet, apo hapsirë gjeografike, per rrjedhojë do të ndjekim emrin e ….

Dardanit nga buroi dinastia e trojanëve të Iliadës

J.G.von Hahni (Studimet Shqipetare), pohon se sipas gojdhënave, ai ishte djal i Zeusit dhe i Elektrës (bijës së Atlasit) dhe vëlla i Iasonit dhe Harmonisë. Vëndlindja e tij, sipas miteve është Arkadia, krahinë pellazge e gadishullit të Peloponezit (Greqi). Por mite të tjera thonë se është me origjinë nga Kreta apo qyteti etrusk i Krotones (Crotone,Itali) (12)

Sipas Pierre Gautruche, (1602-1681) (L’Histoire poetiqve, Pour l’Intelligence des Poetes & des Autheurs Anciens, 1668), Dardani është bir i Elektrës dhe Perëndisë romake Jupiter. Me qënëse kishtë vrarë vëllanë e tij, Iasonin, u detyrua të arratisej drejt Azisë së Vogël në Frigji. Ai u martua me Bateian, vajzën e mbretit Teukër dhe ndërtoi qytetin që njihet në histori me emrin e tij – Dardania. Mbretërinë e trashëgoi Erichthoni, biri i Dardanit, pastaj nipi i tij Trosi, i cili, kur u bë mbret, e ndrroi emrin e qytetit  në Trojë edhe vëndi u quajt po me këtë emër.

Një nga fëmijët e Trosit ishte Anchise që së bashku me Venusin (Afërdita pellazge dhe Turan etruske) patën për djalë Enean e famshëm, por kurorën mbretërore  e trashëgoi djali tjetër i tyre, Ili (Ylli) i cili i dha qytetit të Trojës emrin Ilium. Nipi i tij, Priami, ishte trashëgimtari i fundit i fronit mbretëror dardan të Trojës. Priami i dha  Trojës një shkëlqim që nuk e kishtë parë  asnjëherë, por për fat të keq, e pa me sytë e tij se si u shkatërrua, pa mbushur akoma 300 vjet të jetës së saj.  (13)

Disa autorë të lashtë kanë shkruar se nëna e Dardanit, Elektra, e cila me gjashtë motrat e saj ishte kthyer në yje të ndritshme, mbas rënies së Trojës e humbi shkëlqimin.(14)

Sipas Virgjilit (Énéide III,VII), Enea Dardani, mbasi u largua nga Troja u vendos në Latium dhe pasardhësit e tij themeluan Romën. Është e dukshme që mbi mitet e mbrritura nga lashtësia, në periudhat e mëvonshme “vihej dorë” për të ndërtuar historinë dhe origjinat e fiseve të vendeve të tyre.

Manipulimet më të shumta të miteve janë bërë në kohën e Rilindjes italiane, për të nxjerrë qytetin etrusk Crotone, vënd-origjinën e themeluesve të Romës dhe të Trojës.(15)  Megjithatë historianët e pranojnë se mitet greke (pellazge) janë më të lashta se ato romake dhe anojnë në mendimin se vëndlindja e Dardanit ishte në Gadishullin Pellazgjik (Ballkanin e sotëm).  Studiues të tjerë të kohëve moderne, me Dardanin trojan, kanë lidhur origjinën e popujve europianë.

Në Fjalorin e William Hazlitt (1811-1893) “Dictionary of Ancient Geography, Sacred and Profane”,1851), shkruhet se “origjina e Dardanit është prej fiseve të Moesisë (…) Janë fise barbare por të dhënë pas kënaqësive dhe muzikës”. (16)

Në mitet “greke” (pellazge) përmëndet një Dardan, nip i Kadmit dhe Harmonisë, motrës së Dardanit trojan, i cili mendohet se u ka dhënë emrin Dardanëve arbër.

Albanologët nuk e përmendin në historinë e vëndit tonë origjinën arbërore të themeluesit të Trojës dhe lidhjen e tij me Kosovën (Dardaninë e lashtë), të penguar nga “pema e dardhës” (tezë e shk 19) dhe faktit se, legjendat tona popullore nuk kanë pasqyruar ndonjë heroizëm apo vete Dardanin trojan. Lidhja e vetme e përbashkët ka mbetur vetëm emërtimi.

Me qënëse, emrat e paraardhësve dhe të figurave mitike tek arbërit trashëgoheshin (17) ka mundësi, që Dardani i Trojës të ketë qenë, brez pas brezi, me origjinë nga Dardania europiane, por nuk jemi të sigurtë nëse ka qënë pikërisht ay, që u ka dhënë emrin fiseve arbërore  dardane dhe vëndit të tyre. Të ndodhur në këtë udhëkryq, do të kthehemi përsëri tek pika jonë e nisjes, dmth  në shkencën e gjuhësisë, për të zbuluar burimin e emrit të Dardanisë, të përmendur nga Straboni. 

Fillimisht, do ta kërkojmë në toponimet e hapësirës mesdhetare. Për emërtimet e popujve dhe toponimeve, do të merret për bazë rrënja e emrit Dardan “ dard” dhe forma të afërta të saj, të formuara nga shqiptimi i ndryshëm i tij.  Siç e ka vënë në dukje Straboni (xvi. F 785), emrat pësojnë ndryshime kur kalojnë nga një gjuhë në tjetrën. (18)

Në veprën e William Hazlitt (Dictionary of Ancient Geography, Sacred and Profane), na jepet një e dhënë e rëndësishme se, një nga fiset ilire quhej Dardi. (19)  Edhe Prof. Eqerem Çabej pohon se në dokumentet e vëndit tonë ky emër shfaqet për herë të parë në Kadastrën e Shkodrës të vitit 1416-17, si “villa clamada Darda”.  Në anët e Përmetit, në Jug, ku ka gjasë të hyjë edhe Darsi (…) si dhe emri i krahinës Darsia në Shqipëri të Mesme. (20)

Gjithashtu  E.Çabej vëren se : “ Tema Dard- në onomastikën e kohës antike ka qënë e përhapur përtej caqeve të trevës dardane dhe të trevës dardane-trojane. Ajo na del më një anë te Dardas, emri i një ‘praetor Epiroatarum’, te Derdenis, emër i shpeshtë princash makedonë-elimiotë, bashkë me Derdia, emri i një qyteti në trevën elimiote, me Derdaia në Tesali, Derdenis në ishullin Lesbos, më anë tjetër në truallin italik, në Apuli, si emër i një populli Dardi të daunëve, si emër krahine Dardensis dhe si emër i një qyteti Dardanon” (21)

Tek Stefan Bizantini (Stephani Byzantii,  « De Urbibus et Populis »), gjejmë toponime : Daristane- qytet i Persis ku jetojnë fiset Daritae; Darion– qytet në Frigji ; Daunium – qytet në Itali ;Darsii- popull i Thrakës ; Darsania –qytet në Indi ; Daridna– qytet në Paphlagoniae  (22).

Lidhur me një fakt tjetër, do të paraqitet një hartë më e zgjeruar e  rrënjës “dard”.

Por këto të dhëna nuk na ndihmojnë për të zbuluar origjinën e emrit e të dy Dardanive, sepse shkruesit e parë nuk janë marrë me këtë punë dhe ata modernë (K.M.Sheard “Complete Book of Names…) pohojnë se zanafilla e emrit është e panjohur dhe ka mundësi të jetë paragreke. (23)     E vetmja mënyrë për të zbuluar origjinën e emrit, na mbetet të mësojmë se çfarë mendonin dhe besonin njerëzit e lashtë, në kohën kur lindi nevoja t’iu tregojnë të tjerëve përkatësinë e tyre.

 

Dardania emër parahistorik ?

Emri Dardania është fjalë e përbërë, nga rrënja dard + an (ia), ku “an” nuk është mbaresë por fjalë që dëshmon së nga vjen (psh- jam nga këto anë ; shkodran, lezhian etj). Fjala “dard ” gjëndet në fjalorin e sotëm të shqipetarëve (2002, internet), vetëm në formën e fjalës “dardallë” për një shkop të gjatë, të përdorur në peshkim. (24)

Duke e zgjeruar hapësirën gjeografike edhe në trevat e banuara nga fiset pellazge të lashtësisë, fjalën “dard” e gjejmë :

Dard në gjuhën katalane (Spanjë) – shigjetë.

Dardo -në gjuhën spanjolle (Spanjë) –shigjetë

Dardu- në gjuhën korse (Korsika) – shigjetë

Dard-  në gjuhën franceze – shigjetë apo heshtë druri me majë hekuri.

Dardar – si ndajfolje në gjuhën franceze – shumë shpejt, pa kthim.

Dar-dar – shigjetë, në fjalorin e fiseve në Tibet dhe kjo ka arësyen e vet që do trajtohet më vonë. (25)

Këto të dhëna dëshmojnë se fjala « dard » emërton shigjetën apo heshtën. Nuk mund të themi se kjo fjalë nuk ka qënë edhe në gjuhën tonë, sepse Fjalori i botuar i gjuhës shqipë nuk përfshin të gjithë leksikun dialektor (gegë dhe tosk), e sidomos atë të vjetër, as atë  të shqipetarëve në trevat  autoktone, të arbëreshëve të Italisë dhe kolonive shqipetare, ku janë ruajtur shumë fjalë të lashta.  Megjithatë, ne kemi mundësi ta vërtetojmë origjinën arbërore të fjalës « dardë = shigjetë/heshtë » me mjete të tjera : nëpërmjet BESIMIT dhe HISTORISË.

Sipas Petro Zhejit (Shqipja dhe sanskritishtja), “Gjuhët e para kanë qënë simbolike. Duke qënë kështu, ne me të drejtë e kërkojmë shpjegimin e fundit të një fjale, jo tek një koncept, por tek një simbol “ (26)

Të nisur nga ky fakt, ne do të nisim gjurmimin në  periudhën më të herëshme të historisë, në kohën kur u krijua gjuha dhe do të vërejmë rolin besimtar që zinte shigjeta tek ta.

Gjurmët më të hershme të përdorimit të harkut me shigjeta i përkasin kohës së Paleolitikut të hershëm (nga 120.000 deri në vitet 20.000) (27). Studiuesi nga Presheva, Ibrahim Kelmendi (Prej miteve deri në Butmir) pohon se kultura më e vjetër e Europës mendohet të ketë qenë kultura Vinka, qëndra e së cilës përfshinte hapësirën prej Thesalisë deri në Pruth, Starçevo, duke u përhapur më vonë në të gjitha anët e Europës.

Në vitin 1866 A. Arcelin dhe A. Ducrost, zbuluan një shpellë të Niaux de Ariège (France) në vizatimet e së cilës janë pasqyruar shumë shigjeta. (28)

 

Niaux de Ariège (Carsac, Dordogne) b-  vizatime në objektet arkeologjike të kulturës Vinka.  (29)

Në fig.1 duken qartë dy shigjeta mbi trupin e bizonit. Në fig.2 vërehet se shigjeta përdorej nga njeriu primitiv i kulturës Vinka me një kuptim të caktuar. Çuditërisht pamja grafike e shigjetës së njeriut të shpellave është pothuajse e njëjtë me atë të shekullit 21. Megjithatë, kanë një dallim jashtzakonisht të madh midis tyre. Shigjeta jonë është ”një mjet” që e kemi trashëguar dhe e përdorim për të trëguar drejtimin, ndërsa ajo e stërgjyshërve tanë të shpellave është  prodhim origjinal  i një botkuptimi zanafillor praktik, filozofik dhe besimtar (simbolik).

George Dumézil (La religione romana arcaica Miti, leggende, realta), duke folur për besimin e romakëve, pohon se idea e “shpirtit” në zanafillë, nuk lidhej me vdekjen, por me “energjinë – magjike” të përjetëshme tek sendet. (30)

Njeriu primitiv habitej se si shigjeta mund  “të fluturonte dhe të vriste ” dhe i shikonte këto veti si shprehje e “shpirtit” hyjnor të saj.  Fakti që shigjeta “e ndihmonte dhe e mbronte”, mendon E.Cassirer (Sprache und Mythos), ishte origjina nga buroi më vonë idea e Zotit. (31)

Ky fakt dëshmohet në studimet e bëra mbi shoqëritë e lashta. G. Dumézil pohon se përpara se të bëhej Marsi perëndi e luftës, adhururohej kulti i heshtës dhe kur vendosej ndonjë marrëveshje, betimi bëhej mbi të. (32)

Në tempujt kushtuar shigjetës, zhvilloheshin rite të ndryshme si psh në rastet e vdekjes së mbretit apo familjarëve të tij. (33) Romuli betohej për heshtën e tij. (34)

Në të gjitha besimet e lashta, shigjeta ishte arma me të cilën Perënditë dënonin  njerëzit, si Zeusi dodonas, Athina, Artemisi, Apolloni, Rudra indiane, perëndia egjiptiane Sikhmet,etj.  Sipas shkrimeve të Kuranit (V.3), në Babiloninë e lashtë, shigjeta përdorej nga orakujt për të parashikuar fatin dhe ishtë simbol i pushtetit dhe mbretërimit (35)

Në fig.1, (poshtë) shigjeta në gur-varr është përdorur pikërish si simbol besimtar. Trekëndëshi, gjysëm-hëna dhe ylli brënda saj në formën e topthit, dëshmojnë besimin hënor të Kartagjenasve. Poshtë është Perëndesha hënore Tanit.

 

a-Gur varri e Kartagjenës (British Museum) shk 2-1 p.K.; b-Kopia romake e Pallade Athinës; c- Amuletë argjëndi me figurën e majës së shigjetës shk 5-3p.K.; d- maja të heshtave të kohës së luftës trojane. (36)

 

Rëndësia e veçantë e shigjetës dhe heshtës, për bashkësitë fisnore dhe mbretëritë, diktohej nga fakti se, që nga periudha e gurit e deri në kohën kur filluan të përdoren armët e zjarrit (shk 12-të, Dinastia Song), ishtë ARMA kryesore goditëse në largësi, gjatë gjuetisë dhe luftimeve. Sidomos me zbulimin e metaleve, shigjeta dhe heshta u bënë mjete më praktike, se sa gurët apo topuzët prej druri, të përdorura në zanafillë. Sipas Homerit, armatimi kryesor i grekëve në kohët e fundit ka qënë heshta së cilës në kohët heroike i vendosej një kokë metalike. (Hom. Il. 2; v. 320; Eustath.) (37)

Duhet vënë në dukje se ngjarjet dhe emërtimet pellazge të lashtësisë, shkruesit latinë në Fjalorët historik, i kanë emërtuar “greke”.

Rënditëm këtë biografi të shkurtër të shigjetës, për të kuptuar vëndin shumë të rëndësishëm që ka zënë në besimin e lashtë dhe arësyen, se përse mbretërit më të fuqishëm të mitologjisë, e kanë patur kultin apo emrin e saj dhe është nderuar si Perëndi.

Sipas Mircea Eliadës : ”Emrat e shumë popujve në lashtësi ishin të perëndive të tyre” (38) Me qënësë “dardha” nuk ka patur ndonjë kult, nxjerrim pëfundimin së emri Dardania dhe i dardanëve i pohuar nga Straboni, e ka origjinën nga emri i Mbretit Shigjetë (Dard) dhe ishte Orakulli i Zotit në atë vënd. Hahni e pohoi këtë fakt, si nga ana gjuhësore edhe mitike dhe nuk e kuptoj se, përse e lidhi emrin e Dardanisë dhe banorëve të saj me pemën e dardhës.  Në veprën e tij “Studime shqipetare” Hahni shkruan : “Jemi të mendimit që kuptimi i vërtetë i emnave të fiseve të sigunëve (Herodoti, V,9) dardanasve, kuretëve, kuiriteve, samnitëve dhe sabinëve vjen nga arma kryesore e tyre. Kjo fjalë (Dard-an) nga tingulli i ngjan fjalës italiane, spanjolle « dard» dhe angleze « dart » : « heshtë ». (39)

Një fakt tjetër është emri Gjetë, i një prej fiseve dardano-ilire. Ky emër, sikurse edhe i shumë emërtimeve të fiseve të gadishullit Pellazgjik, gjen kuptimin vetëm në gjuhën shqipe dhe është forma e shkurtuar e emrit “shigjetë”. “Armët më të preferuara të Herkulit, ashtu si tek Gjetët, ishin harku dhe shigjetat- pohon studiuesi francez Eduard Shnajder- Gjet vjen nga “shgjet”, që në shqip bën shigjetë, prandaj ato popuj (skithët dhe gjetët-shën im) ishin pellazgë”. (40)

Kur flasim për fiset e Gjetëve, këtu futen edhe fiset Dake.

a-  Mbretëria e mbretit dardan Burebistra ; b- Monedha Trajane në Dakinë romake 107 p.K. Gur-varrë ilire në Bosnjë. Simboli i zik-zakut, i rrethit dhe dora, dëshmojnë besimin hënor të popullsisë. Harku me shigjetë (djathtas lart), i përdorur këtu si simbol besimtar dhe fustanella shqipetare, tregon përkatsinë fisnore dardane. (41)

Historiani latin i shk 3 pK, Marcus Junianus Justinus në veprën e tij (Epitome of Pompeius Trogus) shkruan :” Dakët janë pasardhës të Getëve”. Constantin C. Giurescu (Formarea poporului român.), duke u mbështetur tek trashëgimia gjuhësore, pohon se ”Ata (Dakët dhe Gjetët) janë dy emra të të njëjtit popull […] të ndarë në një numër të madh fisesh”.(42)

Që Gjeto-dakët janë fise dardane e dëshmon edhe qeleshja në monedhën e prodhuar në Daki.(fig.2 lartë) Përdorimi i emrit “dakë” dhë përfshirja e të gjitha fiseve veriore ballkanike nën ëmrin “ilir”, besoj se është pasojë  e administratës romake, e cile donte ta fshinte emrimin “dardan” nga dokumentet e tyre, për telashet e mëdha që u kishin shkaktuar këto fise, sidomos nën udhëheqjen e Burebistrës.

Faktet e mësipërme mbi emrin “dard=shigjetë”, mbështeten edhe nga mitet, sipas të cilave, shpikës i harkut mbahet Apolloni Ipeboreal (43) figura e të cilit lidhet me vendin e Ipeborealëve, që sipas përshkrimit të Strabonit (Geografia, 11, 6, 2), ndodhet pikërisht në zonën gjeografike të Dardanisë së lashtë.(44)

Për të mbështetur mendimin tonë për emrin e Mbretit- shigjetë (Dard), që krijoi bashkësinë e parë të organizuar të fiseve dhe të prftërinjve  fat-thënës, emrin e të cilit e trashëgoi krahina e Dardanisë dhe shqipetarët e Kosovës, do të lidhim disa fakte të zbuluara në fushën e historisë, gjuhësisë dhe miteve më të hershme.

Dardania, superfuqia e metalurgjisë.

Dardania e lashtë, përfshinte bashkësi të shumta fisesh, kufijtë gjeografikë të së cilës është vështirë të përcaktohen sot me siguri. Kjo për faktin se, zanafilla e saj i përket periudhës “pa libra” dhe  njerëzit i regjistronin mendimet e tyre nëpërmjet simboleve, që kanë mbrritur tek ne  në objektet arkeologjike, emrave dhe toponimeve. Ky lloj “shkrimi” mund të “lexohet” vetëm nëpërmjet njohjes së besimit dhe gjuhës arbërore, gjë që e bëri të mundur gjuhëtari i shquar Petro Zheji dhe ku do të mbështetemi për të zbuluar, jo vetëm origjinën e emrit të Mbretit Darda, por edhe historinë e jashtzakonshme të Dardanisë dhe të arbërve në përgjithësi.

Hapësira gjeografike ku bën pjesë Dardania (Ballkani qëndror), siç e vuri në dukje edhe Prof.Ibrahim Kelmendi,  i përket hapësirës gjeografike me kulturën më të hershme dhe më të zhvilluar europiane : kultura Vinka, Cucuteni, Bug-Dnester,Trypillian, etj. të emërtuara sipas vëndeve ku janë gjetur objektet arkeologjike. Kultura Vinka (mijëvjeçari VI –III pK) përfshinte brigjet e lumit Danub dhe hapsirën gjeografike ku shtrihet shteti i sotëm i Kosovës, Rumanisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Sërbisë (45) si dhe Shqipëria veriore dhe qëndrore, banime të lashta të fiseve pellazgo-ilire.

Nga gërmimet arkeologjike të kryera në Sovjan, afër Korçës (Shqipëri) u zbulua  vënd-banimi  i një bashkësie fisnore afro 10 000-7 000 vjeçar pK, i cili, sipas arkeologëve, pranohet si më i vjetri i njohur deri më sot në Europë.(46)

Studiuesi nga Presheva, I.Kelmendi pohon, se Neoliti i kompletuar me vegla, kafshë të zbutura, bujqësi e shtëpia, për të parën herë u çfaq në Ballkan dhe në krahinat e Karpateve dhe prej këtej gëlltiti Europën. Kultura ballkanike Vinka I, që përfshinte edhe Dardaninë e lashtë, ka qënë më e vjetër edhe se ajo Sumere. (47) Këtë fakt e mbështet edhe arkeologu Hasan Ceka : “Nuk duhet të nënvleftësohet nga ana tjetër fakti se fjalori blegtoral i gjuhës shqipe është një nga më të pasurit në Europë. Ka shumë të ngjarë pra, që ketë trashëgim populli ynë të mos e këtë as nga shekujt e kaluar, as nga Mesjeta, por për traditë nga kohët më të lashta antike”. (48)

Në mbështetje të kësaj teze, edhe M.Gimbutas kur flet për shkrimin e Europës parahistorike pohon se : “Qytetërimi  europian” (Europa parahistorike përfshinte zonën mesdhetare-shën im) e kishte krijuar shkrimin (figura simbolike) afërsisht në vitet 5300-5200 dmth 2000 vjet përara Sumerëve (49)

Gjetjet arkeologjike në trevat shqipetare të lartpërmëndura, tregojnë jetësën e organizuar të fiseve dhe  faktin se njeriu primitiv përfundimisht ishte shkëputur nga jeta e vëllezërve të tij “me katër këmbë” që ushqeheshin me çfarë gjenin në natyrë. Tashmë  ai ishte në gjëndje të mbillte, të rriste dhe  të prodhonte ushqimin e tij. Ky “revolucion” arriti shkallën e tij më të lartë, kur në sajë të zjarrit dhe banesave  brenda shpellave,  stërgjyshërit tanë zbuluan mrekullinë e metaleve.

M.Garashani (Ilirët prejardhja e tyre). vëren se, zhvillimin e gjenezës (së shqipetarëve) në viset e Ballkanit, mund ta përcjellim që prej fillimit të kohës së metalit. (50)

Njohja e nxjerjes dhe e punimit të mineraleve, sidomos prodhimin e thikave, majave të shigjetave dhe çekanëve metalik, ndikoi në ritjën e prodhimeve bujqësore, kushteve të jetesës dhe gjuetisë. “Zotërimi i zjarrit nuk garantoi vetëm mbijetesën dhe zhvillimin e njeriut si specie, por prodhuan edhe një botkuptim mitiko-besimtar, duke nxitur dhe ushqyer imagjinatën”, pohon M.Eliade.

Njëriu besimtar e shikonte zjarrin si një shfaqje të Zotit dhe minatorët që ishin njëkohësisht edhe farkëtarë,  si “magjistarë” të cilëve i Plotfuqishmi u kishte zbuluar një nga misteret e tij. “Ky zhvillim i arritur gjatë periudhës Mesolitike i dha fund barazisë kulturore të bashkësive fisnore të periudhës së Paleolitikut (në Euro-Azi, shën im) dhe u bë shtysë për çfaqjen e shumëllojshmërisë dhe dallimeve midis tyre,  që do të bëhet karakteristika kryesore e qytetërimeve të mëvonshme”. (51)

Studiuesja e shkrimeve pellazge, Nermin Vlora Falaski, vë në dukje se nga të gjitha fiset që shtriheshin në  lashtësi, nga Danubi deri ne Azine e Vogel, më të zhvilluarit ishin ato që perfshiheshin në trojet nga Kosova deri në Çamëri(52).

 

(53)

a-Monedhë e emërtuar Dardanika prodhuar në Dardani.b- Monedhë argjendi e qytetit dardan Damast ΔΑΜΑΣΤΙΝΩΝ – ΚΗΦΙ.

Në Dardani, pohon arkeologu Hasan Ceka, njihesh dhe përpunohej që herët hekuri, bakri, argjëndi, dhe shumë rrallë ari ; këto shërbenin kryesisht për të përgatitur vegla pune, armë (heshta, shigjeta, shpata etj) (…) duke filluar nga shk IV pK edhe monedha. (…) Në krahasim me artizanët e viseve ilire të luginave të Matit e të Drinit, që ishin dhe vazhduan të jenë mjeshtër të dëgjuar në përpunimin e metaleve deri thellë në kohën e sundimit romak, metalpunuësit e Epirit mbetën prapa dhe nuk arritën dot një zhvillim të lartë në këtë degë të artizanatit. Shkaku kryesor duhet kërkuar në mungesën e mineraleve në tokat e Epirit.  (54) Mungesa e pasurisë minerale apo e njohjes së përpunimit të tij, në jugun ballkanik, dëshmohet edhe nga origjina e objekteve në varrezat e Mikenës. Carlo D’Adamo (Sardi Etruschi e Italici nella guerra di Troia) pohon se objektet prej ari, të tipit të Europës qëndrore, të zbuluara në Mikenë provojnë lidhjen tregëtare të kahershme të qytetërimit mikenas me hapsirën danubiane. (55)

Treva e fisëvë arbërore të Dardanisë, ka qënë qëndra më e lashtë e nxjerrjes dhe pëpunimit të mineraleve në Europën jugore dhe për këtë dëshmojne krahas arkeologjisë edhe mitet. Në veprën e Titus Livius (Le Decades Qui Se Trouvent, 1617) shkruhet se Vestalet e para, priftëreshat e kultit të zjarrit, quheshin Geganie (Gege), (Geganie,l’une des quatre premieres Vestales.) (56), që dëshmon se fiset Dardane kanë qenë përpunuesit e parë të mineraleve duke përdorur nxehtësinë.

Udhetarja amerikane Rose Lane (Majat e Shales) pohon se sipas zakoneve te fiseve ne brendesi te maleve veriore shqiptare,  “Baza e ceremonise fisnore eshte adhurimi i zjarrit. Nusja merr me vete nga shtepia e saj nje dhurate te përhereshme: nje palë masha zjarri” (57) Masha e vogel, krahas zbukurimeve te tjera, ishte pjesë e veshjes se gruas mirditore. Ishte detyra e saj, e njëjtë me ate te priftereshave Vestale ne tempujt romakë, qe te kujdesej që zjarri të mos shuhej.

Kultin e zjarrit, e dëshmon edhe miti i Erithonit i cili, herë del si djalë i Efestit (farkëtarit të Perëndive të Olimpit) dhe i Geas (Tokës) dhe në mitet e tjera, si djalë i Dardanit dhe Bateias, shpikës i qerres dhe përdorimit të monedhave. (58) Sipas studiuesit C. D’Adamo, miti i Erithonit duke përfshirë Efestin, Athinanë dhe Gean (Tokën) shpreh në mënyrë simbolike, nevojën e vajit të ullirit i cili e rriste shumë temperaturën e furrave, e nevojshme për përpunimin e metalit. (59) Këtë nevojë të punishteve dardane, e plotësonte Jugu në këmbim të veglave, zbukurimeve dhe prodhimeve të tjera prej argjëndi, bronzi dhe hekuri.

Gjithashtu, miti i Erikthonit,na dëshmon se një nga figurat e mëvonshme të Mbretit arbëror Dard apo farkëtarëve dardanë, në mite ka qënë Efesti dhe ndihmesat e tij metal-punues, në shërbim të oborrit hyjnor të Olimpit.

Sipas Mircea Eliades, Njeriu farkëtar në lashtësi ishte edhe “njeriu i ditur dhe besimtar”. (60) Në lashtësi lidhja me Zotin, në fiset e së njëjtës gjini e dëshmonte Qeleshja. Në foton poshtë  (fig.1) Efesti paraqitet me qeleshen “frige” të shqipetarëve të Çamërisë, si e mbretit dardan Burebistra (fig.2), e pasuesit të tij, Decebalit (fig.3), dhe e Paridit të Trojës (fig.4). Në objektet arkeologjike Efesti paraqitet edhe me plisin e shqipetarëve të Kosovës së sotme.

 

(60) Diëgo Vélasquez (15991660), Efesti pret Apollonin në farkën e tij, Madrid, Prado; b-Statuja e Burebistrës Calarasi ; c-Decebalit në kolonën e Trojanit, Romë; d- Parisi i Trojës (vit.117–138 )

Prodhimi i objekteve të para metalike dhe zbutja e kalit, krijoi “supërfuqinë” e parë fisnore të lashtësisë, e cila sipas fakteve të sipër-përmëndura ka qënë DARDANO-ILIRE, të cilët i nënshtruan apo i zbuan bashkësitë e tjera kufitare të së njëjtës gjini,(në formë centrifugale) dhe në periudhat e mëvonshme hapën epokën e “kryqzatave”  të vazhdueshme nga Perëndimi drejt Lindjes (dhe jo e kundërta). Këtë fakt e gjejmë të shprehur simbolikisht me udhetimin e Argonautëve (luftëtarëve-marinarë), që kërkojnë lëkurën e artë (burime të reja minerale, floririn). Sipas miteve, pohon Aristidh Kola (Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve), Dardani ishte i pari njeri, që u largua nga Europa në Azi me mjete lundrimi dhe mbante titullin e prijësit të shumë popujve dhe kombeve që erdhën pas tij në Azi (61)

Le të kujtojmë se këtë fakt, ia përmëndën Aleksandrit të Madh priftërinjtë, kur mbrriti në Indi. Kjo rrugë u ndoq më vonë edhe nga vëllezërit e tyre të Jugut (Iperiotët dhe fiset e tjera pellazge).

Një nga qëndrat më të lashta minerale të Europës, ka qënë vënd-banimi Damast, kryeqytet i Dardanisë së lashtë. Në Fjalorin e William Hazlitt, shkruhet: Damastium-qytet i Pirustëve në Iliri, i njohur për minierat e tij të argjëndit  (62) Siç dëshmon Hasan Ceka, emri i Pirustëve             “ përmëndet në burimet e shkruara antike vetëm duke filluar nga mesi i shk të parë të erës së re (…) në burimet më të lashta por edhe ato të vonat historike, si banorë të kësaj pjesë të Ilirisë përmënden dardanët, që shquheshin për një organizim të fuqishëm ushtarak e shtetëror, si dhe për sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj mbretërive fqinjë ilirë (viti 230) e maqedonë. Me këtë identifikim (pirust=dardan – shën im) nuk janë në kundërshtim as të dhënat e tjera burimore (Livi XLV26).(63)

Kur Roma nuk ishte më një qytet-shtet, por një fuqi ushtarake e Gadishullit italik dhe kishte nisur  politikën e pushtimeve të hapsirave gjeografike edhe përtej Europës së lashtë, nxjerrja dhe përpunimi i metaleve u bë një nevojë thelbësore për të. Pasuria e madhe minerale, tradita e përpunimit të tij nga fiset e krahut lindor të Adriatikut dhe afërsia gjeografike, ishin një nga arësyet kryesore të pushtimeve ballkanike të romakëve. Këtë e dëshmojnë edhe emërtimet e vëna nga romakët si Metalla Ulpiana, Metalla Dardanica, Metalla Aeliana dhe Metalla Aurreliana  si dhe  organizimi administrativ i Dardanisë i njohur si Municipium Dardanorum ose Dardanicum, ku përfshiheshin qëndra të banuara si Ulpiana, Statio Vindenis, Pestova , Poslishtë , Klokot , Paldenica , Station Viciano, Donje Nerodimlje, Çifllak , Nikadin. (64)

Për të shfrytëzuar pasurinë mineralë të përtej-detit, romakët krijuan fshatra minatorësh dardano- ilir edhe në Daki, si në Alburnus Maior (Rosia Montana, Rumani). (65)

 

 

ms

Geto-Dacian Koson, mesi i shekullit të parë p.K. (66)

 

Emri Damast, i harruar në historinë e Shqipërisë, ka mbijetuar në ditët e sotme në Azinë e Afërme tek emri i kryeqytetit të Sirisë – Damask (në aramanishte Dammaśq dhe hebraishten biblike Dammeśeq (דמשק), fama e të cilit në punimin e armëve dhe zbukurimin e tyre me argjënd dhe ar, ka mbritur deri në ditët tona.  Studiuesit shprehen se, emri nuk është i qartë dhe mendohet se i përket kohës parasemitike, (para mijëvjeçarit IV ).(67)

Stefan Bizantini (Stephani Byzantii De Urbibus et Populis ) origjinën e këtij emri e shpjegon nga mitet : Damascus, biri i Mërkurit dhe nimfës Alimede, erdhi nga Arkadia në Siri. (68) Kjo e dhënë vetëm na ndihmon për të treguar origjinën e emrit Damask nga Gadishulli Pellazgjik, por jo kuptimin gjuhësor. Por, nganjëherë e vërteta që kërkohet aq larg, ndodhet më pranë nesh.

 

Emri Dardan = Damast = Adam

 

Në sy të parë duket se këto emra nuk kanë asgjë të përbashkët. Por, në fakt kemi të bëjmë me tre fjalë të përbëra të gjuhës shqipe që fliten edhe sot, si në kohën kur janë krijuar. Damast : Dam (i ndam) + ast (është) = është ndarë;  Adam : A (është, ose meret si simbol i njëshit, i pari ) + dam (i ndarë)= është (i pari) ndarë. Pra nga ana gjuhësore Damast = Adam.

Edhe emri Dardan (rrënja dard ose dar) shpreh ndarjen.  Sipas Pr.Petro Zhejit DAR ( ku A është e gjatë dhe në formë arkaike ka qënë AA) në formën e lashtë do të kemi “dà ar” dhe më qënë se  Ar = Zoti dhe Da =ndarje dmth sakrifica (ndarja) e Zotit me të cilën ai krijoi Botën materiale(69). Për rrjedhojë emrat : Dard (an) = Damast = Adam, shprehin Mitin e Krijimit të botës materiale dhe të njëriut.

Historiani Skender Rizaj në studimin e tij (Shqipja, gjuhe hyjnore dhe universale) pohon se :”Arkeologët serbë, në lokalitetin Vinçi (Serbija e sotme), afër lumit Danub dmth në Dardaninë më të herëshme, kanë gjetur bustin e profetit Adam të gdhëndur në gur. Themelet e faltoreve ishin në dy forma « A » dhe « » (gëma e lashtë D) që simbolizonin : All-llahun (Zotin-shën. im), Adamin, Abecene (Librin e Shenjte) dhe disa tekste të gdhëndura në gurë me shkrimin pellazgjik. (70)

Për mendimin tim, dy gërmat e themelit të tempullit, janë simbolet e dy emrave që shprehnin të njejtin subjekt mitik Adam=Dardan, të cilët përfaqësuan në Tokën materiale, vetë Krijuesin.

Ky zbulim, të cilin historiani nga Kosova e ka parë me sytë e tij në objektin arkeologjik, nuk është bërë kurrë i njohur.

Emrin e Adamit, në formën « Adamat », siç e vëren Hasan Ceka, e gjejmë në monedhat e tipit Zeus-anije ilire, të prera në shk II pK, që të kujton emrin e mbretit të parë molos, që jetoi në fund të shk. VI dhe fillim të shk V pK. ; Admetin të cilin Pingari (Pythos,4,126) na e kumton në formën dorike Admat. (71) Sot tek shqipetarët  e gjejmë në formën Adem, dhe të greqizuar tek shqipetarët e Iperisë (Epirit) Adamantios.

Nuk do ta quaj rastësi, kur vërejmë se Miti i Krijimit në objektet arkeologjike është shprehur pikërisht me simbolin e shigjetës. Ky fakt dëshmon edhe një herë se shigjeta, ka qënë një ndër simbolet më të rëndësishme në besimin parahistorik të njëriut.   Dy shigjeta që tregojnë dy drejtime të kundërta të horizontit është një figurë shumë e përhapur në objektet arkeologjike. Nga ana grafike, largimi në drejtime të kundërta shpreh ndarjen dhe në shkencat moderne përdoret në këtë formë.

Siç e trajtuam më lart, njëriu primitiv e shikonte shigjetën si mjet të  veprimit të Zotit. Sipas studiuesit Petro Zheji, çdo figurë simbolikë lidhet me një mit kozmogonik dhe në rastin tonë, simboli i shigjetës më dy krahë tregon mitin e NDARJES  të kryer nga ZOTI, që solli krijimin e Botës materiale. (72)

Edhe Bibla dëshmon se Miti i Krijimit i përket miteve të stërlashta Dardane. Në kapitullin e parë të Gjenezës shkruhet : „Në fillim Zoti (Elohim) krijoi Qiellin dhe Tokën…“ (Gen. 1:1). Fjala “në fillim” shkruhet me gërma hebraishte, por shqiptohet si në gjuhën shqipe. Esoteristja e shk19 H.P.Blavatski  pohon se : „Nëfilim“ (ebr.) – do të thotë Gjigandët, Titanët, Të rënët Ëngjëjt –N.d.T.) (73) Sipas Tit Livit (Le Decades Qui Se Trouvent, 1617). Gjigandët vendosën tre male sipër njeri tjetrit, për të zbuluar Perënditë,(74) nga e ka origjinën edhe miti i njohur biblik, i ndërtimit të kullës së Babelit.  Në studimet e kryera mbi popullsinë shqipetare pohohet se pjesa veriore e saj emërtohen “Gegë”, që latinët e kanë dhënë në formën “gige” dhe në shqip i përgjigjet fjalës “gjigandë”. Dardanët dhe fiset e tjera veriore të së njejtës gjini, janë pasardhësit e banorëve të parë, të paraqitur në mite si Ciklopë, Gjigandë dhe Titanë.

Në këtë popullsi hynin edhe paraardhësit e pjesës jugore të shqipetarëve, sepse fjala Titan, në shqip shpreh përkatësinë e njejtë gjinore (tanët=njerëzit tanë).

Sipas Strabonit (shk 1 pas Kr) Epiriotët, Maqedonasit dhe Ilirët flasin një gjuhë, presin flokët me një mënyrë dhe dokët e zakonet i kanë një. (75) Në fotot poshtë Hermesi Tosk dhe malësorja nga Gegëria e Shqipërisë Veriore, kanë të njejtin model të flokëve, i cili kishte karakter simbolik besimtar (në rastin tonë shprehte spiralin).

 

Busti i Hermesit (Greqi) shk 5th p.K. (76)

 

Pra origjina mitike e Dardanëve, krahas fiseve arbërore të jugut, shkon deri tek Gjeneza e Biblës, kur u NDA Toka me Qiellin dhe kur Zoti sakrifikoi (NDAU) veten për të krijuar njëriun e parë. Emri i krahinës së Dardanisë dhe e shqipetarëve gegë e shpreh këtë mit.

Një burim i rëndësishëm për të zbuluar lashtësinë janë shkrimet e shënjta, ku emri i fiseve Dardane jepet në numrin njëjës në formën Dodanim, Dara, Rodanim, Do’danim, Dedan, etj. Tek emri i përdorur në Biblën hebraike Dodanim, “im” është mbaresa e shumësit tek Hebrejtë. Ndërsa përdorimi i emrit Rodanim për Dodanim , sipas Rudolf Kittel (1905, Biblica Hebraica) është një gabim i kopiuesve për faktin se shkronja D (ר) dhe R (ר) tek hebrejtë grafikisht janë të njejta. (77). Dhimitër Kamarda në studimin e tij “ Saggio di Grammatologia Comparata Sulla Lingua Albanese”(1864) e ka trajtuar i pari dukurinë e ndryshimit të vëndeve të gërmave apo zëvëndësimin e zanoreve në gjuhën shqipe. Për sa më sipër, duket se edhe emrat Doda, Dodan dhe mbiemri Dodani,  të përdorura në Kosovë, si dhe mbiemri Dara tek arbëreshët e Italisë, e kanë origjinën nga emri i fiseve Dardane.

Hahni gjithashtu pohon se “Emri Doda është shumë i përhapun, bile gjindet edhe në gjermanishten e vjetër saksone (Grimmi, f649) dhe lidhjen e këtij emri me fiset dardane na e dëshmon edhe Herodoti (VII,73) i cili shkruen se në ushtrinë e Kserksit, Dota, i biri i Megasidrut,ishte komandanti i paflagonëve dhe i matjanëve. (78) Janë të shumtë Fjalorët e Mesjetës, e deri të dy-tre shekujve të parafundit, që kanë shkruar mbi fiset Dodanim dhe na japin të dhëna mjaft të çmuara të bazuara në shkrimet e autorëve të lashtësisë.

 

Në Enciklopedinë ebraike shkruhet se, emri Dodanim përcakton Dardaninë që ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Moesisë. (79)

Në Fjalorin biblik të William Smithit (1813 –1893) shkruhet : Dodanim – racë udhëheqëse, pasardhës të Javanit, djalit të Japhetit. (Genesis 10:4; 1 Chronicles 1:7) dhe në histori njihen si Dardanë,banorë me origjinë nga Illyricum. Ata janë një racë gjysëm-Pellazgjike. Në (Chronicles 1:7) ata emërtohen Rodanim. (80)

Në komentin e Biblës të Testamentit të vjetër  (Bible Knowledge Comentary : Old Testament) shkruhet se Dodanim (fiset dardane-shën im) ka mundësi të kenë jetuar në Dodonë. Këto fise përmënden shpesh në shkrimet e profetëve me emrin Dedan (Ezekiel 27:15 ) (81)

Në përkthimin izraelit të Torah (Targum Pseudo-Jonathan) vëndin e tyre e quajnë Dordania, ndërsa në përkthimin e të krishterëve të Biblës (Targum Neofit) e lidhin me Dodonën e Epirit    ( Clarke’s Commentary on the Bible Gen 10:4) të tjerët me Dardanin e Ilirisë (Barnes’ Notes on the Bible Gen. 10:4)

Studiuesi gjerman i teologjise Franz Delitzsch (1813 – 1890) e lidh emrin Dodanim me figurën e Dardanit  të mitologjisë greke (pellazge) (Keil and Delitzsch Biblical Commentary on the Old Testament Gen 10:4 ) ndërsa teologu anglez Joseph Mede (1586 – 1639) me Jupiter Dodonaeus (Zeusin) i cili kishte një orakull në Dodonë.( Gill’s Exposition of the Entire Bible, Gen 10:4) (82)

Nga këto studime të teologëve të shkrimeve biblike, del qartas se Dardani dhe Dardanët, nuk ishin grek, por të origjinës pellazgo-ilire dhe lidhen me tempullin e Dodonës dhe Dardaninë arbërore. E papritura më e madhe, tek shkrimet e shënjta, ka qënë theksimi për fiset Dardane (Dodanim) : RACË  UDHËHEQËSE (Leaders) (Genesis 10:4, Chronicles1:7). (83)

 

Si përfundim :

Emri i mbretit dhe i fiseve arbërore të Dardanisë e ka origjinën nga SHIGJETA, që është nderuar si Perëndi në parahistori. Ngritja e kultit të saj lidhet sidomos me zbulimin e përpunimit të mineraleve që solli supremacinë e fiseve dardane, të shprehur në mite me figurën e Efestit (Vullkanit) dhe Herkulit. Studiuesi i emrave të Perëndive dhe lashtësisë pellazge, Aristidh Kola (Gjuha e Perëndive) pohon se, në fjalorin e njeriut parahistorik, në zanafill, emrat e kishin origjinën nga objektet kryesore të botës që i rrethonte, dhe shumë më vonë epitetet e tyre përcaktonjëse, idetë ”.(84) Pra nëse emërtimi Dardan, në fillim simbolizonte besimin e njeriut primitiv për shigjetën, më vonë ky emërtim përfaqësoi ndryshimin e botkuptimit besimtar dhe zhvillues të shoqërisë fisnore (siç do ta shikojmë në materialin vijues).

Dardani dhe vëllai i tij binjak Iasoni, në mite pasqyrojnë kalimin e besimit, nga një traditë « shamanësh »popullorë, në një profesion të organizuar të priftërinjve e priftëreshave kushtuar  Perëndisë së Tokës-Dhemitrës. Zoti NJË do të mbetej tek fiset dardane HËNA, e përfaqsuar në periudhat e mëvonshme me emërtimin  SELLENIZËM, besim që Dardanët dhe bashkësitë e tjera arbërore Iperiote dhe Maqedonase, e përhapën në të gjithë hapësirën e Euro-Afro-Azisë. Ky pushtim i fiseve arbërore, faktohet jo vetëm me simbolet e njejta besimtare që gjënden sot në këto hapësira gjeografike, por edhe në emërtimin e toponimeve,popullsive dhe gjuhën e tyre.

Në shkrimet e shënjta janë fosilizuar shumë fakte historike, një pjesë e të cilave, si rrjedhojë e kohës shumë të gjatë, ka sjellë haresën në kujtesën popullore. Kanë ndikuar në këtë drejtim  sidomos ripërshtatja e miteve zanafillore të paraardhësve, prej pasardhësve për nevojat e tyre administrative. Në disa raste bile, pohon A.Kola, fallcifikimi i teksteve të vjetra është aq i madh sa që duket me një të parë. (85) Megjithatë emri i origjinës DARDAN, i cili qëndron në thelb të vete Historisë së krijimit të shoqërisë njerëzore, nuk u fshi dot kurrë.

Këtë e vërteton fakti se, çuditërisht, kudo që tenton të zbulosh mitin më të hershëm apo ngjarjet më të rëndësishme të parahistorisë, do të zbulosh  emertimin Dardan (apo variantet e tij),për figurën e një Mbreti Dardan apo të fiseve gege të Dardanisë :

  • Në të tre Epopetë më të mëdha që njihen nga lashtësia, ajo e Luftës së Gjigandëve, Titanëve apo Luftën e Trojës e njohur nga librat e Homerit, ndeshemi  me fiset Dardane.
  • Në Përmbytjet e Mëdha, ajo e Ogyges, Deukalionit, Noesë, njihet edhe përmbytja e Dardanit.
  • Në të gjitha mitet ku flitet për krijuesit e racës së re njerëzore : nga Adami, Prometeu, Zeusi- Deukalion, Kadmi, Noe biblik, njihet edhe Dardani dhe fisi i tij, nga e kanë origjinën të gjithë popujt europian.
  • Në rast se do të hetojmë për kultin e Tokës (Dhemitra, Cibele, etj) dhe tempullin e ishullit të Samothrakës,  apo  tempullin e parë të Pellazgëve – Dodonën, përsëri do të ndeshemi me emrin Dardan. Shkruesit e lashtë pohojnë se Samothraka në fillim mbante emrin e tij dhe Altarin më i famshëm i ishullit, i kushtohej “Perëndive të vërteta” (Dardanit dhe Iasonit). Kurse studiuesit modern, e lidhin emrin e Dodonës nga Dodani /Dordoni, variante të njohura në shkrimet e vjetra për emrin Dardan.
  • Edhe kulti i binjakëve, aq i përhapur në mitet e Euro-Azisë, apo i emrave Kuritë, Kabir, Koribante, Dioskure, Daktile, Lari, Mani etj. që konsiderohen si Mbrojtes mistike apo Udheheqës të Njerezimit, kanë lidhje me figurën e Dardanit dhe vellait te tij Iasonit.

Përputhja e karakteristikave të Dodanim (fiseve dardane) në shkrimet e shënjta, me ato të Adamit dhe Prometeut në mite, dëshmon se bëhet fjalë për një vijëmsi të së njejtës histori arbërore, e ardhur nga fiset që formuan bashkësitë e para mbisunduese dhe që e kthyen besimin në një KOD LIGJOR i cili do të udhëhiqte çdo veprimtari, shpirtërore dhe administrative të shoqërisë njerëzore. Siç e përmëndëm në fillim të materialit, tek këto fise përfshihen edhe Iperiotët, siç e dëshmojnë emërtimet TITANË dhe IPEBOREAL në mite, që në gjuhën shqipe emërtojnë fiset e së njejtës gjini (Gegët dhe Toskët).

Në këtë kënd-vështrim, thellimi në historinë e Dardanisë dhe në përgjithësi të bashkësive më të mëdha të lashtësisë, pasardhës historik të të cilëve janë shqipetaro-arbërit e sotëm, do të kërkonte  ndihmesën e shumë fushave shkencore, por sidomos të shkëputjes nga përdorimi politik i shkencës Historike, metodë që shtrëmbëron dhe e fsheh VËRTETËN.

 

fatbardha_demi@yahoo.com

7.06.2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s