PËRMASA NJERËZORE E STUDIUESIT JORGO BULO / Nga Dr. Ermelinda KASHAH

 

PËRMASA  NJERËZORE E STUDIUESIT JORGO BULO

 

 

Ermelinda kashah

Nga Dr. Ermelinda  KASHAH

 

 

Hyrje.

Të nderuar koleg!

Të dashur profesor dhe familjarë të profesor Jorgos!

 

E ndjej për detyrim që sot të jem mes jush, ftesa që mua më është bërë, është një ftesë me shumë vlerë, për të kujtuar këtë personalitet të rëndësishëm të fushës së letrave, një ftesë e cila më nderon dhe më emocionon njëkohësisht. Të gjithë ne jemi mbledhur në këtë përkujtimore për studiuesin Jorgo Bulo që kontribuoi për shkencën albanologjike dhe përtej si një tregues mjaft domethënës, objekt i pashtershëm kënaqësie intelektuale dhe shpirtërore.

Pjesa e parë lidhet me kohën kur gjithçka të studiuesit Jorgo Bulo e ndiqja përmes leximit.

Pjesa e dytë kur rastësia më bashkoi nga afër në qytetin tim të Gjirokastrës.

Nuk është njësoj një studiues që bën epokë, me një që është në varësi të kohës, si të thuash ngrihen dhe ulen bashkë me të, duke marrë me vete nderet dhe kusuret.

Qëndrimi im për ato pak minuta më la mbresat e një intelektuali të fortë, përçues i problematikave sociale dhe psikologjike, si sintezë e thellë e teorisë bashkëkohore, ikona e qytetarisë shqiptare. Më mrekulloi me bisedat gjithë lëng jete e informacion episodesh të pashterura, ashtu siç të mrekullonte me atë masë prej rilindasi të gjallë. Mesaduket, vetëm rob nuk mund të bëhej shpirti i këtij studiuesi të lindur, që e kishte të çmuar instiktin e lirisë. Kuptova se fjala shqipe gjeti një mjeshtër të madh,ose një magjistar virtuoz. Filozofia Globalizuese e tij aplikoi në modele tekstesh shqetësimet intelektuale te cilat kishin peshën e fjalëve, saqë qartësia e fjalëve të tij më kujton fjalët e Shopenhauerit: “Nëse dikush ka ndonjëgjë për të thënë e thotë qartë”.

Gjirokastrën e kam vendin tim, kështu e filluam bashkë bisedën, ky qytet më jep oksigjen, më frymëzon dhembshurinë e anëve dhe çdo gjë e bukur që këtu endet,  mjedis që nxori krijues të mëdhenj. Kuptova se origjina e studiuesit ishte e fisme, me një temperament specifik, me kulturë të rangut evropian.Diskutuam për themelet e brishta të letërsisë kombëtare, ku meraku i tij ishte i madh që ato themele të ishin sa më solide. Diskutuam për postulatin e një akti letrar e kështu me radhë.

 

 

Të dashur miq!

Do të përpiqem  të vizatoj një portret  të studiuesit Jorgo Bulo, jo të  përqendruar te përmasa  e tij si shkencëtar, ndonëse  kjo përmasë ishte vërtet e ndjeshme. Nuk e di  në  do të isha në lartësinë e kësaj, pasi kritika e studimeve  letrare është tepër e vështirë. Nga ana tjetër s’do  të doja  të përsërisja  vlerësimet e kolegëve, por dua të  ndalem në diçka tjetër, në  diçka që është  më e vlefshme  sesa talenti të cilin ta falin  në fund të fundit  natyra ose Perëndia,  dhe merita  e profesorit  në këtë  rast do të qëndronte  vetëm në respektimin dhe jo  shpërdorimin e këtij  talenti.

 

 

Jorgo-Bulo-3

Jorgo Bulo

 

Thelbi i profesor Jorgo Bulos ishte  thelbi  i një njeriu të vërtetë që as  talenti prej  shkencëtari, historiani të letërsisë dhe kritikut, as titujt e lartë shkencorë të arritur, as qenia e tij për disa vjet drejtor i një institucioni të rëndësishëm  shkencor  si Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë,  nuk ia  cënuan  modestinë dhe ndjenjën e lartë  të drejtësisë. Këto  virtyte  që po bëhen  gjithnjë  e më të  rralla, madje  bëhen  edhe objekt talljeje  në kohën tonë mund të  shoqërojnë  njëra tjetrën  dhe të bashkëveprojnë, po  më  e rralla, më e vlefshmja  është mirësia që  buron nga një dashuri e sinqertë për njerëzit.

Dhe dashuria  zgjon  dashuri.

Jorgo  Buloja kishte  fituar  dashurinë e  shumë njerëzve  ngaqë  i donte  vetë  me çiltërsi  dhe jo  në mënyrë abstrakte apo sentimentale, po aktive, duke i ndihmuar.

Ndonëse si  shkrimtari që parapëlqente, Çajupi, Buloja  ishte  agnostike  apo ateist, dashuria e tij për njerëzit i afrohej  dashurisë kristiane, natyrisht, asaj të vërtetës që shkon  gjer në flijim.

Para se të bëhej studiues, Jorgo Bulo  ka qenë mësues, më vonë, krahas punës si studiues, ai ushtroi  punën e pedagogut. Kjo e lidhi me  brezin e ri,  me edukimin e  tij jo vetëm  në rrafshin e mendjes, po  edhe në atë të zemrës  dhe të  se ndërgjegjes. Duke  edukuar të tjerët  e edukoi edhe veten  me cilësinë e gjerësisë dhe  të tolerancës.

Studiuesi Bulo ka qenë  gjithmonë i gatshëm  për të  zbuluar  talente dhe për t’i  ndihmuar  ata të  shpërthejnë. Ai  nuk vuante  nga ndjenja e  zilisë, nga frika shumë e përhapur  në mjediset  shkencore se mos brezi  i ri  ia kalon të vjetrit, përkundrazi  ai ishte për ta  kaluar dorë  më dorë pishtarin e shkencës  për të  mirën e atdheut.

Kështu që  ish – nxënësit e tij ose studentët që e kanë  pasur  pedagog  si edhe kolegët e tij të rinj i janë  mirënjohës  ngaqë ai i ka  formuar qoftë si nxënës dhe studentë, qoftë si shkencëtarë të rinj.

Studiuesi Bulo jetoi në një  kohë kur në shkencë  pranohej  sundimi i një metode të vetme, metodës marksiste  dhe shmangeshin  gjithë të tjerat, gjë që e reduktonte mjaft  zhvillimin e shkencës, kur  mohoheshin shumë  shkrimtarë dhe përjashtoheshin nga harta e letërsisë  shqiptare. Megjithatë,  edhe në  kushte të tilla, ndonëse ky  studiues nuk mund t’i shmangej  krejtësisht ideologjizimit, që të  arrinte objektivitetin shkencor, u përpoq të  nxirrte më të mirën  nga metoda  sociologjike  marksiste, si historizmin.

Njëkohësisht  ai u mundua t’i mbronte edhe shkrimtarët  bashkëkohës të tij edhe kolegët  nga lufta ideologjike.

Ai i qëndroi pranë  shkrimtarëve të  talentuar si  Ismail Kadaresë, e në  ato çaste kur  guximi  krijues  e kishte  çuar  tepër  larg  dhe ai rrezikonte  goditjen nga  diktatura, duke  shkruar  parathënie të veprave të tij.

Edha pas  rënies së diktaturës,  studiuesi Bulo i qëndroi besnik  vetvetes duke  mos u  munduar  të mohonte  çdo gjë  nga koha e diktaturës, veçanërisht ato arritje që pati  nga puna  e shkencëtarëve të brezit  të tij që derdhën  një mund të gjatë  në fushat  që u ishin caktuar,  të mohonte  këto për të afirmuar  metodat e reja, duke arritur kështu  në kthimin e gjithçkaje në zero për të rifilluar gjithçka  nga e para, ves  ky, i shumë  shqiptarëve edhe nga radhët e shkencëtarëve.

Studiuesi Bulo e mbrojti  Kongresin e Drejtshkrimit ngaqë  ky kongres arriti ëndrrën e lashtë të rilindësve, unifikimin e gjuhës, pavarësisht nga sulmet që iu bënë  këtij Kongresi  duke  u nisur nga  pikësynime  krahinore dhe duke  shfrytëzuar  ndonjë  dobësi  të tij. Në këtë  rast  Jorgo Bulo u tregua konsekuent  me vetveten dhe patriot i mirë.

Është për t’u vënë re,  se nuk pranoi të merrte pjesë në një  konferencë që u zhvillua  më 1996  me emërtimin  “Letërsia si e tillë” për disa tendenca  të skajshme që u shfaqën  në këtë konferencë për të mohuar  krejtësisht  historinë dhe kritikën  letrare të  diktaturës.

Për  veten  e vet studiuesi mbajti një qëndrim të ekuilibruar, nuk i mohoi arritjet e deriatëhershme të shkencës, pa i fshehur as kufizimet dhe gabimet e rënda.

Në periudhën  e fundit të jetës  studiuesi  i dha intervistë  një  doktoranteje  duke dëshmuar për një  krim shkencor që  u krye  në kohën e diktaturës,  ndalimin e botimit të vëllimit të tretë të Historisë së Letërsisë, çka e pengoi në mënyrë të ndjeshme  shkencën letrare.

Studiuesi vazhdoi me zell  dhe guxim  veprimtarinë e vet  shkencore edhe në periudhën e pasdiktaturës  në një kohë  kur shumë  studiues, ose qëndruan në pozita të ngurta  konservatore, ose pushuan  veprimtarinë,  ose u përpoqën  të “rinovohen” duke  u hedhur në ekstremin tjetër.

Të gjitha këto  që thashë, dëshmojnë  për koherencën, integritetin shkencor dhe  ndershmërinë  e thellë të  Jorgo Bulos,pa lënë mënjanë virtytet,   xhentilesën  finesën  dhe humorin e  hollë.  Buzëqeshja  që e  karakterizonte  dëshmonte për dashurinë  e tij ndaj jetës, për  qëndrueshmërinë dhe optimizmin me të  cilin Buloja  u bëri  ballë  dallgëve të jetës. Në fakt, dallgët  në jetën e  tij nuk  munguan,  ndonëse në thelb karriera  shkencore  e tij qe e suksesshme. Edhe në  kohën  e diktaturës, ai  i  shpëtoi  dikur  për  një fije  denoncimit  për  shkarje ideologjike, po edhe më  vonë, në kohën e  pasdiktaturës  ai  iu  nënshtrua  shumë  sulmeve nga më të ndryshmet.

Të nderuar koleg!

Me lejoni te shpreh edhe një shqetësim timin:

Studiuesi meriton të zërë një vend të rëndësishëm në kritikën letrare, pasi veprat e tij kanë formatin e një historie dinjitoze për gamën e tezave objektive, asnjë kontribues i botimeve serioze si ekip shkencor nuk arriti të mbyllë me ritme të larta kohe, kryerjen e veprës që kishin marrë përsipër,lojë kjo e kohës së atëhershme.

I cilësuar si studiuesi i letërsisë, që në pak ngjyra përcolli objektivitetin dhe ngjyrimin emocional,me dijen që ofroi,  diti të krijojë urën lidhëse me studiuesit dhe krijuesit,kur dihet se ura lidh epoka kronologjikisht të ndryshme, por ciklisht të njëjta, me qëllim jo thjesht të shkuarën dhe të tashmen. Akademiku Jorgo Bulo i përkiste llojit të rilindasve që besoi te dashuria pa kushte.

Çdo libër i tij duket si kushtim yllësie për lexuesin, si kontribut për kulturën shqiptare, si fakt jetësor që kushtëzoi qëndrimet dhe zgjedhjet intelektuale dhe profesionale. Autor i një sërë studimesh në fushën e letërsisë, ndër gjuhëtarët që ka bërë shpjegimin  e disa termave të shkencës dhe teknikës për hartuesit e fjalorit të gjuhës shqipe.

Me verbin emocional, intelektuali dhe mendimitari i shquar vleresoi veprën dhe rëndësinë që plotëson mozaikun e çmuar në fushën e studimit të letërsisë shqipe dhe të mendimit kritik,magjistari i fjalës që i dha shpirt letërsisë.Përveç veprave me vlerë të madhe dhe peshë shkencore,ai na la dashurinë,kulturën e punës,mirësinë, na la shembullin e një njeriu largpamës.Veprimtaria shkencore dhe hulumtuese do të mbetet një kujtim i përhershëm për të..intelektual me kulturë dhe ndjenja të holla,i natyrshëm në stilin e tij  dinamik.

Librat e këtij studiuesi të madh vlerësuan dijen dhe dijetarët për hesap të orientimit, gërshetuan teza dhe hipoteza të reja duke na bërë të kuptojmë jo vetëm zotësinë e profesor Jorgos, por duke zbuluar vlera të reja tek lexuesit, tek ata për të cilët shkruan. Librat e prof. Jorgos përmbanin një mesazh se nëse një konceptim i letërsisë nuk prodhon libra, atëhere është e qartë se koncepti është i mangët, ai mbetet steril dhe formal.

 

“Jeta sipas profesor Jorgos është plot me  mistere dhe një nga misteret më të mëdha të jetës është vetë njeriu. Letërsia për studiuesin tonë është një nga mjetet më të fuqishme, ndërtuar nga fryma e njeriut për t’a shqyrtuar atë”.

 

Vdekja e tij i ngjau  jetës së tij,  ai vdiq në frontin e punës, në  frontin e tij të dashur të veprimtarisë shkencore.

Kur  rrëzohet një lis,  vetëm  atëherë matet saktësisht  hija që përhap, dhe ndarja nga jeta e “figurë  shkencëtarit”  që  mishëronte  vlerat e një brezi  të caktuar, dhimbja  qe e thellë  dhe për këtë  dëshmuan  tërë  njerëzit  që e  shoqëruan  në banesën e  fundit.

Mungesa e tij ndihet ende dhe mendoj se do të ndihet  për vite me radhë.

 

 

Përfundim:

Vlerësime dhe nderime të shumta për ju familjarë të dashur. Vlerësime për modelin e artistit më mjeshtëror të letërsisë që gjeti shtigjet e shprehive moderne.Vërtet se humbja e tij është një humbje e madhe, por ai gjendet në shpirtin e librave që la pas., do të gjendet në strukturimin e kohës e cila do ti përgjigjet udhëtimit të lexuesve nëpër lakoren e librit.

Më lejoni tju them. Kalimi nga jeta e zakonshme e autorit te jeta e artit, dhe vecanërisht te jeta e shkrimit për mua duket sikur mbetet një moment i pazbërthyeshëm.Vepra e tij do të pulsojë me të njëjtën ritëm sepse Jorgo Bulo do të jetë modeli që do na mungon.Shpreh bindjen time të plotë se, pjesëmarrja e të gjithëve prej nesh është një nder jo vetëm për ne, por edhe për shkencën shqiptare.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s