Mjeshtëria artistike e një poeti
Nga Dedë Preqi
Duke vështruar librin e 128 me poezi „Rrugës qante një stërqok“, nga autori Adem Zaplluzha, secili lexues mund të pyesë se nga janë tëra këto vepra, ndoshta përgjigje të kënaqshme mund të jep vetëm vetë autori Zaplluzha, pastaj dhe lexuesi i tij i rregullt. Poeti në vëllimet e veta poetike hidhet në gjitha fushat e jetës dhe vargjet e tij pothuaj se shkrihen nëpër poret e saj, duke na dhënë një shpirt poetik, apo kambanë që tingëllon përherë në fushën e letërsisë.
Vargu i Zaplluzhës përveç figurës në përbërje ka edhe metafora të fuqishme që lexuesi ka mundësi ta vërejë lehtë, ajo që atë e magjeps më së shumti, por edhe shpeshherë autori është real i drejtpërdrejtë me figuracione dhe me një fjalor të pasur, që vargut i jep intonacion të mjaftueshëm dhe të plotë. Poezia e Zaplluzhës është e thjeshtë, e kënaqshme dhe melodike, e cila lidhet me urtësi dhe mjeshtri artistike, që do të thotë se, poeti përveç se ka një talent të jashtëzakonshëm , ai di të investojë me kujdes dhe mjeshtri në këtë fushë krijuese.
Gjithsesi, duke folur për vargun e Zaplluzhës, është diçka inkurajuese për të zënë në gojë edhe diçka të veçantë në punën e tij krijuese, duke shtuar se para ca kohe më kishte thënë atëherë kur ishte në parathënien e librit me numër rendor 120, dhe më tha se ky vëllim ndoshta është i fundit, por për mos të hyrë në detaje i shkrova, nuk e besoj se e ke marrë një vendim të tillë, sepse memoria e juaj është e shëndoshë dhe vitale, që do të prodhojë edhe shumë mendime e vargje të bukura, sikur janë edhe këto në vëllimin e 128-të, me radhë „Rrugës qante një stërqok“.
Përndryshe, kjo vepër është një mozaik i veçantë vargjesh, të cilat mund ti quajmë peizazhe shumë të vlershme, që karakterizohen edhe me disa dijalogje të qarta dhe të gjalla, drejtuar më të dashurit e kombit dhe popullit të vet. Por, hasim edhe në ekzaltime të ndryshme, entuziaste, rinore dhe naive, njerëzore e banale, ashtu sikur që është edhe vetë jeta njerëzore e mbushur me këto karakteristika, apo me mozaik tingujsh të tillë.
Adem Zaplluzha
“Rrugës qante një stërqok“, ky libër përbëhet nga tri cikle, të cilat e krijojnë kompletin e një vepre të veçantë të autorit Zaplluzha, të shprehur me një frymë të lirë dhe me tematika të ndryshme. Nga cikli i parë vargjet ;
KUR VALON MALLI PËR NËNËN
Edhe trarët e çatisë së vjetër
Këndonin një këngë malli,
Një copë mishi tymosej në tra
Njeriu i moshuar,
S’prante me ison e tij të vajit
Valonte edhe malli për nënën time
Valonte shpirti i pathyeshëm i gjetheve“.
Nga njëherë malli është i veçantë, sikur që është edhe për poetin, i cili personazhin „Nënë“, e vë në pozitë në mënyrë dhe me një mall të veçantë, sa e shprehë edhe në vargje shumë të fuqishme.
Mandej, në poezinë tjetër të ciklit parë,
UNË KTHEHEM I VERBËR NË ATDHE.
Kthimi im nuk i përngjanë
Ardhjes së trenave,
Unë kthehem i verbër në atdhe
Sytë i lashë diku larg
Nëpër metropolet e shthurura të dynjasë“
Pse poeti Zaplluzha shprehet aq i prekur me këto vargje, të cilat janë shkëndija të forta në lëndën që trajton poeti, duke shprehë indinjatë të thellë për gjithë mërgimtarët e vendit të vet, që po tretën akoma në mërgim dhe kthehen jo të tillë, jo ata që shkuan, por edhe të gjymtë në një mënyrë.
Poezia:
E LASHË BORË E GJETA DIMËR
Ende këndohet kënga e rapsodit Dervish,
„E lashë borë e gjeta dimër“
Unë akoma nuk pashë pranverën
Kurse çdo ditë po më thyhet kjo zemër“
Kjo poezi përputhet me kohën e njëjtë, kur rapsodi Dervish Shaqa, para një gjysmë shekulli, kur iku nga përndjekjet e armikut serb dhe kaloi në shtetin shqiptarë në Shqipëri, i cili e këndon këtë këngë, duke e lënë Kosovën në një gjendje të mjerë dhe të acaruar , po ashtu e gjeti anën tjetër shqiptare edhe më keq nën diktaturë. Por se, poeti Zaplluzha të njëjtin personazh e këndon edhe sot me vargjet e veta, kur thotë:
„Unë akoma nuk e pashë pranverën,
Kurse çdo ditë po më thyhet kjo zemër“,
që kuptojmë se brenga e poetit akoma nuk është qetësuar dhe i thyhet zemra, kur edhe sot e kësaj dite populli shqiptarë nuk është i lirë në tërësi…
ME NGA NJË GJYSMË KËMISHE, është titulli i një poezie në ciklin e dytë:
„Këta njerëz nuk i ngjajnë më askujt
Si ngjajnë as vetvetes,
Depërtojnë me hapa të shpërfillur
Ecin pa e ditur cakun dhe qëllimin
Se ku duhet të ndalën“
Nga vargjet e poetit kuptojmë lëvizjet e njerëzve të vendit të vet, sikur nuk përputhën me vërtetësinë e botës së tyre, madje mund të jetë edhe çështje e diskutueshme e një populli dhe vendi, duke parë edhe pasojat që nuk kanë të ndalur.
RRUGËS QANTE NJË STËRQOK, është poezia që ia jep edhe titullin këtij libri, e cila poezi fillon ta zgjojë dhe ta fitojë ndjenjën e poetit, që të merr guximin për një titull të tillë.
„Rrugës qante një stërqok
Dëneste edhe furtuna në këtë duet
Si kashtë thekre thyheshin drurët në bokë
Acari i kafshonte trungjet e mbetura në siklet“.
Përmes kësaj poezie, poeti e nuancon kohën dhe gjendjen e saj, si çështje shoqërore, duke pasur një motivim të tillë, edhe vetë e përjeton natyrën e kësaj gjendje të pa përputhshme me jetën normale. Në këtë aspekt, poeti Zaplluzha, insiston që ashpërsinë e faktorit të jashtëm ta shkrijë në vetëdije të brendshme të fiksuar në këtë shirit kohe që nuk kursen sikur acari që i kafshon edhe trungjet pa dallim, siç thotë edhe poeti në këtë poezi të stërqokut.
Cikli i tretë fillon me poezinë:
MBASE NË MUA TROKITE DIMRI.
„Zura të dridhem
Do ethe të verdha ma mbuluan trupin,
Në oborr dëgjoheshin serenatat
Ishte një pranverë e hershme
Vetëm ashtu siç di të jetë pranvera
Mbase në mua trokite dimri“
Autori përmes këtyre vargjeve dhe të tjerave, shpreh brengat dhe aspektin e ndonjë vizioni që në mënyrë të qartë ndjenë edhe ngadhënjimin, pas atyre dimrave të egër, që kafshojnë pa mëshirë, duke ëndërruar të ardhmen më të mirë, apo pranverën e bukur.
Poeti Adem Zaplluzha, e tërheq lexuesin për të shëtitur nëpër librat e tij, aq më shumë një pjesë të shkakut e gjen, kur ky poet e nxitë kërshërinë e dhembjes të natyrës njerëzore si njeri, duke e prekë edhe të përgjithshmen me emocionin e një poeti të theksuar, pa harruar në asnjë moment natyrën dhe karakterin e popullit dhe vendit të vet, që shkrihet gjithmonë në altarin e lirisë. Këtë ndjenjë të atdhetarisë e gjen te shumë poet të mëdhenj, sikur që e ka edhe Zaplluzha në shumë vepra të tij. Ky libër me poezi është libri i 128-ti, me radhë, sipas të cilit autori i lë shteg lexuesit edhe për libra të tjerë, duke premtuar atyre një pasuri të madhe, njëherazi duke shtuar dhe kapitalin e letërsisë shqipe.