Triumfi shoqëror dhe mbijetesa e gruas si krijesë dhe i nënës si mesazh! (Trajtesë mbi romanin “Zonja me të kuqe”, Majlinda Nana Rama, SHB” Toena”, Tiranë, 2015) / Nga : Adem Xheladini

Triumfi shoqëror dhe mbijetesa e gruas si krijesë dhe i nënës si mesazh!

 

(Trajtesë mbi romanin “Zonja me të kuqe”, Majlinda Nana Rama, SHB” Toena”, Tiranë, 2015)

 

 

adem Xheladini

Nga : Adem Xheladini

 

 

Edhe njëherë, Majlinda Nana Rama po vjen triumfalisht me rrëfimin tjetërfare, një rrëfim i guximshëm, i mbledhur rreth strumbullarit të një realiteti të hidhur me të gjitha ngërthimet ngjyer me të hidhurat dhe ëmbëlsitë që sjell jeta si nocion. “Zonja me të kuqe”, e ndërtuar mbi personazhin e Jasminës, një personazh i ditëve tona, i gjithmonshëm dhe i gjithkahshëm po bart misionin e dëshirës për të jetuar në një botë përplot nënçmime, personifikuar përmes dëshirës së parasë, si nocion i mbijetesës, në një botë të përçudënuar nga nënçmimet e skajshme e deri tek shtresat ku, pandehet se po ngritet një shoqëri e moralit dhe shtresës përplot privilegj. Jasmina, si botë e vuajtjes mënjanë e turma e përqeshësve në anën tjetër po nisin rrëfimin e “Zonjës me të kuqe”, me gjithë kontrastet dhe ngjashmëritë e njëkohshme, duke sjellë lakuriq një botë tjetërfare, të cilën askush nga ne nuk i pëlqen, e në fakt, të gjithë ngapak jemi ngërthyer në lakun e saj. Jasmina, një vajzë e brishtë, e shkelur gjer në palcë, nga lagja, nga qyteti, i cili e përthekon me përditshmëri nënçmimi, është personifikimi i një bote tjetër, asaj tejperandorake, ku autorja e sjell, kaq guximshëm në letrat e shkruara, për të trokitur në gjithë një ndërgjegje të gjithë një shoqërie, të nëpërkëmbur gjer në palcë… Megjithatë klishetë e Jasminës, janë botë më vete, ajo nuk njeh gjë tjetër pos ritualit të saj të përditshëm për shtrirje dore, për hapje të copës së bukës shkujdesshëm, pos mosbesimit ndaj qenieve që e përthekojnë me përditshmërinë e tyre! Megjithatë, ajo pos që po ushtron me përpikmëri “zanatin e saj” (prej lypsareje), di përmendësh vargje të “Nënës” poezisë së Eseninit, po që s’ka se kujt t’ia thotë, se vlen sa një shqelm kalimtari, sa një qindarkë zemërmiri, sa një joshje pijaneci, sa një përqeshje e skajshme e botës që e rrethon. Megjithatë, një ditë gjithçka do të ndryshojë, kur asaj do t’i hyjë frika për palce, në çastin ku përpara këmbëve të saj do të ndalet një makinë, e nga aty do të del një njeri, të cilit sipas “zakonit” do t’i lutet për lëmoshë, e që ai do ta urdhërojë të futet në makinë, ndërkohë që ajo po merr ikjen e ai do ta ndjekë ikjen e saj gjersa të arrijë ta bindë sa të mos ndjehet e rrezikuar nga po ai. Personazhi që bën kthesën në jetën e Jasminës është pikërisht Iliazi, i cili pasi njëherë i dhuroi lekë sa pati në xhepa, do ta ndjekë atë përditë dhe në çast të një zënke, kur Jasmina kishte vendosur të mos heshtë kundruall nënçmuesve të përditshëm, do ta pësojë nga djemtë përreth, e sërish asaj do t’i del në ndihmë Iliazi, një kryeprokuror i kujdeshëm, i cili do ta shpie në spital për mjekim të këmbës së saj, nga ku autorja do të na pasqyrojë edhe gjendjen e shërbimeve të institucioneve. Autorja mëtej, do të sjellë në skenë dy botëra, atë botë të përvuajtjeve që gërshetohet tek figura e Jasminës, dhe botën tjetër të zemërgjerësisë, e që personifikohet përmes Iliazit. Tanimë, dy botë të ndryshme ngërthehen e përballen, me gjithë egërsinë e me gjithë brishtësinë përbrenda. Mirësia e Iliazit, do të shkojë në atë masë sa Jasmina do të mësojë emrin e tij, dhe pasi të kujtojë që ai paska emrin e gjyshit të saj, ajo ngadalëz po fillon që të besojë tek ai, të kthejë pahetueshëm besimin e humbur tek njerëzit, ku deri dje ishte nënçmuar prej tyre, dhe tashmë asaj iu ngjall shpresa se diku mund të mbështetej.

 

 

13444113_1244145002263827_1050318258_n

Majlinda Nana Rama

 

Kur jemi tek figura e Iliazit, një figurë tjetër jo e parëndësishme do të jetë krahas gjithë ecejakeve të tij nëpër rrëfim dhe që ndiqet e shoqërohet nga hija Perlatit, një koleg pune i tij, i cili do ta ndjekë atë në të mirë e në të keqe, pastaj Yllka e shoqja e Iliazit, dhe Vojsava, pastruesja e banesës së Perlatit. Periudha e risocializimit të Jasminës, do të kalojë me një sërë peripecishë e të ngjarash nga përditshmëria, e të cilat autorja i vë në spikamë me aq origjinalitet, sa çdokush që do të ketë në duar romanin dhe rrëfimin e “Zonjës me të kuqe”, do ta ndjejë veten pjesë e këtij romani, e pse jo edhe ta personifikojë veten me ndonjërin nga personazhet e tij. Me një fjalë, kaq mjeshtërisht janë ndarë rolet në rrëfimin e ngjarjes, sa autorja, do ta vë lexuesin të ndjehet gjithëskajshëm pjesë e tij, të shtegtojë sëbashku me personazhet gjer në fund, e të përjetojë të dridhura të tëmthave, nga e paimagjinueshmja, e pabesueshmja, e megjithatë e vërteta, pjesë e së cilës jemi përditë çdokush nga ne. Roli i gruas, i personifikuar përmes qenies-viktimë, padyshim se bart misionin e një qenieje të brishtë, të pafajshme, por në çaste edhe të pafalshme, duke e nënçmuar gjer në palcë, megjithatë është parësor. Qenia nënë, siç ngjante kohë më parë tek romani “Perandorët” do të shfaqet shpëtimtare e rrëfimit, e do të bëjë kthesën, ku përmes letërtestamentit të saj, do ta udhëzojë bijën e saj të gatitet e të kalitet për sakrificat në jetë “pa marrë parasyshë gjithçka, ti vazhdo… E dashura ime e vogël! Sa dua që të shoh tek i gëzohesh gjakut tënd, fëmijës që do të sjellësh në jetë! Pa më thuaj pak, a do ta kishe këtë fat, po të mos ishe grua? Mësoje vajzën tënde të ndihet vetvetja. Ajo do të jetë e veçantë, deri në e paarritshme, si mami i vet.  Mos e ndiq botën hap pas hapi, bëje atë të të ndjekë ty” […], porosit autorja përmes porosisë së nënës, nga ku, Jasmina, e nënçmuar palcërisht në qytetin ku e njihnin të gjithë,  do ta ndryshojë veten e në të kthyer nga fshati ku kish lindur, në “qytetin ku s’e njihnin”, do ta përjetojë kulmin e ngritjes së saj, ndërkohë që Iliazi, “i ndodhur mes dy dashurish”, i preokupuar me sëmundjen e Yllkës, i zhgënjyer nga humbja e dyfishtë do të jetë personazhi fatal, Yllka e vdekur dhe Jasmina e braktisur, edhe përkundër zemërgjerësisë së skajshme, i cili me të marrë vesh përmes televizionit për romanin e parë të shkrimtares Jasmina Talini, do t’i mbijë në buzë buzëqeshja, kundruall hidhësisë së skajshme për humbjen e dyfishtë, do të marrë rrugën për tek ajo, “drejt qytetit ku nuk e njihnin” për ta takuar atë, për ta takuar Ildën, trashigimtaren e dëshiruar të tij. Megjithatë, pas një çmalljeje çasti, fati s’e kishte dashur ashtu.

 

 

13435696_1244147148930279_920436890_n

Zonja me të kuqe

 

Duke shtegtuar “për ta takuar fundin e botës, sëbashku me Jasminën” do të ngjajë ndarja përjetësisht e dy botërave, si për inat të jetës, për të kënaqur tekat e shoqërisë, për të ruajtur “status quo-në” e një shoqërie të përçudënuar, e cila si për çudi, do të gjejë strehën tek dora e Perlatit, mikut më besnik të Iliazit, i cili u përkujdes që “ të vë gjërat në vend”, që “toka të çahet më dysh nga etja”, e i cili do të përkujdeset gjer në detajin e fundit që të mos ngjajë mrekullia, por që të ngjajë tragjedia, ndarja e përjetshme dhe të vazhdojë amullia, e shoqëria të përpëlitet edhe më tej në strumbullarin e shtirjes për të shfaqur në të vërtetshmen botën e formës njerëzore, e jo të thelbit të saj. Me një fjalë Majlinda Nana Rama, përmes “Zonjës me të kuqe”, dëshmoi edhe njëherë se njeh mjeshtërisht stilin prej rrëfimtareje, dhe ajo na sjell aq natyrshëm ngjarjet, sa s’ka mëdyshje se i gjithë rrëfimi ngjan të të përpijë përbrenda që në vargun e parë të rrugëtimit rrëfimtar, e gjer në të fundit germë të rrëfimit. Përmes rrëfimit të kësollojshëm, romancierja Majlinda Nana Rama, prek psikologjinë e lexuesit, prek ashtin e shoqërisë, dhe nga spekri psikolinguistik, nuk është e pandikueshme. Nga aspekti, i shtratit gjuhësor, autorja e “Zonjës me të kuqe”, gjithsesi se po sjell një fond të pasur gjuhësor, ku hasim shprehje të reja gjuhësore, me një pastërti të lartë të shqipes, po edhe të një numri të konsiderueshëm kompozitash e fjalëformimesh, duke respektuar me përpikmëri fjalërënditjen dhe që për fondin gjuhësor të shqipes janë pasuri.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s