KU E KA SHTËPINË DREJTËSIA?! / Tregim nga Hyqmet HASKO

 

KU E KA SHTËPINË DREJTËSIA?!

 

 

Hyqmet Hasko- 2

Tregim nga Hyqmet HASKO

 

 

Isha ulur në kafe “Luksi”, mbrapa Pallatit të Kulturës dhe po prisja një mikun tim gazetar, por ai befas më lajmëroi se i kishte dalë një punë dhe nuk mund të vinte, prandaj më tha takohemi nesër. Meqë u ula, thashë të pi një kafe e të çlodhem disi, pasi kishte qenë një ditë e ngarkuar për mua, me shumë lodhje dhe strese, për shkak të disa punëve që më qenë grumbulluar dhe kërkonin zgjidhje të shpejtë.

Lokali qe mbushur dëng, aq sa siç thuhet në raste të tilla, nuk kishe ku të hidhje kokrrën e mollës.

Në meditime e sipër, teksa prisja që kamarieri të më sillte kafenë me qumësht, makaito siç I thonë, tek tavola ime u afrua një plak rreth të tetëdhjetave, me një bastun në dorë, me një pamje fytyre të vrarë e tejlodhur. Mezi mbushej me frymë. Hodhi sytë tutje tëhu për të gjetur një vend të lirë, por nuk gjeti.

-Eja ulu këtu, -i thashë, -ulu në tavolinën time se nuk më prish ndonjë punë.

-Faleminderit, more bir, -foli plaku,-jam me nishan tani, nuk ma var njeri.

-Çdo të thotë kjo “jam me nishan”?-e pyeta duke qeshur.

-Kam marrë rrugën drejt asaj jallanes botë, ku vemi e nuk kthehemi më. Por, të them të drejtën, nuk dua të shkoj pa kollandrisur ca punëra, që po ma marrin shpirtin. Ofshau fort, aq sa nga krahërori i dobët dhe i rreshkur nga mosha dhe vuajtjet, u duk sikur u shkëput një copë dhimbje, në trajtën e një përçudnimi.

-Çfarë punërash?-e pyeta.-A bën ta di?

-Bën, mor bir, bën ta dishë që ç’ke me të! Por sa para bën kjo gjë! Ata që kanë në dorë edhe gurin edhe arrën, që kanë në dorë ti thonë të bardhës të bardhë e të zezës të zezë nuk e bëjnë. Nuk duan ta bëjnë. Sot nuk ka të drejtë e të gabuar, sot ka vetëm miq dhe para. Ke mik, je kaluar, ke para e çon ujët përpjetë, përndryshe vdis! Akoma nuk ke vdekur?!

Theksi i tij ishte jugor, ka gjasa të ishte lab, gjë që u vërtetua se ishte e saktë, sepse e pyeta dhe kështu doli.

Më tepër se i zemëruar, plaku ishte i lodhur deri në drobitje, madje deri në cfilitje dhe kjo dukej në çdo fjalë e gjest të tij, në kordat e zërit të mpirë që dukej sikur dilte nga një shpellë e vjetër, mbushur me merimanga dhe lëmyshqe të pafund.

Erdhi kamarieri dhe unë I thashë ti sillte plakut çfarë të donte.

-Paguaj unë,-iu drejtrova duke buzëqeshur. Ky miku im mjafton të bëjë porosinë. Plaku më falenderoi me përzemërësi dhe bëri porosinë…

-Duket që të kanë mërzitur shumë… Ç’punë kanë pasur me një plak fisnik si ti?!-e pieta duke evështruar në sy.

Plakut i ra një hije e mirë, një nur fisnikërie ia zbukuroi rrudhat e ballit, por befas hijet e vranta e të mjegullta ia rrethuan përsëri, si me një kurorë me gjëmba…

-Më kanë mërzitur more bir, e ç’të mërzitur pale! Të të nxjerr koka tym! Me më prerë pikë gjaku nuk më del! Më kanë cfiltur në atë farë mënyre,sa most ë më duket vetja njeri por kafshë!

Nxorri nga xhepi i xhaketës llullën, e mbushi me duhan sheldije, i vuri eshkën, e cila kërciti duke lëshuar xixa gjithëandej dhe nisi të tymoste me afsh…

Epike me të dredhur zotrote .

Po mor bir e bej vet duhanin atje ne fshatë nga një dhe e blejë.

-Që thua ti more bir, tani sapo u ktheva nga zyra e shefit të komisariatit që mbulon zonën time. Bëra një thes me fjalë me të, por siç hyra dola, pa mbatruar punë. Historia ime ka nisur para katër vjetësh. Unë kam ardhur këtu në kryeqytet nga Lumi i Vlorës këtu e njëzet vjet të shkuara. Me halle e mundime të mëdha.

Siç thashë, para katër vjetësh, bleva një tokë me një mijë e njëqind mundime, që të mund të bënin më vonë ndonjë shtëpi dy djemtë që i kam jashtë, në Londër.kanë punuar të shkretët, iu ka rënë bretku jashtë, në dhe të huaj, për të blerë ato tre dynim tokë. Që thua ti ia blemë një pronari të ligjshëm, autokton, tiranas den babaden e histërhini, me para të thata në dorë, por kur shkuam për ta hipotekuar, doli që kjo pronë ishte shitur nga një i vetëshpallur pronar, me letra false. Si mund të shitësh xhanëm njç pronë që nuk ta ka lënë as baba as gjyshi, një pronë që nuk e di se nga bie?! Nejse në këtë vend nuk është hera e parë që ka ndodhur. Por mjerë kujt i bie në hise!

Shkova tek pronari real, por i shkreti nuk kishte faj, nuk i kishte rënë kurrë ndërmend që dikush që as e njihte as e dinte mund të shiste pronën e tij. Bashkë me pronarin shkuam dhe bëmë padi në prokurori. Prokuroria tha se duhet të bëhet gjyq një herë, çfarë të vendosje gjykata. Po si mund të bëhet gjyq për një pronë të rregjistruar në emër të pronarit para 100 e ca vjetësh, e tjetërsuar nga një vagabond rrugash?!

Nejse u bë gjyqi dhe ndodhi e pamundura, fitoi edëpsëzi që e kishte shitur pronën e tjetrit me letra bakalli! Me sajime, mashtrime e lloj lloj spekulimesh! Dha para të madhe. Nuk thonë kot, paraja e bardhë për ditë të zezë! Pronari i vjetër dhe unë pronari i ri mbetëm me gisht në gojë!

Çfarë t’u thosha djemve në Angli? Që u tregova sylesh dhe ma hodhi një zabërhane?! Bëra ç’bëra e hodha në çështjen në Apel së bashku me pronarin e parë, ku qëlloi një gjyqtar pak më ndryshe dhe me shumë peripeci e morëm pronën tonë. Pronari legjitimoi pronën e tij, unë pronën e blerë nga pronari legjitim. Por kur shkova për të rrethuar pronën me gardh, hasa në rezistencën e atij që e kishte blerë tokën nga mashtruesi.

-Nuk më duhet vendimi i gjykatës suaj, klithte ai, -unë kam paguar paratë!…

Qëlloi aty dhe im bir që kishte ardhur nga Londra për disa dita pushime dhe e mbërtheu në fyt.

-Lëshoje!-i thashë, -nuk ka faj ky, por ai që ka mbështjellë gjithë këtë lëmsh të ngatërruar që nuk i japim dum as me vendim gjykate.

Ikëm në shtëpi bashkë me djalin, me idenë që ta shtynim për të nesërmen rrethimin e tokës sonë, por në mesnatë na erdhi një skudër policësh në shtëpi dhe na mori në komisariat mua dhe tim bir. Na kishte denoncuar pronari që kishte blerë një pronë të paligjshme, për ushtrim dhune në “pronën e tij”. E ç’lesh prone kishte ky birbo? Nga ana tjetër, çfarë dhune kishim ushtruar ne, veçse kishim shkuar tek prona jonë e blerë me pare të thata dhe e riligjëruar më në fund, pas një procesi të rregullt gjyqsor?

Ua thamë këtë oficerëve të policisë, shefit të komisariatit, por nuk hanin pykë. Nuk mbanin nga ajo anë. Na mbajtën 24 orë në polici dhe vajtën në gjykatën e shkallës së parë, që kishte dhënë atë kthim absurd prone tek një zabërhane mashtrues e kriminel, e na komunikuan urdhërin e detyrim paraqitjes mua dhe djalit, sa herë që t’i tekej gjykatës. Në këto rrethana nuk mund të bënim asnjë veprim me pronën tonë, e cila kishte mbetur në mes të katër rugëve.

Kanë kaluar pesë muaj dhe ky detyrim paraqitje në gjykata vazhdon të na mbajë peng mua dhe djalin, që nuk kemi bërë asnjë të keqe, përkundrazi, na kanë bërë keq, na kanë mashtruar e tentuar të na grabisin tokën e blerë me para djerse e gjaku, nga pronari real. Djali ka mbetur pa ikur në Londër, ku i është djegur një kontratë pune, me të cilën siguronte bukën e tij dhe të familjes, por na lëshonte ndonjë paund, herë pas here, kur kishte mundësi, dhe neve varfanjakëve këtu…

Tani sapo u ktheva nga komisariati dhe dikush më tha se duhet lyer qerrja që të mos vazhdojë kjo sorollatje, duhet lyer qerrja në komisariat që të mos kemi më detyrim paraqitje në gfjykatë e hetime të kota, që po zgjasin pambarimisht.

-A jeni ankuar?-e pyeta.

-Ku të ankohemi?

-Në shkallë të tjera të drejtësisë, në shtëpinë e drejtësisë…

-Pse, more bir, a paska shtëpi drejtësia? Në e dini ku e ka ma thoni, se do ti zë derën dhe nuk i dalë nga shtëpia, pa më dhënë të drejtën që më takon, pa më dëmshpërblyer për këto ecejake të pafunda që nuk kanë të sosur dhe që më kanë humbur çdo besim tek e drejta qytetare e nejrëzore. Vetëm e drejta e Zotit ishallah nuk na harron, na mbron e na ujidis!

Plaku mbushi rishtas llullën me duhan të fortë, e ndezi me eshkën e tij dhe e thithi fort tymin e kaltër, sikur thithte mendimet e habruara që nuk e linin të qetë…

 

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s