Poezi nga Delo Isufi
KY SHEKULL . . .
Ky shekull, i çmendur, i marrë,
Miliona e miliona të pa punë,
Ky shekull, sa ka mbytur e vrarë!?
Shekulli me refugjatë më shumë.
Ky shekull kolerë, ebolë e sidë,
Shekull i mbrapshtë dhe ters,
Shekull që prodhon njeriun ibrid,
Shekull incest, shekull pervers.
Ky shekull dreqi, skëterrë, i zi,
Luftë për territore, për pushtet,
Luftë për naftë, për hegjemoni,
Luftë në tokë, në qiell e në det.
Dhe popujt vuajnë, o Zot sa turp!
Ikin nga lufta,kërkojnë shpëtim,
Emigrojnë, për një kafshatë bukë,
Por të shumtit, deti i përpinë.
EMIGRIMI
Vinte deti dallgë-dallgë,
Atë mbrëmje në bregdet,
Një anije tej e mbytur,
Kufomat nxirrte në breg.
Hëna lart dritë lëshonte,
Mbi kufomat dritëhëne,
Deti shfrynte e gulçonte,
Rënkonte si zemër nëne.
I vendosën pranë e pranë,
Një kodrinë plot me varre,
Nënat labe aty qajnë,
Bijtë e tyre qajnë me vaje.
Vjen deti dallgë-dallgë,
Nëpër valë ikën mjerimi,
Zemra e nënave është plagë,
Varr i hapur emigrimi.
SHITSJA E BAJAMEVE
Një vajzë e vogël, leshverdhë,
Me sy të bukur, ngjyrë gjeshtre,
Tek pimë kafe, sa herë vjen,
Bajame shet në kaush letre.
Ndoshta ajo, s’i ka pesë vjet,
Dhe shëtit në çdo tavolinë,
Faleminderit thotë, ikën qetë,
Dhe zëri i saj veç cicërinë.
E pastër është, si vet mosha,
Ajo nuk besdis anjë njeri,
E varfër është, jetime ndoshta,
Por e qeshur si çdo fëmijë.
Në tavolinën pranë nesh,
Katër burra, wiski pinin,
Vajza e vogël, pa përtesë,
Bajame ofroi që të blinin.
Njeri syresh,nga xhepi nxorri,
I’a la në dorë, dhjetë dollar ,
Tjetri me shkelm e përcolli,
Dhe vogëlushia ra mbi bar,
U çua vajza dhe me nxitim,
Qesen plotë me bajame,
U la burrave mbi tavoline,
U tha : Unë s’jam lypsare.