Origjina e emocioneve / Tregim nga Petrit Sulaj

 

petrit sulaj

Tregim nga Petrit Sulaj

 

 

Origjina e emocioneve

 

Duket e pabesueshëme, por deri në mesin e shekullit të njëzetë, antropologët ishin të bindur se emocionet nuk mund të jenë gjë tjetër veçse qëndrime të fituara, sjellje të trasmetuara nga kulturat paraardhëse. Pra deri në këtë periudhë për emocionet dominonte teoria analogjike që përkon me gjuhën e njerzve, domethënë, gjuha në themel është një herë e mirë e dhënë, unike e me kalimin e kohës, vetëm sa mund të përpunohet e modernizohet më tej. Kjo ishte dhe në bazë të teorisë kulturale të emocioneve, teori e cila në themel të saj kishte parimin se njerzit paisen me emocione pak a shumë siç bëjnë kur nisin e mësojnë gjuhën e të parëve, duke e dëgjuar atë nga prindërit, po kështu njësoj, fitohen dhe emocionet, duke parë të tjerët tek përjetojnë gëzim apo frikë dhe pastaj duke i provuar në lëkurën e tyre.

Sipas kësaj teorie, del që njerëzit me kultura të ndryshme, duhet të provojnë emocione të ndryshme. Një argument i fortë për antropologët e “ Teorisë kulturale të emocioneve ” ishte sensacioni apo emocioni i veçantë që provojnë japonezët, që në gjuhën e tyre shprehet me fjalen “ amae ”. Kjo fjalë është e papërkthyeshme me një fjalë të vetme, në gjuhët e tjera të botës. Pra, me sa duket japonezët kanë një fjalë të tillë, sepse gjendja emocionale që ajo përkufizon e përshkruan, është në harmoni të plotë me vlerat themelore të kulturës japoneze e kulturës budiste në përgjithësi. Kjo fjalë e gjuhës japoneze, fjala unike “ amae “, shpreh një emocion të veçantë gëzimi, një ndjenjë të tillë që mund të provohet rrallë nga njerëzit e kulturave të tjera, sidomos në perëndim, ku në themel të kulturës europiane e amerikane qëndrojnë e vlersohen sjellje të tilla si: pavarësia e krenaria e jo si në Japoni, ku dominon vlera e të integruarit në shoqëri, miqësia me të tjerët, e pranimi i vehtes tënde me kënaqësi të plotë, si pjesë e grupit.

Më tej: fjala “ amae “ don një duzinë fjalësh të shprehet në gjuhët e tjera të popujve të botës, e pak a shume në shqip mund të përkthehet kështu: „ një sensacion kur njeriu provon se është pranuar të jetë pjesë përbërëse e një grupi që ai ka synuar, e që vendos ti qëndrojë besnik një jetë të tërë këtij grupi dhe këtë gjë ai e ka bërë realitet, pra ndjehet i pranuar nga të tjerët „. Pra „ amae „ është një emocion i veçantë gëzimi, që njeriu rrallë mund ta provojë në jetën e tij, në kulturat e tjera të popujve të botës. Pra, nuk mund të provosh “ amae “, nëqoftëse nuk je rritur e formuar në një kulturë ku kjo fjalë dhe gjithëçka që lidhet me të emocionalisht, nuk njihet e diskutohet për të.

Ishte Paul Ekman, një antropolog i ri kurajoz amerikan, që nga fundi i viteve 1960 e hodhi poshtë teorinë “ kulturale të emocioneve ” me një veprim të thjeshtë, por të mahnitshëm që ai bëri. Ekman u stacionua pranë njërit nga fiset më të pakultivuar e më të pandikuar nga civilizimi i pjesës tjetër të botës, në një vend të izoluar te Guinese Afrikane. Anëtarët e këtij fisi tribu, nuk kishin asnjë lidhje kulturale a lidhje tjetër me botën, e për pasojë nuk kishin patur asnjë mundësi për të “ mësuar ” emocionet nga perëndimi apo pjesa tjetër e hemisferës së rruzullit.

Izolimi i tyre ishte i tillë, sa që ky komunitet madje, as edhe imagjinonte se veç tyre eksistonte dhe një botë e tillë, si e njohim ne. Paul Ekman, me një zgjuarsi të rrallë e shfrytëzoi këtë rast unik për të përmbysur teorinë mbisunduese të emocioneve. Ai u vendos në këtë vend të izoluar të Afrikës dhe qëndroi aty për një kohë relativisht të gjatë. Jetonte mes tyre, i vëzhgonte, i provokonte për ti bërë të emocionoheshin dhe gjithëçka që rezultonte nga kontakti i gjatë me to, e filmonte dhe e fotografonte me një korrektesë të posaçme.

Ekman, pastaj rezultatet e vëzhgimeve të tij i paraqiti në Shoqatën Antropologjike Amerikane, por nuk e pati të lehtë të thyente akullin. Teoria kulturale e emocioneve kishte hedhur rrënjë prej shekujsh dhe zakonisht gjithë kritikat e bëra ndaj saj priteshin me mosbesim e tallje. Por këtë radhë teorisë në fjalë, i kishte ardhur fundi i vërtetë.

Kështu, Paul Ekman u bë me të drejtë themeluesi i teorisë sipas të cilës emocionet, të paktën emocionet bazë, emocionet themelore të njeriut nuk fitohen në jetë, ato janë të lindura dhe universale për gjithë popujt e botës.

Ai dhe pastaj të tjerë pas tij, argumentuan se emocionet themelore te njeriu janë të shkruara në trurin e tij, që në lindje, pra ata nuk mësohen. Dhe fëmijët që lindin të verbër, pa patur mundësi të shohin, pa u mësuar nga askush, kur shprehin emocione, pamja e mimika e fytyrës së tyre merr pamje njësoj si gjithë njerëzit me shikim normal. Sot është e qartë për të gjithë, që njerëzimi, në çdo vend, në çdo etapë historike e evolutive, repertorin emotiv e ka patur të njejtë e të përbashkët. Kulturat e ndryshme në popuj të ndryshëm, sigurisht kanë ndikuar dhe e kanë përpunuar këtë repertor duke i etiketuar, favorizuar e bërë çfare u ka interesuar në kohë e situata të veçanta me emocionet, por në fund të fundit, pak ose aspak kanë bërë në këtë drejtim me to.

Paul Ekman, e pastaj dhe të tjerë demostruan në mënyrë bindëse natyrën biologjike te emocioneve bazë njerzore. Universaliteti emocional njerëzor është i shkruar në kodin gjenetik të racës tonë, është produkt i evolucionit që njerzimi ka kaluar. Ndërsa përsa i takon faktit që teoria kulturale e emocioneve ka patur një konsens të gjërë nga shumica e antropologëve, kjo gjë lidhet ndoshta me faktin që njerëzit, në përgjithësi, tentojnë të kapin e sidomos të ekzagjerojnë diferencat dhe pse të parëndësishme, që eksitojnë në mes popujve të ndryshëm, që popullojnë globin.

Sidoqoftë, tashmë në kohën tonë, askush nuk ka dyshime se emocionet themelore njerzore janë pjesë përbërëse e sistemit tonë nervor, ato janë radhitur në genet tona, ndërsa kulturat nacionale të popujve të ndryshëm nuk bëjne gjë tjetër veçse vonojnë, lënë në vend apo stimulojnë procesin e njohjes të sistemeve komplekse emocionale.

 

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s