Poezi nga Senad Guraziu

13510843_789919304477742_5366447641316186290_n

Poezi nga Senad Guraziu

 

 

PËRTEJ PRAGUT TË DHIMBJES

(gjithkush ka kohën e vet të gurtë a të akullt)

 

Unë ha me një lugë të gurtë

dhe pushoj në një shtrat të gurtë

pse jo, qysh tani madje

dhe arkivolin e dua të gurtë

si “princeps senatus”

nuk kushton më shumë se jeta

por kjo nuk më thotë asgjë

edhe – njeriu më i fortë se guri

edhe – guri më i fortë se njeriu

më lënë të ftohtë.

 

Zemër anemike, spazmosur

mos më tradhto dhe ti

së paku jo ti tani, nuk është koha

më mbaj në këtë gëzhojë të gurtë

tempull – “pontifex maximus”

ngrohur me buzëqeshjen

ma fal ngapak kuptim e mirësi

tinëz botës së çoroditur

të mbijetoj i fortë, denjësisht

siç ia bëjnë gurët.

 

Hm… sa bukur tingëlluaka,

paleolitika e qenies,

neolitika e hershme e zemrës,

“epoka e gurit” të gurëve,

herëdokur, nëse koha ime të jetë

të ik përtej pragut të dhimbjes

i gjithi prej guri, mbyllur në gur

si një gur që buzëqeshë.

 

 

 

KURORË GJEMBASH

 

Padyshim duhet të jetë çmenduri

ta ndjekësh vetë hijen, mbyllur në xhama

të provosh ta puthësh Mona Lizën,

t’i quash sytë e saj burim rrezesh, spektroskopi

infra-e kuqe, shufra blinduese prej drite,

masë sigurie për “trezorin” hyjnor artistik,

roje për buzëqeshjen enigmatike,

prandaj gjykimin ta peshosh

në mustakun e Duchamp, dhe ngutshëm

ta sjellësh konkludimin: s’ka kush,

s’ka hajn të botës që mund ta vjedh

zemrën e saj… në Louvre.

 

Pa brus ndjenjash, ta kaptosh estetiken

e secilit trëndafil, të secilës petale,

çdo mimozë regjionale, secilën lule

të botës si herbalist romantik pa e këputur

ta kornizosh, me puthje ta varësh

në breg të Venerës, pa shtytës, pa fibra

emocionale, pa dridhje, pa timbra…

ta quash “xigëlushe”, epiqendër të ndjenjës,

rënkimet t’i përthithësh – artistikisht

ta zbukurosh, t’i falesh orgazma

vetë idesë së ekstazes, të “bukuren”

e korbave në sy mjellmash ta bësh

aq tërheqëse, si sekreti i buzëve të ML,

natyrale si pafajsia, si virgjëria – e vetë

të klithësh, të rënkosh, të përjetosh

shkrirje në të kuqen deri në përgjakje,

si luleshtrydhet ballit të kullosh,

gjemba germatikë, kurorë e marrëzisë,

padyshim profet… vetëflijim, pseudo-kritik

arti në vertikalen e “fajit” të Kalvarit.

 

Kurorë gjembash, 2012

 

 

 

ORIGAMI PËR TROJEN

 

S’jemi zogj të përhumbur

në Jatinga, dhe as te vdekur,

ti s’je një Xhulieta as unë Romeo,

por ndoshta ka një peng, ngujuar

aty në kafazin e zemrës –

ky “love-safari” padyshim do ngelet

vetëm imagjinatë, ëndërr, iluzion,

sepse as kjo klithmë s’është

shkëlqim i frymëzimit shekspirian

për lotët e kthjellët të Xhulietës,

më parë mund t’jetë diç si figurinë,

origami japonez, një Kalë i Trojës

prej letre – imagjino pra tani, pa

zemër në errësirë një Akil i verbër,

dhimbja, vuajtja e tij, mosdurimi

që vret… mund të jenë “dëshmi”

për gjyqin e pasluftës, fare lehtë!

 

***

Në kafazin e zemrës së Poliksenës

ai e ndien si rrahë një zemër,

strukur brenda tjetrës, por Akili e di:

zemrat s’durojnë infiltrantë

të josojit, mbase një lloj lufte është

brenda nesh, mospajtim me kriteret

e së jashtmes, rezistencë kundër

vetëgjykimit për disfatat e brendshme,

vetëfalje për çdo gjë të pafalshme –

mirëpo çfarë mori me vete thembra

e tij, kush mund t’i deshifrojë grahmat

e fundit në një agoni, vallë cilën gjë

unë dhe ti akoma nuk e dimë!

 

 

 

SI ALPINIST FYTYRËS TËNDE NGJITEM

 

Borhesi insistonte si i verbër,

këmbëngulte: gishti i vogël ka diç femërore,

diç magjike, elektrike…

ndërsa unë, e dashura lunatike, s’di a ta kam thënë

në njëqind fjalët tona ekzotike

do grindesha me të inatisht, ditë për ditë

do ta ftoja në duel; shpatën do huazoja nga Sirano

nga Tom & Jerry (musketarët)

do huazoja kapelën dhe çizmet

dhe po, pikërisht këtë natë

dhimbjen do ta hedh në Rajnë, pa dhimbje

lehtas të fundoset në lumin njëqind hapa larg

shtëpizë-gëzhoja e zbrazët dhomë

ISS në errësirë – “space station”

në gjendje të papeshë

as tre hapa larg, përtej derës engjëjt

ëndërrojnë si dhe yjet

përtej qelqit i shoh të prushtë,

ndiej frymëmarrjen e ngrohtë, si bebëzat tua,

si qiellin lart, lëri hijet e buzëve… të flenë

buzëqeshjen ngjalle në mëngjes, mos u trazo,

mos tremb qerpik

ti e di që Sirano ishte shumë fisnik:

arbitër do bëhej për duelin tim

s’do ngurronte as pipin në buzë ta shurdhonte

për një triumfim… viva-victoria s’është e vogël,

fitorja në një duel duhet të jetë e madhe

por s’jam aq i denjë të tentoj triumfalisht

bllokimin e qortimit tënd për dobësinë…

për fshehjen pas “kullave të rërës”

dhe në ikje – i ikur për kah ikja

ikanak i gjorë tenton të të puthë majë hunde

si alpinist i lodhur

pandeh në rrëzim aksidentalisht, lidhur

me litarët e padukshëm

të mos thyejë qafën në thyerje – thyerje

dhe për hundën, fatale

rënie në pakthim, pandreqshëm – thyerje

që s’ngjitet, nuk kapet me ngjitës universal

dhe atje fytyra jote si skulpturë gjigante

gdhendur, skalitur,

faqelëmuar para meje si Mount Rushmore

e prapë ti mund t’mos besosh, prapë

mund t’mos e kuptosh një ikje,

një frikë, një tjetërsim

njëjt’ si çdokush tjetër, njësoj

Borhesi shtirej gjithnjë i verbër për Mona Lizën

për hundën e saj tekanjoze – pafajsisht

kryeneç, kokëfortë… prore dyshues,

nuk bindej dot se e vërtetë është,

s’është spekulim, majëhunda fsheh diç femërore

sa njëqind gishtërinj “pink” të Mona Lizës,

picirrushë, e ti ëndërro lehtë si kjo frymë

ndër buzët, nuk e sheh si lexoj lëkurës tënde,

si lexues-gjilpërë optike pingul mbi cd-room

të gjitha poret e ëndrrave

madje dhe ato nën qepalla strukur

si bletët në gjumë, i shoh qartë

përroskat, ravijëzimet e molekulave

nganjëherë frikë kam

skajbuza me delikatësinë e saj

do qajë njësoj për ty, për mua, për ne

si gishti i vogël që s’mund ta shoh më dhimbjen

fundosur në Rajnë

prandaj ikja dhe ikja nga droja, si alpinist

se një copë hunde bie, këputet

si ajo e Sfingës në Giza nga dashuria,

nga kalamallëqet… e zemërfloririt Obeliks.

 

 “Si alpinist fytyrës tënde ngjitem”, 2006

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s