Poezi nga Lumo Kolleshi
POETËT
Kur s’ ke ç’ të bësh më me natën,
Ec, pra, fli,
Ma ler mua mbi shpinë ta marr,
Të ndez një flakëz në qiri
E nëpër qiej të hap një ugar,
Me farë të zgjedhur yjesh
Ta mbjell gjithë Kashtën e Kumtrit.
Poetët s’ i kupton dot pa natën,
Në errësire bëjne dritë për të lumturit.
EH!
E pashë dhe s’ më gabuan sytë:
Borxhliu im kish shkuar për pushime.
Kapardisur dukej nga fotografitë,
Si një kaposh në thekër, veç pak ndryshime.
Dhe unë në këmbë alpesh i drobitur
Dhe zemra si lumenjtë merr arrati,
Vrapoj, shkallët e metrosë duke zbritur,
Në pune duhet të ndodhem përsëri.
Prapë m’ i kripin sytë ato valë,
Që kokën thyejnë në breg e bëhen shkumë.
Eh, borxhliu im, ma le fjalën pa fjalë,
Ëndrrat pabesisht m’ i vret në gjumë.
***
Binin rënde çekanët e kovaçëve mbi farkë,
Hekuri i skuqur mbushte hapësirat bosh vetëm me “i”.
Ngaqë donin të na shikonin të dyve bashkë,
Të ndarë prej botës mbetëm përsëri.