Poezi nga Syrja Kurti

Syrja kurti 1

Poezi nga Syrja Kurti

 

 

Portreti yt grua

 

Portreti yt

nuk është se ka ndonjë gjë të veçantë, të veçantë,

është portret i një gruaje të bukur

që di përherë të jetë e bukur,

që mbetet pazgjidhshmërisht gjithnjë femër,

në të gjithë kohërat

në të gjithë qytetërimet,

qofshin të përparuar ose të prapambetur

që di të sillet,

ashtu siç di të sillet një grua

ku ka gjithnjë një vend bosh për një dashuri tjetër,

e gatshme për tia falur atë botës,

por dhe për ta marrë deri në kufirin e pafundësisë.

Ti nuk jepesh,

nuk hepohesh,

nuk ndalesh,

askush nuk mban dot më shumë se ty dhe kur gjërat bëhen të mëdha e të rënda

e sado e ngarkuar të jetë anija e ditës tënde

mbërrin me patjetër në portin e pragmuzgut,

e niset përsëri në udhëtim në ujërat e mistershme të detit të natës

deri në çastin e mbramë të saj duke pritur agimin,

për tu shplodhur përtej tij në ëndrrat e tua

duke kaluar si fllad mbi horizontin e mëngjesit

bashkë me një copë diell ulur në prehrin tënd.

Ti je një hapësirë pa anë e pa cak grua

ku vrullet e erërave kalojnë duke përshëndetur fatin e tyre,

ku prodhimi është i mbarë nëse fut farën që duhet

por nëse aty shpërndan gjembaçë

po ata do të korrësh se nuk ke mbjellur tjetër,

dhe nëse aty nuk hedh asgjë prej gjëje

mbetet një fushë e madhe djerrë që të mardh shpirtin me pafundësinë e shkretisë së saj.

Sytë e tu grua,

askush nuk mund të pretendojë që e njeh vështrimin tënd

të padeshifruar si shkrimet e inkasve të lashtë

askush nuk mund të thotë që e njeh thellësinë e atyre ujërave

edhe nëse dikush është zhytur brenda tyre, nuk e ka prekur fundin

sepse ai është vetëm yti grua

i askujt tjetër,

e megjithatë prapë është shumë bukur

të jesh lundërtar i deteve të panjohur të syve të tu.

Kur shohin trupin tënd grua,

kur prekin gjinjtë e tu,

kofshët,

gabohen kur mendojnë se të njohin dhe se kanë mësuar çdo gjë për ty

sepse ti ke gjithnjë diçka ndryshe për të dhënë

dhe gjithnjë është brenda teje një enigmë e re për t’u zgjidhur

ashtu si piramidat në fushën e Gizës që megjithë ekspeditat e eksploratorëve që kanë kaluar

kanë prapë një dhomë të pazbuluar,

ku flenë të fshehta të mistershme

dhe çdo burrë që të prek me bindjen e tij idiote se di gjithshka për ty,

ngjan pak me Kolombin

që vdiq pa e ditur se kishte ngatërruar Indinë me Amerikën.

Shpirti yt grua,

brenda të cilit vallëzojnë flutura shumëngjyrëshe

deri në trëndafilin e fundit të tij,

ku dhimbja dhe dashuria ngjiten pas tij si dredhëzat

ku koha sjell oshëtimën e spirancave te vjetra,

ngjan me një meteor që digjet

në një harakiri vetëvrasës vetëm për ti shërbyer dritës.

dhe mbi direkët e anijes tënde fjalë të pakuptimta pëshpërit era.

 

Ti nuk ndryshon dhe më kot lodhen që të sillesh ndryshe,

sepse ti je një kontinent i panjohur

sepse ti je një grua

dhe ky është portreti yt ..

 

 

Nëpër kohë

 

Kam rendur drejt teje në të gjitha kohërat

kam ardhur tek ty grua në të gjitha stinët,

që pak femër të kishin nëpër vite epokat

që më të bukura t’i bënin ato përqafimet.

 

Ti mbete po grua brenda shekujve e ngjyrave

me shpirtin e brishtë që nuk ndryshoi kurrë,

nëpër kohë m’i ke parë gjithë llojet e fytyrave

sepse je vendi i vetëm ku nuk vë maskë një burrë.

 

Ti mbete gjithnjë grua dhe i mbushe epokat

siç të fal aromë një trëndafil hireshumë,

por i vërtetë kam qenë në të gjitha kohërat

dhe sa herë që kam ardhur, isha vetëm unë

 

Rend pa u lodhur nëpër shekuj pas qenies tënde grua ,

trokëllimë e lashtë sa vetë jeta në fytyrë të tokës.

 

 

Bardhëezinjtë

 

I njëjti kuadër, e njëjta kornizë

të njëjtat portrete,sfondi po ai

botë e tyre e shplarë, e trishtë

fiksuar veç në ngjyrat bardhë e zi.

 

Shikojeni njëhere ndryshe këtë dreq jete

se mirë veten por na lodhët dhe neve…

 

 

Në të dyja botët

 

Nuk e pranoj që kjo botë të vendosë për mua

dhe nëqoftëse është kusht i miliona vetëve,

sepse dhe andej matanë prapë do të them “të dua”

e do të jem me ty gjithë ditëve dhe netëve.

 

Shkoj vetë në skëterrë,nuk kam frikë, as tmerr

le të habitet bota dhe çfarë të dojë le të flasë,

se për dashurinë zgjedh të jem mëkatar në ferr

se sa një gënjeshtar që lumturohet në parajsë.

 

S’ pranoj dhe nëse është kusht i miliona vetëve,

se vetëm me ty ndaj në të dyja botët

thesaret e ditëve dhe të netëve.

 

 

Në natën e yjeve që bien

 

Sonte në këtë natë gushti të yjeve që bien

të shoh një yll dua , të shpreh një dëshirë

por pamja pallateve, godinave më fshihet

ndaj i iki qytetit , dua të ndjehem i lirë.

 

Tek shoh një yll që bie, e them me zë të lartë

dhe rri në mes të fushës, yllin tjetër duke pritur

ja ra edhe një , dëshirën shpreh unë prapë

të njëjtën në cdo yll, shqiptoj pa u mërzitur

 

Dua të të shoh atje lart si yll që vezullon

dhe portreti yt në qiell perjetësisht të ndrijë

dhe një marrëveshje dua të bëj me Shën-Lorencon

meqë gjithë keto yje bien në natën e tij.

 

Të marrë portretin tënd, në një yll ta vendosë

ku buzëqeshja jote të ndrijë si meteor

në dymbëdhjetë gusht mos të nisë me yjet poshtë

dhe unë do e njoh e falem si kryeshenjtor.

 

Sa herë që ngre kokën dua të të shoh në qiell

dhe e përsëris dëshirën në cdo yll që bie.

 

 

Breg dhe ishull

 

Ti shpesh me një ishull të largët më ngjan

që mezi të shquaj diku larg në horizont,

dhe unë për të ardhur mjete lundrimi nuk kam

as jam aq i fortë sa për të çarë detin me not.

 

Hajde t’a mendojmë si kemi për ta zgjidhur

përndryshe do mbetemi unë breg dhe ti ishull..

 

 

Kohë që zgjatet

 

Të futura në gropëza të thella mendimesh

strukur diku larg,fshehur nga sytë e botës,

rriten trëndafilët e errët të natës sime

mbjellur prej shpirtrash,vaditur prej lotësh.

 

Unë nuk jam nga ata që mallkoj epokat

as gunën e fajit s’ia vesh atyre të gjithave,

por mbetem përfaqësues në të gjitha kohërat

i dëshmitarëve të heshtur në varrosjen e shpirtërave.

 

Kohë e shpirtrave të vrarë që zgjatet e zgjatet,

fidanishte  e trëndafilëve të errët të natës.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s