Poezi nga Syrja Kurti
Ëndërroj
Une shpesh rri e ëndërroj me yjet
fle dhe me hënën,
që butësia e dritës së tyre të paqtë kudo të jetë,
shkoj takoj zogjtë në foletë e lashta në pyje
këndoj me ta këngët,
që bota shpirtin e mbushur me tinguj t’a ketë.
Unë ndihmoj bletët kur fluturojnë në çdo lule
nektar të mbledhin,
që në k’të vend të ketë më shumë ëmbëlsi ,
në agimet e ditëve të bisedoj me diellin ulem,
me të nis mëngjesin,
që më të mirë ti bejë njerëzit ngrohtësia e tij.
Unë fluturoj bashkë me erën hapësirash
kur gjethet përkëdhel ,
që përqafimet , ledhatimet të jenë me mijëra.
Bëhem ndonjëherë edhe petal trëndafilash
bashkë me ta çel
që aromën e tyre të mbajë dashuria.
Kur koha qarkullon në humnerat e saj netët
unë ëndërroj që kjo botë të jetë më e mirë…
Hëna e plotë
Kjo hënë e plotë me një femër më ngjan sonte
që shikon veten fshehtas tek krihet në pasqyrë,
sheh gjinjtë e rrumbullaktë .
supet e saj të kolme
një buzëqeshje e drojtur i përhapet në fytyrë.
Pastaj e veshur bukur niset për në takim
me diejtë,
me dritën e saj si prej vajze, ndriçon cdo rrugë e shesh
yjet si djem capkënë nga pas i fërshëllejnë
ajo s’mërzitet fare , me veten buzëqesh.
(Mbrëmje..natë vere…)
Mesnatë e lagur
Nata rubinetat e reve papritmas hap
si për të pastruar trupin nga pluhurat e ditës,
qielli si gjithnjë kureshtar poshtë për të parë
kokën zgjat nën dritën e vetëtimës.
Toka shtrin trupin nën shiun e verës
kënaqur nga dushi i reve
avuj të ngrohtë lëshon.
Ndryshe
Ne të dy jetojmë në të njëjtin qytet.
Ç’ti bësh?
Janë trille të fatit në këtë botë të trazuar
ecim në të njëjtat rrugë të pista,
shfletojmë të njëjtën gazetë
lexojmë ndoshta të njëjtat libra,
të njëjtë e kemi dhe lokalin e preferuar.
Të dy besojmë në Zotin
e plotfuqishëm,
(në fakt i frikësohemi të dy Atij por në mënyra të ndryshme)
kemi të njëjtat bindje poliitike
në lokal ti porosit të njëjtën pije që më pëlqen mua
dhe deri këtu nuk ka asgjë të panatyrshme,
madje kemi dhe të njëjtën shije
dhe në rrugë kur kalon pëlqejmë të njëjtën grua .
Por mësoje bashkëqytetari im i të njëjtit lloj
ne mund të dukemi kështu nga jashtë njësoj
por shpirtrat dhe dashuritë e të dyve ndryshojnë.
Humbur
Çdo ditë bëhet gjithnjë e më vështirë,
të lundrosh në një det pafund hipokrizie
mbushur plot maska si shkëmbinj koralorë të mprehtë,
në kohërat kur ditët ndërrojnë shpesh fytyrë,
uji të futet andej nga nuk e pret në anije
dhe s’mund të bëjë dot asgjë timonieri i shkretë.
Pastaj anija e çarë aty mbetet,
si një peng i kohës plot shkëmbinj të nënujshëm
braktisur, shkretuar nga maskat fytyrëshumë
e vërteta e trembur struket e vetme në fund të detit
si nje medallion i lashtë i shekujve të dikurshëm
që s’i duhet më askujt për asnjë punë,
Mbetet atje thellë e vërteta,humbur , strukur prej frikës
si një brinjë e dalë keq nga koha
ngulur në trupin e ditës.
Pritje
Nata ikën krahëmbledhur nën mantelin e saj të zi
ku brenda tij ka pikturuar fytyrën tënde,
shpresa buzëqeshur rend me mëngjesin përsëri
me një takim aq të dëshiruar në mendje.
Dita shkon e mpirë ngadalë, çapitet me mërzi
se prapë diçka mungon, që s’ka se ku ta gjejë,
rri e shikon orën , kthen kokën shpesh nga ti
psherëtijnë minutat se nga ty s’ka asnjë shenjë.
Pragmuzgu ngre supet, për t’iu shfajësuar ditës
se nuk ka çfarë të bëjë dhe nuk e pret më dot,
prapë mbet’ e bardhë sot fleta në librin e pritjes
trishtimi perëndon me diellin diku në horizont.
Pastaj kthehet prapë nata me mantelin e saj të zi
me fytyrën tënde të stamposur brenda tij përsëri.
Më merr me vete
Kur ndal fluturimin tënd hapësirave të qiejve
zhduket trishtimi, si me hipnozë nga magjia
se kthehesh me dritën që ia ke marrë diejve
për ti vënë cak e prag muzgjeve të mia.
Por pastaj ti prapë rrugën e universit merr
më kthehet errësira, hapësirat bosh mbeten
punë e madhe nëse është mëkat,
(le të digjem edhe në ferr)
por mos më ler këtu, më merr dhe mua me vete.
Më merr edhe mua qiejve, kur fluturon hapësirave
ti drita e ditës time që ndan muzgjet e mia
Ëndrra syhapur
Unë shpesh shoh ëndrra me lule shumëngjyrëshe
që të mbushin shpirtin plot, me format e bukura,
që e bëjnë këtë vend të më duket ndryshe
ku mbi të vallëzojnë të lumtura fluturat.
Por shpejt përmendem, nuk zgjat shumë ëndrra
dhe shpirti kthehet i mardhur fushave te shkreta,
ku në hapësirën gri vetëm gjembaçë të shkel këmba
e ku këmbanat bien përzishëm për të vërtetat e vjetra.
Unë shpesh shoh lule,( por kot më gënjen mendja)
dhe gonxhe plot ngjyra, nga ato më të bukurat,
se veç mbushin fushat e shpirtit në ëndrra
ku asnjëherë s’mund të vallëzojnë të lumtura fluturat.
Unë shpesh i lodhur nuk di pse me gënjen mendja
dhe në mes të ditës, shoh me sy hapur ëndrra.
Mesditë gushti në periferi
Fusha të gjata sheh syri, me të shumtat djerrë
që për shkretinë e tyre sikur I ankohen qiellit,
gjinkallat gumëzhijnë në kor , diku në një ferrë
ca dele nën një pemë të vetmuar, mezi i fshihen diellit.
Në asfaltin brinjëdalë , ngrënë nga koha pa mëshirë
ecin njëri pas tjetrit një çift fshatarësh të moshuar,
makina mes gropash nje valle kërcen pa dëshirë
me re pluhuri firmos kalimin në rrugën e pashtruar.
Një hutin ngjyrë kafe mbi fusha sillet vërdallë
gruaja burrin e saj ndjek besnikërisht pas gjurmës,
një vajzë e vogël me dy lopë të kuqe vjen përballë
shtyllat si pikëçuditëse qëndrojnë në cep të rrugës.