Poezi nga Marjeta Shatro
Vetmi
Shpesh,
zhytemi në mendime , pa mendim.
çdo gjë na duket pa kuptim,
si pelegrinë të vonuar.
Fleta e bardhë është bosh,
pa shkruar.
biseda me veten zgjat deri vonë
përhumbim në kujtime,
ashtu…, flatra ëndrrash.
Hëna e përgjumur
dhe e nesërmja me krahë vjeshte
të braktisurat gjethe shkelmon.
Sonte do shkruaj për ty
Sonte do shkruaj për ty
do kujtoj njohjen tonë,
Bisedën e gjatë gjer natën më të vonë
do kujtoj ëndrrat që ndamë,
fjalët që thamë,
Kujtimet, ngjarjet nga fëmijëria jonë
Sa shumë porosi njëri-tjetrit i dhamë!
Jemi si dy meridianë!
Ngrohemi nga dielli i dashurisë
Në qiellin e pafund të poezisë!
Lotë hyjnish
E magjepsur u enda bregut të detit
duke u përshëndetur me dallgët,
me pulëbardhat e me çdo grimë rëre.
U buzëqeshja reve të dremitura,
qielli më përkiste vetëm mua
dhe pikat e vonuara të shiut.
E lagur krejt u ktheva në shtëpi,
e lumtur,
e bekuar me lotë hyjnish.
***
Dritarja e dhomës sime shikon nga perëndimi.
përballë detin blu dhe më tej shquan Korfuzi.
Sa afër dhe sa larg jemi!
Fle çdo natë me zhurmën e dallgëve.
e zgjohem çdo mëngjes me këngën e zogjve.
Thirrmave më të bukura ëndrra
Bekuar nga dashuria për jetën!
Valë
Kush jam unë?
Kush je ti?
Ne jemi valë, valë që qeshin
Valë që rënkojnë.
Valëtë të egërsuara, valë të nënshtruara!
Valë dhe asgjë më shumë!
Veç një çast njësoj
gjithnjë të ndryshuara.
Valë që vijnë, valë që shkojnë.
Shpërthe shpirti im
Shpërthe shpirti im
s’ ka monotoni!
Shkarko një shi yjesh
në tokën vjeshtake!
në këtë shekull ngatërruar,
ëndrrash, iluzionesh e pafajësish!
E kulluar, magjepsja e paanësisë
Jeta të përkundet mbi lule si vesë,
që shpërthen prej gjumit me delikatesë.
Si ylber të shndrijë!
e përjetë të kumboj zëri i shpirtit.
Në vargje pa mbarim!