Shtëpia Botuese “Ylberi Plus – Tetovë”, publikon librin ” LOTËT E ZJARRIT” të autores Natasha Xhelili, kopertinë e punuar nga Nagip Ismaili – Nagi dhe parathënie nga Adem Abdullahu.
PARATHËNIE
Natasha Xhelili i prezantohet lexuesit me këtë libër të ri pas dy botimeve paraprake.
“Lotët e zjarrit” hap siparin me poezinë “Jam si deti i paanë”, me një vetërrëfim artistik që shpreh ngjyrat dhe të fshehtat e natyrës; pastaj shfaqet simboli i detit me madhështinë, frymëmarrjen, kaltërsinë, shkëlqimin dhe thellësinë e frikshme.
Libri është konceptuar në katër cikle të cilët nuk duhet të shihen të ndarë, por si pjesë të një mozaiku që pak nga pak merr formë në secilin prej tyre.
Cikli I “Tundim guri”, i ndërtuar në “një dimension të ri”, kapërcen kufijtë e kohës e hapësirës duke u vendosur në mjedise magjike “plot shpresa ylberore” po dhe në konkretsinë tokësore. Në këtë rrjedhë mposhtet tundimi paradoksal që sundohet nga heshtja. Metamorfoza, si dukuri e njohur në letërsi, u jep zgjidhje dilemave e dyshimeve të unit lirik përmes artit.
Natasha Xhelili
Në ciklin “Buzëqeshje të ylberta” ka më shumë gëzim, mall dhe dritë. Mjedisi endet që nga gjërat e vogla e deri në ferrin e mëkatarëve të papenduar, që nga foletë e ëngjëjve e deri në shtratin e qielltë. Pas gjithë këtyre poezive bleron një shpirt i lirë që kërkon përsosmërinë në tokë dhe në qiell. Si një hije pranë çdo buzëqeshje qëndron heshtja e cila shtegton shpirtin larg për t’i shpëtuar dhimbjes, humbjes dhe mëdyshjeve që lindin nga moskuptimet.
Cikli “Qiej burimekaltër” paraqet burimet e dritës në zemrën e personazhit lirik. Rrënjët e thella në histori e bashkëkohësi, në balada e epos, ushqejnë ende poezinë duke i dhënë lulesa të ndryshme që ua njohim aromën.
Cikli “Murana të vetmisë” përshkohet nga motivi i mungesës. Të gjitha pritjet ngrenë murana që lartësohen dhe japin ndjenjën e trishtimit, humbjes, dhimbjes. Notat mbijetojnë mes lotëve duke i ëmbëlsuar me ndjenjën e mallit, ecin në shtigje të panjohura për të zbuluar gjurmët e mbetura, krijojnë rrugë që lidhin dy zjarre. Poezitë e këtij cikli janë kryesisht me pak vargje dhe cilësohen me ngarkesë të madhe emocionale.
Përdorimi i llojeve të ndryshme të vargjeve, të strofave, të rimave i jep larmishmëri librit. Shprehja poetike plot figuracion e vesh bukur mendimin që përshkohet nga filozofia e ekzistencës jetësore të së bukurës.
Nga: Adem Abdullahu






























Leave a Reply