Poezi nga Mirela Papuçiu

mirela-papuciu

Poezi nga Mirela Papuçiu

 

 

I dashuri im është pak shtrigan

 

I dashuri im është pak shtrigan.

Ai ka duar të gjata si fashat e dritës,

që zbresin agimet nga male errësire

e më zgjon me gishta rrezesh.

Lira që mban në kraharor,

rend jehonë pas jehone e më përkund

me këngë që më shkundin brinjsh,

si thirrje orësh mali.

Puthjen e ka mbjellë si pemë arre,

dhe karshi mban koshere bletësh.

Mjalti që i hedh çajit çdo mëngjes,

ka shijen e buzëve të tij.

Nën diellin e mallit bëhet lumë që avullon

e më pushton me krahë rrebeshesh vjeshte.

I dashuri im është pak shtrigan,

ndërsa unë i dukem ende manare

Çudi, s’ e sheh që n’ardhje m’ pagëzoi

Tash, unë vet, pak shtrigë jam.

 

 

Ç’bukë të mirë gatuan, ti i dashur!

 

Ç’bukë të mirë gatuan, ti i dashur!

Prej gruri e misri rritur n’ara,

ku zemra rreh si e marrë.

Mushka ngarkuar me drithëra të çmendura

nga buzët e kuqe të agimit që s’vjen

shkarkohet në mullirin e Zotit.

Hukama e tij bluan errësirën e trupit.

Ç’bukë të mirë gatuan, ti i dashur!

Brumin e zë me qumësht libidoje

dhe pak kripë nga kristalet e bregut të shpirtit.

Ku je ti, nuk ka fjalë

Dridhet violina ime,

si purteka në ujë

këmbëzbathur vij

me trëndafilat e gjakut,

wë mbinë rrugës,

në duar.

Kur me shtrëngon,

Përzihet aroma e bukës

dhe e gjakut.

Bëhem ditë.

 

 

Takim me veten

 

Sot u vara kokëposhtë.

Çdo gjë e tepërt

humbi

në ajrin

e rralluar

të tokës

mbi populluar

nga gënjeshtra

të përndritshme.

U derdhën

bohçe

me pëlhura

ankthesh,

çanta elegante

iluzionesh,

portofole

mbushur

me fjalë mikluese,

sëndukë

ditësh të pajetuara,

valixhe brengash…

E zhvesha lëkurën.

Nga xhepat e saj

pashë

tek rrokullisej

morali,

gabimet…

Zgjata dorën …

Në folenë

në të majtë

takova veten.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s