Recital Malësorit / Ese-interpretim nga ( Hamdi ) Erjon Muça

Recital Malësorit

 

-erjon_muca_549317221

Ese-interpretim nga ( Hamdi ) Erjon Muça

Migjeni ishte i ri; mjaft i ri, ndoshta edhe për të kutpuar njëqind përqind vizionet e vepreve që shkroi. Me moshën, ndoshta do të fitonte edhe diturinë e duhur për të preceptuar edhe ai vetë, kuptimet e vizioneve që ndërgjengjia e tij, e shkundur nga racionaliteti mizor që përdor një individ i shëdetëshëm, i dhuronte.
Migjeni vuante, një sëmundje e rëndë i lëndonte trupin; por a nuk vuante nga çregullime fizike dhe mendore edhe Maupassant, Baudelaire, ose edhe Dostojevski?
Mos mendoni se po bie në kurthin e ngritur nga Arshi Pipa, që e lidhte artin Migjeni-an me sëmundjen e tij. Deri në një pikë, sëmundja ia kushtëzoi Migjenit, përzgjedhjen e subjekteve, por ama forca e artit të tij, nuk qëndron më tepër tek subjektet se sa tek përdorimi i metaforave, krahasimeve, parabolave dhe simbolikave; këto të fundit përbëjnë thelbin, bazën dhe kulmin e artit të tij.
Nëse sëmundja nuk do ia kujtonte, çdo ditë, segmentizmin e jetës njerëzore, ndoshta ai nuk do kish përzgjedhur malësorin për subjekt, por malësoren; bukurinë.
Ne njerëzit normalë, të shëndetëshëm, e harrojmë përkohshmërinë e qenies tonë, e ndaj përhumbemi pas lirkave, iluzioneve, ndërsa Migjeni jo. Kushtëzimi mendor i vinte nga të diturit që ishte i dënuar me vdekje, ndoshta shumë më të shpejtë nga çmund të shpresonte, e shtynte Migjenin të ishte disi i çliruar nga psikologjia e kontrollit të masës; sëmundje terminale si shpëtuese nga dëshira e marrë e njerëzve për të rendur pas masave kontrolluese.
Më vjen keq për Migjenin; ishte i ri dhe nuk e kishte shpërqëndrimin e harbuar që karakterizon ndërgjegjiet rinore.
Migjeni rethohej nga një sëmundje e jashtme, masive, me emrin fanatizëmkontroll dhe nga një sëmundje e brëndëshme vetiake. Sëmundja e brendëshme e shtynte të shihte vujatjet, e paperceptueshme për një individ të sëmur, e individëve të shëndetëshëm; sëmundje që nuk kanë nevojë për kurime të kushtueshme; si fanatizmi fetar, sektarizmi politik, etje… I shihte këto vuajtje dhe i ktheu në muzën e vet; muzë e zymtë, por që shpërbleu me vargje gjeniale, Migjenin.
Mes të tjerash është edhe “Recital’ Malësorit”; është mjaft interesante përdorimi i fjalës recital. Recitali është më tepër produkt muzikor, instrumentale apo edhe të kënduar dhe atësia e recitalit i atribuohet Franz Liszt! Pianisti i madh i shekullit të XIX ia kushtonte recitalet e veta instrumentale, jetës, dashurisë magjike, natyrës, ndërsa Migjeni ynë recitalin e vet ia kushtoi malësorit. Jo bregdetarit, as qytetarit dhe as fshtarit të fushës, por malësorit. Malësori lind dhe vdes mes mudimit të pëhershëm; mal në ngjitje dhe mal në zbritje, e sërish ai nuk bën asgjë për të ndryshuar gjendjen, e ajo e ka zgjidhjen mjaft të thjeshtë, por ai vijon mundimin e vet. Malësor; besimtar!

O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,

Malësori, njeriu i shtypur që e kalon jetën vetë me lutje, kërkon të pamundurën për një akt mjaft të thjeshtë. Kërkon të godasë, kur gjithçka mund të arrihet pa përdorur dhunë. Vetëm se malësori më parë pranon vuajtjen, duke e shtyrë me lutje pa sens, se sa tërheqien. Në fakt, është e paperceptueshme kjo lloj mendësie, që vijon të jetojë edhe sot, thuajse njëqind vjet pas lindjes së kësaj poezie; njerëzit që nuk e kuptojnë se duke jetuar në pritje nuk jetojnë.

Ta dij edhe ai se çdo me thanë i dobët-
n’agoni të përdridhet si vigan i vramë!

Sa qesharake dhe e hidhur kjo hyrje! Malsori që lutet dhe shpreson, por nuk kërkon asgjë që t’i ndryshojë jetën për më mirë. Ai do vetëm të hakmerret.
Kënaqet me pak!
Nuk krijon nga dheu mundësitë e veta dhe të fëmijëve, jo, ai do vetëm t’i jepet mundësia që ai, nga i shtypur të kthehet në shtypës. Mendësia dritëshkurtër e atij që vetëm ankohet, lutet në rreze të diellit; nuk do punë, jo, ai don një grusht. Ka smirë brenda tij dhe kjo e shtyn të jetë i dhunshëm me gjithëse i vogël, pasi nuk ka kuptim tjetër kërkesa e një grushti të fuqishëm. Ai duhet me doemos të godasë dikënd!
Të çon të mendosh atë meselenë e vjetër, të atyre pesë burrrave që gjetën llampën magjike. I pari kërkoi një mbretëri, i dyti një mbretëri, i treti po ashtu edhe i katërti nuk është se përdori më tepër fantazi dhe kopijoi tre të parët, kur i erdhi radha të pestit ky kishte qëlluar shqiptare dhe ajo që ai kërkoi ishte: dua që këta të katërt të kthehen sërish leckamanë siç ishin më parë.

Unë – lugat si hije e trazueme,
trashëgimtar i vuejtjes dhe i durimit,

E qenia mejrane, malësore, e munduar si nga jeta dhe nga terreni, vijon lutjen e tij të gjatë duke i kujtuar asaj perëndisë së mësuar nga fjalët e predikuesve, (se kam parasysh malësorin e kohës së Migjenint që nuk para dinin shumë shkrim dhe këndim), se ai po ndiqte porositë e librave të shejntë; lum të fundit se do jenë të parët. Ama nuk harron se në momentin që po lutet nuk është as më shumë e as më pak se një lugat, hije e pavlerë, që me t’u larguar drita e diellit zhduket nën peshën e errësirës. Vetëm se kjo lutje duke u hedhur nga rikujtimi i rregullave, kthehet në kërkesë llogarie.
Librat liturgjikë shkruajnë se gjithçka bëjmë në këtë jetë na kthehet mbrapsht në atë tjetrën, por malësorit nuk i pritet. Jo për gjë por ai po vuan në të tashmen dhe me doemos edhe hakmarrjen, shpagimin e do në këtë jetë. Paradoks njerëzor, malësor; besojmë në perëndi por me rregullat tona…

endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instiktit.

Thellë në ndërgjegjien e Malsorit diçka e gërryen, një si krimb, por nuk është në gjendje ta kuptojë. Ai nuk di as shkrim e as këndim, e gjithë bota e tij rrotullohet rreth injorancës, lutjeve dhe fjalëve të predikuesve. Diçka nuk shkon, ai e kupton por nuk është në gjendje të ndërmarrë atë udhëtimin tërheqës për të cilin shkrova më lart. Ndjen se ka dëshira të mishta por predikuesit thonë se është mëkat. Gjithçka që atë e tërheq është e ndaluar, ai e ndjen veten si kafshë të lidhur në zinxhir, por nuk bën asgjë për të çliruar veten, dhe i ka të gjitha mundësitë, por i duket më e kollajtë të lutet dhe të kërkojë llogari. Nuk mundohet t’i ndreqë pakënaqësitë, por vetëm i ndjen dhe i numëron…

Mali hesht.

Kjo fjali kaq e shkurtër, e cila e ndan në dysh vargun, (për këtë ndarje konceptuale kam folur edhe më parë, në esetë e tjera) përmbledh në brendësi një panoramë surreale të stilit të Salvador Dalisë. Normalisht mali hesht, por për malësorin ky është një makth sepse mali domosdo duhet të flasë; pas gjithë atyre lutjeve dhe ankimeve, ai duhet të japi shenjë jete, dhëmbsurie.

Edhe pse përditë
mbi lëkurën e tij, në loj varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshtë më të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

E këtu rinis ankimi i përhershëm i malësorit. Ai nis dhe humbet besimin. Jo të gjithin, pasi si qënie edhe pse është trime, ai ka frikë. Vetëm se ai e kupton që këtu përpos vuajtjeve që janë reale, pjesa tjetër nuk është veçse një tallje e madhe. E gjithë tallja luhet mbi kurrizin e tij që endet e humbur mbi koren e tokës. E bukura është se ai kërkon, nuk punon, nuk mundohet, por kërkon. Lypsar pa asnjë lloj dëshire për punë, pret me shpresë, vetëm se kjo e fundit e gënjen; vargu i fudnit me shumë gjasa mund edhe të ketë një tingëllim personal, jo për gjë por edhe Migjeni, përpos të gjithë konsideratës time, ishte njeri dhe si i tillë shpresonte, ndoshta jo në atë malin fantazamagorik të poezisë, por shpresonte megjithëse e dinte mhaft mirë që gënjente veten. Ne njerëzit jemi shumë të lidhur me jetën.
Krejt strofa me anë të gjuhës së përvuajtur tregon sarkazmën jetësore të njeriut që pret; prit gomar të mbijë barë…

Mali hesht – dhe në heshtje qesh.
E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.

Eh sa i dhemb kjo heshtje miljona vjeçare mjeranit të përhershëm. Ka shumë padrejtësi, kjo sipas tij. Medoemos që mali duhet t’i ndjej ato dhe duhet të flasë, duhet të vërë drejtësi, por ai hesht dhe malësorit i duket sikur në heshtje ai po qesh; nënqesh nën mustaqe. E ndjen veten të fyer nga kjo qeshje sepse ai po vuan dhe në këto vuajtje pa mbarim e di që do vdesë. Muhamedi thoshte: merrni një njeri dhe vendoseni pranë një burimi me ujë të kulluar, detyrojeni që ky të lahet pesë herë në ditë. Si mendoni a do jetë ndonjëherë i pisët ky njeri…? Kjo llogjik duhet të vihet në jetë edhe me lutjen…

Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qeshë?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

Sërish, pas lutjeve, rilind “rrebelimi”. Ai po falet, po lutet, një ose pesë herë në ditë, kjo varet nga lloji i malit. Thërret, ulëret kërkon llogari, në mënyrë virtuale përpëlitet. Ai duhet të shpërblehet jo vetëm për përkushtimin ndaj besimit por edhe për durimin ndaj vuetjeve. Ndjehet me sarkazëm i gjithë paradoksi i qenies njerëore; nuk e kënaq jeta, realiteti i mundimshëm me të cilin duhet ndërtuar ajo. Ai po lutet dhe nuk pranon se duhet të vuaj; ndjen se ka nevojë për shpërblim, tamam si ajo kafsha e cirkut që pasi ka kryer ushtrimin merr në gojë pafkën e sheqerit; po sheqeri i tij kur do vijë? Sipas predikuesve shpërblimi i individit që vuan me kokën lart vjen vetëm pas vdekjes, por ai nuk e pranon dot këtë kusht…

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!

Rinis rutinën e vet të lutjeve, ankimeve dhe kërkesave nga e para, malësori! Ka vetëm një kërkesë e cila, si të thuash, i është kthyer në fobi, në simdromë; në vend të sindromës së Ediptit, malësori Migjeni-an vuan nga sindroma e grushtit. Ka shpirt revolucionari, dëshira për rebelim nuk i mungon, ajo që i mungon është vetëm grushti i rëndë. Kjo ë solli në mendje një fabul disi moderne. Një herë lepuri u nxeh me ujkun dhe ftoi në duel. Një ditë përpara duelit shkon te dentisti dhe i kërkon që ai ti vërë dhëmbë më të mëdhej. Dentisit ia heq dhëmbët dhe i vendos dhëmbë dy fish më të mëdha. Lepuri largohet i lumtur, por në të parin pellg mbi të cilin u pasqyrua për të parë dhëmbët, ata iu dukën të vegjël. Shkoi edhe një herë tek dentisiti dhe i kërkoi dhëmbë edhe më të mëdhej. Ky ia ndërroi sërish, por lepurin sërish nuk e kënaqën. Herën e tretë kur shkoi tek dentisiti ky e pyeti: Po përse të duhen dhëmbë kaq të mëdhej? Do ndeshëm me ujkun. Epo ti nuk duhet të ndërrosh dhëmbët i thotë dentisit, por zemrën…
Ai është shumë i vogël krahasuar me malin ndaj duhet të lutet, të vuaj, dhe të presë ditën kur do i dhurojnë grushtin shkatërrues; e atëherë ta shohin malet e mbarë botës…

Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të knaqem, të kënaqem tu’ qeshë.

E adhuroj malësorin, jo për gjë por nuk ka kërkesa të ndërlikuara; është i evoluar sa një primat dhe naiv si fëmi. Të vetmet dëshira që sundojnë ekzistencën e tij, janë hakmarrja dhe dëfrimi. Në një farë mënyrë është si një kërkues shkencor; ka vetëm dëshirë të shohë reaksionin e vuajtjeve të tij, tek një specie tjetër dhe të qeshë me vuajtjen e tjetrit…

Recital’ Malësorit

O, si nuk kam një grusht të fortë
t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë,
Ta dij edhe ai se çdo me thanë i dobët-
n’agoni të përdridhet si vigan i vramë!

Unë – lugat si hije e trazueme,
trashëgimtar i vuejtjes dhe i durimit,
endem mbi bark të malit me ujën e zgjueme
dhe me klithma të pakënaqura t’instiktit.

Mali hesht. Edhe pse përditë
mbi lëkurën e tij, në loj varrimtare,
kërkoj me gjetë një kafshtë më të mirë…
Por më rren shaka, shpresa gënjeshtare.

Mali hesht – dhe në heshtje qesh.
E unë vuej – dhe në vuejtje vdes.
Po unë, kur? heu! kur kam për t’u qeshë?
Apo ndoshta duhet ma parë të vdes?

O, si nuk kam një grusht të fuqishëm!
Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh!
Ta shof si dridhet nga grusht’ i paligjshëm…
E unë të knaqem, të kënaqem tu’ qeshë.

Kur e lexon për herë të parë këtë poezi, kjo të rrëmben, të mbush shpirtin plot me mllef dhe dhimbje. Ka shumë ritmikë brenda sajë, ndaj dhe të tërheq në një valle të çmendur konceptuale. Por kur e lexon dhe e rilexon, e në një farë mënyre shkëputesh pak nga tërheqia eksituese e ritmikës së sajë, ndjen sarkazmën e hollë që rend mes reshtave; me të njëjtin ritëm të vallëzimit rebel. Jo tallje sepse ai nuk tallet, vetëm se gjen te sarkazma rrugën më të përshtatëshme drejtë big bangut shoqëror që i mungon së tepërmi Shqipërisë.
Në fakt kur merresh me Migjenin duhet të keshë parasysh dy aspekte, asnjërin nuk e kam zbuluar vetë, të dy janë këshilla të miqve të mi. Fatmir Minguli më ka ngullitur në mendje aspektin e psikologjisë së kontrollit. Ai është i bindur se mjaft punë të Migjenit janë frymëzuar nga mësimet e Frojdit; ne nuk kemi fakte që të na vërtetojnë njohuritë e Migjenit në këtë fushë; as Frojdin e as Jungun, por vetë mënyra e ndërtimit të poezive apo edhe prozës së Migjenit, na shtyn të mendojmë se ai e njihte majftueshëm për t’i natyralizuar ato me terrenin e prapambetur shqiptar.
Ndërsa Petrit Palushi, përveçse thotë se Migjeni duhet vështruar në mënyrë vertikale, pretendon se ai është i ndërtuar me shtresa. Shtersat janë të ngjitura shumë me njëra- tjetrën dhe në vështrim të parë, me gjaknxehtësi, ato nuk je në gjendje t’i vëresh.
A nuk ka thellësi psikologjike brenda artit hermetik? “Recital’ Malësorit” ka ambiguitet breda vetes, dyfishësi e cila rend me hapa të shpejtë aq sa nuk je në gjendie t’i ndjekësh të dyja. Duhet me doemos të sopresosh njërën anë që të mund të ndiesh tjetrën. Falë dy këshillave të miqve të mi dhe rileximit kam arritur në konkluzinin që Migjeni ishte poet hermetik. Nuk duhet lexuar por ndjerë!
Pra duhet vetëm ndijim, gjykim dhe gjakftohtësi; aspak një grusht të randë…

22-01-2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s