IKJA FISNIKE (Elegji agolljane) / Poezi nga Qemal Guri

qemal-guri

Poezi nga Qemal Guri

 

IKJA FISNIKE

(Elegji agolljane)

Një ditë, krejtë si të tjerat,
Kur fryma rresht dhe mek mushkërinë,
Si një tërmet i tundë dherat
Dhe sjell mbi qiej dhimbjen dhe zinë.

Krejtë, krejtë, krejtë papritur,
Nga gjiri i tokës, thellë e thellë,
Male e kodra janë lebetitur,
Gjëmime vajesh duke mbjellë.

Lumenjtë nga malet si shira lotësh,
Fushat mbytin si parcelë orizi,
Dhimbja mbi dhè si dyndje gotësh,
Theu dhe shpirtin me qëndrim prej lisi.

Aortat heshtën, një çast në stepje,
Sytë qëndruan në qiej hutie:
-A do të mundet, ky dhè, në tretje,
Ta çojë këtë trup me shpirt madhështie?!

Ju fusha e male, vise bukurie,
Ju brigje lumenjësh e detesh diellplotë,
Lëndina e pyje, asht mrekullie,
Që për mua jeni perria në botë,

Ju harqe ylberësh, që viset i puthni,
Si vasha, plot afsh jete në shpirt,
O plisat e dheut, që jetën na e mbushni,
Me ushqimin e jetës, çdo çast e çdo ditë,

Ju rrezet e diellit, që artoni vendin,
Këtë atdheun tim si asnjë të dytë,
O qiej të kaltër, që i jepni shendin,
Kësaj Shqipërie, që m’i qeshë sytë,

Përuluni në gjunjë, këtu bashkë me mua,
Para këtij kolosi, që ju përjetësoi,
Edhe pse, ndonjëherë, t’i këndoj nuk dua,
Se, tek unë, poetin ai kurrë nuk shikoi,

Edhe pse atëherë, shkallëve të Lidhjes,
Ngjitesha me shpresë e zbritja shpresëthyer,
S’mund të jem i vockël si guaska e midhjes;
Fjalë e artë e tij, poezisë më ka ndërsyer.

Ai ishte natyra, në dimensionin tjetër,
Ishte e gjithë jeta, plazmuar në fjalë,
Ai ishte magji e hedhur në letër,
Gjithë jeta e tij, një agim ngjyrë all.

Ne, gjuhën e kemi, të gjithë, prej tuli,
Kur dhe shpirtin kemi të ngurtë si gur,
Zemërimit që mbjellim, mëllefe ngulim,
Dhe madhështinë duan ta shkelim si urë.

Mendja e kokës na është topitur,
Syrit të çartur pastër nuk shohim,
As armikun e madh, nuk ke për ta shklitur,
Jo më atë, që fjalët e tij të ngrohin,

Jo më, atë, që është shndërruar në muzë,
Jo më, atë, që është tharm poezie,
Jo më, atë që të është bërë shpuzë,
E të ka dhënë ndër vena gjak letërsie.

Ende nuk ka mbirë fija e barit të ri,
Sythin nëpër pemë e ka mardhur acari,
Ju do thoni: Pse iku, ai, tani?
Iku që të sjellë më shumë lule behari.

Se, në shpirt, e donte stinën e pranverës,
Në letër e solli si pikturë fjalëzuar,
I rëndë dhe i lehtë si flladi i erës,
Ai ishte vetë jeta jonë e frymëzuar.

Vdiq Dritëroi! vdiq Dritëroi!
Flamuri, përlotur, thyhet, gjysmë shtizë,
Në flatrim prej zogu, iku heroi
I Letrave Shqipe, historisë ngjizë.

Ndoshta atje tej me të Madhin, Dante,
Edhe me Kiplingun, Safon dhe Ezopin,
Qiejt e përjetshëm, me varg do t’i çante,
Edhe tok, të gjithë, do t’përbënin Zotin,

Atë Zot, mitik, të poezisë shekullore,
Që i ka ndritur brezave, Diell në përjetësi.
Dritëro, pse ike, sa shkriu kjo borë?
Këtë mister-ikje, askush, kurrë, s’e di.

Pse shkurti, me ty, shpirtngushtë u tregua,
Pse këngën e re s’të la ta mbaroje,
Ku do të pushoj shpirti yt si krua?
A kishe ndër mend, dikujt këtë t’ia thoje?

Në zakonshmëri, një ditë e papritur,
Ishte kjo e sotmja, që si bombë shpërtheu,
Pushoi, përgjithmonë, një mendje e ndritur,
Të prehet jetës së amshuar prej dheu.

Erdhëm nga një bark, barku i nënës,
E shkojmë pa u ndjerë, në të dheut, bark,
Dhe pse jemi diell, si dritë e Hënës,
Duke ylberuar shkëlqejmë si hark.

Shkëlqejmë nga përtejbota, dritëparambjellur,
E të pavdekshëm i bëjmë, ashtin poezisë,
Se edhe në vdekje jemi muzë e derdhur,
Ne ndërrimjetëmëdhenjtë palcë e poezisë.

Eh ç’ma theve kokën sonte përmbi vargje,
O poet i madh i venave të jetës,
Të gjithë, ne, kësaj bote, jemi porsi pragje,
Stacion-pushim-lulja e përetur e bletës.

Kalojmë, kësaj jete, porsi meteorë,
Apo si ajo trojka, që Gogoli përshkruan,
E na duket jeta, sa një çast, jo orë,
Aq sa meteori, në rënie, dritën shuan.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s