Krishtlindje / Tregim nga Teuta Keli

teuta-keli

Tregim nga Teuta Keli

 

Krishtlindje

-Mundohu që të ecësh në qetësi, pa zhurmë. Nuk di të ecësh ti me hapa të qetë? i thoshte gruaja të shoqit, ndërsa tinëz, të dy bashkë i afroheshin gropës së madhe.

-Po ngadalë po eci! Pse të duket, se çdo gjë që bëj, unë e bëj gabim? iu përgjigj i shoqi, dhe për inatin e saj përplasi këmbët dhe ndjeu që ato i ngecën në një baltë të trashë. E shikon ç’më bëre? vazhdoi ai më tej. Po të mos më kishe folur, unë nuk do acarohesha, do shihja rrugën, do ecja më ngadalë, nuk do bëhesha pis. I ke fjalët, sikur ti kesh magjike! Sapo ti flet, unë shpërqendrohem komplet.

-Nuk po të flas më, iu kundërpërgjigj gruaja. Për të mirën tënde e kisha, se unë për vete, po eci ngadalë. Jam para teje, dhe nuk rrezikoj që të më shohin duke ju afruar gropës. Nuk mund të më shohin, se sa të keqe do hedh unë aty brenda.

Burri këtë herë nuk foli. U mundua që të shpejtonte hapat në qetësi dhe ta ndiqte nga pas të shoqen. Duhet të ishin bashkë, për të shkuar tek gropa e madhe.

E keqja e tij, nuk ishte vetëm e tij, ishte edhe e saj. Ai nuk dinte ta ndante, se sa i përkiste atij dhe sa i përkiste asaj. Kishin një jetë që jetonin bashkë dhe e kishin ndryshuar shumë njër-tjetrin, aq sa secili prej tyre ngjante si tjetri. Ai ecte qetësisht dhe maste hapat sipas frymëmarrjes së tij. Ndonjëherë ndalonte hapat dhe njëkohësisht ndalonte edhe frymëmarrjen dhe këtë e bënte enkas, për të menduar thellësisht. Nuk donte të kishte aspak zhurmë të brendshme, ndërkohë që mendonte.

Ata të dy, ecnin ngarkuar më thasë të mëdhenj, mbushur me të keqe. Secili prej tyre kishte nxjerrë prej vetes, aq të keqe, sa kishte mundur, u kishte ardhur edhe turp prej njëri-tjetrit dhe prandaj të keqen e kishin vendosur në thasë të mëdhenj, të padukshëm. Nuk duhej të mësonin se çfarë forme dhe ngjyre kishte e keqja e tyre.

-Edhe pak mbërrijmë, i tha gruaja të shoqit. Më duket se u lodhe, vazhdoi ajo më tej.

-Po nuk fole ti, unë nuk e ndjej lodhjen, tha ai, dhe nxitoi që të rregullonte frymëmarrjen.

-Mendon se do të ketë të tjerë? tha ajo më tej, dhe nuk ia vuri aspak veshin atë çfarë i tha ai. Fundja të njëjtat gjëra thoshte gjithmonë dhe i përsëriste aq shpesh, sa ato nuk shprehnin më rëndësi.

-Them se jo, i tha ai me zë të ulët, dhe u përgjigj enkas kështu, sa për të rregulluar frymëmarrjen, e cila po tregonte lodhje. Ai nuk duhej që të lodhej më shumë se ajo.  Nuk duhej që ajo të kuptonte, që në thasët e tij kishte më shumë të keqe, dhe pesha e tyre po e lodhnin atë më shumë.

-A e dëgjove mirë njoftimin? i tha ajo, dhe këtë herë ndaloi hapat, ktheu kokën dhe priti derisa tjetri të përgjigjej.

-Patjetër që po. E si mundem të gaboj për një gjë kaq të rëndësishme? i tha ai dhe këtë herë u duk sikur u vendos një paqe komunikimi midis të dyve.

-Por, vazhoi ai më tej, ashtu sikurse të thashë, njoftimi thoshte që dita e nesërme do të jetë dita, kur duhet të hidhet e keqja në gropë, prej të gjithëve, pa përjashtim.

-E di, i tha ajo. Po si do mundnim, që të hidhnim aq shumë të keqe në publik? Prandaj, sot ne hedhim pjesën më të madhe të së keqjes dhe nesër, kur të jetë ceremonia e madhe, hedhim edhe ne diçka, në mënyrë simbolike, sa për të qenë si të gjithë, se po të jetë për mua, nuk dua të hedh asgjë në sy të të tjerëve. Pse duhet të shohin ata të keqen time? Përderisa unë nuk lakmojë të keqen e tyre, pse duhet ta reklamojë unë timen?

-E di, i tha i shoqi, këtu nuk po ka më privatësi. Ky vend nuk po ka më norma dhe parime, gjithësesi, për një gjë ramë dakort ne të dy dhe mendoj se gjetëm zgjidhjen, ja pra, për këtë që po bëjmë.

Ai ecte, dhe pa e parë ajo, ndalonte, ulte thasët poshtë dhe fërkonte duart që t’i ç’mpiheshin, sepse ato kishin filluar t’i mavijoseshin nga peshat e rënda që po mbante.

Iu kujtua e afërt dita, kur në ndërrmarjen e tij, njëri prej punëtorëve, ai që dinte gjithçka që ndodhte, u kishte thënë me zë të lartë:

“Ka ndodhur diçka e madhe, diçka e pabesueshme. Në vendin e quajtur “Kot”, ka filluar që të krijohet një gropë. Ajo është duke u thelluar çdo ditë e me shumë, dhe më e çuditshmja është se e shikon edhe me sy të lirë gropën teksa rritet. Unë tani u ktheva prej andej, dhe nuk do ta besoni, nëse nuk e shihni edhe ju vete. Nëse doni, unë mund t’iu shoqëroj deri atje, se vetëm sot, kam shkuar disa herë dhe nuk e di, se sa herë të tjera do më duhet që të shkoj.”

Pas këtyre fjalëve, të gjithë kishin mbetur në heshtje. A mund të ishte diçka e vërtetë, apo ndonjë trillim i këtij palo njeriu, që gjithmonë mundohej të tërhiqte vëmendjen me diçka, sa për të shpërqendruar veten dhe të tjerët nga puna.

“Si të doni pra, nëse nuk më besoni, punë për ju, tha ai. Unë, përderisa e dija, jua thashë. Lëre që shumë shpejt do ta shihni edhe vetë në televizor, se tani është bërë çështje kombëtare. Unë isha atje, tha ai më tej, kur po intervistonin Komandantin e Sigurisë Kombëtare. Enkas ndenjta afër, gjasme si pa mendje, për të mësuar ndonjë gjë prej tij, ta mësoja vetë i pari, kuptohet, vazhdoi ai më tej, para se ju të shihnit intervistën e tij në televizor. Po, a e dini? tha ai, dhe filloi që t’i shihte  të gjithë në sy, një e nga një. Në intervistë ai, Komandanti pra, nuk tha gjë, iu mbajt goja shumë herë dhe po fliste fjalë pa kuptim. Për të tjera gjëra e pyesnin dhe për të tjera gjëra përgjigjej. Unë qesha, kur ai tha që kjo duhet parë si diçka pozitive, sepse ja po na krijohet mundësi që të kemi një liqen, ose pishinë tha më tej, kemi një gropë tha ai i nervozuar, të cilën mund ta mbushim me ujë dhe ta mbajmë si depozitë të madhe për vendin. Qeshën të gjithë me të, por jam i sigurtë që ju nuk do keni mundësi që ta shihni këtë pjesë, se që aty e kuptova që do e hiqnin këtë pjesë, nuk do i transmetonin gjithë budalliqet që ai tha, dhe që ta mendosh që ai është Komandanti i Sigurisë Kombëtare, tha punonjësi llafazan, dhe gishtin tregues e vuri afër tëmthave të vet dhe ashtu ndenji pak, që ta bënte situatën me të besueshme prej të tjerëve.

Ashtu ndodhi vërtetë, ashtu sikurse ai tha, kjo tashmë nuk ishte më një çështje thashethemi brenda një ndermarrje mjerane, por ishte kthyer në një çështje kombëtare.

Në edicionin kryesor të lajmeve, me një strishë fosforishente shënohej: “Ngjarje e jashtëzakonshme”. Të gjithë kishin pritur me ankth çfarë do transmetohej dhe fillimisht habia, dhe më tej frika kishte zënë vend në çdo familje.

Gjeologët kishin bërë analizat e shtresave të tokës, dhe shumë analiza të tjera, por asgjë nuk kishte rezultuar ndryshe, që të mund të shpjegonte këtë fenomen.

Pyetjet prej të gjithëve mbesnin pa përgjigje, ajo çfarë po kishte kuptim ishte vetëm ajo çfarë po ndodhte.

Gropa kishte ndarë vendin në dy pjesë, pasi ishte shtrirë në gjithë vijën diagonale ndarëse, ajo kishte ndaluar zgjerimin dhe në të njëjtin shtrat që kishte formuar, ajo vetëm thellohej. Diçka dukej se kishte kuptim, pra çfarëdo që të ishte, ishte vetëm për vendin e quajtur “Kot” dhe vendet e tjera fqinje nuk ishin të prekur nga ky rrezik.

Ishin munduar ta mbushnin gropën me inerte të ndryshme, por kjo nuk ndikoi aspak, dukej sikur ajo do donte gjithë dheun e botës që të mbushej.

U mendua që ta linin ashtu, le të jetonte vendi i ndarë në dy pjesë, lë të kishte fundja edhe dy qeveri, se këto janë fatkeqësira që ndodhin në ditët e sotme. Disa u lumturuan kur u mendua kjo e fundit, sepse me këtë dukej se çdo gjë mori rrugë zgjidhjeje. Por, pasi u analizua gjatë, u kuptua se as kjo nuk ishte gjetje. Gropa kishte filluar që të krijohej në mënyrë të menjëhershme dhe banorët kishin lënë në pjesën tjetër shumë njërëz dhe gjëra të dashura: mandej në pjesën tjetër të vendit ishte edhe aeroporti dhe pa të nuk bënin dot. Pastaj edhe ideja e dy qeverive brenda një vendi do funksiononte vetëm për pak, se patjetër do të fillonte ndonjë luftë e re politike, e cila nuk do dihej se çfarë përmasash do të kishte.

U menduan gjatë të gjithë, prej të gjithëve pritej zgjidhja dhe pikërisht atëhere kur u mendua se nuk kishte më shpresa, atëhere ndodhi mrekullia, prej atij që më pas e quajtën “djali mrekulli”.

Një ditë, një djalë i vogël, i cili nuk e kishte aspak qejf shkollën, ishte larguar prej mësimit pa leje. Ndërsa dilte shëtitje, këmbët i ishin ndalur para gropës së madhe, njerëzit që ndodheshin aty afër e kishin paralajmëruar që të largohej prej andej, se kishte rrezik mos pengohej dhe binte brenda, por djali si për të matur thellësinë e gropës dhe për të hequr qafe atë që nuk e duronte dot, kishte hedhur aty, brenda, çantën e shkollës. Sapo çanta kishte prekur fundin e gropës, ajo kishte filluar që të mbushje nga pak dhe për disa sekonda kishte vazhduar mbushja e gropës, derisa kishte ndalur.

Të gjithë kishin shtangur, prej asaj çfarë kishin parë dhe filluan që ta thërrisnin atë “djali mrekulli”

-Hidh diçka tjetër brenda në gropë! kishte bërtitur dikush. Djalosh hidh ç’të mundesh, të lutem, kishte zbutur zërin ai më tej.

-Nuk kam asgjë tjetër, i kishte thënë djaloshi. Kam vetëm këtë lodrën, të cilën e kam dhuratë. Këtë nuk e hedh, i kishte thënë ai, dhe e kishte mbajtur lodrën fort brënda përqafimit të tij. Njerëzit kishin nxituar që t’ia tërhiqnin atij lodrën dhe shumë shpejt ajo ishte në duart e tyre. Ata e flakëritën lodrën brënda gropës së thellë dhe të gjithë po prisnin që ajo të kapte fundin. Shumë shpejt lodra ra në fund, por asgjë nuk ndodhi. Gropa ishte po aq e thellë sa më parë, asgjë nuk ndryshoi me hedhjen e lodrës në të. Pas kësaj djali i vogël, filloi të qante, por e bindën shpejt se kjo ishte për një çështje të madhe, atë të sigurisë kombëtare. Djaloshi nuk kuptoi asgjë më këtë, por meqënëse pa shumë njerëz që po i flisnin, u ndje i rëndësishëm dhe pushoi së qari.

Pasi u shqyrtuar gjatë e gjërë çështja e “djalit mrekulli”, u gjet zgjidhja.

“Gropa mbushet vetëm nëse hedhim në të gjëra që ne nuk i duam, që na bëjnë të ndihemi keq, pra le të hedhim të keqen, kishte folur dikush dhe fjala e tij u duk zgjidhje. Por, që mbushja e gropës të bëhet sa më shpejt, duhet që të gjithë të hedhim të keqen tonë njëkohësisht, kishte thënë ai, që nga të gjithë u quajt “heroi i vendit”.

Ashtu, sikurse ishte zakon në këtë vend, asgjë nuk kalonte dot pa diskutime të gjata, edhe kjo zgjidhje nuk mund të kalonte pa debate.

Shumë prej banorëve nuk ishin dakort me idenë e nxjerrjes së të keqes jashtë.

“Përderisa ne kemi gjithë jetën që jetojmë me këtë të keqe, nuk është e shëndetshme që befas një ditë të gjendemi pa të”, kështu argumentonte një grup njerëzish, ndërsa disa të tjerë mendonin se nëse e keqja do të nxirrej njëlloj jashtë nga të gjithë, kjo do të ishte arritje për shoqërinë, e cila edhe nëse me pas do prodhonte sërish të keqe, kjo do të kishte rrezikshmëri të vogël, se fundja, e keqje fillestare do të ishte, nje e keqe pa eksperiencë.

Gjithësesi, pavarësisht diskutimeve, u caktua një datë, në të cilën gjithëkush duhet të hidhte brenda gropës të keqen e vet.

“Askush nuk përcaktoi mënyrën e paketimit të së keqes, mendoi burri, teksa uli poshtë thasët, mbushur me të keqe, ndërkaq donte që t’i ulërinte të shoqjes:

“Moj shushkë, pse nuk përdorëm më mirë valixhet me rrota”, por ndërroi shpejt mendim, se e dinte që ajo do i përgjigjej me shumë fjalë, të cilat do ta lodhnin më shumë, se thasët e rëndë.

-Erdhëm, më duket, i tha e shoqja dhe u kthye për nga ai, i cili ishte disa hapa mbrapa dhe tani ishte lodhur aq shumë, sa nuk arrinte t’i mbante dot më thasët në duar, por i tërhiqte ato zvarrë.

-Po, meqënëse thua ti që erdhëm, duhet të kemi ardhur, i tha i shoqi, dhe pas këtyre fjalëve u ul sipër thasëve për t’u shlodhur. Kam gjithë jetën që mbaj peshën e thasëve brenda vetes, le të më mbajnë ca mua tani, tha ai, se fundja pa peshën e tyre unë nuk peshoj shumë. I ndritën sytë nga një mendim, vërtete tani duhet të peshoj më pak, i tha vetes. Sapo të kthehem në shtëpi, do peshohem patjetër. Uli kokën dhe pa madhësinë e barkut, e cila nuk kishte ndryshuar aspak, por gjithësesi e ndjej veten më të lehtë, tha. Diku nëpër trup duhet të peshoj me pak, mendoi.

-Po çohu pra! i ulëriu e shoqja.

Ai u çua pupthi, se e dinte, nëse nuk çohej që herën e parë që i fliste, ajo vinte dhe e ngrinte vetë peshë prej vendit.

-Erdha, i tha ai, duro, se u çova! Ai nxitoi hapat që të arrinte atë, se tani ata duhet të ishin bashkë, në momentin final, para gropës së madhe.

-I zbrazim thasët më mirë i tha gruaja, se mund të na duhen thasët, mos ta hedhim të keqen bashkë me thasë? Hë si thua? vazhdoi ajo më tej.

-Jo, në asnjë mënyrë, bërtiti tjetri, nuk lejoj që të shohi dikush të keqen time lakuriq, tha ai, as ti, kuptove? Pas këtyre fjalëve, ai i doli para thasëve të vet, sikur donte t’i mbronte ato.

-Si të duash, i tha e shoqja, dhe meqënëse është puna kështu, as unë nuk të lejoj që të shohësh të keqen time lakuriq. Ajo i ktheu kurrizin dhe u përkul tek thasët e vet, mbushur me të keqe, duke shtrënguar edhe njëherë lidhëset e tyre. Larg qoftë, i tha të shoqit më tej, se mos na zgjidhen thasët dhe na ikën e keqja, se me zor i nxorrëm jashtë.

-Jo, nuk e besoj, tha ai. Unë për vete i kam lidhur mirë thasët, nuk më hapen, dhe i la asaj të kuptonte, se nuk i bëhej aspak vonë për të keqen e saj.

Ata vazhduan të ecnin edhe pak përkrahë njeri-tjetrit, por këtë herë pa folur. Ndërsa po i afroheshin gropës ku do të hidhnin të keqen, dëgjuan disa zhurma. Dy njerëz te tjerë po hidhnin disa thasë të mbushur brenda gropës.

U fshehën, nuk duhet t’i shikonte njeri. Pritën që ata të largoheshin, iu afruan gropës dhe me furi hodhën brenda gjithë thasët e rëndë, që me mundim të madh i kishin sjellë deri aty.

-Nuk besoj se na pa kush? tha gruaja

-Jo, i tha i shoqi, thjesht rastisën ata të dy, mirë që i pamë ne, më parë se të na shihnin ata, tha ai.

-Patëm fat këtë herë, i pohoi e shoqja.

Sapo u bënë gati të largoheshin, dëgjuan sërish zhurma: ngadalësuan hapat dhe u futën tinëz tek një shkurre e dendur që ndodhej aty pranë.

-As këta nuk na panë, i tha e shoqja, ja rrimë ca këtu sa të largohen.

Ndërsa ata po prisnin në qetësi, që të largoheshin njerëzit që mund t’i njihnin, panë se tek shkurret e tjera, ngjitur me ta, të tjerë njerëz rrinin fshehur, edhe ata prisnin që të largoheshin të tjerët dhe mos t’i shihte kush.

Të gjithë pritën gjatë të gjithë…

Mëngjesin tjetër, në ditën e madhe, në ceremoninë e hedhjes së të keqes, të gjithë panë të gjithë, teksa hidhnin ndonjë gjë të vogël brenda në gropën e vogël.

Për dikë e keqe quhej: një kupucë e re, që i kishte shtrënguar këmbën, një libër jo interesant, një kartolinë urime e shkruar keq, një ushqim i pa gatuar mirë, e shumë e shumë gjëra të tjera që në dukje dukeshin gjëra pa rëndësi.

Pavarësisht se të gjithë, nxorrën diçka prej vetes, diçka të keqe dhe e hodhën brenda gropës, ajo u mbush pare pak.

-Po tani si t’ia bëjmë? pyeti njëri prej banorëve “heroin e vendit”.

Ai u mendua pak dhe foli me bindje:

– Do vazhdojmë të hedhim sërish të keqe. Meqënëse tani nuk kemi ç’hedhim më, do presim sa të na mblidhet ca e keqe, prandaj çdo vit, në të njëjtën datë, si sot, do kemi ceremoninë e hedhjes së të keqes. Pra, e caktuam, vazhdoi ai me tej, data 25 Dhjetor është dita e ceremonisë së madhe.

Të gjithë e shënuan këtë datë në kalendarët e tyre, kjo duhej festuar.

U larguan prej andej për tu ritakuar sërish në datën e caktuar, u larguan, por të gjithë, fshehurazi, mbartën me vete kuriozitetin e së njëjtës pyetje:

“Vallë me çfarë të ishin mbushur thasët, që qendronin në fund të gropës dhe pse nuk arritën dot që ta mbushnin atë?!”

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s