Hiri: Ese-intepretim rreth romanit të autores Flutura Açka /

Hiri

 Ese-intepretim rreth romanit të autores Flutura Açka

 

-erjon_muca_549317221

Nga: (Hamdi) Erjon Muça

 

“Vetëm hiri e di çdo të thotë

të shkrumbohesh nga zjarri.”

Josif Alexandrovic Brodskij

( Këtë ese e shkrova sepse Romani “Hiri” i Flutura Açkës më bëri të ndihem i detyruar. Falë tij arrita të shbllokohem për të përvijuar punën time me librin nr 2 Për Migjenin. Kjo është mënyra ime për ta falenderuar dhe në një farë mënyre për të shlyer detyrimin.)

Leximi është një sëmundje kronike, pa shërim! Nuk e di nëse është gjentike apo ngjitëse?! Di vetëm që është kronike dhe me një drejtim, atë të përkeqësimit progresiv. Kjo sëmundje, individët që prek i bën maniak të blerjes, mbledhjes dhe pse jo edhe vjedhjes së librave. Simptomat, gjithnjë në përkeqësim, i shtyjnë individët të kenë një bibliotekë të pasur, dhe llogari rejdhëse të varfër. Sot, me keqardhje e them se edhe unë jam në rrugën e përkeqësimit, të rënduar; jam një i sëmur terminal. Kam një librari të madhe, por vetëm se libraria ime ka një andykap. Ajo është e ndarë në tre pjesë.

Pjesa e parë, ajo më e vjetra, e nisur nga im atë, një tjetër i sëmur rëndë, e nisur nga vetë ai me të ardhurat e periudhës së sistemit komunist, ndodhet në Durrës! Pjesa e dytë ndodhet tek shtëpia e tim eti këtu në emigrim dhe pjesa e tretë është në shtëpinë time, atë që nisa të ndërtoj pasi krijova familjen time. Ju do të thoni se vetëm kjo është jotia ajo tjetra eshte e tët eti. Epo ja që ne njerëzit jemi të vdekshëm dhe meqë im vëlla nuk vuan nga sëmundja kronike e leximit, kemi rënë dakort, që kur të vijë dita, unë uroj sa më larg të jetë e mundur, biblioteka behet e imia. Biblioteka ime, meqë është e krijuar në kohëra të ndryshme, nga individë, (të sëmurur por me simptoma të ndryshme) të ndryshëm, shpreh edhe ndryshmërinë e vet. Ajo imia personalja është më e përqëndruar, më e shënjëstruar; aty do gjeni vetem ata autorë, (letërsi) që sipas meje, më ndihmojnë në rritjen time; kam edhe libra të dhuruar nga shkrues të ndryshëm, miq të mi, dhe që unë nuk i kam lënë pa lexuar. Ndërsa ajo e tim eti është më kozmopolite, nuk ka vetëm letërsi por edhe histori, ose publicistikë (librat e biblitekës nr3 i kam lexuar të gjithë ndërsa ato të bibliotekave nr1 dhe dy, mund të kem lexuar rreth 65 ose 70 përqind, do mundohem t’ lexoj të gjitha por në një rend kohor pak më të zgjatur se të atyre që regullisht blej vetë).

flutura-acka

Flutura Açka

Tashmë im atë është pranë moshës së pensionimit dhe meqë ka marrë një periudhë të gjatë pushimesh, shkon dhe vjen shumë shpesh në Shqipëri. Pak kohë më parë im vëlla, me të cilin jetojnë prindërit e mi, ndërroi banesë dhe librat e tim eti, ata të bibliotekës nr 2 erdhën me banim tek unë. Unë i sistemova në mënyrën më të mirë të mundëshme. Vetëm se unë jam pak kaotik, ose thënë shqiptarçe, shkatarraq, por meqë po shkruaj një ese, po mundohem të përdor fjalë të zgjedhura. Vetëm pak ditë në vit, librat e mi qëndrojnë në vendet e paracaktuar, më pas, ngaqë unë i shfletoj, me parregullsi, në funksion të asaj që kërkoj, ata nisnin dhe ndërrojnë vend; deri ditën kur unë e vërej kaosin dhe atë ditë vihem në renditje…

Para pak ditësh qëlloi pikërish dita e mësipërme. Nisa renditjen e librave dhe mes librave të librarisë nr2 gjeta librin e Flutura Açkës. E mora në dorë dhe me ta prekur diçka parandjeva. Më goditi titulli “Hiri” dhe “Vetmi Gruaje” përpos kësaj edhe e shkruar sipër, dy romane. Me të gjithë skepticizmin tim, ajo ndjesi, çka prekja e kopërtinës më bëri të ndiej,(mu duk sikur preka një zë të brendëshëm klithës, që vinte nga brendësia e librit) më shtyu ta lexoj.

Pse skepticizëm?

Skepticizmi im është pjellë e mangësisë kohorë që më shoqëron dhe udhëtimi letrar që një pjesë, jo e vogël e shkruesve, në Shqipëri, kanë ndërmarrë. Apsolutisht që nuk janë të gjithë, por gjithësesi kjo pjesë shkruan një letërsi disi të shqyer; njërën këmbë nga mësimet e realizmit socialist dhe tjetra e mbështetur paksa në postmodernizëm. Nuk e di për të tjerët, por unë këtë lloj letërise nuk e përtyp dot, jo sepse është hibride, por sepse hibriciteti i kësaj letërsie të lë një shije shumë të keqe (për mua). Këta shkrues mundohen me të gjitha forcat t’i japin moral tregimeve, novelave, romaneve apo edhe vargjeve që shkruajnë. E nga kjo përpjekje lindin përbindësha të shëmtuar dhe të pakuptueshëm.

 

Por, (o ironi)

nga ajo përpjekje lind

vetëm një mi.

Dhe kështu kjo komedi

na plasi dellin e gazit

nsa prej marazit

pëlcasim.

 

Ndokush edhe me shpoti mund të pyes. Po ti vetë mor aman si shkruan?

Nuk e di! Krijesat e mia mua më duken gjithnjë të bukura. Nuk mund të jem unë vlerësuesi  i tyre. Unë mundohem që ato që më duken si të gabuara, në çka lexoj tek të tjerët, t’i anashkaloj në punët e mia.

Me skepticizëm ngrehur, nisa të lexoj romanin “Hiri”. Ju lutem mos më gjykoni për keq, por sa pata përfundura dy libra, (të dytin, me tregime e lashë përgjysëm pasi nisi të më shkaktonte dhimbje koke dhe përgjumje) të një autori, që në Shqipërinë tonë paradoksale, nisën ta quajnë antikadare. A thua se Kadare është bajlozi që erdhi nga deti dhe ky ishte Gjergj Elez Alia shpëtimtar.

Romani “hiri” i Flutura Açkës doli krejt e kundërta e asaj që skepticizmi im më shtynte të kërkoja.  Aq kundër, sa, kur e përfundova, qortova veten që nuk e kisha lexuar më parë; libri është botuar në 2013 nga Skanderbeg books.

Që në radhët e para, autoria, të përball me relativitetin mbytës që shoqëron, rrethon, të humburën, qenie humane. Flututa Açka e nis me gruan, pasi atë e ndien më shumë, më afër vetes, por nuk është e vështirë të kuptosh që nuk ka të bëjë thelbësisht me gruan. E pikërisht mosvështirësia e të kuptuarit nga ana e lexuesit, që i atribuohet mjeshtërisë së qartëshkruarit të autore, është një nga shtyllat mbajtëse, më të rëndësishme, të këtij libri.

hiri-600x600

Hiri

Personazhi gjendet në Prishtinë, por mund të ishte gjendur edhe në Shkup, Selanik apo kudo tjetër, larg pikës së vet referuese, dhe perëndimi do ishte dukur ndryshe. Nuk ka të bëjë me vendin, por me qenien njerëzore, me atë relativitetin që gjendet brenda sajë dhe që ajo kërkon me ngulm, gjatë të gjithë ekzistencës së vet; në magjistralen  e madhe të pafund të kohës…

Personazhi jeton çastin, por me shkëndia shurdhuese kujtimesh. Mrekullia e rrëfimtarisë së Flutura Açkës, të paktën në këtë libër, nuk dua të gjeneralizoj sepse do të ishte e gabuar, nuk qëndron më shumë tek përqasia psikologjike thuajse reale, që ka libri, me jetën njerëzore, se sa tek intensiteti dhe natyrshmëria me të cilin rrëfimi hidhet nga e tashmia në të kaluarën. Ndaj Enora Gjura duket sikur nga radhët e librit futet brenda lexuesit, duke  jetuar, tashmë edhe me kujtimet e lexuesit që përzjehen me ato të personazhit.

Personazhi, njeriu, i rrethuar, i mbushur, më tepër nga mëdyshjet se sa siguritë, jeton, herë arrin të ndahet prej këtyre mëdyshjeve dhe të ndjehet i sigurt në gjithçka, por herë-herë, realiteti e pushton dhe mëdyshjet nisin e përpijnë; me qen aq mos me qenë. Të dashurosh apo të mos dashurosh. Jeta njerzore është një kërkim i pafund, në rastin konkret të dashurisë, por që e shoqëron qenien njerëzore që nga errësira shekullore evolutive, nga e cila vijmë.

Teksa e lexoja librin, nisa të mendoja për Platonin, mitin e gjysmave. Ai thoshte se në humbëtirën e të shkuarës, civilizmin njerëzor nuk ishte i përbër nga burra dhe gra, por nga individë burrë-grua, bashkë në të njëjtin trup dhe këta individë jetonin mbështjellë nga një lumturi e pafund. Vetëm se kjo lumturi e nervozoi Zeusin i cili për të shpaguar jolumturinë e vet, i ndau këta individë, në bura dhe gra. Që nga ajo ditë qenia njerëzore ka ndërmarrë një maratonë shteruese në kërkim të gjysmës që i mungon; të lumturisë dhe përpos të gjitha lodhjeve, atë nuk e gjen kurrë.

Kjo është e njohur, vetëm se Flutura Açka, me rrëfimin e vet, të shtyn të medosh se Platoni mund edhe të kish gabuar në përllogaritje. Kur nis dhe bëhesh njësh me Enora Gjurën, jetën e kësaj gruaje të divorcuar plot me mëdyshje,  e cila gërshetohet me atë të Ed Zagorisë, që në dukje mund të jetë gjysma munguese e sajë, ndjen se Zeusi nuk e ka ndarë në dysh qenien njerëzore, por në katërsh. Ndraja e parë është ajo fizikia, burrë, grua, por ai edhe këta individë i ka ndarë virtulisht në brendësi. Ndaj njeriu e ka të pamundur të gjej gjysmën e vet, të humbur, fizike, pasi ai më parë duhet të ngjis dy gjysmat e ndara brenda vetes.

Rjedha e historisë, të kujton “On the Road” të Jack Kerauac. Ai kërkim i përhershëm, intensiv, i kushtëzuar nga kujtimet dilematike dhe pasiguritë e shenjave. Vetëm se mënyra rrëfyese nuk është e ngjashme me kaotiken rëfimtari të beat generation-sit. Rëfimi i sajë anon më tepër nga mënyra lakonike e brezit të humbur të Scott Fitzgerlad-it. Ky nuk është hibridizim por thelbi i antikoformizit. I artit përherë në evuolim, në kërkim të pashtershëm të perfeksionit. Këtë, kërkimin e perfeksionit, e mbështet me përdorimin e një gjuhe të zgjedhur, të ëmbël, e cila në lexim nuk ta vret veshin, si jo pak shkrues që mundohen të jenë poetikë, por që padashur bëhen patetikë… Autoria nuk shtyhet  të japë sentenca, të arrijë në përfundme bombastike. Jo! Ajo e lind krijesën e vet dhe e lë të jetojë, madje në disa ndjesime jeton edhe vetë me të, por pa e influencuar. Kuptohen ndjesitë personale të autores por duhet ti kërkosh me ngulm.

A nuk është kjo më shumë se mjeshtëri?!

Emrin e Jack Kerauac nuk e përmenda vetëm për të pasur një emër të rëndësishëm në shkrim apo vetëm për çka thashë më lart. Zonja Açka ashtu si Kerauac janë individë pjestarë të brezave, edhe pse të ndryshëm, që jetojnë, jetuan, kaluar midis dy epokash shoqërore. Individët, në të cilët bëj pjesë edhe unë, ndjejnë vështërsi të madhe  në ballafaqimin e aspiratve të tyre, me ralitetin. Në ndërgjegjia luhet një ndeshje e madhe, hera-herës me goditje të dhunshme psikologjike; brenda këtyre individëve, dy forca tërheqin njëra tjeterën me forcë thuajse ekuivalenet. Forca tërheqëse e dëshirës për “revolucion” dhe ajo, po tërheqëse, e mësimeve të vjetra, të ngulitura në çdo qelizë njerëzore, përplasen ritmikisht, pa ndalur dhe qenia njerzore e gjendur në mes të kësaj përplasje është gjithnjë nën trysninë e dilemave; gratë pak më tepër se burrat. Ndaj kur autoria thotë; shumë i gjatë ky tranzicion, unë nënkuptoj çka shkrova. Madje Flutura Açka me anë të rëfimit të vet, në mënyrë soft na tregon edhe përsenë e kontrasteve të mëdhaja sociale, të vendit tonë, që duken si paradoksale dhe jo rrallë herë qëndrojnë thellë në grotesk; është e kotë të jap shembuj… “On the road” i Kerauac është një libër i dhunshëm i vrullshëm, pjellë e një qenie në kontrast shumë të fort me thelbin e vet dhe me shoqërinë; krijesë që kërkon arratinë me çdo kusht. Ndërsa Hiri i Flutura Açkës është më reflektiv, ndaj thashë që ngjason me  Scott Fitzgerlad-in. “On the road” është eksperienca personale e autorit trajtuar në mënyrë letrare, ndërsa Hiri, ashtu Si “Gebsi i Madh” janë dy krijesa fiktive trajtuar me ndjesi të thella intime. Madje Flutura Açka në fund të librit sillet njëlloj si Fitzgerlad; ai ndjente keqardhje për Gebsin, individi që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për dashurinë, lumturinë, por po me të njëjtën ndjenjë keqardhje trajtonte edhe individët e tjerë që janë të gatëshëm të sakrifikonin lumturinë, dashurinë, për gjithçka tjetër. Edhe Flutura Açka në fund ndjen keqardhje si për gruan që ikën ashtu edhe për burrin që qëndron…

Flutura Açka të prezanton me krijesën e vet por nuk jep asnjë detaj; as ngjyrën e syve, të flokëve, gjatësinë e shtatit apo format e tjera femërore. Ajo është një grua. Vetvetiu mu kujtua kënga e magjikes  Whitney Houston; i’m every woman. Kjo është një tjetër shtyllë e rëndësishme e këtij romani; ai nuk i mbyll personazhet nën qerthullin e vdekjes me emrin përshkrim personal, personazhet duhet të jenë universale. Gratë me aromën e tyre dhe burrat me peshën…

Më pas në skenë, si një satelit, shfaqet një fantazëm; Artur Robja! Prekesh nga vuajtjet fizike dhe shpritëore që kjo fantazëm ka provuar në kohën që posedonte një trup të mishtë. Edhe këtu të duhet përkushtim, kërkim, për ta kuptuar që Artur Robja është tek çdo individ, diku më shumë e diku më pak, por është ajo pak çmenduri sinestezike, që ne ose e vrasim nga frika ose e injorojmë nga moskuptimi, por edhe në rastin e dytë ajo qenie vdes. Artur Robja është ai zëri i asaj pak çmendurie hyjnore që çdo individ ka në brendësi. Do mjaftonte që të gjithë ta amplifikonin pakës këtë zë për tu çliruar nga komplekset që shterin qenien humane; Shpirtrat janë vetë kandila të ndezur, si shpesh qirinj të fikur…

” Ai ishte i pazbërthyeshëm, as ajo këmbëngulte, por lëshonte grimcat femërore të pamundshmërisë. Nga ai çast, mund të bënte me të çfarë të donte. Ishte e përkulshme, fluide. Një qenie që dashuronte marrëzisht.”

E solla këtë pjesëz jo vetëm për të treguar natyrshmërinë dhe çlirshmërinë e rrëfimit, e kjo është një nga të shumëtat pjesëza të tilla, maxhorncë apsolute, por edhe sepse kjo pjesëz tregon, pas shumë mëdyshjeve të përjetuara nga personazhi, nga njeriu, që lumtria është shëruesi i vetëm i vuajtjeve psikologjike njerëzore; mjafton që njeriu të gjej lumturinë për të heq dorë nga indi luftarak, kundërshtues.

Vetëm se gjithçka në këtë jetë shkon drejtë përfundimit. Lumturia, dashuria, si pjesë të qenies njerëzore nuk mund të bëjnë përjashtim, ndaj me tu shuar zjarri i ndjesive, hiri i ftohtë mbështjell shpirtin njerëzor. Nuk është hiri nga i cili rilind Feniksi. Jo ky është hiri e shpirit njerëzor; kur shpirti, ndjesitë, shkrumbohen nuk ka më ringjallje.

Nga fundi i romanit do të ndesheni edhe me një thënie të thënë e stërthënë; shtrati martesor vret dashurinë. Vetëm se në brendësi të këtij romani intens, kjo fjali merr një kuptim më të thellë, më të dhimbshëm; jetën nuk e vret vdekja, por të jetuarit…

Në fakt kam edhe një “kritikë” më tepër se për autoren këtë vërejtie ia bëj Enora Gjurës; ajo erdhi brenda meje dhe u mundua të bashkëbisedonte me ndërgjegjien time. Ndihej e dhunuar psikologjikisht ajo grua, ndjente ftohtësinë e qenies burrë. Për të, e yshtur edhe nga këshillat e Lurës, burrat futen në jetën e grave, marrin atë që pretendojnë se është e tyria dhe largohen pa dhënë asnjë sqarim. E dashur Enorë! Kjo nuk është dashakeqësi nga ana e burrave dhe fajin e ka evolucioni sipas teorisë Darviniste, mbi të cilin është bërë ky studim, në rrugën evolutive, burrave, vetëm që ti binte peliçja kafshërore iu  desh njëndepesëdhjetëmijë vjet më tepër se grave. Ndaj dhe ndodh e gjithë shtypia psikologjike me të cilat përballen qeniet humane në këtë planet. Gruaja  ka kërkesa shumë më racionale, sepse bazuar tek teoritë evolutive ndodhet pak më përpara në evoluim, ndërsa burri ka akoma thirrjet e instiktit në brendësi, është më prirur nga fantazia se nga racionaliteti.

Ose Zeusi ose evoluimi e kanë ndarë në mënyrë të pamëshirshme këtë civilizim, ndaj një pjesë e madhe e tyre, ndihen të zënë në kurthin e hirit…

 

07-02-2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s