VETËM 6 LEKË / Tregim nga Zhaneta Barxhaj

VETËM 6 LEKË

 

zhaneta-barxhaj

Tregim nga Zhaneta Barxhaj 

Mes hijeve të shkallëve, rrëshket padukshëm në zbritjen e vet optike. Ecën këmbëmbytyrazi në abshisat e trajektuara. Ja ! Atje, sheh kryqëzimin e koordinatave dhe s’di nga të anojë.

Dielli  i dalë që herët, i tregon se duhet të jetë mesditë, e ndoshta koha e drekës. Duhet të hajë diçka përpara se të nis lëvizjen e rradhës. Ngadalë sikur do ti thyhen vertebrat në zverkun e gjatë, kthen kokën në kërkim të ndonjë kioske (një nga ato kërpudhat që kanë mbirë kudo). Buzë rruge, si në një zinxhir të hallakatur, rreshtohen dyqane cikërrimash. Asgjë ushqyese nuk lexohet në tabelat e tyre elektronike edhe në ato shkruar me një shkrim shkumësi mbi rrasa të zeza. Vijon të shohi akrepat diellor të mesditës dhe uria i shtohet. Për fatin e tij në një cep syri lexon “ Byrektore”. S’do ish keq mendoi, duke i’u afruar derickës së xhamtë të kësaj kuzhine ambulante. Në një tavë gjithë avull sheh byrekët e sapo dalë dhe shitësen veshur me një kapuç që i buzëqesh.

– Doja të ha diçka :- i drejtohet zonjës me kapuç, që i ngjante atyre figurave të fabrikave të revolucionit industrial.

–  Patjetër, çfarë dëshironi? :- picërron sytë në një buzëqeshje dashamirëse zonja e kapucit.

– Dy byrekë nga tava avullore zonjë.

Me ca lëvizje mekanike, të mësuara përmendsh nga përditshmëria rutinë, zonja kthehet mbrapsh. Hap  një qese të vogël, merr një si tip mashe ( Duket veglat moderne që kanë evoluar, nga kapja e zjarrit tek kapja e byrekut! Apo është futur në përditshmëri, tashmë si përdorim shumë funksional edhe hi edhe brume?!!), këto po mendonte kur shitësja u kthye , duke rrasur një copë të bardhë letre mbi to.

– Urdhëroni zotëri, kushtojnë Vetëm 6 lekë.

Futi dorën në xhep dhe tringëlliu mbi banak monedhat, me një habi të dukshme, deshi ti thoshte diçka zonjës me kapuç…Në këtë kalamëndje mori në dorë qesen ricikluese dhe eci më tej. Ndërsa përtypte  copat e ngrohta, në mend i mbeti shprehja “vetëm 6 lekë”.

Ç’ishte kjo shprehje e padëgjuar ! A kishte ndonjë ndryshim vlere po të shprehej “ shumë 6 lekë ” ose “ me shoqërues 6 lekë “? Ç’ishin këto terma të çuditshëm në shprehjen e vlerës. Ndoshta terma të marketingut modern, që po bëhej gjithnjë e më tepër një industri imazhi të gënjeshtërt.

Të jesh i sukseshëm në gënjeshtrën që shet, duke përdorur një strategji të tërë të mbiquajtur “marketing”. Të bësh shkollë sesi të gënjësh sa më me efikasitet dhe efiçensë popullatën e thjeshtë ndarë në kategori. Të vjen të qeshësh  “ vetëm 6 lekë” ose “ me shokë 6 lekë”.

Nejse, tepër i ngarkuar ky mendim, më duhet të gjej një kosh me ndarje, për të hedhur këtë qesen e riciklueshme. Ja, tutje një kosh i stërmbushur dhe një kazan i hapur, i madh me timon. – Kosha që vetëzbrazen dhe ecin !? :- flet me vete, duke zgurdulluar sytë i habitur. Afrohet më shumë dhe dallon një lëvizje bubrruese brenda pirgut të mbeturinave. Me siguri ndonjë qen rrugaç që bredh për qef të vet nëpër rrugë e kazane, duke përhapur pakurrëfarë ndalese epideminëe rradhës. Vetëm këtu, në këtë vend , do të shohësh një kuluni të tillë, që mblidhet nëpër konferenca ndërzimi për të ndarë territoret, duke hapur panik e mikrobe në popullatën e detyruar të ndajë me ta bashkëjetesën në të njëjtin territor.

Këto po mendonte, tek i afrohej vendit të caktuar nga bashkia për hedhjen e mbeturinave dhe shtangu; Në brendinë e tij nuk ish një qen sikurse mendoi pak minuta më parë, por një njeri. Ç’të kërkonte vallë një njeri aty brenda !? Të ketë hedhur diçka të  shtrenjtë gabimisht dhe tani po e kërkonte si i marrë zhytur në atë pirg erëkundërbues !?

Pa rënë në sy afrohet nga ana tjetër, për të mos shqetësuar burrin e zhytur, s’dinte pse në atë vend. Sapo zgjatet të hedh qesen e bërë shuk, zëri i flet që brenda:

– Zotëri, hidhe te kjo birocja me timon qesen. Kam dy orë këtu që po i mbledh të uruarat.

Shtangu, zotëria këtu po kërkonte qese. Ç’ kishin kaq të shtrenjtë ato për të, që ta detyronin të zhulepsej në atë vend. U drejtua për tek vendi ku i tha burri dhe kuptoi që ai s’ ishte një kosh lëvizës siç ju duk përsëpari, por birocja lëvizëse e këtij shoferi të çuditshëm që po e mbushte me plasmasë. E hodhi tej në gropën e hapur të mjetit dhe u trisht.

I erdhi në mend një kronikë e parë diku, as vetë se dinte kur.. ku flitej pëe një fushë të madhe , landfille quheshin. Njerzit turreshin aty, duke e ndarë me parcela pronësie e pune, dhe mblidhnin të tilla materiale riciklimi. Tani e kuptoi se ç’gjë të shtrenjtë kërkonte burri me biroce brenda atij kazani. Ai kërkonte nën grahëma dëshpërimi “ mbijetesën” , bukën e përditshme të familjes së vetë. E vështirë të të humb mbijetesa. Qorrollepset njeriu e s’di ku të përplaset. Niset si i çmendur të kërkoj gjithandej për ta gjetur, qoftë ky edhe një kazan I caktuar nga bashkia për mbeturinat apo një landfill i caktuar nga qeveria.

Dielli zvogëlohej edhe më atje tej. Atëherë iu kthye sërisht  kryqëzimit të tij abshisnor. Si cekan në kokë po i gëlonte një pyetje: Po ai, ku e kish mbijetesën e vet, ku e kish lënë apo humbur ? Nuk i kujtohej kish apo s’kish mbijetesë ?!                                                                     – Dreqin:-  shfryu me vete, ndoshta duhet të kisha kërkuar edhe unë brenda koshit, se mos më kish humbur dhe mua aty…apo më ka humbur tek ky kryqëzim, që kam gjithë ditën që i endem përreth! Po, mesa duket duhet ta gjej këtu. Duhet të vras mëndjen në cilin nga boshtet duhet të lëviz, për tu orientuar drejt saj.

Ja, semafori është pika zero dhe unë jam ngulur këtu njësoj si burri i kazanit, duke rrëmuar. Ku e kam humbur, ku ta gjej…majtas, djathtas, para apo mbrapa !!? Ku dreqin e humba, ku ??

Dhe si një “Eureka” i tringëlloi në tru fjala e kapuçit të fabrikës industriale  “ vetëm 6 lekë”.

Po ! – tha me vete: Vetëm 6 lekë….

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s