Poezi nga Xhemile Adili

xhemile adili - 1

Poezi nga Xhemile Adili

 

DALLANDYSHE E ÇDO AGU JAM

Nën yje digjet syri im, duart e mia…Natën kam jetë.
Det është ndjenja ime, britmat po mbjell në qiej.
Kudo ku do ketë një herë një jetë, shpirtin i jap,
dua qenies së kujtdo: – fusha, lumenj, dritare të mëdha!

Edhe ajo drenushë që u qëllua nga gjahtarë të mjerë,
edhe ajo pemë që u rrënua e ato brigje, tashti humnerë.
Edhe kërkëllimat e ujit drejt mullirit, kosat në arë,
letrat e të dashuruarve… shpirtin, gjakun tim mbajnë.

Pleksur përqafimesh yjore, të takohen të tëra mes tyre,
tmerrin po mbledh me thonj e gjuhë, shpresat ju jap…
gji plot qumësht, derdh unë poezisë për ju mjalt,
ju thërras, ju kërkoj, ç’mundim kam: për ju po plas!

Asnjë lule s’dua të lulëzoj pa mua! Buzëqeshja e tyre
të mbetet përherë stinë gugush të fëmijëve, si zymbyla
që dëgjohen të flasin me trëndafila të parë të sapoçelë.
Nën yje digjet syri im, duart e mia… Natën kam jetë.

Nën yje tërë ky vend, si në pëllëmbë, shpirtin tim
shpërndanë e mbush muzikë të pastër. Unë thith helm,
kudo ku gjej, që të ndrit tek ju secili moment!
Jam dallandyshe e çdo agu, dua një lulë, si asnjë lulë,
atje, larg-larg, në breg!

 

TRU E KAFKË SHKRIHEM PËR TY, BABA,

Një plagë e pashëruar më shtyp dhe më jep dritë,
dhembja ime për ty nuk pushoi kurrë, u rrit.
Baba, rrebeshi i kohëve më jep fuqi t’i bëj ballë,
napë e agut e muzgut, lëmsh i gjetheve nën erë,
strehë të ndjej.

Si tym mbi qytetin tim ngrihet tash zbetësi e dritës,
diellin mbaj në përqafim dhe ndjej akull në shpirt,
tufa të rënkimeve të mia, zogjtë kapin largësitë,
e mjeruar shtrihet dita…tjetër kohë, tjetër dua,
strehë të ndjej.

Kësaj jete kam fjetur gjumin e vdekjes, sa vuajta!
Kodrat blu, detin e blertë, të gjitha i pata sytë e tu,
nuk i lejova kujt pyetje të zymtë, nuk lejova
të jem jomirënjohëse. Vegim Zoti kam të mirin,
streh të ndjej.

Jemi si kokrra peme degësh të shtypjes.T’ngopur s’dinë
e pikturoj bukën e bërë me mëlçi të të mirash të mia,
e shpërndaj kudo për dallandyshet, guguçet, karafilat,
23 vite që ike, 23 herë tëra brinjët më grinë e grive,
streh të ndjej.

 

QIELLIT TË VETMISË TË KËRKOJ

Kur dhimbja pushton shpirtin
Kohën si e përhumbur kaloj
Në stolin e vjetër mbuluar me gjethe vjeshte
Ashtu si shpirti im veshur me dhembje dhe trishtim
Ulem për t’u çmallur por ngarkohem më shumë

Ai vend më mbështjellë me dhembje
Dhe plagët m’i mbanë të hapura si kroi që rrjedhë
I mungon ti, zëri yt, buzëqeshja dhe sytë prej drite
Nostalgjia më kthen prapa në kohë
Kur dikur buzëqeshja merrte jehonë
Sa të dukej se edhe natyra buzëqeshte
Sa dhe degët e lisave bleronin gjethet
Ndërsa, sytë e tu si yje shkëlqenin dritë

Tanimë atë zë s’e dëgjoj
Ai vend është veshur me dhembje
Dhe kur vjen stina e luleve dhe e zogjve
S’i shoh më ata sy, as një gjurmët tua
S’janë më rreth stolit ku prisnim njëri-tjetrin dikur
Janë vetëm gjurmët e plagëve të thella shpirtit
Dhe gjethet e shtrira shtruar shëtitores së pyllit
Ku dikur harruam përqafimet dhe puthjet e ëmbla..

Më as era nuk fryn si atëherë kur flokët kurorë përkëdhelte
Edhe pse i mungon ati shtegu, ëndrrash dikur
Shpesh shkoj ulem në atë stol të vetmuar
Krijoj imazhin tënd të bukur si dikur
Kur flokët t’i thurja gërsheta të dukeshe më e bukur
Por ti Ike, nuk ulesh më në atë stol
Tanimë nuk shëtis as unë më nën qiellin tënd
Ndërsa edhe qiellin tim e kam turbullt
Ortë e vona të natës shëtis qiellit të vetmisë
Dhe të takoj vetëm monologjeve që na kanë harruar
Ku dhembja më kafshon deri në asht, deri në palcë.

 

AUTOPORTRET
(Dhembje shkallmuese për D. Agollin)

Edhe lumenjtë do të kenë plasur,
lejlekët, bilbilët, peshqit zënë do të kenë
qiej shpirti, mbështjellur dhembjesh.
Një ëndërr jete gdhenda, si dhjetë selvi,
Dritëro, vallai im!

Tashti shoh zemrën tënde që më thotë
pse alarmet e tua unë i paskam krah!
Si sonete fushash me flakë përmbysjesh të thella,
lindur nga një vatër malli të shtuar;
si poema largsish më të mëdha që dihen,
recitimesh më lirike nga një grua
e më bukurisë së zhveshur.

Duart e mia, sytë e mi, mëlçia ime në shi,
Dritëro, i shtrenjti im, tërë trëndafilash që ti më fale,
mikloj edhe rënkoj, venitem edhe buzëqesh.
Trishtimin e detit të madh brumë po ngjesh
e po shtroj bukë për dhembjet e tërë lexuesve
dhe unë jam kaq me ledhe që me mua
po lë takim te këndi i parë!

 

EJA BASHKË ME MUZGUN

Eja bashkë me muzgun
T’i bëhemi dritë dhe qetësi natës që na mbytë
Kam shumë nevojë për fjalën e ngrohtë
Të shpirtit tënd të bardhë
Të zemrës sate të dëlirë
Sa shkretëtira për një pikë shi
Për t’u shndërruar në oazë të syrit tënd

Këtë natë të gjatë kur as gjumi s’më do
Kam nevojë për pak ngrohtësi të pranisë sate
Të prekjeve dhe përkëdheljeve tua
Si dimri i egër për një rreze dielli
Si toka e çarë në pranverë për blerim
Dhe për pak lot të qiellit të mërzitur
Aq kam nevojë për një buzëqeshje
Të buzëve tua shkruam nga mungesa ime
Të thyente heshtjen në dhomën time
Ku trishtimi ka vesh muret dhe plafonin
Dhe ka rënë mbi mua me dëshpërim

Nga heshtja dhe ëndrrat kam harruar diku
Ndaj, eja, mos më mbaj inat
Pash pyllin e dendur me degë të thara
Që shkele dikur nëpër mua
Kur puthje me afsh gjoksin tim të shqyer
Kur nata e mbytur në të zezën e saj
T’i mbulonte dhe ngatërronte rrugët drejt meje

Mos më mbaj inat pash Orët e bjeshkëve
Që i takove shtigjeve duke më kërkuar
E hapat e lodhura majave te thepisura
Mos më le vetëm natën t’i numëroj yjet
Në përpjekje për të gjetur sytë e tu

Mos më le zemër plasur bregut të pritjes
Si zogu dridhur në shiun e acartë të shpresës
Për një rreze dielli nga stina jonë e dashurisë
Se nata bëhet më e kobshme pa ty
E kobi më i pamëshirshëm mbi mua

Nëse nuk vjen të më mbash pranë
Merre edhe muzën ta shëtitësh mendjes
Me lë pa gjumë kur për fajin tim
Edhe ajo të mbetet pa gjumë për inatin tënd

Të paktën shfaqu dhe eja xixëllonjë
Këtë natë vrastare ta mundim me dritë
Se pritja e gjatë kthehet në makth
E makthi në skëterrën që nuk përballohet

Mos më mbaj inat deri në ardhjen tënde
Me thuaj, së paku, ç’të bëj me heshtjen
Është e ftohte akull
Me shiun që bie në dritare, ç’të bëj
Brenda faqeve të murit digjet shikimi
Fillon të më kap paniku
Kur duket se dhe muret ndjehen keq

Nëse nuk vjen
Ma nis një buzëqeshje përmes erës
Të më hapë dritaret e shpirtit portat e zemrës
Ku të pres buzëqeshjen tënde mbuluar me heshtje
Për të thyer shikimet akull nëpër trupin tim zjarr

Shpresoj dhe besoj se do të vish bashkë me erën
Në cep të dhomës vetmuar të pres
Të ngrohem te vatra e buzëqeshjeve tua
Dhe në shkëlqimin e syve tu gjithashtu
Të mund të arrij brigjet tua
Edhe pse sytë e botës errësojnë jetën e të tjerëve
Ata fjalët nuk i përtypin edhe pse bluajnë pa ndalë

Më mjafton të kalosh poshtë dritares
Të më dhurosh një shikim vjedhurazi
Ndërsa guximin për t’u ndalur pranë meje
Do të ta dhurojnë shikimi dhe buzëqeshja ime

Brenda atyre shikimeve që pres të m’i dhurosh
Ka miliona fjalë që i duhen dashurisë sonë
Edhe pse më bëhet se më mbanë inat.

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s