KUR VAJZAT RRITEN / Tregim nga Vita Blloshmi Kozeli

KUR VAJZAT RRITEN

 

vita-blloshmi

Tregim nga Vita Blloshmi Kozeli

Ishim fare të rinj kur erdhëm në atë qytet të bukur të një ishulli në detin Mesdhe. Unë sapo hyja në të njëzetat dhe Arbri sapo kishte mbushur njëzetekatër. Ashtu si gjithë të rinjtë e Shqipërisë, të hedhur këtej me një valixhe me ëndrra,filluam jetën tonë të re. Ndiheshim me fat që kishim arritur të krijonim një ambIent të bukur dhe të shëndoshë miqësor . Aty njerëzit ishin të dashur dhe të mirë.
Fillimi gjithmonë është i vështirë, por me kalimin e kohës gjërat marrin rrjedhën e duhur.Vajza jonë e vetme, Sara, sapo ka shkelur në pranverën e saj të 16-të. Është vajzë e bukur, shtatlartë, me flokë gështenjë, që i zbresin deri në bel, me sy jeshilë dhe me një fytyrë engjëllore. Jemi shumë të kënaqur me mbarëvajtjen e saj në shkollë. Vazhdon vitin e dytë në liceun artistik. Mbasditeve, tri herë në javë shkon në kursin e baletit, pasion i mbetur që kur ishte e vogël . Im shoq punon në një fabrikë pajisjesh elekrike prej më shumë se 17 vitesh. Edhe pse kriza, që ka pushtuar këtë vend,ndihet gjithandej, në atë fabrikë punohet ende mirë. Unë punoj shitëse në një dyqan këpucësh me emrin “prima donna “. Ka disa vite që jam aty bashkë me dy kolege.Valeria, milaneze, me ftohtësinë e saj tipike veriore në pamje të parë, në të vërtetë është një grua e mrekullueshme. Silvia, një vendase me trup të shkutër, të plotë e me fytyrë të qeshur, çdo ditë na sjell ëmbëlsira të gatuara nga mamaja e saj .
Sot jam turn i dytë dhe e kam marrë mëngjesin me nge .
-Ana!- dëgjoi zërin e Arbrit që vjen nga kuzhina.-Mos harro, sot, para se të ikësh në punë, shko në postë të paguash faturën e dritave dhe telefonin… Dhe ngrihu moj grua, ç’ bën akoma shtrirë, burri po ikën për në punë… Ai gjithmonë qesh e më ngacmon, duke më thënë se ç’do të ndodhte sikur unë të jetoja në Shqipëri me prindërit e tij…Dhe unë i përgjigjem me të qeshur: – Do të bëja që edhe prindërit e tu të flinin ashtu si unë…
Pastaj ai i drejtohet vajzës: – Sara, ti nuk do të dalësh tani?
-Jo babi, do iki me mamin e Aurorës,kalojnë ato e më marrin.
Ai çdo mëngjes, para se te ikë në punë, lë vajzën në shkollë dhe, kur mbaron, e merr. Mirëpo këto ditë po bie në sy fakti që shpesh ajo thotë që herë do ikë me shoqet, herë me ndonjë prind, duke gjetur shkaqe që mos ta shoqërojë i ati. U rrit, buzëqesh unë me vete, duke marrë rrobat për të hyrë në dush. Ka filluar të bëhet më e “ftohtë”, nuk i pëlqen më ta përqafojë si më parë, duket sikur kërkon të fshehë diçka, është bërë si më e hutuar dhe ka filluar t’i japë më shumë rëndësi veshjes .
Uji i nxehtë më solli në vete, era e shampos me vanilje u përhap gjithandej dhe unë u ndieva mirë. Isha e kënaqur me jetën time dhe me familjen.Kisha nje lloj krenarie te ligjshme të një nëne dhe bashkëshorteje të mirë.
-Sara! Sara! – thirra duke u mbëshjellë me rrobëdeshambrin ngjyrë rozë. Asnjë përgjigje.Hodha sytë përreth, në dhomën e saj, në kuzhinë, asgjë. Paska ikur, thashë me vete. Ka ngjarë tërësisht nga soji i të atit,e ftohtë dhe mospërfillëse. Zilja e telefonit më hoqi fillin e mendimeve. Ishte mamaja nga Shqipëria. Pashë një ëndërr,- më tha,-ndaj dhe të mora…Tani në Shqipëri janë disa oferta me shumë minuta dhe ata na telefonojnë shpesh.Ndenja gjatë në telefon me mamanë, më tregoi për rrugën e re që ishte shtruar në lagjen tonë, për tezen që nuk ishte mirë,për tavën e kosit që për pak sa nuk iu dogj dhe për trëndafilin që ia zuri ngrica një natë më parë jashtë. Mamatë si mamatë. Duan të tregojnë çdo gjë deri ne hollësirat më të mëdha.
-Mama,- e ndërpreva unë,- më duhet të shkoj në punë,u bëra vonë,të puth fort dhe të fala babit.
Sa herë shkëputem nga telefoni një hije melankolie më bie në fytyrë, më dhimbsen, kanë mbetur vetëm në atë shtëpi të madhe. Ne shkojmë çdo vit, në muajin gusht . Këtë vit nuk shkuam, sepse Sara nuk kishte dëshirë, ajo kishte koncertin e baletit e koncerti ishte shumë i rëndësishëm për atë. Kësisoj hoqëm dorë edhe ne. Natyrisht, prindërit u mërzitën se ishte vera e parë që do e kalonin pa ne.
Po thoja që Sara është rritur. Më mbeti në mendje fakti që kishte dalë në mëngjes pa më përshëndetur dhe ndonjë pyetje e brendshme më buronte herë pas here edhe gjatë orarit të punës. E kisha të gjatë këtë ditë pune dhe duhej ta mbyllja unë e fundit dyqanin. Shoqet e mia ikën më përpara. Kur mbarova punë, gjëja e parë që më ra ndërmend, ishte t’u bëja një surprizë në shtëpi. U ndala në një pizzeri dhe porosita pizza për të tërë, sipas shijeve që tashmë ua njihja prej kohësh.
-Pizza për të tërë!- thirra sapo hapa derën dhe hyra në koridor. Por atmosfera e ftohtë më bëri të stepem.
Im shoq, i ulur në kolltuk ngriti kokën dhe më tha shkurt:- Erdhe? Pashë që sytë i kishte të kuq dhe ai damari në vetull i ishte bërë i zi.Kjo i ndodh sa herë është i mërzitur.
-Ku është Sara? – pyeta, pasi vura re mungesën.
-Në dhomën e saj,- m’u përgjigj .
Hapa derën e dhomës dhe pashë Sarën mbi krevat. Kishte marrë arushin e saj të preferuar nën vete dhe qante me dënesë…
-Ç’ke, vogëlushe?- e pyeta duke i lëmuar flokët e gjatë që i binin mbi supe. Ajo nuk u përgjigj po vazhdoi të qante më me dënesë. U ktheva në sallon dhe pyeta Arbrin:
-Çfarë ka ngjarë?
-Pyet atë, – më tha. -Kam një jetë të tërë që i dedikohem vetëm asaj që mos i mungojë asgjë. Dhe ajo?- turfullonte ai…
-Po ç’ka bërë vajza, more burrë?- e pyeta. -Qetësohu dhe më trego, mos po shkon keq me mësime, mos po bën mungesa në shkollë? Më thuaj!
-Më keq akoma, më keq fare, -tha ai.
-Sara!- i thirra,- hajde pak të lutem.
Ajo, duke fshirë lotët u shfaq në derën e sallonit.
-Më thuaj çfarë ka ndodhur? -iu drejtova rreptë.
-Po ja, moj mami, belbëzoi ajo.- Sot në mëngjes, kur dola për në shkollë unë nuk ika me mamin e Aurorës, por me Mateon. Ai më priste në hyrje të rrugicës me motorrin e tij. Babi, në momentin që unë po hipja në motorr, kishte kaluar dhe më pa. Po unë e kisha vënë kaskën, moj mami shfajësohej ajo me naivitet, sikur turfullimi i të atit të kishte të bënte vetëm me kaskën… Shikova tim shoq dhe kuptova që xhelozia e babait për vajzën kishte bërë që ai të humbte kontrollin dhe kur kishte ardhur në shtëpi ia kishte përplasur në fytyrë së bijës.
I hodha një vështrim të ngrohtë Sarës dhe u ula afër Arbrit. E përqafova dhe i mërmërita të kujtohej sa vjeç ishim kur shkëmbyem puthjen e parë. – Apo unë nuk isha vajza jote?-i thashë.-Edhe unë kisha prindër që merakoseshin. Sara është vajza jote, vajza jonë. Ajo po rritet dhe ne duhet ta pranojmë këtë realitet. Është një realitet i bukur.
Sara qëndronte në këmbë dhe mezi priste që i jati t’i jepte një sinjal paqeje. Ai ngriti sytë dhe e vështroi siç di ai. Kuptoheshin gjithmonë me një vështrim. Edhe tani kështu ndodhi.Ajo iu vërsul me një përqafim, iu ul në prehër dhe e mbuloi me të puthura.
Është tere si unë çupa, më ka ngjarë mua, mendova duke u larguar të ngrohja pizzat që ishin ftohur.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s