Poezi nga Adem Zaplluzha

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

UJI NË KËTO MALE TË THATA

Si valixhet e drunjta me spangon e kujtesës
I lidhin bucelat në shpinë
Tatëpjetë e tërmal
Kalojnë ngarkuar me ujë
Nëpër damarët e monopateve

Në këtë tokë ngjanë mallëngjyeshëm
T’i thërrasin mjegullat
Por shirat rrallë herë vijnë këndej pari
Edhe atëherë kur mbërrin çmenden përrenjtë

Gërryejnë brigjet dhe shpirtrat
Një pëllëmbë tokë shterpe me humb
S’krahasohet me asnjë vdekje
Sa që lutjet kah qielli asnjëherë s’ndalen

Por gjithsesi nuk i harrojmë spangot e dyllta
Dhe bucelat prej drurit të qershisë
Uji në këto male të thata
Gjithmonë krahasohet me tamblin e nënës.

 

SA QË I FSHEHIM EDHE  PREJ VETVETES

I dua gjërat që posedojnë
Ngjyrën e ditës dhe të portokajve
Që kanë etje për jetën
Dhe që nuk u përngjajnë blasfemive

Të gjitha ato reliktet e kohërave
Që secili prej tyre
Mban thellë në vetvete
Shijen e hidhur dhe të ëmbël të jetës

Gjërat që asnjëherë nuk e ndryshojnë formën
Janë ato si kujtimet e adoleshencës
Edhe në moshën më të shtyrë
Na paraqiten si imazhe të paharruara

Secili prej nesh kemi nga një kujtim
Prej gjërave më të imta të jetës
I ruajmë me aq xhelozi
Sa që i fshehim edhe prej vetvetes.

 

NDOSHTA MU PËR KËTË SKAMJE

Më kujtohen momentet
Kur e pashë lakuriqe lindjen time
Në vend se të qaj unë
Me ngashërim dëneste nëna ime

Më kujtohet o fare mirë më kujtohet
Kur qanin edhe muret
Atë ditë në shtëpinë tonë
Nuk kishte asnjë kafshatë bukë

Ndoshta mu për këtë skamje
Nga sytë e nënës pikonin lotët e trishtimit
Për herë të parë atë ditë kuptova
Përse një grua qante pasi lindi një fëmijë

Mbasi nuk qava atë ditë
Kurrë më sytë e mi nuk i njohën lotët
Gjatë tërë jetës nëna ime
Pat aq shumë lot sa që s’pushuan më shirat.

 

NJË EPITAF

Një epitaf
Dhe një njeri i mirë
Mbi një kryq të drunjtë
I lajnë sytë e pemëve të përlotura

Askush nuk di
Se kë e varrosën mbrëmë
Dhe përse qante mështekna
Me zërin e përmbytur të erës

Një epitaf
Me pamje surrealiste
Mbështetur për gurin e varrit
Për së vdekuri i përqesh të vdekurit

Një njeri
Dhe një epitaf i papërfunduar
Vallëzojnë valsin e fundit
Mbi një varr të rivarrosur disa herë.

 

NJË HIJE SI PASQYRE SHIKON

Një hije me qëndrimin e saj të dyshimtë
Dhe e heshtur zbret nga shkallët
Përfundimisht zbret
Nga platforma e saj e vetëdijes
Zbret me tërë padukshmërinë e saj

Një hije tjetër si pasqyra shikon
Në thellësinë e shpirtit tim
Kurse brenda meje
Kacafyten stinët
Me fluturat e egra të adoleshencës

Asgjë nuk dëgjohet
Përpos zëzëllimës së erës
Një pemë e përkulur deri në tokë
I fshin lotët e barit të njomë
Lepurushi i frikësuar dridhet brenda grilave.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s