Poezi nga Vasi Papaj

Vaso papaj 1

Poezi nga Vasi Papaj

 

A do të dimë të qeshim?…

Vërtet,
A do të dimë të qeshim një ditë?
A do të dimë të qeshim, vallë?
Kur t’i nxjerrim nga dheu dëshmitë:
Mijëra kafka me vrima në ballë?

Vërtet,
A do të dimë të qeshim një ditë?
E lotët t’i mbajmë veç për mall…
Do të dimë mos t’i shohin fëmijtë:
Brinjët-shoshë, ngatërruar me zall?

Vërtet,
I dëgjoni?Rënkojnë thellësitë.
Më thoni, do t’meken një ditë vallë?…
Thuamë, dheu im, në ç’shekull, në ç’vit?
Më thuaj: shpirtin tënd si ta ngjall?

Vërtet.
A do të dimë të qeshim një ditë?
Do t’arrijmë mos ta kemi këtë hall?…
Do t’më duhej të vija të gjitha fuqitë,
Vetëm shpirtin t’a mbaja të gjallë.

 

Surprizë

Fytyra më ndërron
Sa herë që një shkëndijë vështrimi hedh mbi ty.
Vështrim që të përkëdhel e na bën të qeshim që të dy.
Të davaritet ëmbël frika ndërsa në krahë unë të vërtis.
Në deje të vërshon aromë e natës, ajo dhe terrin na e gris.
Dhe vjen mëngjesi prapë e ti prapë mbetesh një surprizë.

E mos ndërro zakon.
Mbushmi fjalët e tua me ngjyra e tinguj mirësie.
Ndryshomë këtë botë një çast, ta shoh me sy vërtet rinie.
Më davaritet ëmbël frika, kur më përkëdhel, më nanuris.
Në deje më gjallon aromë e kurmit tënd, ajo dhe terrin gris.
Dhe vjen mëngjesi prapë e ti prapë mbetesh një surprizë.

E mbaje hapur atë dritare të zemrës si gjithnjë.
Aty të strukem, të belbëzoj: Dhe më, dhe më, dhe më…
Dhe për një çast, vetëm një çast, botën të rrëmbej e të ta fal.
Me oksigjen të ta mbush zemrën, si dikur, kur isha djalë.
E s’më mjafton të puth te flokët, ngadalë, ngadalë, ngadalë.

 

Kilometra

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Seç më mbyti hapësira.
Retë më ngjajnë me egërsira.
Për çdo natë avionë, tragete.
Të mbaj në mendje, me vete.
Po me duar kurrë s’më preke,
Larg se larg përherë më mbete.

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Të gjtha për një natë t’i lija.
Veç një herë pranë të të vija.
Zot, t’më bëje një trumcak!
Të çukitja atje në prag!
Mëngjesi të më mirrte prapë!
Le të qe dhe çmendurak.

Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Po shoh ëndrra me çudira.
I kaloj në cast të gjitha.
Dete pod he kontinente.
Veç ti larg e vetme mbete.
Duar zgjat e kurrë s’më preke.
Si t’ia gjej anën kësaj jete?

 

E humbëm Atdhenë

E humbëm Atdhenë
Dhe gjetëm kohën-refugjat duke kërkuar dashurinë,
Netëve, moteleve misteriozë duke pirë kotësinë.
Rastis që grahma frymësh në heshtje të dëgjojmë,
Ku vetëm seks dhe dashuri kurrë nuk bashkjetojnë.

E humbëm Atdhenë
E prapë s’do t’doja kurrë të ngjanim me një Makbeth,
Që bredh, me vdekjen në kurriz dhe vetëm bredh.
Mbyllur përgjithnjë brenda muresh të bërë pis me krim,
Që koha e bie rrotull gjumëvrarë, më kot, gjer në pendim.

Ja… E humbëm Atdhenë.
Na e morën derbederët dhe e lozën në kumar.
Na bënë të qajmë, me njerëzit më të shtrenjtë, të ndarë.
Vallë, do të thithim pak nga ajri i tij, qoftë edhe një ditë?
A do t’ia puthim një grusht dhè, kur do na lënë fuqitë?

E humbëm Atdhenë, e humbëm…
Po s’ishim ne,… janë ata pa shpirt…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s