HESHTJE DHE FJALË / Prathënie e librit “Heshtje e mohuar” ( vargje dhe prozë) e autorit Giovanni Pistoia, të shqipëruar dhe përgatitur nga Dr. Albana Alia

HESHTJE DHE FJALË

 

Dr. Albana Alia

Prathënie e librit “Heshtje e mohuar” ( vargje dhe prozë) e autorit Giovanni Pistoia, të shqipëruar dhe përgatitur nga Dr. Albana Alia.

Vëllimi  “Heshtje e mohuar” e poetit Giovanni Pistoia paraqitet me elegancën e një prosìmetrum mesjetar, një fllad i lehtë vargjesh dhe fragmentesh proze poetike të thurura me kujdes të veçantë. Heshtja mbetet leitmotiv-i i veprës që përfton konotime të ndryshme duke filluar nga ambiguiteti i titullit: heshtje personale dhe heshtje e mohuar; heshtje si φάρμακον për të kuruar plagët e brendshme apo vuajtje për mungesën e fjalës si druajtje ndaj një rreziku të jashtëm.

Heshtja nuk kumton gjithmonë qetësi,

nuk prehet gjithmonë me qetësinë.

Heshtja përfaqëson mungesën e fjalës dhe të tingullit; ajo ndikon te reflektimi i thellë i brendshëm për të arritur qetësinë e mendimit, për të vështruar brenda, për t’u larguar nga bota në kërkim të vetvetes: Heshtja dhe unë jemi një gjë e vetme, për të dëgjuar fjalët e pathëna; veç kësaj, ajo përfaqëson një lloj hyrjeje graduale në procesin e përsosmërisë së brendshme që të çon drejt një leximi dhe deshifrimi të thellë të shpirtit deri në prekjen e njohjes më të lartë që lejon perceptimin e plotë të mistereve të shpirtit, të natyrës, të botës, të vetë ekzistencës apo edhe epifanitë e thjeshta joyceane, si çaste të veçanta që zbulojnë papritur kuptimin e vërtetë të jetës:

[…]jeta, ky karusel i llahtarshëm dhe i mrekullueshëm që na mbështjell dhe na trondit. Jeta, kjo dhuratë cinike, tërheqëse dhe e tmerrshme, ky udhëtim çnjerëzor, ndonëse tepër njerëzor. 

Ka raste që fjala e kundërshton heshtjen, herë të tjera heshtja bëhet e nevojshme për të reflektuar mbi fjalët që do të shqiptohen, për të mos humbur kuptimin, vlerën dhe kontrollin e tyre; siç thoshte Dumézil, është në heshtje që arrijmë të përqendrojmë mendimin, vullnetin, fjalën e brendshme. Gjatë periudhave të ndryshme të jetës heshtja kthehet në një signum harpocraticum, gishti mbi buzë, për reflektim, si ruajtëse misteresh, si urtësi e brendshme që dominon fjalët; madje edhe tingujt dhe zhurmat e përditshme pushojnë së ekzistuari për të mundësuar dëgjimin e zërit të brendshëm. Reflektimi i thellë bëhet i nevojshëm përballë dhunës dhe indiferencës; është paradoksale, por  heshtjes i nevojitet fjala për të dëshmuar, për të denoncuar, për t’i treguar botës ngjarjet e sotme dhe krimet e shëmtuara të njerëzve me zemër të gurtë që kanë humbur çdo lloj ndjesie njerëzore: njerëz që vdesin kur përshkojnë detin, luftërat, varfërinë, braktisjen e qenësisë për t’u dukur, shkatërrimet e ambientit, muret e urrejtjes të ngritura kundër Tjetrit, të Ndryshmit, duart e lara në gjak, buzëqeshjet e fikura, fëmijët e masakruar, ulërimat, lotët, të vdekurit. Në këto imazhe të tmerrshme e distopike heshtja nuk ka më kuptim. Poeti thërret fjalën, fjalën e përshtatshme, të guximshme, që të hyjë nëpër vargje e këngë poetësh për të çliruar njeriun dhe mendjen e tij, për të treguar dhe kujtuar, për të orientuar, për të ëndërruar, për të zbuluar, për të shkruar, rishkruar e rimodeluar jetën, për të lënë gjurmë të së vërtetës në historinë e këtij njerëzimi që riaktualizon pareshtur dhimbje dhe zhgënjime:

Është torturë heshtja për atë që shikon:

vala hapet dhe mbyllet në gurgullimën

e detit, në llomotitjet e botës.

Dhe nesër nuk mund të themi

që nuk e dinim, pasi e dimë,

sigurisht që e dimë, dhe i lëmë

fjalën e fundit detit që mirëpret,

njeriun humnerë të krimeve të tij.

 

***

[…]t’i dorëzohesh tmerrit është përqafim

i çmendurisë, pararendje drejt një vdekjeje kolektive.

Le të marrë rrugë fjala që nuk guxon!

 

***

Poezia nuk do të ndryshojë botën,

por këndo, poet, këndo; shkruaji

vargjet e tua që të lulëzojnë heshtjet,

që kohës t’i hiqet koha.

 

Herë të tjera, heshtja arrin të pezullojë emocione, ndjenja dhe mendime, duke krijuar një lloj boshllëku që lidhet natyrisht me pritjen dhe me vdekjen.

 

Heshtje e mohuar ( vargje dhe prozë)

Vdekja pranohet me qetësi, pasi nuk përfaqëson stacionin e fundit; në çdo rast do të ketë një vdekje të vdekjes,  një ringjallje ciklike të vazhdueshme, një projektim të një metempsikoze të përjetshme në trajtat më të ndryshme: njeri, pemë, peshk, milingonë, gjinkallë, shpend, gur, ujë… një sfidë e vazhdueshme ndaj vdekjes.

[…]është zbrazëtia e shurdhër

brenda meje që ngopet me frikë,

dhe më sjell brenda një boshllëk pa emër

që fjala nuk e njeh, apo nuk guxon ta rrëfejë.

***

Pritja është kohë e grabitur,

vetëm koha nuk pret kohë: është hapësirë

boshe, e në rrjedhën e saj drejt portit

pa ankorim, asgjë nuk dhuron apo fal.

***

Gjithçka heshti tek unë, zemra,

gjaku, fryma. Heshti

bota, duke pushuar

së kollituri. I larguar nga çdo gjë,

i vdekur për veten, ndjeva,

më në fund, të isha i gjallë.

Dielli nuk mund të ndriçojë natën, drita dhe errësira bashkëjetojnë, nata dhe dita bashkëjetojnë, vdekja dhe forma të ndryshme të jetës bashkëjetojnë, hijet qëndrojnë pranë të gjallëve dhe bota identifikohet në një vazhdimësi mes të kundërtave (continuum në  coincidentia oppositorum). Prandaj, do të jetë pikërisht fjala ajo që do të mundësojë heshtjet e mohuara.

Në heshtje, njeriu shikohet në pasqyrë për të gjetur diçka që ende nuk njeh, por pasqyra fsheh dytësorin, hijen dhe luftën:

Pasqyra është mashtruese,

ajo që shfaqet është pak gjë;

brengat e mendjes

janë ato që pasqyra nuk ravijëzon.

Deri edhe era që fryn jashtë projekton stuhinë e brendshme: Jetoj me erën në kokë. Era ndjek lëvizjen e pështjelluar të mendimeve natën, ndërsa treni ndjek lëvizjen e drejtë vajtje-ardhje përsëri natën. Ndërkaq, deti dhe valët e tij projektojnë një lëvizje ditore dhe një hapësirë të gjerë që kufizohet nga një horizont i paarritshëm dhe i pakohë.

Çdo njeri që nuk ka përmasën e heshtjes mbetet më pak njerëzor. I mungon përmasa e thellësisë. Mund të jetë i gjerë, mund të jetë i gjatë, por nuk ka rrënjë, nuk ka thellësi, prandaj nuk ka qëndrueshmëri mbi këmbët e identitetit të vet.” Janë fjalët e San Benedetto da Norcia që përputhen me vargjet e poetit mbi konceptin e paqëndrueshmërisë së identitetit dhe humbjen e mëtejshme të kujtesës personale dhe kolektive, por edhe me imazhin e rrënjëve që kërcasin dhe të rërës që fundoset dhe shket:

Nuk i përkas vetes

[…]Rrënjët

e vjetëruara kërcasin në shpirtin

e mospërkitjes dhe ato pak

bindje zhyten mes rërës

që fundoset.

Veçanërisht interesant mbetet imazhi i hënës që përsëritet shpesh në vargjet e Pistoia-s. Në këtë vëllim, hëna e bardhë, zakonisht strehë e vdekjes që nënkupton të pathënat të cilat transferohen te qielli i zi, te kujtimet e dhimbshme, te lodhja shpirtërore, përfaqëson të vetmin imazh të bukurisë dhe pastërtisë; të dashuruarit i falen vetëm asaj. Veç kësaj, ajo bëhet poezi grafike, e skalitur në letër për të afruar në njëfarë mënyre atë çka është e shndritshme, por që mbetet dhimbshmërisht e largët.

Poezitë e këtij vëllimi trajtojnë tema nga më të ndryshmet: njeriu dhe shqetësimet e shpirtit, dashuria, miqësia, familja, natyra, krimet, degradimi dhe problemet shoqërore, etika civile. Nëpër vargje ndihet eleganca e ironisë së fshehur ndaj së tashmes, por edhe thirrja nostalgjike e poetit për të dëgjuar me kujdes dhe respekt Tjetrin, për t’u kthyer te koncepti i kulturës si heshtje, si udhëtim, si reflektim, për të gjetur kohën e humbur, për të kthyer në mendje kujtimet e së kaluarës duke pyetur historinë në mënyrë kritike ose edhe historinë personale nëpërmjet fëshfërimës së hapave të vogla mes kallamishteve të grurit duke rendur pas harabelave që vazhdimisht fluturonin tutje, nëpërmjet vështrimeve mbi det, nëpërmjet bukurisë së një fushe me lulëkuqe apo të luleve të verdha si njolla të veçanta në gjelbërimin e lëndinës (diçka e ngjashme me madeleine të Proust-it) pasi:

Nuk ka më kohë për të jetuar as për të vdekur.

Nuk ka më kohë për asgjë, kemi vrarë

kohën; tashmë nuk na mbetet veç të presim zbrazëtinë,

asgjënë që na boshatis. Edhe e nesërmja është   hapësirë pa asnjë shpresë. Kapërcehen çastet

pa jetuar e vdekur, pa takime dhe shikime;

jemi vetëm, pa kohë, pa të ardhme. 

E megjithatë, ka ende shpresa për një jetë autentike: Shikoj me sy të mbyllur duke mbushur hapësira qiejsh të zbrazët me fantazinë nostalgjike të pastërtisë fëmijërore dhe imagjinatën në çastin e heshtjes për të gjetur atë kohë të mrekullueshme të humbur, e vetmja që ofron siguri në një të tashme kaotike dhe ndonjë shpresë për të ardhmen e panjohur.

Dr. Albana Alia

 

One thought on “HESHTJE DHE FJALË / Prathënie e librit “Heshtje e mohuar” ( vargje dhe prozë) e autorit Giovanni Pistoia, të shqipëruar dhe përgatitur nga Dr. Albana Alia

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s