REFLEKSIONE MBI LIBRIN “KUJTIM I GDHENDUR NË MALL” / Nga: Violeta ALLMUÇA, Shkrimtare

REFLEKSIONE MBI LIBRIN “KUJTIM I GDHENDUR NË MALL”

 

Nga: Violeta ALLMUÇA, Shkrimtare 

          Krijimtaria artistike e një autori ka në thellësi të fjalës e gjuhës, jetën njerëzore dhe forcën emocionale, e cila ngre peshë zemrat e lexuesve. Duke përcjellë shprehjen në veprën letrare si një shtresim stilistik, autori Nehat Jahiu vjen me këtë libër të ri, në një diapazon tjetër që e dallon nga botimet e tij të mëparshme.

Nehat Jahiu

Të shkruash një vepër me formatin e hulumtimit të shpirtrave njerëzor mjafton të jetosh mes ngjarjeve të vërteta që afrojnë po aq vlera artistike për ta bërë njeriun personazh, ku zbulohet koha e tashme. Rrëfimi për të ardhmen paraqitet si një zë i ardhur nga gjaku me vetëdijen e kthjellët letrare. Libri flet rreth idesë që lidhen me kujtimet dhe vizionin shqiptar të lirisë, që përveç ideales ka në përmbajtje edhe shpresën për krenarinë e vendlindjes dhe atdheut. Autori i drejtohet heroit duke e kërkuar atë në historinë e një kombi mes personazhesh realë. E vërteta është një emancipim artistik origjinal, tërësi jetësore që mbizotëron tek populli i tij dhe përshkruhet në marrëdhënie me të shkuarën. Libri “KUJTIM I GDHENDUR NË MALL” e lidh autorin me portretin dhe tiparet e personazheve të cilët në libër janë heronj të luftës. Qysh në hyrje të shkrimit ata kanë lindur mbi një truall të vjetër, me gjak e shpirt të pastër dhe flasin gjuhën e paqes si paraardhësit e tyre në tokën e Iliridës. Duke përjetuar një realitet ndaj përkushtimit njerëzor, simboli heroik ndjek të shkuarën shekullore deri në përjetësimin e agut të ri. Gjatë harmonizimit të tregimeve nëpërmjet figurave të heronjve, autori na sjell të gjallë historinë e një kombi paqedashës, që matet me lirinë e gjakun në hapësirë e kohë. Në këtë libër lëvizin personazhe të gjallë e të vdekur duke bashkëbiseduar për amanetet e jetës së trashëguar nga historia e një populli që ka vuajtur për mungesën e lirisë dhe barazisë. Komunikimi mes jetës dhe vdekjes na sjell një manifest mes brezave pa asnjë lloj ndryshimi të të gjallëve në botën tokësore, dhe të vdekurve në qiellin e pafundëm. Heronjtë e vërtetë sipas artit njerëzor shfaqen si pasqyrë e gjallë, të etur për lirinë në koherencë aty ku jeton liria dhe atdheu i përbashkët. Personazhet i drejtojnë pyetje njëri tjetrit në beteja, në dasma, në familje duke ligjëruar gjuhën e paqes si një lidhje e natyrshme mes të gjallëve dhe të vdekurve. Autori Nehat Jahiu ka arritur të na e bëjë të gjallë e të besueshëm këtë dialog brenda të shkuarës dhe të tashmes, pra të na e bëjë ndjesor, tërheqës e reflektues ndërmjet tokës së të parëve dhe njerëzve, në kufirin e së bukurës artistike. Portretet e të vdekurve mbeten si gjithnjë unifikim emocional e optimist ku gërshetohet jeta e secilit, si energji pozitive e kthyer në kompozicionin e veprës. Marrëdhëniet mes dy botëve njerëzore, jetës dhe vdekjes vijnë nëpërmjet kujtimeve dhe shpresave të skalitura dhe betimit për lirinë e munguar. Magjia e dëshmive të vetëbesimit, imagjinata, ëndrrat dhe fuqia shpirtërore na qasen në një bosht kuptimor, se heronjtë janë thellësisht të lidhur me jetën tonë si e drejtë në historinë e kombit.

Kujtim i gdhendur në mall

Gjetja e veçantë e dukurive në rrëfim veçon ndërgjegjen letrare, dëshirën e përhershme, ku linja artistike ndërthur jetën e shdërruar në realitet. Gjendja njerëzore është një shenjë që përshkruhet mjeshtërisht në faqet e librit me mirënjohje për heronjtë. Personazhet e të vdekurve, na shfaqen të gjallë sa herë dëshmojmë gjuhën e shpirtit të gërshetuar me “botën tjetër” nga e cila dëgjojmë, po të njëjtën përgjigje të frymës së tyre. Pra, kurorëzimi i betejave të të gjallëve dhe të vdekurve mbetet një ideal i përjetshëm për lirinë. Ngjarjet e rrëfyera kanë në qendër figurën e veçantë të çdo heroi që për shkrimtarin Jahiu përbëjnë një histori më vete të jetës e të pasjetës. Varret e luftës na kujtojnë biografinë e njeriut të gjallë por edhe atij të vdekur, që për nocionin e lirisë quhet pavdekësi. Ata ngrihen mes të gjallëve si figura të lartësuara duke pyetur për atdheun e përjetshëm. Shumë nga tregimet përçojnë tragjiken por edhe paqen e brendshme shpirtërore që ndodh tek njeriu gjatë rrugëtimit drejt lirisë. A mund të jetë liria një pararendëse e njerëzimit? Autori është vetvetja dhe duke qenë i tillë na sjell tërësinë e vlerave letrare dhe estetike që i duhet një vepre letrare në konceptin e saj. Me anë të gjuhës letrare tregimet vishen me figurat e krahasimeve duke formuar botën e personazheve, e cila i përket situatave artistike. Fuqia e paqes nga njëra anë mposht vdekjen dhe fuqia e luftës mbetet gjaku. Aftësia e heronjve riafirmon pavdeksinë për të jetuar të lirë në trojet e tyre duke bërë dallimin mes të gjallëve dhe të vdekurve që gjithsesi kërkojnë idealin e tyre atdhetar. Në përvjetorët e heronjve ne kujtojmë jetën, veprën, madhështinë dhe shembullin me të cilin u indentifikuan si luftëtarë për trojet e tyre. Jehona dhe heroizmi në kohën tonë i japin të vdekurve kuptimin e duhur. Ata frymëzojnë jetën e të gjallëve, shprehjen e kuptimit, pse jeta e heronjve mbetet e pashlyer në kujtesën e të gjithëve. Një temë dhe një motiv i tillë e shtyn shoqërinë njerëzore drejt së mirës, në përpjekjet e hapësirës pa kufij, ku universi shpirtëror gdhendet në një kujtim të përjetshëm. Në këtë këndvështrim libri më i ri i shkrimtarit Nehat Jahiu është evokim i jetës me domethënie artistike, ku vepra kthehet në një botë më vete që përçon realitetin njerëzor. Pulsimi letrar dhe mbijetesa e realitetit përafron një vepër të mirëfilltë me stil realist ku edhe letërsia bëhet simbol i lirisë.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s