Poezi nga Myrteza Mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

KËRKOJ QIELL PËR YLLIN TIM

Nuk kam gojë, s’kam as fjalë
Dora nuk më shkruan një varg
Psherëtimat si zog i vrarë
Syri humbur nëpër natë.

Kërkoj fjalën, kërkoj dorën,
Kërkoj dhe frymën e shpirtit,
Kërkoj çastin, kërkoj orën,
Dhe ditënetët që më ikin!

Jam i pasuri më i varfër
Gjithçka timen e ke ti.
Jam në zemrën tëndë vatër
Digjem për një lumturi!

Jam i varfëri më i pasur,
Kam një besë dhe një betim
Kam një yll të përflakur
Që shkëlqen në syrin tim!

S’kam asgjë e kam aq shumë,
Kur kam ty kam një planet
Edhe kur lundroj në gjumë
Dhe kur fluturoj mbi det!

Ndaj përherë jam në kërkim
Kërkoj zjarr të ngroh fjalën
Kërkoj qiell për yllin tim
Dhe një breg ku të lidh dallgën!

 

KORBA KËNGËTARË

Sa pak dritë në syt e yjeve,
Sa shumë akull në buzë të hënës!
Sa shumë frikë në gjoks të pyjeve,
Sa pak shpresë në qiell të ëndrrës!

Sa shumë helm në mjalt të bletës,
Sa pak besë në fjalë të burrit!
Sa shumë blozë mbi të vërtetën,
Sa pak forcë në palcë të gurit!

Sa shumë gjak kërkoka nata,
Sa pak tokë mbeti për varret!
Sa shumë lotë po pikon bota,
Polet po tkurren nga hallet!

Sa pak muzë në rimë të vargut,
Sa shumë vargje pa nektar!
Sa pak diell në prag të agut,
Sa shumë korba këngëtarë!…

Sa shumë fjalë, fjalë, fjalë,
Sa pak djersë me kristal djerse!
Sa shumë baltë për të sharë,
Sa pak faj mbajmë për vete!

 

DRITA E LOTIT

Kurrë s’kam besuar, pse të besoj?
as yjeve të qiellit nuk u jam lutur.
Kurrë s’kam kërkuar, e pse të kërkoj
si flakën e qiririt, natën, një flutur?

Çka është e imja, është e shkruar
në librin e fatit me bojën e heshtjes.
Të tjera gjëra më kanë munduar
ato që s’guxoj t’ja them as vetes!

Në kroin e viteve pi ujin e fatit,
sido që të jetë një ditë do të vdes.
Mjalti i helmit, apo helmi i mjaltit
As më morën, as më dhanë jetë!

Veç heshtja e ndezur e syrit tënd
m’i zbut dallgët dhe m’i bënë valë.
Dhe dritën e lotit ma bënë këngë
këngën e shpirtit ma kthen në mall!

Si malli i zogut për fluturim,
si malli i pyllit që vdes pa zogj.
Si vatra e buzës që çahet pa dashurinë,
si drita e syrit që thahet pa lotë!

 

PËR GRUAN NËNË

Për nënën grua, për gruan nënë
Për nënën shenjtë, për gruan dashuri
Fryma e shpirtit çdo fjalë e këngë
Gjithë bota në valle, dehur lumturi!

Për nënën martire, për gruan e besës
Për nënë lot dhe për nënën mall
Është pak të falësh edhe të dy jetët.
Për puthjen e nënës digjemi zjarr!

Për gruan mike, shpresën e shpresës
Për gruan perëndi, për plagën Nënë
Për gruan altar që rrit jetën e jetës
Të gjithë në gjunjë, të gjithë në këmbë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s