FYELLI / Tregim nga Agron MEMA

 

FYELLI
 
 
Tregim nga Agron MEMA
 
Sa herë më ndesh të dëgjoj tingujt e fyellit, më kujtohen shumë histori me tim atë. Babai i binte shumë bukur fyellit, madje kishte qenë edhe pjesëmarrës në Festivalet Folklorike deri tek ai Kombëtar i Gjirokastrës. Sot nga mosha nuk e zotëron më artin e tij, është i pa mundur. Po dikur linte nam me fyellin e tij. Verës më merte me vete në mal me dhentë. Shlodhje kish fyellin, por në sytë e mi luante vetëm avaze gazmore, por prapë se prapë tingujt vajtues depërtonin duke krijuar një orkestrim përsiatës dhe meditativ. Shpirtin nuk e ndalon dot të shpreh atë që ndjen, sado ta mundosh veten ta fshehësh , diku do vetëtradhëtohesh. Kështu ndodhte dhe me babain tim. Fyelli ishte i verdhë, bronx, me një diametër më të madh se fyejt e zakonshëm, por që mushkritë e tim eti i jepnin mbushje të plotë tubit të fyellit. Jehona e melodive përcillej prej majës së malit Lavan dhe përhapej kudo në majëmalet rreth e rrotull, zbriste luginave e përrenjve, bashkohej me gurgullimën rrjedhëse të lumit të Kalasës sëbashku me tingujt e këmborve dhe zileve, sidomos gjatë perëndimit të diellit kur bagëtitë ktheheshin nga kullota e ditës dhe zbrisnin në lera për të pirë ujë, në koritat prej druri. Nuk kishte mrekulli të zotit, pamje dhe ndjesi më romantike, bekim perëndie, çast i magjishëm, përjetim i perëndishëm. Emocione që vinin kur dëgjoje fyellin që kompozonte panoramën verore të maleve. Një shlodhje ëndërruese të pushtonte të gjithin. Pastaj merrnim dhentë drejt shtrungës për mjeljen e darkës. Në ballë printe balua dhe në bisht të kopesë murrua dhe balika. Qentë e tjerë prisnin në stan të lidhur me zinxhira të trashë, një tek dera e kasolles, që babai i thoshte nome, një në vathë dhe një tek qershia e egër përsipër stanit, pozicion që ngjante si kullë vrojtimi dhe sa afrohej dikush zebua jepte sinjalin, pastaj fillonte simfonia lajmëtare e lehjes në kor të tyre duke ardhur deri tek qentë e tjerë që shoqëronin kopenë në kullotë. Lajmi instiktivisht ishte dhënë se dikush ka ardhur dhe është afruar afër stanit. Babai hidhte xhaketën krahëve dhe shkonte drejt nomesë duke mos harruar të më jepte udhëzimet, që të mos i lejoja dhentë të kalonin kufirin e kullotës së përcaktuar, por ti ktheja drejt stanit. Shikoja qentë dhe qeshja me vete duke kujtuar një nga historitë e shumta që lidhej me ta. Histori e çuditshme që më ka mbetur mister. Histori e çuditshme që as atëherë dhe as sot nuk arrij ta kuptoj dot nënkuptimin e saj… Qe kohë dreke. Unë ngisja dhentë drejt shtrungës ku i priste babai për ti mjelë me vedrën midis këmbëve. Më tej pashë murron, që brente një kokallë të madhe, pa kushedi ku e kish gjetur në atë majë mali.
 
 
Befas pyeta babain, se pse u bëjmë qullë me miell misri qënve për ti ushqyer, kur këta i kanë dhëmbët të mprehtë sa bluajën si mokër mulliri edhe koçkat më të mëdha e më të forta. Pse ua ka bërë natyra dhëmbët kaq të mëdhenj e të mprehtë, kur qullin mund ta hanë pa dhëmbë fare vetëm ta rrufisin me gjuhën e tyre të gjatë e të madhe, mos u biem në qafë qenve, baba, nga ajo ç’ka u ka dhënë natyra të jetojnë? Por psetë e shumta mi preu në mes zëri i babait, zë ku ndjehej nervozizëm, frikë, inat dhe krenari:
– Që të pyesësh ti -përfundoi britma e tij, bjeru dhenve se vajti vonë e lëri llafet! Dhe mos të të dëgjoj më se do na hapësh punë të madhe e do na marrësh në qafë! Dëgjove! Edhe hallin e dhëmbve të qënve do qajmë tani, se nuk kemi punë tjetër. Hej bela, pak halle kemi, se ku të vete mendja.
Pushova e nuk fola më se ja dija huqin babait kur nevrikosej dhe nuk kish as kush ti hiqte inatin se ishim vetëm në majëmali, ndryshe puna në shtëpi…Po mendjen e vrisja dhe e vras akoma, se pse më foli ashtu babai. Mesditës deri në pasdreke, kur dhëntë futeshin në mërzim, babai merrte fyellin dhe ulej nën hijen e goricës së madhe, në faqen tjetër të malit, përkundruall detit. Po tingujt depërtonin e vinin deri tek unë, ndonse të vakët nga largësia, por vinin e ndjeheshin. Nuk ishin tinguj gazmorë, por tinguj vajtimtarë, dukej se ajri qe pushtuar nga psherëtima dhe brenga që jonizonin tingujt e fyellit të babait. Dhe kjo ndodhte përditë. Megjithse nuk guxoja të shkoja deri tek gorrica e madhe nën hijen e së cilës qe ulur babai dhe bisedonte me zemrën e tij dhe tingujt e fyellit, një ditë guxova dhe u afrova ngadalë. Babai qe zhytur i tëri në botën e tij plotë emocione, i rrëmbyer nga tingujt që kompozoheshin në shpirtin e tij, hidheshin në pentagramin e frymës së tij dhe po nga gishtrinjtë e tij ekzekutoheshin përmes atij tubi magjik, që duket se është shpikur enkas për dertet e shpirtit. Nuk di pse ndjeva dridhje në gjithë trupin, rrahje të shpeshtuara të zemrës dhe sytë të mbushur me lotë tek dëgjoja babain në atë vajtim jetësor. Tek e dëgjoja ashtu, babai më ngjante si një vajtimtar që vajton me ligje në morte. Dukej se babai vuante shpirtërisht, kish derte e daramete plot. Dridhesha i gjithi nga fibrimi i ajrit që realizonin jonet elektrizuese të tingujve të fyellit.
Po pse qajnë burrat -pyesja veten në heshtje tek shikoja dhe dëgjoja babain. Po secili, burrë apo grua qoftë , gjen mënyrën e tij për të qarë hallet, vajtuar dhimjen, se zemër e shpirt dru nuk ka. Secili gjen mënyrën e vet për ti shprehur e nxjerrë jashtë trupit të tij pa bezdisur tjetrin, përkundrazi ti bësh të të dëgjojnë me vëmendje dhe interes. Ashtu dhe babai kish gjetur mënyrën e tij, fyellin. Ashtu dhe unë, burri i ardhshëm. Zemra dhe shpirti janë mister, bisedojnë me perënditë, ndaj dhe kur mbushen, duan të zbrazen se vetvetiu prurjet e ndjenjave në rezervuarin e jetës shpërthejnë argjinaturën e digës dhe kjo është katastrofë. Nuk ka zemër që nuk ndjen, shpirt që nuk qan e sy që nuk loton. Jeta ka më shumë halle, ndaj dhe thonë se vajtimi dhe lotimi lehtësojnë shpirtin dhe qartësojnë e kthjellojnë vështrimin. Ndaj dhe shkrimtari i madh Viktor Hygo, tek një nga kryeveprat e tij”Të mjerët” diku shprehet me gojën e një personazhi: ”Njerëz! Para se të shkoni në punë dhe nëpër zyra, dilni një shëtitje nga varrezat në mëngjez”.
Mendimi se të gjithë që prehen nënë tokë e na vështrojnë nga fotografia me buzëqeshje qiellore e me shpirtin e pafajësisë, të gjithë kanë qenë mbi tokë. Kanë punuar e jetuar, gëzuar e hidhëruar, grindur, ndërtuar e shkatërruar, luftuar e munduar dhe tani ja ku janë bashkuar, këtu të gjithë tek ky vend i prehjes shpirtërore të përjetshme, në paqe sikur mes tyre nuk ka ndodhur gjë vetëm fjalëpërcjellja mortore: ” Gjyna, qe njeri i mirë. Kështu e ka jeta. Udhëtim i çuditshëm në autostradën e segmentizuar; Martenitet-varreza”…
Më përmendi nga meditimi zëri i babait:
-Eja, ç’ke që qan? Eja , bir, eja!
U afrova dhe më ledhatoi flokët. Sa e dashur dhe e dhimbsur mu duk ajo dorë në ato çaste. Dora më e shtrenjta në botë qe mbi flokët e mi. Dora e ngrohtë e babait. Pastaj vuri fyellin në cep të buzës, që ai i thoshte culë, u mbush fort me frymë dhe tingujt e brengës së shpirtit u shpërndanë grykëderdhjes së lumit e valëve të detit. Pushtuan gjithshka…Unë shikoja poshtë këmbëve të malit detin e kaltër me valët e qeta e ujë të pastër sa edhe nga maja e malit dukej fundi i tij, zhurma e dallgëve bashkuar me zërat gazmorë të bashkëmoshatarve të mi që shuanin vapën ujrave bujare të detit duke u kredhur në to, ndërsa unë çoban në majëmali. Nuk di pse e kisha këtë dënim internimi… Fyelli lëshonte tinguj…sytë e mi plotë lotë. Nuk di pse mu dhims babai ato çaste. Isha fëmijë akoma e shumë gjëra nuk i kuptoja. Po instiktivisht diçka e breja në vetvete. Babai sikur ma lezoi mendjen dhe fytyrën, e cila më kishte tradhëtuar në përjetimet e mia duke harruar se ku ndodhesha. Babai e la fyellin dhe më foli me një zë të dashur e të dhemshur, të ëmbël dhe pak seroiz:
-Bir im! Po rritesh dhe vras mendjen si do tu vejë filli. Merak prindëror. Më dëgjon që vajtoj me fyell. Pse? Se tek këto tinguj është fati im, është motra ime, nëna e babai që më lanë të vogël rrugëve dhe duarve të botës. Je ti, biri im që rri me mua në këtë majëmali, kur mund të ishe në buzë të detit të lozje e kënaqeshe me shokët e tu. Të shoh e të kupton babai, zemra e tij lexon shumë. Po nuk dua të ma shohësh lotin e syrit e të ma dish dertin. Nga ty kërkoj gëzim në jetë. Lotët dhe trishtimi kurrë mos ta pafshin syrin dhe zemrën. Jeta qënka me halle…eh…halle,- psherëtiu babai dhe vuri përsëri fyellin në buzë…
 
Mars 2017

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s