Poezi nga Xhemile Adili

Poezi nga Xhemile Adili

 

DITË E VERËS GDHIN?…

Si është e mundur të dashurojë njeriu
deri në këtë pikë,
e të harrojë dhe frymën e vetes
e si mund t’i bëjë ballë dhimbjes!
Barka plot lule, shpirti im një kodër
bart larg e larg.

Si është e mundur, thika përvëluese
të të shqyej zemër e tru, orë e çast?
Përdhosje e sakrilegj bart bota, kokën pa çarë
e nuk di që gjithë peshqit në planet
marrin gjak, mushkëri e verza nga ime plagë.
Paralagje kozmosi është çdo rënkim që kam.

Si është e mundur hëna të bëhet gjak në sytë e mi,
dielli të bëhet akullnajë zemre e kujtdo këtu pranë?
Shpirti më rri fjalë në flakë, ngado me emrin tënd
të kësaj jete. Ҁ’jetë, aman?!…
Më vrit, ose më humb, më bëj pupël zogu në qiej,
s’dua të ekzistoj një “nesër”, por çmenduri dashurie
të turfullojë, qoftë dhe furtunë mugëtire, sot, tash!

Ditë e verës gdhinë? Të hapen violat, mimozat?…
Luaj me gishtërinjtë e duarve tuaja flokëve të mi…
Betohem në Zot që s’ka për të ardhur ditë e bardhë,
pas kaq vuajtjesh!
Balsam kurore të fateve do zgjidhur,
si shpirtrat përvëlohen. Të tillë më ke e të kam…
Si është e mundur tërë këtij tmerri t’i bëj ballë?

 

POEZIA E PLAGËS QË PO MË GRIN

Përcjell ditë, momente të rënda, mote peshe të paparë.
Përcjell shpendë, flutura, fishekzjarre e avionë,
të gjitha ikin e kthejnë, vajnë e s’shihen më,
por shpirti im ka shpirtin e të gjitha atyre
dhe rënkon e qanë, pa u parë me ato asnjëherë.

Pse, o perëndi, bëre jetën të tillë, pse, pse, pse?
Sundohet nga deti i madh me helm dhe brenda detit
akoma dhe më i madh një oqean helmi tjetër rri.
Sa duron kjo zemër, s’duron sheshi, hendeku i madh,
bora në mal lart, suta e dreri me bisha rrethuar
e s’dihet pse bëre jetën të tillë, pse, o perëndi?

Në skaj bote, dhe edhe më larg akoma më shpjerr
e mos mendo se mos nuk marr me vete tim vend,
tim at e mëmë… lulet që dua, fytyrat që kam xhan.
Dua diçka, si asgjë në botë… më jep atë, përendi!
Lashë pas të tijtë shpirtë, mish e kocka, o poezi, poezi!

 

TEMPULLI I HYJNESHËS ILIRE THANA

Shtigjet e vdekjes, këto akullnaja, sa kodrat e tëra,
braktisin prore muzgjet, kujtimet dhe mëngjeset.
Dhembja për paqen? Por gotë mizorish mbetet.

Tempullit të hyjneshës ilire Thana kam duart, sytë,
ajo më jep kumtin e poezisë, unë i jap lotët e mi,
Sulltana e Qafës m’fshinë rrugë shpirti me shami.

Oh dhembje, shpellë froni të ligë, kaq të ligë,
pa mua nuk do ketë një lulkë në pezul ëndrre!
Pa mua s’do ketë as dhe një mami të çmendurisë!

Gurët dhe gjethet, Hyjneshë, në gjinj mbaj për ty,
rrudha e rrezëllimit merr kopshtet e gjakut tim
me atë krijon tingujt, këtej kah do të vish ti…

Poezi, Thana, Sulltana… më jepni krah, të ik,
kur perëndia nxit rrugët e diellit unë të mbështjell
me flokët e bebëzat e tmerrit tim, besimit në liri!

 

E GJATË NATA DHE MË E GJATË DITA

Kjo verë ka diçka nga të plagëve të mia të fshehta,
ky diell ka dhe më shumë diçka nga të gëzimeve të mia
që s’i njoha ndonjëherë.

Kjo liri ka diçka të robërisë që kurrë prangat nga mua
nuk lejoi të shkulte ëndrra
dhe flakët e shpirtit copëra më bënë çdo gjë kisha.

Kjo natë më dhuroi flokët më të zinj se mynxyra e saj
dhe këto rrugë të ndarjeve më dhuruan sytë më të zinj
se bukuria e panjohur.

Perëndi, më fal ëndrrën time dhe zërin tënd unë të fal!
Mos më shiko, kur detin e tharë po mbush nga sytë e mi
e po shkruaj në fund të detit, në zemër të zjarrit
një emër – mbi çdo gjë që di.

Perëndi, më fal zemrën time
dhe shpirtin tënd unë të fal!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s