Të mos kesh frikë ..! / Tregim nga Pirro Shtika

Të mos kesh frikë ..!
 
 
Tregim nga Pirro Shtika
 
* * *
Ora në mur e markës Citizen, një formë katrore dhe e dominuar nga një ngjyrë limoni, bashkë me motivet popullore që stolisin të katër qoshet e saj, në një verdhërime më të shndritëshme, ndoshta për të nxjerrë në pah akrepat dhe numrat që nga njëshi deri te dymbëdhjeta, është e vetmja relike që më kujton vendlindjen time Korçë dhe me sjell nostalgjinë e rinisë. Pra, ora, sapo shënoi me një kërcim sekonde, kalimin e mezit të natës. Si rëndom dhe unë njëherësh me të hodha një vështrim vjedhontas nga ora e dorës, si për t’u siguruar më mirë dhe më pas shkarazi edhe një sy nga Frosina e vogël që dremit në cep të njërit prej dy divanëve. Më pas shikimi shkon tek gruaja, që gjithë kohës, të paktën në tridhjet minutat e fundit fliste zëulët me shoqen përballë, ndoshta për të mos zgjuar vajzën, gjë që s’ishte në natyrën e saj, ose ngaqë nuk dëshiron të bëhet objekt burrash. Dilema sa vjen e shtohet edhe për faktin se pas një çasti, bisedës i shterren burimet. Mbi tavolinë, çdo gjë dukej sikur kishte ndaluar në pozën e dëshiruar, sikur të ishin gati për t’u përjetësuar, shishet, disa bosh e disa thuajse, pjatat e “pastruara” dhe ato ku kishte mbetur diçka nga ushqimet e ndryshme, të gjitha të kujtonin pikturat “Natyrë mort”, edhe në atë pamje të rrëmujëshme. Vizitës po i vinte fundi. Në një çast heshtjeje, një buzëqeshje m’u ngjit buzëve. Vizitës, vërtet i kishte ardhur fundi, por, dëshira për t’u shtyrë më tej, ishte kryeneçe.
“E po ta bëjmë me leje për sot, kusho, me sa shoh vajzave iu ka ardhur gjumi. Pothuajse i thamë të gjitha, të thëna e të pathëna, të vërtetat e të gënjeshtërtat, të tashmet e të kaluarat, përgojuam të afërt e të largët, komshinjtë e miq të tjerë. Kështu është kur bën vizitë dhe merr me vete edhe gruan. Nesër po siç e lamë, në plazh, rrugës vendosim se ku do të ndalojmë. Në Perea, Agjiotriadha, Mihanjona, apo në Epanomi. Në rregull?’’
“Po, me patjetër kusho, nesër në ora 9 – të te stacioni i autobuzave Aristoteli. Edhe njëherë, po ju afroj dy variante, dëgjo dhe ti Irini!”
Ishte një sinjal i përsëritur për t’i shkëputur nga biseda e gjatë.
“Të marrim diçka nga shtëpia për të ngrënë, apo të ulemi në ndonjë nga tavernat e shumta anës rrugës, … hë … si thoni?” them dhe i shkel synë kushëririt, veçmas grave që rrinin vigjilente ashtu kokë më kokë, fare pranë.
“Çfarë taverne ore, i keni mendtë!?” shpërtheu gjithë forcë me zërin e saj, Irini, gruaja e Vanit, kushëririt tim. “I keni mendtë apo ju ka zënë birra?” përsëriti. “Nuk do piqemi gjithë ditën në diell. Pastaj, ju jeni dhe me fëmijë të vegjël. Edhe unë nuk e duroj shumë diellin, ju e dini, le që nuk më bën mirë, as kripa e detit”, vazhdoi, kurse unë po prisja të mbaronte lista e të ndaluarave. “Aty s’ka as dushe me ujë të ëmbël për tu shpëlarë”, e mbylli pjesën e ankimeve dhe unë mora frymë i lehtësuar. “Po..ushqimet i marrim me vete nga shtëpia. Ne tonat, ju tuajat. Aty, domosdo do i këmbejmë. Unë që sot paradite përgatita ca qofte zgare, vezë të zjera, sallam të tiganisur, ndonjë domate, kastravec, për ndonjë sallatë, ç’kërkoni më shumë ju? Marrim dhe ndonjë birrë dhe kaq”.
“Mirë, si të doni, dhe ne kemi përgatitur diçka, kemi edhe lakror e disa bërxolla të ditës së sotme”, tha Zana, gruaja ime. -Kemi edhe një verë të mirë, do e marrim dhe atë’’.
“Mund të vijë edhe motra ime me burrin. Herën e shkuar mu mërzit që se thirra, si thoni?”
“Doemos kusho, Lena është kushërira ime, Ti e di sa kam dobësi për të, si për një motër”.
“I thashë unë ore, javën e parë, por bëri sikur nuk e dëgjoi, epo unë nuk do i lutem de”.
“Epo gjithmonë kondra do të më vejë mua kjo grua? Nuk i the, ose t’u duk sikur i the! Pse nuk e di unë se si shkon ti me të? Po lere tani mos na hap barkun, kaloi mesnata dhe nuk dua të çuditim dynjanë. Edhe njëherë natën e mirë dhe mirupafshin nesër”.
“Natën kusho dhe gjumë të ëmbël. Flasim nesër”.
“Natën e mirë, natën e mirë”, u hodh gruaja.
“Natën e mirë teta Irini dhe xhaxhi Vani”, thirri e vogla, Frosina. Ashtu e përgjumur, duke iu hapur goja dhe sytë gjysmë të mbyllur, rrinte si sonambul mbi ndenjëset e saj.
“Natën e mirë zemër!” thirri Irini, -kujtova se po flinje pa nuk të bëra zë. Hajt, gjumë të ëmbëll dhe ëndrra të bukura!”
“Natën e mire shushuradha”, i thirri Vani nga larg, “edhe njëherë natën e mire!”
 
* * *
 
Gati dhjetë vjet më i madh se unë, por emigracioni më lidhi mjaft me kushëririn tim. Dikur ëndërronte të studionte për mësuesi. Me mjaft përpjekje ia doli mbanë, duke mbaruar shkëlqyeshëm. Por fati nuk ishte me të. E emëruan mësues në një fshat të thellë e të largët, të Çermenikës së Zezë, ku varfëria dhe mizeria nuk përshkruheshin dot. Luftoi megjithë energjinë e shpirtit dhe fuqinë e besimit për të ndryshuar diçka në mënyrën e jetesës për gati tre- katër vjet. Duket se u mposht kur pa se sa vështirë qe t’iu ndryshonte zakonet, traditat e lashta dhe të fuste frymën e oksidentit, atë çka kishte arritur ai në Korçë, të sillte një mënyrë të re të jetuari dhe gjykuari si brenda familjes ashtu dhe në bashkësi. Hasi jo vetëm qëndresë të madhe, por krijoi edhe pakënaqësi, e, sidomos humbi besimin e pleqve të fshatit, ndërkohë që tek të rinjtë s’mundi të mbjellë farën e qytetarisë. Më pas nuk shkoi aty dhe kërkoi të emërohej diku më pranë, në ndonjë fshat të Korçës, por, kërkesa nuk u pranua. Ishte një periudhë e vështirë për të. Vonë fitoi profesionin mekanik në një ndërmarrje në Korçë. Aty njohu dhe Irinin me të cilën pas disa vitesh u martua dhe bënë dy fëmijë, vajzë e djalë. Me të ardhur demokracia mbetën pa punë. Si shumica nga ne, morrën rrugën e kurbetit. Si fillim iku djali, më pas ata, duke e ndjekurë atë diku në Katerin të Greqisë. Kishin disa muaj në Selanik, ku premtohej për më mire, kur një ditë të birit i del llotaria amerikane. Ishte ngjarje e madhe për ta. Çdo ditë tema e bisedës vërtitej rreth djalit të tij. Qëllonte që, në orët e vona pas mesnatës, të premteve ose të shtunave, të merrte në telefon e të pyeste pa ndryshuar formulë: “E kushuri zgjuar jini?’’ Pas përgjigjes sonë, po, nuk ngurronin të vinin dhe të rrinin deri në orët e para të mëngjesit. Natyrisht, pak raki, kur ishte ftohtë, kur ndodhej, edhe verë, birra, mbrëmjeve të ngrohta të beharit, si kjo mesnatë.
Me të mbyllur portën dhe dritaren e lënë hapur për ajrosjen e sallonit nga tymi i duhanit, (Eh, kushuriri im është duhanxhi i madh), një pastrim i shpejtë i trapezarisë së vogël, nga gotat, pjatat e mezeve, taska e duhanit, si dhe shishet e birrës, më pas sillnim mbulesat dhe shtrojet për të dy vajzat. Sepse salloni shërben edhe si dhomë gjumi për vajzat e mia, Iroin dhe Frosinën e vogël. Midis të madhes e të voglës janë pesë vjet. Iroi, kur kemi miq deri në orët e vona, pasi përshëndet me mirësjelljen e një zonjushe, shkon të flerë tek krevati ynë, në dhomën ngjitur. Kurse Frosina pëlqen të shtrihet te cepi i divanit, ku e ze gjumi si një kotele.
“Ine alithja baba, avrio tha pame thalasa, eci akusa, i mipos imuna ston ipno mu? (Është e vërtetë baba, nesër do të shkojmë në det, kështu dëgjova, apo isha në gjumë?)
“Nuk po të marr vesh, shprehe më saktë në shqip, se çfarë deshe të thuash”, përgjigjem i habitur për nivelin e greqishtes.
“Ella re baba, mi kanis san na mi katallavenis? Elenika su milao! Qe esi to kseris poli kalla. Eci dhe ine?” (Eja baba, mos bëj sikur nuk kupton? Greqisht po flas ? Dhe ti e di shumë mirë. Nuk është kështu?)
“Po, po, të kuptoj, por a s’kemi thënë, që në shtëpi do të flasim vetëm shqip? Ne e kemi gjuhën tonë mjaft të bukur, pastaj unë vështirësohem dhe shpesh besdisem kur flas greqisht. Nuk e kupton ti, se sa keq e flas dhe sa vështirësi ndjej kur komunikoj me ndonjë grek, ose greçkë?”
“Ti baba e flet shumë mirë greqishten”, ma kthen në shqip, -unë nuk mund ta kuptoj pse s’ke besim te vetja. Ti e flet më qartë edhe se mami, paçka se nuk e bën veten, fjalët që përdor i ke më të zgjedhura dhe unë dua të të ngjas ty”.
“Dale dale, nga ke dalë ti, që kërkon t’i ngjasësh më shume tët-eti? Siga (ngadalë), e folkërka më mirë greqishten se unë yt atë, kur kështu? Xhvishu se vajti vonë dhe nesër nuk të del gjumi”.
Pasi e ngre më këmbë, ia heq thuajse me forcë bluzën e ditës dhe i vesh niktikonë e natës. “Nesër do të vemë në plazh posiii? Këto t’i kap veshi, paçka se bën sikur fle”.
“Po jo me mami më doli gjumi në kohën kur u ngritën ata. Folën me zë të lartë, ç’faj kam unë që më zgjuan dhe më hynë në vesh?! Ooo sa qejf, mi bëj bracaqkat gati, po kështu dhe kamardaren? Po varkën prej llastiku dhe lopatat do t’i marrim?”
“Epo nuk do ngrehim gjithë shtëpinë, me autobus do shkojmë e do kthehemi. Varkën e marrim nëse rrimë gjithë javën. Eci dhen ine?”
Kthehem me vajzën e madhe në krahë dhe e lëshoj ngadalë në divanin e saj. Ashtu, të përgjumura, i mbulojmë të dyja me çarçafët e tyre të veçantë. E vogla ndihet mirë midis fotografive ku paraqiten thuajse të gjitha kafshët e Afrikës në kuadrate me ngjyra të larmishme, ndërsa e madhja ka një set çarçafësh e këllëf jasteku me lloj lloj lulesh. Trendafila ngjyra ngjyra të blera në Xhambo.
“Dhe tani natën e mirë e gjumë të ëmbël dhe ju pafshim në ëndërr, kështu!”
“Babi nuk do më puthësh në faqe, pluq pluq?”
“Ah po, se harrova, ja një minutë … mahh, mahh”.
Ndërkohë që e puth në të dy faqet, sytë e saj lëvizin drejt s’ëmës dhe kur u sigurua që u largua drejt dhomës tjetër më çuçurit në vesh:
“Babi të të them një sekret? Kam kohë që e mendoj, por dua të më premtosh se nuk do t’i thuash askujt, hee, si thua?”
“Po, natyrisht, nëse ia vlen ta quajmë sekret. Pa hë, ç’lloj sekreti na qënka ky që nuk duhet ta dijë as mami dhe as motra, edhe pse kemi thënë që brenda familjes nuk do të kemi të tilla?’’
“Po o baa, por nuk dua ta marrë vesh mami, hë, si thua, do ma japësh fjalën?”
“Mirë, po të dëgjoj, po hë njëçikë shpejt se kaloi mesnata dhe nesër nuk të hapen sytë!’’
“Edukatore Kristina, në kopësht, më thotë gjithnjë, Frosina duhet të flasësh vetëm greqisht, pasi gjuha greke është gjuha e Zotit, nuk dua të flasësh ndonjëherë shqip me Marian, patrioten tënde shqiptare, në rregull? Është e vërtetë o baa, që gjuha greke është gjuha e Zotit, siç thotë edukatoria? Ndërsa për gjuhën shqipe, thotë, se është e dënuar nga Zoti dhe nuk duhet folur, por duhet zhdukur nga fjalori ynë”.
“Hëmm, nuk është kështu, përkundrazi them se gjuha shqipe është gjuha e perëndive, ke dëgjuar për to? Perënditë kane jetuar para Zotit, mijra vjet më parë. Zeusi përshembull ka qenë kreu i perëndive, ndërsa Posejdoni, perëndia e detrave, dhe kështu mjaft të tjera, si ajo e erës, e luftës, e bukurisë, e dashurisë, e mbi të gjitha perëndia e Diellit që i jep ngrohtësi dhe jetë dheut, ne, e gjithçkaje sa shikon ti në këtë botë”.
“Po kështu edhe kur vemi në Katikitiko, mësuese Idhanai, na thotë ne shqiptarkave të mos flasim shqip, në mes tonë, por greqisht, pasi shqipja është gjuhë e mallkuar, gjuha e djallit dhe e dënuar nga Zoti, kurse gjuha greke është ajo që flet dhe Zoti lart në qiell. Është e vërtetë kjo?”
“Përderisa e flasim ne, unë, mami, motra, gjyshja dhe gjyshi yt, i mamit dhe i babit, si dhe gjyshërit e mij dhe të prindërve të mi etj, kjo tregon se gjuha tonë ka qenë shumë e shumë vite më parë dhe quhej gjuha e Pellazgëve, një popull që jetonte në trojet e Ballkanit, pra, dhe këtu ku po jetojmë ne tani. Më vonë u quajt gjuha e Ilirëve, pastaj e Arbërve, Arbëreshëve dhe e Arvanitasve, dhe tani gjuha e Shqiptarëve. Kështu! Por këto do i mësosh më vonë në shkollë. Në rregull? Fli tani se u bë vonë, do kemi kohë të flasim sërish. Natën e mirë”.
“Por kam frikë o ba, prandaj po të them”.
“Të mos kesh frikë, për këtë! Këto lloj sekrete do i ndajmë bashkë dhe do i flasim brenda familjes, por edhe ti mos i thuaj gjetkë këto, mirë? Sekreti prandaj quhet i tillë”.
Natyrisht, kaloi një orë, duke përgatitur ato çka ishin më të nevojshmet për një ditë plazhi. për të mos humbur kohë të nesërmen, që nga rrobat e banjës, kapelat, syzet e diellit, si dhe ushqimet, pijet dhe frutat e nevojëshme.
“Dhe këta rrinë kaq vonë! Nuk e dinë që kemi fëmijë të vegjël apo bëjnë sikur nuk kuptojnë? Janë të lirë, pa fëmijë dhe pa asfare preukopime”, -shfryn gruaja e lodhur vërtet, pastaj më kthehet mua, -Dhe ti ua zgjat e ua zgjat, e bën litar me politikën tënde dhe fillozofirat. Ata e dinë që ne s’kemi dhomë gjumi për fëmijët, nuk i thërrasin mendjes?! Rrinë me orë të tëra”.
“Grua, fjalët e shumta janë fukaraĺlëk, e kotë të flasim për këtë. Si mund t’u themi ngrihuni sepse ne kemi fëmijë të vegjël? Duhet ta kuptojnë vetë. Por, ata ne na kanë, si dhe motrën e tij. Edhe pse, si kunata, s’para e shijojnë njëra-tjetrën, kështu që, këtu ndihen më rehat, pastaj dhe ti mos e moho, shkon shumë me të. Eja të flemë, se, siç e kemi nisur do të gdhihemi pa vënë gjumë në sy”.
“Pa më thuaj ç’të tha jot bije ne vesh, si shumë sekrete mbani ju ?”
“E po ç’të bëjmë, do kemi dhe ne sekretet tona ashtu si ti me të madhen’.’
“Ajo është ndryshe, së shpejti do të bëhet zonjushe”.
“E lemë me kaq për sot, i dhashë fjalën, se atë që biseduam sot, hëpërhë do e mbajmë sekret, në rregull? Natën e mirë dhe gjumë të ëmbël !”
Vonë më zuri gjumi. Sekreti në fjalë që do të mbaja me vajzën e vogël më shqetësoi pa masë. Tash po e kuptoja pse, sa më shumë i afroheshim kopshtit, aq më shumë ngurtësohej Frosina e vogël dhe i shmangej bisedës me mua në shqip. “Babi mos folë shqip tani se ka njerëz, pastaj, kjo rrugë është plot me shoqet e shokët e mi?’’ Mendoja se ishte çështje sedre, për të mos u dalluar nga fëmijët e tjerë që zotëronte edhe një gjuhë të dytë. Këtë vërejtje ma bënte shpesh edhe gruaja, kur merrja rrugën për tek kopshti, pas orës 16 -të çdo pasdite të premteve, sepse kthehesha më herët, se ditët e tjera të javës, në shtëpi. “E mos mi fol çupës shqip rrugës, more vesh, foli greqisht, s’ka pse ajo të dallojë nga të tjerët. Nuk e shikon që është më e bukura e grupit? Apo do të ta marrin në sy! Foli greqisht dhe mos e ver në siklet me krenarinë tënde prej shqiptari!’’
 
* * *
Koha ishte e kthjellët, pa një re dhe dielli shkëlqente me gjithë ndriçimin e vet. Atmosfera mjaft e hareshme, nëse përfytyron gëzimin e dy fëmijëve që vraponin sa andej këtej. Kalonin nga dhoma ngjitur, ndërronin rrobat e banjës, ktheheshin para pasqyrës së tualetit dhe shkëmbenin me njëra- tjetrën në greqisht mendimet për veshjet. Nuk kishe si të mos përfshiheshe nga kënaqësia kur i shikoje ashtu të lumtura teksa bënin modën e rrobave të banjës, por dhe të atyre që do të vishnin rrugës për në plazh. Ishte një ritual, jo pse qe hera e parë, por ngaqë të dukej, se kësaj rradhe do të ishte diçka më ndryshe nga herët e tjera.
“Hë grua, nuk kënaqesh kur shikon vajzat sa të lumtura ndihen, si flutra vijnë vërdallë teksa ndrojnë ngjyrat hera herës dhe sërish ju japin krahëve fluturim. Njëra më e bukur se tjetra, a nuk janë?”
“Je me fat që të solla në jetë dy vajza si yje, a, s’është kështu, se po të qe për ty, kush e di se çdo kishe nxjerrë. E mos thuaj që nuk ta përmirësova rracën”, e kthen ujin nga mulliri i saj ajo.
“Atë farë që mbolla grua, atë edhe korra ! Ha ha ha. Veçse, po të qe djalë kjo e vogla, atëhere po, do të kisha marrë dhjetë me yll. Megjithatë dhe kështu jam mjaft i lumtur. Dale të të puth një çikë që më dhurove dy pëllumbesha të shkruara”.
“Mos u mërzit për të voglën, sikur e ke shfryrë nga hundët, kopje, ty të ngjet. Dhe nga huqet s’të ka lënë gjë. E madhja po, më ka ngjarë mua. Eci dhen ine ? “
“Eci, eci, ha ha ha !”
Guardaroba ime qe e thjeshtë. Një palë pantallona të shkurtra bezhë, një bluzë e bardhë si bora, kapelja e bardhë me strehë të gjerë, si dhe syzet e errëta në gri të thellë. Sandalet bezhë, pa çorape. Gruaja po i mëshonte makiazhit të fundit, një palë syze kafe, si dhe kapelen e lehtë prej kashte rrethuar nga një fjongo rozë e ndezur. Ora tetë na zuri gati. Ndava detyrat. Për vete mora çantën e rënduar, ndërsa çadrën e diellit e ndava mes dy fëmijëve. Shkopin, Frosinës së vogël, si dhe kova me lopatkën e verdhë.
Ora nëntë pa dhjetë na gjeti tek sheshi i Aristotelit. Tek stacioni fundor prisnin autobuzat e linjës së plazhit. Grupe grupe njerëzish, shumica e të cilëve ishin tashmë shqiptarë që gumëzhinin nga e folura me zë të lartë. Takime, përqafime, thirrje plot ngazëllim, për njohjet e papritura pas telefonatave të fundit. Përzierie gjuhësh ballkanase, por edhe më thellë, europiane dhe aziatike. Shqipja mbisundonte, më pas greqishtja, e coptuar dhe e arnuar nga gjuhë dhe larmi dialektesh, që nga gjeorgjiania, armenishtja, bullgarishtja, rumanishtja, turqishtja, rusishtja, pontiakishtja, më pas ato më të dëgjuarat e më të kultivuarat; si gjuha angleze, franceze, gjermane, etj.
Pranë meje një plak me ecjen e tij të ngadaltë, zvarrit këmbët dhe troket me një ritëm monoton bastunin e tij. Me republikën prej kashte dhe syzet e trasha, nuk kishe se si mos e dalloje zotin Harallambo. Një komshi i vjetër, dy porta më poshtë se shtëpia ime.
“Jasu qirje Harallambo, ti kanis, kalla ise?” ( Përshëndetje zoti Harallambo, ç’po bën, mirë je?)
“Kalla agori mu, oh.. qirje Spiro, esi ise. Dhen se gnoriza, ti kanis edho?” (Mirë djali im, oh zoti Spiro, ti je. Nuk të njoha, çfarë bën këtu?)
“Desha të të pyesja, si e ndjen vehten tek dëgjon gjithfarë gjuhësh të flasin në sheshe, mjedise publike, autobuzë, trena, në kafene e kudo, këtu në qytetin tënd të lindjes?’’
“Sinithizmeni.(Normalitet ). “Multietni. Të paktën këtë pyetje ja kam bërë edhe babait e gjyshit tim. Tash po përsëritet sërish këto vitet e fundit me ardhacakët e rinj, si puna tënde. Për ku kështu kaq herët sëbashku me dallëndyshkat e tua?”
“Në plazh, si gjithmonë në fundjave. Ju për ku?”
“Si gjithmonë te kafeneja, e ku tjetër, mund të takoj ç’më kanë mbetur deri tani gjallë. Kalofshi mirë dhe mirupafshim!”
“Gjithashtu”.
Duhej manovruar me shpejtësi për të hyrë në autobus, pasi njerzit ishin të shumtë ndërsa vendet për tu ulur të kufizuar.
Menjëherë u mbodhëm bashkë, pas kushuririt me të shoqen, vinte kushërira ime Lena me burrin e saj, Jorgon, nipi i tyre i vetëm Raqi, me gruan e re Violën, dy çifte korçaresh nga zona e kushëririt, një i njohur i vjetër i vëllait tim, Pandi, me gruan e tij Rita, e mjaft të tjerë.
Gratë do të sulmonin të parat për të hipur në autobuzin urban për të zënë vendet e lira, ndërsa ne të tjerët më vonë për shkak të çantave. Fëmijët pas nesh.
Duhet thënë, se unë dhe gruaja jemi të vetmit që i marrim fëmijët sa herë që shkojmë në plazh. Pjesa tjetër i ka fëmijët mjaft të rritur dhe shkojnë në plazh me shoqëritë e tyre. Në anën time, kam përballë një grek rreth të pesëdhjetave, mesatar e shpatullgjerë, krahë të shëndoshë, muskulozë dhe duar të ashpra e të mëdha. Një kokë që i përshtatej trupit me flokë të dredhur përzierë në gri.
Pasi u rregulluam dhe autobuzi mori kthesën për në bulevardin e gjerë Ignatia në drejtim të juglindjes, filluan dhe bisedat e rëndomta mes nesh të rriturve në shqipen e jugut, ndërsa të dy vajzat me greqishten e tyre të padallueshme nga vendasit. Por, kur vinte rradha për të ndërhyrë në bisedat tona flisnin një shqipe të kulluar e të zgjedhur. Në mes të kësaj bisede, e vogla, teksa më tërheq veshin pranë buzëve të saj, më pëshpërin në shqip.
“Babi, ky burri këtu përballë nuk më pëlqen asfare, ka një vështrim të çuditshëm e të egër. Mirë është të mos flasësh shqip me mamin. Sa herë flisni shqip ai i ngre veshët përpjetë. Nuk e ke kuptuar akoma?’’
“Oxi”, i them padashur në greqisht. Duhet thënë se kishte raste që vajza e vogël të diktonte gjuhën me fjalët e zgjedhura prej të rrituri, ndonëse nuk i kishte mbushur të pesë vitet e saj.
“Ja shikoje dhe më thuaj”. Ndërkohë u kthye nga e motra, për të parë nga dritaret në krahun tjetër të rrugës.
Kthehem përballë e, megjithëse nuk desha ta bëja veten, instikti për të vërtetuar atë çka më zbuloi pak më parë vajza, më bëri të hedh vështrimin nga burri i panjohur. Edhe pse e pashë tërthorazi, s’munda të shmang një kryqëzim e përplasje shikimesh të ndërsjellta.
“Jasu file mu! Kalimera ! Me lene Jorgo! Ti kanete, kalla?” ( Përshëndetje miku im! Mirmëngjes! Më quajnë Jorgo. Çfarë bëni, mirë?)
“Kalla, kalimera” (mirë, mirmëngjes!), i përgjigjem.
“Më bëri çudi komunikimi me gruan dhe vajzat e tua”. Nuk shqetësoheni, kur vajzat, që, besoj se janë të tua dhe ju uroj jetë të gjatë, flasin greqisht mes tyre, në të njëjtën kohë me ju flasin një gjuhë të dytë? Dua t’ju them se unë ju kuptoj në njërën e në tjetrën gjuhë”.
Ndërsa çon buzët e trasha në gaz, fytyra i merr një shprehje më njerëzore dhe duket sikur çlirohet nga një makth që po e mundonte gjatë, që në hyrje, nga çasti kur u ndodh përballë nesh.
”E kuptova se çfarë të pëshpëriti vajza, të bësh kujdes kur të flasësh me mua. Nuk është kështu?”
Njeriu dyshues përballë meje, flet një greqishte të pastër, mendova.
“Nga të kemi z. Jorgo”, i kthehem me greqishten time, kësaj rradhe bëj kujdes ta flas sipas rregullave të forta që ka kjo gjuhë, sidomos nyjet shquese, to, ta, ton, tin, tis, ti, etj.
“Unë jam nga Follorina, por kam kohë këtu në Selanik, rreth tetë vjet. Jam me profesion hekurkthyes dhe punoj në ndërtim. Duhet thënë se në Follorinë s’ka shumë punë, qytet i vogël dhe ndërtohet pak. Njerzit kanë kohë që largohen dhe Selaniku, si për klimën e butë, si për bumin e madh në ndërtime, është bërë i lakmueshëm nga qytetarët e Greqisë së veriut. Po ju nga ju kemi?”
“Ne jemi nga Korça, si me thënë jo shumë larg Follorinës. Kemi disa vite në Selanik, por nuk erdhëm për të ndrruar klimë, alimono (jo kjo arsye), pasi klimën e Korçës nuk e këmbej me asgjë në botë. Erdhëm për shkak të mungesës së punës. Ndoshta ke dëgjuar se në Shqipëri u bënë ndryshime të mëdha shoqërore, nga një shtet socialist, diktatorial, me një parti komuniste shumëvjeçare, në një shtet kapitalist, liberal, me ekonomi tregu, por me pasoja të mëdha sociale. Shumica nga ne mbetën pa punë si pasojë e mbylljes së uzinave, fabrikave, punishteve, etj. Gjithçka që ishte shtetërore u zhbë, duke na hedhur në rrugë të madhe dhe shtuar papunësinë.
Kjo ligjeratë, tashmë, gjysmë gazetareske më ishte bërë shprehi, sa here desha të shfajësoja praninë time në shtetin helen, mes vendasve. Ishte e pashmangshme dhe mjaft e sikletëshme, por e domosdoshme si kryefjalë.
“Po, kam dëgjuar. Mjaft shqiptarë kanë ardhur edhe në Follorinë dhe fshatrat përreth, duke punuar në bujqësi dhe ndërtim. Një pjesë e tyre na zuri punët tona, pasi duke qenë të huaj edhe pse punojnë gjithë ditën, pranojnë të paguhen me gjysmën e saj, shto këtu dhe orët e zgjatura. Shumica janë të rinj, me krahë dhe energji. Nuk ja u vemë fajin juve, por shtetit tonë, që i hapi dyert kanatë, për këdo që hyn e del në Greqi, jashtë rregullave ndërkombëtare”.
Dukej që kishte dëshirë të fliste gjatë, ndoshta ngaqë kështu mund të shprehte edhe njëlloj ankimi ndaj nesh, por edhe për të justifikuar praninë e tij në të njëjtin qytet, ndoshta me familjen e tij, ose edhe vetë, por, ndryshe nga ne, ai mund të shkonte çdo fundjave pranë familjes së vet, në Follorinë. Për dy orë me makinë, me tren ose autobuzin e linjës. Ndaj nuk e lashë të zgjatej më tej.
“Por edhe për ju kam dëgjuar se keni patur një periudhë të tillë, të vështirë e plot peripeci për shkak të papunësisë e varfërisë së atëhershme, në vitet pesëdhjet – gjashtëdhjetë, nga shkaqe që dihen dhe që u shënua në histori si periudha e “enfilio polemo” (lufta civile) ku emigruat masivisht në Europë, Gjermani, Francë, Angli etj, a s’është kështu?”
“Dakord, por me rregulla, me dokumenta dhe lista, në rrugë shtetërore. Jo si tani, ku shteti nuk merr asnjë nismë t’i rregjistrojë dhe t’ju japë lejeqëndrimi. Greqia është bërë si ‘hani i babunit’. Hyjnë e dalin pa teklif nga mali e deti dhe në mungesë të punës kanë filluar të vjedhin e ndoshta të kryejnë krime më të rënda, që, mesa dëgjoj dhe lexoj në media janë shtuar shumë. Ngado kapen shqiptarë, nga policia, por dhe gjeorgjianë, rumunë e bullgarë”.
“Të kuptoj, edhe unë jam në dijeni, pasi shohim e dëgjojmë në televizor dhe radio, por, duhet thënë se ka edhe teprime. Ka një prirje për t’i zmadhuar gjërat, duke anashkaluar shkaqet, pa ju bërë analizë ngjarjeve, pasi sejcila ka veçorinë e vet. Them se mediat greke kanë marrë përsipër një mision politik, ksenofobik, i thonë, për të krijuar një opinion negativ te qytetarët dhe populli grek, duke ju veshur shqiptarëve një qyrk të vetëm, atë të hajdutit dhe kriminelit profesionist, gjë që s’është e vërtetë. Ne s’kemi qenë të tillë deri në vitet nëntëdhjetë, pasi të gjithë kishim punë. Arsyeja që na solli këtu, siç thashë, ishte t’i shpëtonim varfërisë dhe mizerjes, por me punë të ndershme si shumë të tjerë. Besoj, edhe ti ke dëgjuar se edhe grekët pasi kanë ‘ekmetalevur’ (shfrytëzuar) mundin dhe djersën e shqiptarëve, shpesh për muaj e muaj me rradhë, i kanë flakur në rrugë pa i paguar qoftë edhe me gjysmën e vlerës që merr një punëtor ose qytetar i rëndomtë grek. E pra, unë i them kësaj propagandë mjaft e pështirë dhe e djallëzuar, e që fatkeqësisht po luhet në kurriz të kombit tonë. Kam frikë se një përplasje e madhe midis nesh dhe jush do të ndodhë, nëse shteti dhe qeveria tuaj nuk merr masa ashtu siç u shprehët në fillim të bisedës”.
E pashë që biseda pa dashje po merrte një rrugë tjetër, edhe rreth e rrotull, por dhe më tej, një përzierje racash e kombesh kishin ngritur veshët dhe prisnin përfundimin e kësaj bisede.
“Nejse të mos kalojmë më tej, pasi jemi nisur për tjetër gjë. Pa më thua, atje tek e nisëm si fillim? The se i kupton të dy gjuhët, pra edhe shqipen tonë apo jo?”
“Po, e kuptoj mirë shqipen, por e kam mjaft të vështirë ta flas. Kam vite që nuk e përdor, por jo se e kam harruar, më duhet pak kohë veçse për ta shtruar si me thënë”.
Këtu mori shprehjen e fëmijës, që më kujtoi vajzën time, kur pranonte nga zori diçka.
“Pse nuk thua që je shqiptar, or i uruar?” ia kthej pa teklif, duke marrë një qëndrim dhe afimitet prej një miku të njohur, të ndarë nga koha e largët, pa ditur përse. -Do të të ndihmoj unë, për ta rikujtuar. Ja më thuaj për ku kështu në plazh, ne kemi vendosur me miqtë e mij diku midis Pereas dhe Agjiotriadhas. Është një zonë e rrethuar me gardh, mjaft e qetë për familjarë, hyrja në të nuk kushton më shumë se 50-100 ∆rx për të rritur, ndërsa për fëmijët është falas. Hë si thua?’’
Dukshëm autostrada jashtë qytetit kishte rritur shpejtësin e autobuzit. Tashmë qe çështje minutash mbrritja në destinacion. I paralajmërova për t’u bërë gati, që të mos harronim diçka në autobuz, kur dëgjoj gruan tek tha e pakënaqur.
“Shyqyr që u kujtove, që ke edhe të tjerë rreth teje? Nuk të le kudo politika, or derëzi, qënke i sëmurë vërtet për të!”
“Lema me kushon, mos ma shaj, është i veçantë për të tilla diskutime. Jam gati dhe unë të jap mjaft shembuj nga Farsalla ime, ku kaluam goxha vjet në një komunë të vogël, mbushur me shqiptarë tek punonim në plantacionet e pambukut. Nga mëngjesi deri në darkë fushave në mes të diellit dhe vapës së tmerrëshme, për një copë bukë. Paga më e lartë ishte dymijë dhrahmi, ndërsa jetesa ishte mjaft e shtrenjtë. Por dhe ato i merrnim si me këmbë, pas shumë ditësh, duke na shkurtuar një pjesë të tyre dhe duke na i bërë hasha pagesën. Thuaj që e menduam hollë dhe vendosëm e na doli mbarë kthimi në Selanik, ndryshe nuk do të bënim prokopi atje”.
“Mja mo mja, ti ja ngrite qimen këtij. Domosdo kushëririn tënd do të mbrosh, ç’më ke mua fundja. Por këto biseda nuk më pëlqejne jashtë, në mjedise publike, aq më pak në autobus, në mes të njerzve. Nuk më duhet, veçse nëse pleksemi keq, pasi përballë me një të panjohur nuk i dihet si përfundon biseda”.
“Mos ja ki frikën kushuririt, edhe nëse merr shtrembër apo kthesë “disarestis” (e papëlqyeshme), di të dalë me kujdes dhe qetësisht, pa asnjë pasojë, “dhen ine eci?” (a s’është kështu) kusho?”
‘’Unë mendoj se Zana ka të drejtë, nuk bëhet politikë në autobus. Për tjetër gjë jemi nisur, pastaj, nuk na duhet të mburremi aq, se nga vijmë e çfarë jemi. Kemi të tjera halle e, sa më shumë kokë ulur e pa zë, aq më mirë do na dalë dhe do e kemi më të lehtë për të mbijetuar. Patriotizmi nuk na jep bukë hëpërhë. Qengji i urtë pi dy nëna, thotë një fjalë e urtë. Prandaj lereni krenarinë se të le me barkun bosh’’, u hodh Lena, që e ndiqte bisedën nga pranë, në krahun tjetër të ndenjësve.
‘’Gjithsesi i gjunjëzuar, pastaj gjithë jetën qingja kemi për të mbetur, ta marrë djalli! Nuk do të rritemi dhe ne njëherë?! Të kemi një zë, për aq sa dallohemi nga të tjerët?’’ ndërhyn Raqka dy rradhë më tutje, vendosur një kapele kashte mbi kokë si ato të kaubojsave dhe syze të errëta e të mëdha, e që herë i vinte mbi ballë e herë i lëshonte mby sy. Shpesh, syzet i vinte edhe prapa kokës, e paparë nga unë. Ishte nga ato mënyra kur njeriu për një çast duket me dy fytyra.
“Mos u keqkupto miku im, unë nuk jam shqiptar, siç më quajte pak më parë. Jam grek njëzetekatër karat, thjesht thashë që kuptoj. Dikur, në fëmini kam folur dhe shqip, por vetëm kaq”.
“Ashtu?!’’
Ndërkohë biseda mori tjetër kthesë. Një valë e nxehtë më përshkoi trupin, qimet e flokëve m’u ngritën përpjetë, të paktën kështu e pata ndiesinë në çast. Sapo u vërtetua shqetësimi i gruas time me thënien e saj. Duhet të ruaj qetësinë dhe të forcoj durimin tim me çdo kusht. Pati lëvizje nga karriget, njëfarë potere dhe këshilla se tashmë stacioni ku ne kishim vendosur të zbrisnim ishte çështje sekondash, jo më shumë. Si ka mundësi një mohim i tillë kaq i prerë, me pohimin alegorik krejt te zmadhuar, “jam njezetekaterkarat grek “, pra flori i pastër, që nuk shpërdorohet për bizhuteri, si unaza, vathë, gjerdanë, byzylykë të ndryshëm, grash e burrash. Të paktën kisha dëgjuar e diskutuar në një dyqan argjendarie dhe floriri, kur pata rastin dhe fatin të blija byzylykun, vëthë dhe varëse prej floriri për gruan në raste përvjetorësh, ditlindjesh, të saj dhe timen gjithashtu. Floriri i punuar nuk shkonte më shumë se dymbëdhjetë deri katërmbëdhjetë karat.
“Nuk e ve në dyshim Jorgo ’mu’, shtetësinë greke, të besoj qindpërqind për ç’ka thua. Por, përsa më thua që ke folur dhe kupton shqip, më jep të drejtën të të quaj patriot dhe kaq. Arsyet e ndarjes nga toka mëmë dhe nga kombi ynë janë tashmë të njohura, si nga ne ashtu dhe nga ju. Të paktën nëse i referohemi historisë së njëqindvjetëve të fundit, ku shumë toka shqiptare së bashku me popullsinë në të, iu shkulën me dhunë dhe paqe nga fuqitë e mëdha, duke i bërë copa të majme për grykësinë e fqinjëve tanë, si Greqia, Sërbia, Mali i zi, Maqedonia e ish Jugosllavise etj”.
“Ndërkohë po të them se unë jam grek dhe s’kam lidhje me asnjë rrënjë shqiptare. Nuk është e thënë, nëse di një gjuhë të huaj të dytë duhet dhe t’i përkasësh patjetër një populli, qoftë edhe fqinj me të. Gjysma e botës tashmë përdor gjuhën angleze, por vetëm një e mijta a e dhjetmijta e tyre mund të quhen anglezë, ose amerikanë, nuk “sinfonis” (bie dakort) me mua, hë?”
Shaka do desha dhe pata dëshirë të ishte si fillim, por dialogu ngulmimi i tij për të mos pranuar asnjë rrënjë shqiptare, po më linte një shije të hidhur. Të paktën ndjeva, që një shirit i tillë po davaritej anës buzëve të mia. Nxorra gjuhën për ta shpërndarë dhe zhdukur rreth saj, por qe e pamundur. “Ku dreqin të gjej një pikë ujë për ta lagur buzën e fytin që po më hidhëronte aq shume?” Hodha një sy sa majtas djathtas e për çudi pashë që autobuzi jo vetëm që kishte ndaluar, por po thuaj po boshatisej nga pasagjerët. Përtej dritares pashë gruan dhe fëmijët që ma bënin me shenjë të zbrisja. Gruaja kishte kohë që pëllëmbën e saj mbi kokë ta përdrithte për të dhënë idenë që unë kisha roitur nga trutë, përderisa vashdoja debatin e nisur me pasagjerin e çuditshëm. Hedh çantën e rëndë mbi shpinë, çohem vrullshëm dhe para se të drejtohem tek dera e hapur, i hedh një vështrim ndoshta për të fundit herë, duke e shoqëruar edhe me disa fjalë dufi nga shpirti im.
“Jasu Jorgo dhe të uroj shëndet, por gjuha shqipe nuk ka arritur ende të mësohet në shkollat e gjithë botës, as dhe në ‘frontistirjet greke’ (shkollë private e mësimit të gjuhëve të huaja, kryesisht anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, etj, të përhapura në gjithë Greqinë). Gjuhën shqipe, ose ta mëson nëna dhe babai, ose ta mëson gjyshja dhe gjyshi, nëse e kanë të trashguar brez pas brezi. Për mua ti je shqiptar dhe asgjë më tepër si kombësi. Sa për të tjerat, do të të them, që të mos kesh frikë, por të jesh krenar për të. Edhe njëherë ‘jasu’ dhe kalofsh mirë për sot! Miso lepto odhige mi klinis tin porta ! Nase kalla dhe jasu (Gjysmë minute shofer, mos e mbyll portën ! Qofsh mirë!)
Dal me të shpejtë nga autobuzi sëbashku me çantën e rëndë e ndërsa lëkundem nga të dy krahët, marr edhe një pjesë të sharash, si nga ana e shoferit, ashtu dhe nga ata pasagjerë që i lashë të prisnin për disa minuta.
“Tjetër herë s’kam për të ardhur në plazh, me ty, dëgjove?! Mbaje mend mirë këtë! Është hera e fundit, more vesh?! Ta sjellkërke majë hundës për çdo gjë! Po, si nuk t’u mbyll dera e autobuzit dhe të shkoje në djall, nja një kilometër më tutje dhe ta shikonim bythën të ndërsirë mirë kur të ktheheshe më këmbë? Po ç’kusur femijët që do të mbeteshin pa ushqime dhe fruta!”
Debati i mbrapshtë me Jorgon dhe tashmë me gruan më çoroditën pa masë. Si nga sikleti, si nga dëshira për tu shtënë i pafajshëm, i vesha fytyrës një byzëqeshje të hidhur. Në fakt ndihesha disi i çliruar, që në çastin e ndarjes munda t’i them thelbin e bisedës së nisur.
Kushëriri me gruan e tij fjalëshumë si dhe miqtë e tjerë, përfshirë kushërirën time të dashur më prisnin paksa të mërzitur, që iu kisha humbur minuta të tëra në stacion. Jo të gjithë e kishin pritur mirë debatin me Jorgon, që vazhdoi udhëtimin deri në destinacionin e fundit. Ai debat tashmë i mbetej së kaluarës dhe zbehej fare, përjashto mundësinë që rasti do e sillte përsëri.
Grupit i erdhi fytyra në vend.
Vajzat, të parat iu lëshuan detit me vrap duke u zhytur në të mes thirrjesh të hareshme. Më pas gruaja ime dhe gratë e tjera. Ne burrat pasi u sheshuam në rërë nxorrëm shishen e rakise si fillim dhe gotat plastike. Kushëriri ishte i pari që theu heshtjen si më i madhi i grupit.
“Hajde kushoi, gëzuar dhe mos u lag shumë nga gratë. Sa për to ne duhej të ishim kthyer në shurdhmemecë. Janë mësuar veç me thashetheme. Ja bëre mirë Jorgos që ia theve turinjtë, apo jo o Pandi?” ligjëroi dhe u kthye nga moshatari i tij për t’i marrë një pohim.
“Për mua, në fakt, nuk ia vlen t’iu mbush mendjen këtyre. Nuk thonë kot ne shqiptarët jemi bërë më grekë se grekët vetë, kaq fanatizëm kemi. Ndryshe tani do të ishim nja njëzet milion. Ndërkohë, besoj se në Shqipëri tani s’janë më shumë se dymilion, o më pak. Sa u hapën kufijtë dhe vuuu… fluturuan si zogjtë e qyqes. S’kemi për t’u bërë komb ne, përderisa mohojmë të parët tanë”.
“E ditka gjuhën ai e jo vetëm ai, por gjithë fshati, e jo vetëm fshati i tij, por disa të tillë rreth e rrotull Follorinës, e të thotë jam grek njëzetekatër karat”, ia plasi dhe Sotiraqi, më i riu i grupit, duke hapur një shishe birre.
“Si e pini këtë raki në gjithë këtë vapë bre burra! Brrr hajt gëzuar!”
“Si fillim duhet nisur me raki. Kjo është dhe në traditën e hershme, më pas dhe ne do ja sëllojmë me birrë. I kemi këtu, të ftohta akull, në çantën termike”.
Pas adetit në fjalë të gjithë ju afruan detit. Unë si gjithnjë me vrap, u lëshova pa nja pa dy, duke iu bashkuar grupit, gruas dhe fëmijëve, që po më prisnin tek brezi i dytë.
“Hë, u qetësove tani, shyqyr që u kujtove për grua dhe fëmijë” dhe sikur ta kishin bërë me fjalë filluan të më lagin nga të gjitha anët. I rrethuar nga gruaja dhe fëmijët, s’kisha rrugdalje, as nga uji, as nga të qeshurat e tyre të zhurmëshme.
“Ama kështu qenka puna, hë. Ja të shikojmë kush do të jetë më luftarak unë apo ju?”
Duart e mia filluan të zhyteshin në det për të nxjerrë ujë me pëllëmbë dhe t’ua hidhja atyre. Mendoja se do i ndalja njëçikë, por furia e tyre u bë më e vrullshme e duke më pasur në mes s’më lanë as edhe një çast të marr frymë apo të hap sytë. Kështu, u zhyta me kokë brenda dhe dola diku rreth njëzet metro më tutje. Kur dola mbi ujë i pashë tek shikonin rreth e rrotull me ankth. Të qeshurat ishin pushuar. Zhytem edhe njëherë për pak sekonda dhe më pas i jap trupit përpjetë fuqishëm dhe dal duke shfryrë ujin si një shatërvan i madh.
“Heeej ja ku jam ejani po ja u mbajti!”
Dhe menjëherë rrëshqita drejt thellësisë me not kroli. Duhet thënë se të gjithë në familje, përfshi dhe të voglën, jemi notarë mjaft të mirë, falë beharëve të kaluara, të cilat në shumicën e herës i kalojmë në plazhet e Kalkidhikisë.
 
* * *
Debati i mëparshëm tashmë i fashitur dhe gati i harruar, tingëllonte si një stuhi në gotë. U mblodhëm rreth një mbulese tavoline me kuadrate në ngjyrat e ylberit të shtruar mbi rërë. Gjithë hapësira e saj prej tre katër metro katror ishte mbushur në çdo cep me ushqimet që kishim marrë me vete. Tre, katër, çadrat, i vendosëm në atë mënyrë që ta mbulonin hapësirën me hijen e tyre. Duhej shmangur sadopak vapa e mesditës. Temperatura i afrohej 36 gradëshit. Kishim krijuar një rreth të kafshuar, kush gjysmështrirë, kush gjysmëgaliç, duke i dhënë mundësi trupit të përkulej dhe krahut të kapte copat e përgatitura. Biseda sillte gjithfarë ngjarjesh dhe historish nga më bajatet deri ato më seriozet, shpesh e shoqëruar me të qeshura të mëdha që shpërthenin befas. Iroi me Frosinën jepnin e merrnin midis tyre, duke shijuar gjithçka iu zinte syri dhe iu deshte zemra. Kur befas Frosina çohet dhe afrohet ngadalë duke më shkulur veshin si gjithnjë.
“Baba, shiko atje tej, pranë vijës së bregut se kush po vjen. Nuk të duket si ai burri që kishe përballë në autobus”.
Kthej kokën dhe vërtet. Syrit të Frosinës nuk i shpëton gjë. Ishte Jorgoja nga Follorina i cili mesa dukej s’kishte vendosur të zinte një vend në gjithë atë vijë bregdetare dhjetra kilometra. Ecte ngadalë dhe dyshues. Në pamje të parë të jepte përshtypjen e dikujt që shëtit ngeshëm anës detit. I xhveshur nga brezi e lart, një palë syze të mëdha e të errëta që bënin kontrast me sombreron meksikane në kokë. Jo, jo, ishte duke kërkuar dikë, të njohur, ose jo, pas një takimi të lënë a diçka të tillë. Befas, sytë e tij panë atë që po kërkonte dhe ishim pikërisht ne. Tashmë qe afruar shumë dhe dyshimi im u vërtetua. S’mund të bëja më të panjohurin. Çohem vrik nga vendi dhe pasi largohem pak nga çadra, thërres:
“Ella Jorgo, ti psahnis? Mipos ksehases tipota? (Eja Jorgo. Çfarë kërkoni? Mos ke harruar gjë?)”
“Juve po u kërkoja, nëse pranoni mysafir të ri”, shtoi si me droje.
Debati zhurmëmadh u ndërpre si me magji dhe me një habi të papritur thuajse të komanduar, të gjithë kthyen kokën nga mysafiri i ri, jo se do të ishin kundër pranimit të tij në atë rreth shoqeror. Jo! Çudia e madhe ishte se Jorgos iu zgjidh gjuha dhe tash po na fliste me një shqipe të pastr, por me një theks grek. Duart e tij instiktivisht u ngritën lart. Njëra hoqi kapelen nga koka me mjaft kujdes si një kavalier klasik, ndërsa me të majtën zyzet e errëta.
“Kam edhe unë diçka me vete për ta bashkuar tok me ju, si thoni?”
Natyrisht, e dalloja së largu ngurrimin e tij, ndoshta trembej se mos nuk e pranonim në mes tonë, por nga ana tjetër dukej edhe i vendosur për ta çuar deri në fund dëshirën e tij. Në pamje të parë dukej që ende se kishte provuar freskinë e detit, sepse qe mbuluar nga një djersë e madhe, një palë i shkonin një palë i vinin, rrëke, nga koka deri tek këmbët e tij të bëshme.
Gjendja e tij sa e papritur dhe aq për të ardhur keq, më bëri që ta thyej i pari heshtjen.
“Mirsetëvish, Jorgo mou, por me një kusht dhe ti e di fort mirë atë! Të mos kesh frikë që ke origjinë shqiptare! Hë, si thua?”
Por nuk munda ta mbaja seriozitetin fals që kërkoja të ruaja karshi tij dhe ja plasa me të madhe të qeshurës, sa njerëzore aq edhe mikpritëse.
“Ha ha ha, eja, s’ka galje ! Edhe nëse ngulmon të mbash një qëndrim të tillë kokfort si para dy orëve, për ne je i mirëpritur, pasi mbi të gjitha, tek ty shikojmë një njeri të mirë, një mik, s’ka rëndësi se ç’kombësie i përket. Eci dhen ine? Hahaha. Shqipja jote është perfekte dhe si shumicë që jemi do na pëlqente të bisedojmë në këtë gjuhë. Si thua, je dakort? »
“Ma fituat zemrën dhe të them të drejtën për herë të parë po bie në kontakt kaq afër me një grup shqiptarësh. Në fakt, shqiptarët jam munduar t’i njoh vetëm nëpërrmjet radios, televizorit dhe gazetave. Tash kam mundësi t’i njoh direkt, kaq pranë dhe të bisedoj në gjuhën e nënës time. Duhet thënë se në fillim, kur u hapën kufijtë, pata një ngazëllim të madh për të njohur nga afër vendin e origjinës, të paktën Korçën. Babai im, para lufte, vinte shpesh në Korçë me karvanë për të bërë tregëti dhe me tregonte se aty pa për herë të parë rrugë me asfalt, ku njerzit bënin xhiron e mbrëmjes. Më ka folur dhe për karnavalet dhe seranatat korçare. Po kështu dhe për vajzat korçare, mjaft të civilizuara që kishin hedhur tej shamitë e kokës si ato të krishtera ashtu dhe ato myslimane. Por nuk kaluan shumë dhe me ç’dëgjoja çdo ditë kundër jush, më ndrydhën dhe më krijuan idenë për ta mbajtur të fshehtë origjinën time të paktën edhe disa vite”.
“Mirë e the Jorgo, je i mirëpritur midis nesh. Një gotë raki për të uruar mirseardhjen”, e ngriti zërin kushuriri im.
Çështje sekondash dhe ashtu të gjithë, në rreth, i uruam mirseardhjen mikut të ri.
“Gëzuar dhe ja kalofshim sa më mirë.!”
“Gëzuar miqtë e mij, ju uroj me gjithë shpirt shëndet dhe mirësi në familjet tuaja. Kam një propozim. Unë jetoj prej disa vitesh këtu në Selanik, por i vetëm. Familjen e kam në Follorinë. Do të kisha shumë dëshirë të më bënit një vizitë kështu sëbashku si sot në plazh, t’ju njoh me familjen dhe të afërmit e mi. Si thoni?”
Vështrimi i tij filloi të zhbironte sejcilin nga ne me rradhë. U ndal te Frosina e vogël e cila ndiheshe ende e distancuar dhe mosbesuese nga ai. I tundi kokën me mirësjellje, duke i thënë se së shpejti do të bëheshin miq të mirë. Në fund u ndal tek unë.
“Ma fitove zemrën! Nga çasti që u ndamë dhe deri tani, sa këmbët më sollën deri këtu, nuk rreshta së ndëshkuari vetveten, që nuk munda të isha i sinqertë me ty. Kishe të drejtë në gjithçka sa the, por mos kujto se ne e kemi të lehtë të bëjmë një hap drejt jush! Kanë kaluar shumë kohë. Ndëshkimi ndaj nesh nëse ngrinim krye si shqiptarë ka qenë mjaft i rëndë. Telos pando! (mos e zgjasim).
Këtu heshti pak dhe më pas ngriti zërin.
“Gëzuar!”
“Gëzuar !’’ u përgjigjëm njëzëri.
 
Fund
7 nëntor 2016. @piro_shtika
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s